Skip to main content

Tetova News

Mvehtësia e Shqipnisë - Luigj Gurakuqi




E andërruar nga vjershëtorët e dëshiruar nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve, që vuanin e dirgjeshin nëpër burgjet e errata e që qanin e rënkonin nëpër shkretinat e largëta të ndjekun e të dëbuar nga Atdheu i dashun, mvehtësia e Shqipënisë na dukej të gjithëve si një dëshir i paarijshëm, si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfërinë t’onë, si një pemë e ambëlë e shijëshme, të cilën Perëndia u a kishte ndaluar shqipëtarëvet të mjerë. Me gjith dëshirën e nxehtë, me gjith adhurimin e thellë, që kombi i ynë ka ndëgjuar kurdoherë për lirinë vehtore, robënia e gjatë e zgjedha e dredhimet e Turqisë, që për aqe shumë kohë kishin randuar mbi qafën e Shqipëtarëvet, kishin shutitun edhe, ndë mos shuar, idhenë e bashkimit e të mvehtësiës në zemrat e tyne.
Po! Edhe ata që përpiqeshin e që punonin, edhe ata që vuanin e që luftonin nuk e shihnin tepër t’afërme, nuk e prisnin shpejt për shpejti ditën e bardhë të mvehtësisë s’atdheut. Dëshirin e tyne të flaktë e ruanin e e ushqenin në thelbin e zemravet të veta, andërrën e tyne të lulëzuarë e fshihnin në thellësinën e kujtimevet të veta, po nuk kishin tepër shpresë se do t’a arrinin ata vetë idealin e shenjtë, të cilit i kishin falun e kushtuar fuqinë, mendjen, qetësinë e trupit e gjanë, e jetën e vet!
Kështu punonin e përpiqeshin atdhetarët tanë: mundimet e të vishtirat, që pësonin, i hiqnin e i vuanin për bijat e nipat e tyne; e me gjakun e vlefshëm, që derthnin pa pushim e pa kursim, e dinin mirë se nuk do të vaditnin e nuk do t’ushqenin një lule, me erën e të cilës, do të kënaqeshin e do të dëfrenin. Mirë po në jetën e kombevet si edhe në jetën e njerësvet ndodhin hera-herë disa rasa të papandehuna, që trazojnë rrjedhën e punëvet e pjellin disa ngjarje, që as nuk i prisnin as nuk i shpresonin. Ashtu na ngjau edhe neve motin që shkoi, mot i mbushun me brengë e me pësime, po që, ndë mest të trazimeve e të ligavet të panjehuna, na solli edhe një të mirë të pashpresuarë e të paçmuarshme, domethanë, lirinë, bashkimin, mvehtësiën e Atdheut!
E mësyeme e e rrahunë në të gjitha anët, e mundënë e e shtypunë, në te gjitha luftat, Turqia po hiqte frymën e fundit n’Europë. Shqipënia, që, po m’ato ditë, kishte dalë nga një kryengritje e rrebtë e e përgjakshme, ndodhej e lodhunë e e papregatitunë e gjendej në rrezik të math. Viset e saja u shkelën, pothuaj të gjitha nga të huajt e bijat e saj, të mahnitun nga rrufeja e zjarrtë, që shkrepi e u zbras mbi kokën e tyne, nuk dinin se nga t’ia mbanin. Po Perëndia nuk e kishte thanë që të shuhej fare plangu jetik i Burrit e i Skanderbeut, që të shdukej nga faqja e botë’s kombi shqipëtar i vjetër, e po m’atëhere, kur anmiqët tanë na kishin dënuar për vdekje e po pregatiteshin të ndanin copa-copa Atdheun t’onë të shtrenjtë, ata, që ushqenin në zemrat e tyne idealin e mvehtësisë, rrokë’n fiamurin të kuq e të zi në dorë e, pa vështruar të liga e rrezike, u mblodhën këtu në Vlonë, ku delegatët e ardhunë prej të gjitha viseve t’ona nxorën Shqipërinë më vehte të lirë e të bashkueme.
Nuk asht sot dita të përmendim nëpër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtonj se në kete ditë fatëbardhë, që do të mbetet e paharruarshme në kujtimet e shenjta të kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqipëtarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen një.
Duke kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që i dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziket e tmerëshme, që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin tonë të çuditshëm, t’a forsojmë dashuninë e vëllëzëninë e t’i japim dorën njëni tjatrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvehtësiën e Shqipënisë sonë të dashun.
T’a dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësinë tonë; u shtojnë rreziket vëllezënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve, që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipërisë së lirë.
Të betohemi pra edhe një herë mbi lirinë e Atdheut, mbi varret e dëshmorëve tanë; t’i bajmë therore përpara altarit t’Atdheut anmiqësitë e smirat e zilitë e poshtme e të lidhemi e të bashkohemi të gjithë me një ment e me një zemrë që të përpiqemi e të punojmë tok, si vëllezër që jemipër të shëruar plagët e Shqipënisë e për të fshirë lotët e atyne, që qajnë e rënkojnë mbi brenget e visevet të veta, që u ndanë -përbashkëm.
“Përlindja e Shqipëniës”, Vj. I e premte 15/28
Vjeshtë e III 1913, Nr. 26, fq. 2, 3

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…