Skip to main content

Tetova News

Ole dhe Trufa


Isaak Bashevis Singer

Pylli ishte i madh dhe i mbushur plot me të gjitha llojet e pemëve që bëjnë gjethe. Ishte muaji nëntor. Zakonisht, në këtë periudhë të vitit, është ftohtë, madje qëllon që bie edhe borë, por ky nëntor ishte relativisht i ngrohtë. Netët ishin të freskëta dhe me erë, por sapo dielli dilte në mëngjes, bëhej ngrohtë. Mund të kujtoje se ishte verë, përveç faktit që në gjithë pyllin ishin shpërndarë gjethet e rëna; disa të verdha si shafrani, disa të tjera të kuqe si vera, disa të arta dhe disa me ngjyra të përziera. Gjethet ishin shkulur nga shiu, nga era, disa gjatë ditës, disa gjatë natës dhe tani kishin formuar një si qilim të trashë në dyshemenë e pyllit. Megjithëse ishin tharë, ato ende lëshonin një aromë të këndshme. Dielli i ndriçonte duke depërtuar përmes degëve të pemëve, ndërsa krimbat dhe mizat që u kishin mbijetuar në një farë mënyre stuhive të vjeshtës, zvarriteshin nëpër to. Hapësira poshtë gjetheve u shërbente si strehë bulkthave, minjve të fushës dhe shumë krijesave të tjera që kërkonin mbrojtje në tokë. Zogjtë që nuk kishin migruar në vendet e ngrohta, pushonin në degët e zhveshura të pemëve. Mes tyre kishte harabela, zogj këta të vegjël, por të pajisur me një guxim dhe përvojë shumë të madhe, të fituara nga brezi në brez. Ata kërcenin, cicëronin dhe kërkonin ushqimin që u ofronte pylli në këtë periudhë të vitit. Javët e fundit, ishin zhdukur shumë e shumë insekte dhe krimba, por askush s’mbante zi për humbjen e tyre. Krijesat e Zotit e dinë se vdekja është thjesht një fazë e jetës. Me ardhjen e pranverës, pylli do të mbulohej përsëri me bar, me gjethe të gjelbra, me gonxhe e me lule. Zogjtë mërgimtarë do të ktheheshin nga vendet e largëta dhe do të gjenin foletë e tyre të braktisura. Edhe nëse era apo shiu do të kishin prishur ndonjë fole, ato mund të ndeqeshin lehtë.
Në majë të një peme që i kishte humbur të gjitha gjethet e tjera, qëndronin ende dy gjethe. Njëra gjethe quhej Ole dhe tjetra Trufa. Ole dhe Trufa vareshin të dyja në një degë të hollë. Meqenëse ishin në majë të pemës, ato merrnin shumë rreze dielli. Për arsye që Ole dhe Trufa nuk i dinin, ato u kishin bërë ballë të gjitha shirave, të gjitha netëve të ftohta, të gjitha erërave dhe ende mbaheshin në majë të degës. Kush e di arsyen se përse një gjethe rrëzohet, kurse tjetra jo? Por Ole dhe Trufa besonin se përgjigja gjendej në dashurinë e madhe që ata kishin për njëri-tjetrin. Ole ishte pak më i madh në trup se Trufa dhe kishte lindur disa ditë më herët, kurse Trufa ishte më e bukur dhe më delikate. Kur fryn erë, kur bie shi apo breshër, një gjethe s’mund ta ndihmojë dot tjetrën. Një gjethe mund të bjerë edhe në verë, lëre pastaj se ç’mund të ndodhë në vjeshtë apo në dimër. Megjithatë, Ole i jepte kurajë Trufës në çdo rast. Gjatë stuhive më të forta, kur shkreptinte rrufeja, kur gjëmonte bubullima dhe kur era shkulte jo vetëm gjethe por edhe degë të tëra, Ole i lutej Trufes: “Mbahu Trufa! Mbahu me gjithë forcën!”.
Në netët e ftohta me stuhi, Trufa qahej: “Çasti im ka ardhur, Ole, por ti mbahu!”.
“E për çfarë?”, – pyeste Ole. “Pa ty, jeta ime nuk ka kuptim. Po re ti, do të bie edhe unë bashkë me ty”.
“Jo, Ole, mos e bëj këtë! Për sa kohë që një gjethe mund të rezistojë, ajo s’duhet ta lëshojë veten… “.
“E gjithë kjo varet nëse ti do të qëndrosh me mua”, – i përgjigjej Ole. “Ditën të shoh dhe admiroj bukurinë tënde. Natën, ndjej aromën tënde. Të mbetem unë, gjethja e vetme në pemë? Jo, kurrë!”.
“Ole, fjalët e tua janë të ëmbla, por s’janë të vërteta”, – tha Trufa. “Ti e di shumë mirë se unë s’jam më e bukur. Shiko si jam rrudhur! Jam tharë e gjitha dhe më vjen turp nga zogjtë. Ata më shikojnë gjithë mëshirë. Nganjëherë më duket sikur qeshin me mua, kaq e shëmtuar jam bërë. Kam humbur gjithçka, vetëm një gjë më ka mbetur: dashuria ime për ty”.
