Skip to main content

Tetova News

Paradoksi ekzistencial i qenies - Hysni NDREU




Romani “Missing” i Bashkim Hoxhës, me vetëm dy orë rrëfim dhe shtatë ditë rrjedhë ngjarjesh për të na dhënë një panoramë të plotë të njeriut bashkëkohor, të universit ekzistencial, me të gjitha ndërlikimet që e shoqërojnë atë. Disa personazhe-njerëz, të cilët në këtë kontekst, komunikojnë me të tjera personazhe-kafshë. Dikush i braktisur e dikush që braktis, dhe të gjithë të humbur. Njëri i rrëmbyer, tjetri rrëmbyes, dhe mungesat janë të frikshme, madje duke mbërritur deri në formën e zhdukjes. Autori dhe viktima janë vënë përballë. Bota reale dhe ajo virtuale përplasen ndërmjetshëm. Dikotomitë në këtë roman janë të pafundme dhe vijën përmes laryshisë. Madje, mund të thuhet se mbi to është ndërtuar e gjithë ngrehina konceptuale dhe përmbajtjesore e romanit. “E enjte. Sot” fillon dhe po “E enjte. Sot” mbaron veprimi i veprës. Gjithçka është ngjeshur brenda një dite, madje, më saktësisht, brenda afërsisht dy orësh. Por, teknika e të rrëfyerit, me anë digresionesh kohore, me rrëfime brenda rrëfimit, me gjendje kllapie, ankthesh e makthesh, që e zhvendosin rrëfimtarin deri edhe në Parajsë, na krijojnë një tjetër hapësirë kohore në realitetin letrar. Rrëfimi zgjatet vetëm në shtatë ditë, nga njëra e enjte, tek e enjtja tjetër. Digresionet ngjajnë me ato të Prustit, veçse këtu nuk na vijnë nëpërmjet aromës së një filxhani çaji, por nëpërmjet përsiatjesh hipotetike e ndërtimi skenarësh të ndryshëm në mendjen e rrëfimtarit të gjithëdijshëm. Thuajse i tërë romani është ndërtuar mbi monologun, por në të haset edhe dialogu i monologizuar. Personazhi kryesor, Grozi, me profesion psikolog, atij që i janë rrëfyer dhe vazhdojnë t’i rrëfehen me dhjetëra e qindra të burgosur, tashmë ka vendosur të na rrëfehet vetë personalisht. Por, si për të na thënë se nuk ka më besim te njeriu, historinë e vet ia beson një kafshe: një ariu. “Do të tregoj historinë time. Unë nuk e kam problem të flas vetëm. Mjafton të më dëgjojë dikush.” - i drejtohet ai ariut, të cilin ia ka rrëmbyer një arixhiu. Marrëdhënia e personazhit me kafshët nuk është kjo e para. Ai zotëronte më parë një qen. Lora e quanin dhe ka disa ditë që e kërkon. Në përsiatje e sipër për të treguar mbi zhdukjen e Lorës, rrëfimtari e degëzon kryetregimin në copëza historish e ngjarjesh, krejt të grimcuara, të cilat këtu këputen e më tutje rimerren, harrohen e sërish rikthehen, gërshetohen me njëra-tjetrën, por duke u ruajtur me përpikëri linja kryesore e narracionit. Ky roman e fut lexuesin në disa marrëdhënie njëherësh: Së pari, në marrëdhënien e njeriut me njeriun, me prindërit, bashkëshorten, me të njohur e të panjohur. Është një marrëdhënie unike, që ndryshon në vazhdimësi përgjatë ekzistencës së saj, ku duket se mbizotëron më së shumti mospërfillja, hipokrizia, egoizmi, braktisja, mungesa e interesit për tjetrin, e ashtuquajtura “marrëdhënie moderne”. Së dyti, në marrëdhënien e njeriut me veten. Është njeriu i mbetur pa identitet, pra që ka humbur veten, apo ai me identitet të dyfishtë, njeriu i dyzuar, i ankthshëm, i zbrazët, në udhëtim të përhershëm, por që ka vetëm një destinacion: “vetveten.” Është