Skip to main content

Tetova News

Sistemi kritik i Rugovës për sistemin poetik të Hamitit - MARK MARKU


MARK MARKU
Studiuesi, filozofi dhe kritiku letrar Ibrahim Rugova i pati shkruar tekstet e përfshira në librin “Sistemi poetik i Sabri Hamitit” që sapo ka dalë në qarkullim shumë kohë më parë, edhe pse nuk i botoi asnjëherë si libër më vete. Teksti i parë “Vetëdije e ligjërimit kritik” u botua në librin “Strategjia e kuptimit” në vitin 1980, ndërsa i fundit “Përurimi i veprës së madhe të Sabri Hamitit” u botua si parathënie shoqëruese e botimit të veprës së plotë të Sabri Hamitit në vitin 2002. Për rreth 20 vjet, thuajse në të gjithë librat e tij me studime kritike, dr. Ibrahim Rugova e ka pasë objekt të studimeve të tij Sabri Hamitin poet, kritik, prozator. Studimin e tij më të rëndësishëm për veprën e Sabri Hamitit, “Sistemi poetik i Sabri Hamitit”, Rugova e botoi në vitin 1987, studim ky që rrok në mënyrë gati totale poezinë e Sabri Hamitit, njëri prej autorëve më të rëndësishëm të poezisë moderne shqipe të shekullit të XX. Është pra e qartë se për rreth njëzet rresht dr. Rugova i ka zgjeruar në mënyrë sistematike studimet për autorin Sabri Hamiti, dhe ky botim thjesht e konkretizon punën e tij.
Tekstet e përfshira në këtë libër janë çelës i rëndësishëm për të kuptuar marrëdhënien mes letërsisë dhe kritikës shqipe të shkruar në Kosovë në vitet 1970, të inkuadruar në atë lëvizje kulturore që, si Rugova, ashtu edhe Sabri Hamiti, e pagëzojnë Qarku i Prishtinës. Qarku i Prishtinës mendoj se është lëvizja e dytë kulturore modernizuese e letërsisë dhe kulturës shqipe, nëse me lëvizje të parë kuptojmë lëvizjen kulturore të viteve ‘30. Për herë të parë në historisë e letërsisë shqipe, autorët e Qarkut të Prishtinës e kalojnë funksionin social të letërsisë në plan të dytë, të tretë apo të katërt duke i kthyer asaj funksionin estetik si funksion parësor, bazë. Ky moment i madh vetëdijësimi estetik ndodh njëherësh në poezi dhe kritikë. Vetëdijësimi estetik sjell një ndryshim thelbësor të shkrimit letrar dhe shkrimit kritik. Ndryshimi është aq i ndërlidhur, sa është e vështirë të kuptohet nëse në këtë ndryshim ishte shkrimi letrar ai që ndikoi në ndryshimin e shkrimit kritik apo e anasjella: shkrimi kritik ndryshoi shkrimin letrar. Ka të ngjarë që lëvizja të ketë qenë e njëkohshme: një ndryshim konceptual në perceptimin e shoqërisë, artit, letërsisë dhe kritikës, pra një lëvizje e gjerë emancipuese, që shkon nga angazhimi social për ndryshimin e shoqërisë nëpërmjet artit, në angazhimin estetik për t’i dhënë më në fund artit të drejtën për të qenë art. Kritika është nga njëra anë e detyruar të ndryshojë, pasi me instrumentet e vjetra të studimit të kontekstit nuk mund t’i qaset tekstit, por nga ana tjetër është edhe kusht i krijimit të shkrimit të ri letrar, pasi pa një konceptualizim të ri të marrëdhënieve të letërsisë me shoqërinë, pa një konceptualizim të ri të vetë letërsisë, shkrimi i ri letrar do të ishte në mos i pamundur, i vonuar në kohë. Prej këtej, mund të arrihet në përfundimin se shkrimi i ri letrar e prodhon shkrimin e ri kritik, po aq sa shkrimi i ri kritik e prodhon shkrimin e ri letrar. Kjo marrëdhënie e re mes letërsisë dhe kritikës krijohet për herë të parë në Kosovë, në vitet ‘70, nga Qarku i Prishtinës, dhe Ibrahim Rugova e Sabri Hamiti janë eksponentë të rëndësishëm të kësaj lëvizjeje. Në këtë kuptim, tekstet kritike të Rugovës për poezinë e Sabri Hamitit janë një dukuri e re kritike, që lind prej një dukurie të re poetike. Në këtë pikëprerje e gjejmë poetikën e shkollës kritike të Qarkut të Prishtinës.
