Skip to main content

Tetova News

Njeriu pa tokë - Poezi nga Luljeta Lleshanaku


MESHKUJ

Qenia njerëzore është si një gjuhë e vdekur;
prej saj mbetet vetëm një shprehje, citim, apo një fjalë e vetme.

Por një baba pa djem është mutacion.
Emri i tij do qarkullojë nga njëri vesh në tjetrin, përmes një fryme të pastër femërore
i artikuluar si një ëndërr pa konflikt
e vështirë për t'u mbajtur mend të nesërmen.

Gjashtë vajza: secila prej lindjeve qe një dështim
si tregtari i arit
që kthehet në shtëpi vetëm me mëndafsh dhe çajëra kurativë.

Pa një djalë në familje
pa një lumë për të derdhur mbeturinat toksike
të zemërimit të tij bardhë e zi,
Pa dikë për të parashikuar dimrat në skeletin e kafshëve të shtëpisë
pas darke
luftërat, lindjet, vdekjet
kur jeta dembeloset në paqe.

Qeliza e tij është një shpellë
me skica naive prej karboni
gjahtari kundër bishes, gjahtari kundër natyrës
deri në çastin kur një grua shfaqet afër zjarrit.
atëherë fuqia zhvendoset nga muskujt
tek sytë
dhe kendi i shigjetës bëhet i paqartë.

Ky është fundi i epokës së akullit
dhe fundi i qartesisë.

Dhe është një sekret që i përthith burrat nga brenda
si Yjet Xhuxha
duke i transformuar nga të verdhë, në të bardhë
dhe pastaj të zinj, një njollë në kozmos.
Pa një djalë për t'ia përcjellë këtë:
jo sekretin në vetvete,
por artin e vetmisë.

MBI ÇATINË E TË ÇMENDURËS

Është punëtori i turnit të dytë
që kthehet nga fabrika e konservave në mesnatë
ai që hedh gurë mbi çatinë e gruas së çmendur.

Ajo i mallkon nga brenda pa destinacion
"Ju, u shofshi ju, krijesa te ndyra!"
kur ai teston atë pak fuqi që i ka mbetur
përmbi tjegulla.

Është vetë historia- e paaftë për t'i drejtuar gishtin fajtorit në fytyrë,
një çelës që hap të gjitha dyert, një mallkim në grup,
në një natë kur ajri kundërmon sardele dhe enzima.

NJERIU PA TOKË

Unë jam njeri pa tokë,
gjithçka që kam
është e shkruar pjerrtas në fytyrë
një "fragile" mbi pakot e transportit midis festave.

Kurse gjyshi im merrte e jepte me pronën e tij
si bisha me grackën
pa përfshirë një të tretë në sfidë.

Ishte duel xhentëlmenësh
Lojë pa hile, pa befasi, me raunde të rregullta armëpushimi midis
e pa plagë të vogla; ajo të merr të gjithin.

Hapat e tij ishin të mëdhenj. Shikimi një bimë mishëngrënëse
një zonë e pastër nga insektet dhe dyshimet.

E kur toka që e para që e la
ai pa tradhtinë e ndodhur ndërkohë pas shpinës së tij:
se si mani hidhte hije mbi oborrin e fqinjit
si e shoqja kishte hequr një çorape mllefi para se të vdiste
dhe djemtë po i plakeshin pa u martuar.

Im gjysh nuk ndërtoi një kullë. Zgjodhi gjuhën horizontale
për të folur me zotin: bleu tokë pafund. Bleu vazhdimësi
dhe gjithsesi blasfemoi
kur i ishte thënë qartë:
"ti nuk ke fuqi për të menduar (të mendosh) të nesërmen!"

Unë jam ndryshe; jam njeri pa tokë
dhe asgjë nuk ndodh pas shpinës sime.
unë jam gjithmonë në kohën e duhur -
gazeta e lagur e ditës
që i ngjitet të parit kamion që shkon rrugës.


TË BURGOSURIT

Të burgosurit,
të fajshëm e të pafajshëm
kur dalin, kanë të gjithë të njëjtën shprehje në fytyrë -
patriarkun a saporënë nga froni.

