Skip to main content

Tetova News

Takim me izraelitin Amos Oz dhe Ismail Kadarenë në Bukuresht

Mira Skënderaj


-Botimi i romanit “Darka e gabuar” i Kadaresë në Bukuresht ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm në mesin e lexuesve dhe mbështetësve të letërsisë shqiptare në Rumani. Dëshmi: debati i organizuar nga " Humanitas", shtëpia botuese, e cila zotëron të drejtat e veprave të Kadaresë. Takimi me lexuesit u zhvillua në një vend të zgjedhur në zemër të Bukureshtit, në mjediset e librarisë "Kretzulescu" dhe me të ftuar dy prej kritikëve në modë në kryeqytetin rumun, Tania Radu dhe Marina Constantinescu. Në veprimtari folën dhe Andreea R?suceanu, kritik letrar dhe redaktor i shtëpisë botuese "Humanitas”, si dhe përkthyesi i romanit, shkrimtari dhe gazetari Marius Dobresku . Tema e takimit, "Dy anët e luftës, duke u nisur nga romanet "Pantera nga nëntoka", nga Amos Oz dhe "Darka e gabuar" nga Ismail Kadare", grupoi kësisoj dy nga zërat më të famshëm të letërsisë bashkëkohore, izraelitin Amos Oz dhe shqiptarin Ismail Kadare.
Ligjëruesit vunë në dukje se të dy romanet iu referohen ngjarjeve relativisht të afërta në kohë (1940-1950), por që janë zhvilluar në mjedise dhe kontekste krejtësisht të ndryshme. Nëse romanin e Oz lufta është parë përmes syve pyetës të një fëmije dhe është sugjeruar me ngjyrat më të kthjellëta, ngjarjet në romanin e Kadaresë ndodhin në një atmosferë solemne, pothuajse të zymtë, të cilat përcaktohen nga epoka staliniste, e cila kishte pushtuar dy kontinentet nga stepat e Kazakistanit deri në bregdetin e Adriatikut. Në fjalën e tij, përkthyesi i romanit, shkrimtari Marius Dobresku, skicoi kuadrin historik në të cilin vendos Kadare ngjarjet në roman, duke filluar nga pushtimi italian dhe duke mbaruar me vdekjen e Stalinit, në mars 1953.
"Komunizmi në Shqipëri solli një mori fatkeqësish për gjithë popullin, ndërsa evenimentet që sollën vrasjen e doktor Gurameto inkuadrohen në paradigmën tragjike që konturoi shortin e këtij populli duke filluar nga viti 1944”. Nga ana tjetër, kritikja letrare Marina Constantinescu u shpreh se: "'Darka e gabuar' është një roman i dhimbshëm, me një tip drejtimi tejet personal, me një zë të fortë dhe që nuk të fal, siç është ai i Kadaresë, por, disi, dhe falës. Duke kaluar mbi të gjitha mizoritë, jo duke fshirë dhe anuluar, por duke sugjeruar një ndalesë të meditimit." Andreea R?suceanu, redaktore e librit, u shpreh në plotësim për librin e Kadaresë: "Pata për herë të parë ndjesinë që, më shumë se kurdo, Kadare tërhiqet në segmentin eliptik, në një makth më të vjetër të tij, dhe që në njëfarë mënyre braktis kontekstin historik, i cili pothuajse nuk ka më rëndësi.
Të gjitha ngjarjet e mëdha që ndodhin në roman kanë një logjikë në mitologji, ngjarjet tragjike shihen si disa ndëshkime për disa mëkate të lashta që janë kryer këtu, në trevat e Gjirokastrës." Ngjarja në librarinë qendrore bukureshtare "Kretzulescu" u pasqyrua gjerësisht në shtypin e kryeqytetit rumun. Kadareja është shndërruar në një brand të letërsisë europiane që mbledh rreth tij lexues të të gjitha moshave, me përvojë jetësore të ndryshme, që vlerësojnë në union letërsinë cilësore.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…