qenia njerëzore gjithmonë në kërkim. Së treti, në marrëdhënien e njeriut me kafshët. Që në hyrje të romanit, kemi Grozin, që i rrëfehet një ariu, dhe ariu që krejt papritur gjendet i rrëmbyer nga një njeri. Një marrëdhënie komplekse kjo e njeriut me kafshën, ku rolet duket se ndryshojnë: kafsha është zbutur e ka marrë tipare humane, ndërsa njeriu është egërsuar, pra ka humbur arsyen. Për më tej, kafshët edhe pagëzohen me emra njerëzish, ndërsa njerëzit fshihen pas emrash të rremë. Njeriu, pasi është tjetërsuar vetë, ia ka dalë ta bëjë këtë edhe me kafshët, madje edhe me ato më të egrat. Ai ka mundur t’i zbusë, i ka mësuar të sillen thuajse si njerëzit, por pikërisht në këtë çast, kur kafsha është bërë e ngjashme me njeriun, ajo ka ikur, sepse, thotë autori në roman “... zakoni i njerëzve është ikja... Jetojmë mbështjellë nga ikjet, nga ndarjet, braktisjet...” Nga ana tjetër, është Lora-qen, e prekshme, reale dhe Lora-njeri, e paprekshme, në distancë, virtuale. Së katërti, është marrëdhënia e njeriut real me botën virtuale. Të mbetesh pa celular e pa internet, do të thotë të të duket “vetja bosh, i paorientuar dhe pa asnjë koordinatë”,- shprehet rrëfimtari diku në roman dhe vazhdon më tej: “Sikur kam ikur larg. Në një vend të humbur, ku askush nuk më gjen dot dhe unë nuk gjej dot asnjeri. Nuk di çfarë të bëj. Më duhet të përshtatem. Ndoshta unë duhet të filloj një tjetër jetë, pa internet, pa celular. Që do të thotë, me realitete që prek, i ke afër. Me një mendje tjetër. Pa celular dhe internet, në kërkim të kontakteve më të afërta.” Kjo çështje ka zënë një hapësirë të konsiderueshme në roman. Rrjetet sociale, në fakt, nuk janë dhe aq sociale: ato vërtet i japin frymëmarrje komunikimit ndërmjet individëve, por kjo frymëmarrje nuk është e mjaftueshme. Ashtu si në jetën reale, aty ka të njohur e të panjohur, ka nga ata që janë me pseudonime e të tjerë me të cilët nuk ke shkëmbyer asnjë fjalë. “Missing” është romani i bashkëkohësisë sonë; i njeriut gjithmonë në kërkim; romani i atij që ka mbetur pa diçka apo pa dikë; i asaj që nuk e dimë ku është; i atij që nuk e kemi më pranë; i dikujt që ka ikur nga dikush e ka shkuar te dikush tjetër, por edhe i atij që ka ikur prej dikujt e nuk dihet se ku ka përfunduar. “Missing” është romani i njeriut të pavënë re; romani i mungesës; i asaj që s’e gjejmë dot, sepse nuk e dimë ku është. Por është edhe romani i kafshëve që pagëzohen me emra dhe i njerëzve “të paemër”; i njeriut me dy emra apo i atyre që fshihen pas një emri të rremë. Është romani i rrugëve të gabuara; i drejtimeve të ndryshme dhe i ankthit ekzistencial; i turmës virtuale e i vetmisë reale; romani i gjurmëve të pandjekura; i njeriut-kafshë dhe i kafshës-njeri. Këtu dikush zhduket e dikush tjetër ndien dhimbjen e zhdukjes; dikush mungon e dikush tjetër ndien mungesë; dikush braktis e dikush tjetër ndien peshën e braktisjes. Kjo është shoqëria jonë moderne, me gjasë postmodrene, shoqëria e një realiteti bosh. “Vetmi dhe monotoni, ky është njeriu i sotëm, më kaplon trishtimi.”- shkruan autori. “... besoj vërtet se duhet ulëritur. Mjaft lehëm,” – vazhdon diku tjetër ai.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…