Skip to main content

Tetova News

Pesë librat e parapëlqyer me ide libertariane

Milton Friedman

Edhe unë jam njëri prej miliona njerëzve të cilët kanë përfituar nga Biblioteka Publike Carnegie. Një nga degët e saj ishte evendosur në Rahway, të shtetit të New Jersey. Në këtë qytet të vogël, ku unë u rrita, kjo librari më krijoi mundësi që në fillimet e moshës sime të hershme të krijoja interesin për librat, duke më hapur mundësi për të lexuar një gamë shumë të gjerë librash të cilët nuk mund të gjendeshin në bibliotekën e familjes. Që këtu filloi pasioni im përgjatë gjithë jetës sime, sigurisht me aq mundësi ekonomike që kisha ndërkohë, për të mbushur bibliotekën time personale me libra.
Më ka qëlluar të jem pyetur disa herë lidhur me kontaktet e mia të para me literaturën dhe idetë libertariane, por gjithnjë e kam patur të vështirë të përgjigjem, pasi më është dashur të kujtoj periudha gati treçerek shekulli të shkuara. Nëse do të më duhet të bëj një përafrim, do të thosha që kontakti im i parë ishte me librin Essay on Liberty të John Stuart Mill, të cilin duhet ta kem lexuar kur isha në vitin e parë apo të dytë të kolegjit.
Nëse do të më duhej të bëja renditjen e pesë librave më të pëlqyer për mua, ajo do të ishte:

1. THE WEALTH OF NATIONS- ADAM SMITH
Këtë vepër të Adam Smith-it, do ta rendisja të parën. Ky libër, i publikuar për herë të parë në vitin 1776, ka hedhur themelet e shkencave ekonomike. Në këtë vepër shprehet për herë të parë ideja rreth Duarve të Padukshme dhe shpjegohet sesi nëpërmjet shkëmbimit të lirë dhe ko-operimit ndërmjet njerëzve mund të realizohet në mënyrën me efikase arritja e produktivitetit dhe zhvillimit ekonomik.
Ky libër vazhdon edhe sot të ketë vlera jo vetëm informative, por është shkruar në një formë që të mbush zemrën me ngrohtësi dhe mendjen me shembuj dhe argumente të fuqishme për çdo libertarian.

2. ESSAY ON LIBERTY- JOHN STUART MILL

Në renditje i dyti, Essay on Liberty i John Stuart Mill, paraqet përshkrimin më konciz dhe më të qartë të bazave dhe definimit të principeve libertariane. Ku pa dyshim shprehja: “I vetmi justifikim i përdorimit të fuqisë mbi vullnetin e çdo individi të një shoqërie të civilizuar, është parandalimi i të lënduarit të njerëzve të tjerë…”    

3. LECTURES ON THE RELATION BETWEEN LAW AND PUBLIC OPINION IN ENGLAND DURING THE NINETEENTH CENTURY – A.V. DICEY
 Librin e A.V.Dicey-it, Leksione rreth Raportit ndërmjet Ligjit dhe Opinionit Publik në Angli gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, do ta rendisja të tretin.
Ky libër është një përmbledhje e një pune të shkëlqyer, e paraqitur fillimisht në formë leksionesh në Universitetin e Harvard-it në vitet 1890 dhe e ribotuar me një parathënie shumë të rëndësishme në vitin 1914. Dicey kishte konstatuar, në mënyrë të qartë, që atëherë në dekadën e parë të shekullit të njëzetë, pasojat negative që sjell fillimi i aplikimit të politikave të përkrahjes sociale nga shteti. Esencialisht, ai kishte parashikuar rrezikun e një “mbulimi me pupla” nga shteti, të politikave të tilla. Më shumë se një shekull më parë, Dicey kishte shpjeguar arsyet përse retorika e paraqitur si diçka për të mirën e interesit të përgjithshëm, bëhet tërheqëse dhe shtytëse që: “Ndërhyrja e shtetit ka efekte mirëbërëse, direkte dhe të menjëhershme, e mbështetur kjo me ndryshime përkatëse të legjislacionit. Ai më tej shpjegon se “këto efekte, fillimisht të dukshme si të tilla, fillojnë të bëhen të padukshme dhe të shtrihen djallëzisht…dhe ku së fundi vjen një kohë që njerëzit binden që ndërhyrja e shtetit nuk sjell asgjë të mirë përveç pengesa, asfiksi të tregut të lirë dhe lirive të tjera”.

4. THE ROAD TO SERFDOM – F.A. HAYEK
 Këtë vepër të madhe, The Road to Serfdom, e Hayek, do ta rendisja të katërtin. Ky libër i thellë ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm menjëherë pas Luftës II Botërore, megjithëse ishte një zë i vetmuar në mbrojtje të parimeve të Filozofisë Libertariane, duke arritur të parashikojë pasojat e rritjes së rolit të shtetit në jetën ekonomike e sociale të shoqërisë. Kjo vepër ishte ndër të vetmet që arriti të mbajë gjallë shpresat e njerëzve dhe idealet e tyre për principet Libertariane.

 5. CILI ËSHTË I PARAPËLQYERI NGA LIBRAT E MI:
CAPITALISM AND FREEDOM APO FREE TO CHOOSE?

Jam pyetur shpesh se cilin nga librat e mi do ta konsideroja si të pestin nga renditja. Kam qenë gjithnjë në dilemë të bëja zgjedhjen ndërmjet Capitalism and Freedom të publikuar në vitin 1962, me asistencën e Rose D.Friedman, apo Free To Choose, publikuar në vitin 1980, i bërë bashkë me Rose D.Friedman. Të dy këta libra paraqesin të njëjtën filozofi duke trajtuar shumë çështje. Për mendimin tim, Capitalism and Freedom paraqitet më i ngjeshur, skolastik dhe abstrakt. Ky ishte një produkt i përmbledhur i leksioneve që kam dhënë nëpër universitete, që nga viti 1956, si ai i Wabash College drejtuar nga John Van Sickle dhe Benjamin Rogge, i sponsorizuar nga Volker Foundation.
Free to Choose, paraqitur me të njëjtin titull edhe në një program televiziv, është më i popullarizuar, më pak abstrakt dhe më shumë konkret. Ky libër paraqet një zhvillim të plotë të filozofisë së njëjtë që përshkon të dy librat. Por ky ka më shumë detaje praktike dhe më pak koncepte abstrakte filozofike e teorike. Programi televiziv i cili merr emrin nga Free to Choose, është tashmë i mundshëm të gjendet edhe në videokaseta. Nëse do ta konsideroja këtë si një libër, padyshim që ky do të ishte më i parapëlqyeri ndër librat e mi.
 *Përktheu: Luan Kola
Mapo

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…