“A s’të mjafton kjo? Nga të gjitha ndjenjat tona, dashuria është më e fuqishmja, më e bukura”, – tha Ole. “Për sa kohë ta duam njëri-tjetrin, ne do të qëndrojmë këtu dhe s’mund të na bëjë gjë asnjë erë, shi apo stuhi. Po të them diçka, Trufa: s’të kam dashur kurrë kaq shumë sa të dua tani”.
“Po pse, Ole? Unë jam zverdhur e gjitha”.
“E kush tha se e gjelbra është e bukur, kurse e verdha jo? Të gjitha ngjyrat janë njësoj të hijshme”.
E ndërsa Ole po thoshte këto fjalë, ndodhi ajo që Trufa i ishte frikësuar gjatë gjithë këtyre muajve: një shtjellë ere shkuli Olenë nga dega. Trufa filloi të dridhej dhe të tundej, sa u duk sikur edhe ajo do të rrëzohej, por gjithsesi arriti të mbahej. Ajo pa Olenë që binte duku u tundur në ajër dhe i thirri atij me gjuhën e gjetheve: “Ole! Kthehu! Ole! Ole!”.
Por përpara se ajo të mbaronte së thëni këto fjalë, Ole ishte zhdukur nga sytë. Ai u përzie me gjethet e tjera në tokë dhe Trufa mbeti e vetme në pemë.
Për sa kohë që ishte ende ditë, Trufa arrinte ta duronte disi dhimbjen e saj. Por kur errësohej, kur bënte ftohtë dhe kur fillonte të binte një shi që dukej sikur të shponte, ajo zhytej në dëshpërim. Asaj i dukej se për të gjitha fatkeqësitë e gjetheve, fajin e kishte pema, trungu me degët e tij të forta. Gjethet binin, por pema qëndronte e fortë dhe me rrënjët e ngulura thellë në tokë. Asaj s’kishte ç’t’i bënte as era, as shiu dhe as breshëri. E ç’i interesonte pemës, që ndoshta, për vete ishte e dashuruar për jetë, se ç’i ndodhte një gjetheje? Për Trufën, trungu ishte një lloj Perëndie. Për disa muaj, ai e mbulonte veten me gjethe, pastaj i rrëzonte ato përtokë. Pema i ushqente ato me limfën e saj, sa kohë i donte qejfi, pastaj i linte të vdisnin nga etja. Trufa iu lut pemës që t’ia kthente Olenë e saj, bashkë me stinën e verës, por pema nuk i dëgjoi, ose nuk deshi t’i dëgjojë lutjet e saj.
Trufa nuk e kishte menduar kurrë se nata mund të ishte kaq e gjatë, kaq e errët dhe kaq e acartë, sa kjo e sotmja. Ajo i thërriste Olesë duke pritur përgjigje, por Ole ishte i heshtur dhe nuk jepte shenja se qe aty rrotull.
Trufa i tha pemës: “Meqenëse ma more Olenë, merrmë edhe mua”.
Por pema s’e dëgjoi as këtë lutje.
Pas pak, Trufa filloi të dremiste. Ky nuk ishte gjumë, por një lëngatë e çuditshme. Trufa u zgjua dhe, për çudinë e saj, pa se nuk ishte më e varur në pemë. Ndërsa flinte, era e kishte rrëzuar në tokë. Ajo tani kishte një ndjesi të ndryshme nga ajo që provonte kur zgjohej në pemë në agim. Tani ishin zhdukur të gjitha frikërat dhe ankthet e saj. Bashkë me zgjimin, asaj i ishte përftuar edhe një ndërgjegjësim i tillë, që s’e kishte pasur kurrë më parë. Tani ajo e dinte që s’ishte thjesht një gjethe që varej nga tekat e erës, por ishte pjesë e Universit. Ajo s’ish më e vogël, e dobët apo e përkohshme, por pjesë e përjetësisë. Nëpërmjet një force të mistershme, Trufa kuptoi mrekullinë e molekulave të saj, atomeve, protoneve dhe elektroneve, energjinë e madhe që ajo zotëronte dhe planin hyjnor, pjesë e të cilit ajo ishte. Pranë saj, gjendej i shtrirë Ole dhe ata e përshëndetën njëri-tjetrin me një dashuri për të cilën s’kishin qenë të ndërgjegjshëm më parë. Kjo s’ishte një dashuri që varej nga rastësia apo teka, por një dashuri po aq e fuqishme dhe e përjetshme sa edhe vetë Universi. Ajo që ata i ishin frikësuar për ditë e netë të tëra, që nga prilli në nëntor, s’ishte në fakt vdekja, por rilindja. Një puhi ere fryu duke e çuar Olenë dhe Trufën në ajër dhe ata u ngritën lart me një lumturi të tillë që e njohin vetëm ata që janë të lirë dhe që i janë bashkuar përjetësisë.
(Marrë nga “Fjala review”)
Përktheu: Alban Bobrati

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…