Tekstet e Rugovës janë një model kritik i qasjes ndaj tekstit letrar. Fillimisht kritika e Rugovës e zbulon dukurinë e re: Poezinë e Sabri Hamitit. Mandej e përkufizon dhe e argumenton atë. Aparati konceptual i kritikut modern ia bën të mundur që argumentimi të vijë nëpërmjet vetë tekstit. Lind kështu një etikë e re kritike: kritiku nuk argumenton atë çfarë i dikton shoqëria, apo dijet, rrethanat, ideologjia, padija, por atë çfarë i dikton vetë teksti. Është teksti poetik ai që lind tekstin kritik, por teksti kritik shfaqet si tekst për tekstin me estetikën e vet, me autonominë e vet, me shkëlqimin e vet ose, siç do të thoshte Valter Benjamin-i, me aurën e vet. Secili tekst krijon dhe ruan aurën e vet, pa e cenuar aurën e tjetrit.
Po si e sheh kritika e re dukurinë e re poetike? Rugova zbulon te poezia e Hamitit një sistem poetik më vete, gjë kjo jo fort e shpeshtë në poezinë shqipe. Një poet e krijon një sistem poetik të vetin vetëm kur ka një vetëdijësim estetik të lartë. Dhe, sipas Rugovës, poeti Sabri Hamiti ka një “vetëdijësim të lartë për ligjërimin e vet”1. Kjo e çon atë drejt një formalizmi poetik dhe këtu me formalizëm ai ka parasysh “saktësimin maksimal të trupit të poezisë dhe mendjes së saj: botës poetike”2. Hamiti me poezinë e tij, dhe Rugova me tekstin e vet kritik, bëjnë një përmbysje të rëndësishme konceptuale për sa i përket formalizmit, pasi në ambientin kulturor të ideologjizuar shqiptar të atëhershëm dhe në artin shqiptar të banalizuar prej propagandës dhe ideologjisë, formalizmi kishte një konotacion tërësisht negativ. Në të vërtetë, vepra letrare e ka arsyen e ekzistencës së vet jo në atë që thotë, se diçka mund të thuhet edhe pa ndihmën e letërsisë, por për mënyrën se si e thotë: sepse vetëm nëpërmjet letërsisë mund ta thotë ashtu. Nëse nëpërmjet kritikës Hamiti synon t’i japë formalizmit vendin që i takon në hierarkinë e vlerave, nëpërmjet sistemit të tij poetik ai e avancon më tej, duke krijuar një sistem poetik të vetin, siç thotë Rugova.
Rugova e analizon sistemin poetik të Sabri Hamitit duke zbuluar ndryshimin që ai sjell në planin konceptual e organizues të poezisë. Sipas Rugovës, Hamiti krijon “një sistem të menduar, të realizuar, të materializuar, një sistem të mbështetur në sistemin tradicional dhe në sistemet moderne evropiane”3, dhe që konsiston në tri elemente: konceptimin e librit, konceptimin e ciklit dhe në konceptimin e realizimit të subjektit poetik. Më tej, ai zbulon edhe konstantet e këtij sistemi: ristrukturimin, mitin e nanës, kuptimin, kujtimin, sublimimin antik, diellin e zi të ligjërimit, topitë e ligjërimit popullor dhe formulimet poetike. Me sistemin e vet Hamiti synon të pajtojë thelbin e artit klasik me thelbin e artit modern nga simbolizmi e këtej.
Rugova e ka studiuar veprën e Sabri Hamitit në plotninë e vet. Ai analizon me të njëjtin mjeshtëri si sistemin, ashtu edhe pjesë të sistemit, madje edhe pjesëza të sistemit (me analizën e poezisë “Melankolia” Rugova e zbulon sistemin brenda një poezie të vetme). Ai është marrë po aq ngulmët edhe me kritikën e tij, duke ia zbuluar prirjet themelore të saj: gjakimin për një poetikë, vetëdijësimin kritik për mundësitë e ndryshme të interpretimit dhe të leximit të veprës letrare, polivalencën e saj, lidhjen mes veprës kritike dhe veprës letrare dhe kritikën si lexim subjektiv. Marrëdhënia mes shkrimit kritik dhe shkrimit poetik tek i njëjti autor na mundëson të shohim jo vetëm ndikimin e ndërsjellë, por edhe rezultatin e këtij bashkëveprimi. Dhe rezultati është “Sistemi poetik i Sabri Hamitit”.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…