Kur kapërceu pragun
ai përkuli kokën, pavarësisht gjatësisë së tij mesatare.
Të njëjtën gjë bëjnë beduinët
kur futen në tendën
që kanë mbartur gjithë ditën mbi shpinë

Muret, perdet e pastra dhe aroma e gëlqeres
ndjellin ndjesinë e luftës së ftohtë
kur lufta sapo ka marrë fund.

Dhe të nësërmen çarçafët e tij u varën për ajrosje
në mes të oborrit, si pas natës së parë të dasmës,
njollat e virgjërisë.

Fytyra të nxira nga dielli
e rrethuan gjithë sy e veshë
"Ç'ëndërr pe mbrëmë?"
Ëndrrat e të burgosurit
janë pergamena
që shenjtërohen prej kapitujve të humbur.

E motra, sapo i zbuloi një zakon të ri:
copa të fshehura buke nëpër xhepa e nën shtrat
dhe të prerit pa pushim dru për dimër.

Ç"ishte gjithë ky panik?
Çfarë mund të ishte më e keqe se vitet e burgut?

E drejta për të zgjedhur
Duke mos mundur.

REALITETE VERTIKALE

Vazhdimësia, në rastin tim, nuk është zgjedhje por detyrim
qëkur tri breza zgjohen njëherazi brenda meje.

I pari është një fëmijë i plakur; im atë.
Fatin dhe veshjet i zgjedh gjithmone një numër më të vogël.

E pastaj gjyshi. Në kohën e tij nuk njihej fjala "diagnozë",
ai thjesht vdiq nga dëshpërimi gjashtë muaj pas së shoqes
E pa humbur kohë, mbi trupat e tyre
komuniteti ndërtoi nje punishte uniformash prej doku.

E stergjyshit, nëse ka ekzistuar një i tillë,
unë nuk ia di as emrin, këtu kujtesa pëson hiatus, -
prejardhja fshatare e prerë si thonjtë e fortë
e të zverdhur nga puna ne arë.

Te tre perkulen si një pyll sipër meje
e më diktojnë se cfarë duhet të bëj
e çfarë nuk duhet.

Sapo dëgjove prej meje një të tillë "mirëmëngjes"
si e dalë prej një elefanti me putra mbi piano
apo prej shqepjeve të xhaketës së tim eti.

Ata nuk po orvaten të ndryshojnë ndonjë gjë
e as të kundërvihen; ndjehen të freskët
ashtu të larë me sapunin e lirë të perkohësisë.

Thjesht e riprekin botën përmes meje si me një palë doreza plastike
per të ruajtur të pastër shkakun.
në vendin e krimit.

FËMIJËT E MORALIT

Ishin evropianët, të parët që u mësuan indigjenëve turpin
duke filluar nga mbulimi i pjesëve intime.

Popuj të tjerë, kanë qenë më me fat
Morali u ka ardhur i gatshëm nga lart,
i shkruar në pllaka guri.

Atje ku unë jam rritur, morali kishte formë, trup dhe emër:
një Kain, një Maria Magdalenë e papenduar, një Ruth, Dalilë e Rashelë.

Morali tregohej lehtësisht me gishtin me bojë të një shtatëvjeçari
shembuj të përkryer vesi e virtyti,
atje ku koha i lëshon vezët mbi moçal.

Kështu, pra, mësimet e para të moralit, i mora pa i përtypur
si shurup për kollë;
çdo gjë tjetër ishte më abstrakte,
nën një çati tjegullthyer.

Dhe çuditërisht ata s'të zhgënjenin as në brezninë e dytë:
pasardhësit e tyre,
ishin një tjetër Kain, një tjetër Ruth, një tjetër Maria Magdalenë,
që nuk rriteshin; klisheja ishte njëkohësisht rreziku dhe mbrojtja për ta,
si dëbora e thatë për igloot eskimeze.

Tani di shumë më tepër për moralin, madje mund të jem një moraliste,
me gishtin tregues, si pjesë të retorikës.
Por pa referencë. Ç'u bë me ta?

Një derë u hap padashje, drita çau me forcë,
dhe si në një laborator filmi,
ajo shkërmoqi portretet e tyre në bromid argjendi,
që dikur, mund të kenë qenë prej mishi dhe kocke.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…