Skip to main content

Tetova News

Tani e tutje nuk do të zemërohemi më!

Në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Petro Marko, duke lënë një trashëgimi letrare të pasur: romane, tregime, poezi, memoristikë, ditar burgu kushtuar dashurisë për gruan e tij, Safon, publicistikë etj., nga të cilat arkivi i familjes ende mbetet i pazbuluar. Ky numër i “Logos & Art” i kushtohet kësaj krijimtarie, fragmente të saj

 Petro Marko

Bisedime me Safolinën

Takimi i parë

 Shekuj a çaste kanë kaluar, këtë nuk ësht’ e mundur ta përcaktoj!Po vetëm një gjë është e vërtetë: që unë digjem nga malli, sa them shumë herë “mor po ta shoh një herë, pastaj le të vdesë!” se merre me ment: or’ e çast, për kaqë shekuj të qaj e të qesh me ty dhe tërë kjo jetë larg teje, vetëm në fantazi, vetëm duke përsëritur e ripërsëritur çapat që këmbët tona linin në hapësirën e bardhë të një lumturie që jetonim, po që nuk çmonim! “Ta shoh një çikë, pakëz t’i shoh sytë e saj për së gjalli! A do ta kem këtë fat? “- Se tërë forca e dëshirave të mia, e ëndrrave të mia të fundit përsërisnin or’ e çast. “Ta shikoj edhe një herë para se të vdesë!” …Unë dua të të shoh një herë, vetëm një herë, me kusht që ti të mos më shikosh mua se e di që duke të parë ty do të kuptoj më mirë se sa e dhëmbshur është jeta, sa e shtrenjtë është jeta, sa e shenjtë, madhështore, hyjnore… është jeta! Sa fuqi dhe ç’burim është Jeta! Se vetëm në sytë e tu shkruhen dhe llamburitin ligjet e fuqishme të jetës… Dhe këtë ta them duke u betuar në llahtarin’e ëmbël dhe të tmerrshme të valles që zemra ime kërcen në hapësirën e kësaj ndarje tragjike- që vetëm sytë e tu, forca e tyre dhe kushtrimi i tyre më thoshin: “Jeto!”… Po ç’e do! Të jetosh me shekuj larg syve të tu, thoshin disa se me distancën e kohës humbiste dhe fuqia magjike që kërcënon dëshpërimin dhe mortjen! Dhe ja ku po ta them: kjo nuk është e vërtetë! E vërteta është se duke u ndritur me shekuj prej syve të tu, drita e tyre përditë shtohet e shtohet sa arrin që të shkrijë hekura dhe errësirë dhe çdo gjë që prek e shoh të më duket: Jetë! Mjerë ata që nuk drejtohen nga sy të tillë! Dhe isha i lumtur e isha i mjerë! Se unë nuk desha të çkëputesha nga syt e tu! Syt e tu më kanë puthur me ëmbëlsinë dhe nanuritjen e syve të tu! Po unë desha ti shikoja edhe një herë! Edhe një herë! Çdo njeri para se të shuhet nga lista e të gjallëvet, ka të drejtë të kërkojë diçka…(Është një traditë që meriton të përmendet) Po si?