Skip to main content

Tetova News

Siliqi, 50 vjet nga vdekja në aksidentin ajror mbi Siberi

Nishani i jep titullin “Mjeshtër i madh” pas vdekjes.

Poeti dhe kritiku letrar u kujtua në Ministrinë e Kulturës, pas vitesh që nuk flitej për të.


“Ka zogj që tërë jetën fluturojnë dhe vdesin duke fluturuar”. Këtë varg të njërës prej poezive të tij, poeti, përkthyesi e kritiku letrar Drago Siliqi, sikur ia kishte kushtuar vetes.  U nda nga jeta pikërisht në fluturim. Kthehej pas muajsh të tërë shërbimi në Kinën e largët, në shtëpi, te gruaja, dy vajzat, dhe puna prej të cilës nuk ndahej as në udhëtim. Ishte vetëm 33 vjeç, në kulmin e karrierës së tij kur ‘shpërtheu’ në ajër, mbi Siberi, në avionin që po e sillte për në shtëpi.
Poeti Drago Siliqi

Mbrëmë, në Ministrinë e Kulturës, nën kujdesin e ministres Mirela Kumbaro, Drago Siliqit iu përkujtua 50-vjetori i vdekjes. Çelja e kësaj ceremonie u bë me titullin “Mjeshtër i Madh” që Presidenti i Republikës Bujar Nishani i akordoi poetit Siliqi, pas vdekjes. Për të marrë këtë titull nga përfaqësuesit e Presidencës ishin të pranishme dy vajzat e poetit, Laura dhe Darina, që kishin udhëtuar nga vendet e largëta ku jetojnë prej vitesh, enkas për këtë përkujtimore. Aktori Mevlan Shanaj që moderonte këtë mbledhje miqsh e të afërmish të poetit, ftoi të parën për të përshëndetur të ftuarit ministren e Kulturës. “Mbet në qiell kur unë ende nuk kisha lindur, por veprat që la pas më kanë shoqëruar vazhdimisht”,
Drago Siliqi me të shoqen, Dritën, e ndarë nga jeta në gusht të këtij viti

tha ndër të tjera Kumbaro, duke vënë theksin te mirënjohja për njerëz të tillë të botës së letrave që i kanë dhënë kaq shumë letërsisë. Sepse Drago Siliqi ishte i pari që i solli botës sonë të izoluar përkthimet e autorëve më të mirë të mirë të huaj, si Gollsuorth, Drajzer, Heminguei, Eluar, Remark e sa e sa të tjerë. Gjithë kjo pasuri artistike mban vulën në radhë të parë të mendimit, formimit dhe guximit të Dragos. Mbi të gjitha, të formimit të tij intelektual si i sapokthyer e sapodiplomuar në Institutin Gorki të Moskës. Por, jo vetëm veprat e huaja ishin në vëmendjen e tij. Gjatë kohës 6-vjeçare që drejtoi shtëpinë botuese “Naim Frashëri” pati ndikim të madh te të gjithë shkrimtarët shqiptarë, të cilët ai nuk pati vatin t’i shohë të bëhen më të mëdhenjtë e letrave shqipe. Ishte pikërisht Siliqi, si mik i ngushtë i Ismail Kadaresë, që insistonte në zhvillimin e veprimtarisë së saponisur të shkrimtarit. Provë për këtë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të cilin autori, të mos ishte për ndikimin e Siliqit, mund ta kishte lënë vetëm një tregim, siç e pati parashikuar në nisje. Një tjetër mik, koleg e bashkëpunëtor i asaj kohe të poetit, i pranishëm në ceremoni, ishte edhe studiuesi e shkrimtari Nasho Jorgaqi. “Qe fat për kulturën tonë që Dragua u vu në krye të së vetmes shtëpi botuese, që mbante emrin “Naim Frashëri”. Them kështu, sepse ai e meritonte dhe e përligjte këtë detyrë me përgjegjësi, si një krijues me emër dhe si kuadër i përgatitur, me kulturë e horizont të gjerë, njohës i gjithanshëm i letërsisë dhe procesit letrar.
Për afro gjashtë vjet që drejtoi këtë institucion, shtëpia botuese “Naim Frashëri” shënoi një kthesë të admirueshme në punën e saj. Unë e të tjerë, që ishim në stafin e tij, qemë dëshmitarë të asaj atmosfere pune dhe besimi që u krijua, të klimës së bashkëpunimit dhe si pasojë të bumit të botimeve. Dhe kjo ndodhi në radhë të parë falë vlerave intelektuale dhe cilësive njerëzore dhe organizative të Dragos, të kurajës dhe taktit, të mirësisë dhe frymës së bashkëpunimit që zgjonte e nxiste ai. Si asnjëherë deri atëherë, iu hapën dyert shkrimtarëve të të gjithë brezave nga A. Asllani e M. S. Gurra dhe deri te I. Kadare e D. Agolli. Iu ngjall besimi dhe iu çmua puna ashtu siç e meritonin mjeshtërve të përkthimit, si M. Kuteli, L. Poradeci, S. Caci, V. Kokona etj. Kujtoj këtu edhe punën e imtë dhe durimin që tregonte kur kish të bënte me natyra të vështira, si L. Poradeci apo S. Luarasi”, tha mes të tjerash Jorgaqi në fjalën e tij të gjatë që përkujtonte mikun e kolegun e tij. Të tjerë të ftuar e familjarë sollën copëza nga jeta e shkurtër e Siliqit që mori fund në ajër, në atë udhëtim që sikur ta kishte parandier, poeti nuk deshi kurrë ta bënte.

ANI JAUPAJ

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…