… Kalonin dit’ e netë! Çaste dhe shekuj! “Ah ta shihja edhe njëherë! Ta shikoja pakëz…!” …Dhe nëse do të ketë njerëz – dhe ka që thonë: E ç’kuptim ka të plotësosh një dëshirë, kurse çdo gjë të marrë funt?!” Unë këtyre u përgjigjem: “E ç’kuptim ka për ju jeta kurse nuk jetoni?” Ose edhe: “Ç’kuptim ka për ju vdekja, kurse nuk kini jetuar?” E di: kalojnë ditë dhe kalojnë netë dhe gjithënjë digjem e përvëlohem të dëgjoj një herë zërin tënt! Se zëri yt është kënga e jetës, është simfonia e ëndrrave të mia! Po ç’e do! Kalojnë muaj dhe vjetë dhe shekuj! Ti tani flet, e sheh, e punon, e ëndërron … Siç flasin burimet e maleve, siç shohin yjt’ e qiellit, siç punon zëmëra e kohës, siç ëndërron agimi i Jetës… dhe unë këtu mas pulsin e frymës sate, se nën rithmin e tij akoma e mbaj lart flamurin e Jetës! “Të të shoh edhe njëherë, pa pastaj le të vdes!… Se kam frikë që nuk do të tretem po s’të pashë edhe një herë. E di o Safolina ime, se forca e Dashurisë s’matet as me lotët, as me këngët, as me trimërit’ e rrëmbimeve … po me numrin dhe gradën e lenteve të syve që dashurohen, bile edhe me ngjyrën e tyre. Ja, për shembull, se ç’janë për mua syt e tu: ato smadhojnë edhe rrudhat më të holla të ballit të Jetës dhe ndriçojnë edhe palcën e errësirës, ato sbukurojnë dhe trevat ku ra çkatërrimi, ato çdo gjëje i japin ngjyrën e krijimit… ato zbusin, pajtojnë, e nderojnë… të bëjnë të jeç krenar që je njeri dhe të drejtojnë për në brigjet e Triumfit të Jetës! Me ato sy pash horizonte të pakufishme mijra-ngjyrash, mijra-agimesh, mijra-shpresash, mijra-tingujsh! … Ah, dhe për këtë unë sa dëshiroj t’i shoh edhe njëherë, se me to unë do të shoh bukurin’ e fundit të kësaj toke të bukur, me to unë do të shohë për herën e fundit ngjyrat e Jetës që thonë: “Sa yj fshihen akoma, sa lule fshihen akoma! Dhe ti sa gjurmë të bukura mund të lije në këtë arenë të pasosur të krijimit!”… Dhe ja! Një ditë prilli- pas afro një vit. – Ti me sefer-taset në dorë ishe në derën e burgut dhe unë nga një cep, nga një cep i vogël i dritares përkundruall derës së oborrit, të pash! Të pash! Të pash! … Pash Safolinën time! Dhe gjaku, dhe fryma, dhe jeta nisi të marrë mijra tinguj e mijra ngjyra! Tinguj që këndonin hymne malli e dëshire, gëzimi e dëshpërimi, tinguj Dashurie! Ngjyra që hekurat i bënin lule, muret i bënin qiej te pa funt dhe çimenton oqeane! Ngjyra që çdo gjëje i veshnin petkun e ëmbël të Dashurisë! Dhe unë të pash! Ti qëndroje kokë-ulur! Ti shikoje brenda dhe syt e tu depërtonin mure dhe hekura dhe unë nëpërmjet tyre NISA PRAPË TË SHIKOJA JETËN! Dhe kështu 23 Prilli 1948 u bë edhe këjo një datë e shënuar e Jetës sime! Dhe pastaj përditë …përditë …ah si e prisja unë atë orë, aty nga një cep i dritares përkundruall derës së oborrit që hapej pak centimetra, unë SHIKOJA SAFOLINËN TIME! Dhe sa i lumtur dhe sa i mjerë isha! … Dhe qeshja dhe qaja – jetoja -me ty! Ti vije! Qëndroje aty para derës (herë e veshur si parëverë, herë si verë, herë si vjeshtë) dhe stinët unë i shikoja në veshjen tënde. Se në fytyrën tënde shprehej një agoni që vetëm sy që dashurojnë munt të kupëtojnë! Të flisja! Më përgjigjeshe: “Duro për mua! Jeto për mua! Unë, Goçja jote jam aty me ty, se të dua fort unë! Dashuria jonë është e drejtë prandaj dhe do të trimfoj! Ti je i pastërt dhe Drejtësia do të triumfojë! Unë do të pres! Rroj vetëm për ty! … Dhe këto fjalë më bënin krenar dhe me të drejtë thosha se lumturia e njeriut gjendet edhe në konditat e mija…! Dhe kështu më shikoje e të shikoja nga një vrim’ e vogël e dritares përkundruall derës së oborrit që hapej pak centimetra- në shi e në borë, në vap’ e në të ftohtë dhe malli më shtohej: “Ah, kur do të takohemi!” “Të takohem një herë, të flas me të, pastaj le të vdesë! Po kur? Kalonin dit’ e muaj dhe ti mbete në dyert e burgjeve! Kur? Imagjinata ime nuk la horizont pa shkelur me syt e tu!. Çdo çast e çdo dit’ e çdo natë, fluturoja me ty atje ku s’ka shkelur këmbë njeriu! Po kur të shikoja pakëz aty përpara derës me ushqimet në dorë, thoshja: “Gjer kur?” Dhe kështu kalonin muaj të tëra! Monotonia e pritjes qëllonte fort si një vare në daullen e agonisë! Gjer kur? Ah! Vetëm një çast të takoheshim! Të flisnim! Të çmalleshim! T’i thoshja: “Si je? Safolina ime, si jeton pa mua?” Dhe të dëgjoja zërin e saj! Të dëgjoja vetëm një herë të më thoshte: “Goçja jote është e fortë! Ajo të pret!… Ti thoshja vetëm dy fjalë: “Safolina ime! Jam ashtu siç më njeh! S’të kam fshehur asgjë! Jam i pafajshëm! Të dua si poeti të bukurën e dheut, si unë Safolinën dhe Lirinë!… Dhe çdo gjë që të ngjasë… ti jeto!” (Po unë jam i krisur! Ç’vete e mejtoj! Po nuk dihet! A ti them: “Dashurove një fatkeq? – Mos vallë të pengoj lumturinë dhe rrugën tënde? Ti je e lirë! Mos humb të rit’e tu! …sa i marrë që jam! Ajo më dashuron, dhe unë…? Po ç’të them! Vuaj, sepse ajo vuan! Ajo vuan më shumë se unë, se nuk është mësuar në të tilla dallgë të egra! Po ajo është forcuar dhe e di se ku vete se ka Dashurinë Yll Polar! Ajo bën atë që i thotë zemëra! Ajo është goçja ime! Ajo më pret, se është e sigurt se do të triumfoj Drejtësia!) Dhe kështu u mësuam në këtë jetë.. të kënaqur se kishim fatin e mirë të shikoheshim çdo drekë: Ajo përjashta derës s’oborrit me sefër-taset në dorë, me zemrën gur dhe me shpirtin e saj në qeli pranë meje – dhe unë prapa hekurave të dritares, në vetminë time plot tinguj lëngate po me sytë e zemërës sime pranë Safolinës sime që e ndiqja çap për çap me një llahtarë dhe një ëmbëlsi, me një dëshpërim dhe lumturi të pathënë. Ngjarjet historike, duke dënuar sistemin që na ndau dhe na largoi, bënë kthesën e famëshme që ngrohu zemërat e viktimave të gjalla … Syt e Safolinës sime çkëlqenin nga kënga e shpresës së triumfit të Drejtësisë. Zemëra e saj e ngrirë, u ngroh nga dielli i besimit mi Drejtësinë dhe një këngë e re na lajmëronte: “Së shpejti do të BASHKOHENI!” Çudi! Lum ata që janë të pastërt si kristali dhe që trembin mortjen me sinqeritetin e besimit të tyre! Lum ata që trumbetojnë iden’ e tyre edhe nga varri!…Po si ta them tani ditën e shënuar të takimit tonë të parë? Më mirë është që të flas ashtu siç ngjau: Vetëm këtë mbaj mënt”. Kur e pash – si gjithënjë, jashtë derës më fliste me sy, me këmb’ e me duar! Ishte e dehur nga një gëzim i pa shembëlltë! Po çdo jetë? Mos vallë do të lirohem?” dhe unë – si ajo mënt fluturoja nga gëzimi! Po pse? (Ah kush ka ndjerë çaste të tilla, s’ka mbajtur mënt asgjë, se të tilla çaste janë kulme dehjesh sublime dhe s’kanë të bëjnë aspak me gëzimet dhe lumturitë e rralla!) Po megjithatë skalisen thellë në arenën e kristalt të kujtesës dhe bëhen rezervë forcash gjallërie, bëhen të përjetshme… Pastaj mu bë sikur erdhi roja “më buzëqeshje – çudi!” dhe sikur më tha “ Eja! Do të takohesh me shoqen tënde!” dhe pastaj sikur erdhi berberi, ky më rrojti me të shpejtë! Më prunë një xhaketë! Më stolisnin! (Çudi! ) Dhe unë mënt po çmendesha! Mejtimet e mia përziheshin dhe përqafonin Safolinën time! DO TË TAKOHEMI! (Gjëra që duken çudi e përrallë. Po thonë se do TË TAKOHEM ME SAFOLINËN). Bëj atë që më thonë! Ato rojet dhe berberi i ynë-ah… gjithënjë më flasin! E ç’më thonë? Unë vloj në mejtime: “Po a ësht’ e vërtetë? Po ç’do ti them? Po si do të jetë vallë?.. sa kohë kaloi qysh nga 15 maji 1947? Sa jemi sot? Po sikur të na linin pak çaste pranë e pranë? Ku do ta puth më parë? Në sy! Pastaj në buzë, pastaj në SY dhe do ta shtrëngoj fortë, fortë duke i thënë: merrmë me vetë! Mos më lë këtu më! Po pastaj …” … Dhe kështu si i ndezur nga diçka që të shpie në majat më të larta të një dehje të lumtur…më shpien nëpër korridoret – ah këto korridore që janë matur me lot’ e gjak – më hypin nëpër shkallë e më shpien drejt derës lart – aty ku janë dy palë hekura, aty ku këmbët e mia sa mijra herë kanë shkelur, aty ku duart e mia sa mijra herë janë mbajtur (kur në kohërat e çdo regjimi vinin e më vizitonin …) dhe ku një herë motra ime më tha: “E pse s’u vrave në Spanjë, ose në ndonjë kënd tjetër? Kështu do të kishim qarë njëherë e përgjithënjë, kurse tani ne të qajmë për ditë!… (Po unë nuk u vrava në asnjë kënd të dheut, se në një kënd të dheut më priste SAFOLINA ime!)… Aty në hekurat, mu parakalua tërë e kaluara ime dhe nuk dëgjoja gjë dhe nuk shikoja gjë! Mu bë sikur përpara meje- në hekurat e matanshme, nja dy metra larg hekurave të këtejshme – qëndronte silhueta e SAFOLINËS. Kishte zënë hekurat me të dy duart, kishte shtrënguar kryet e saj në hekurat, sikur kërkonte ti lakonte e ti shkrinte dhe të futej brënda! … Ajo ishte! Ishte SAFOLINA, se çdo gjë: era e ëmbël e saj, silueta e ëmbël e saj… Po SYTË? Ku ishin sytë e saj? Po unë nuk shoh gjë? Po çdo gjë që shoh është Safolina!… Dhe nyja në fyt bëhej më e trashë dhe silhueta gjithënjë bëhej më SAFOLINA ose më silhuetë që binte erë SAFOLINA, që kishte SY, e ball, e flokë, e këmbë e duar… SAFOLINA. Vetëm një harmoni ngjyrash SAFOLINA! Vetëm një ishte jeta që më shikonte! (Aty ishin grumbulluar pesë a gjashtë roje) dhe nyja në fyt bëhej më e madhe! Dhe veshët më trumbetonin… Kurse një zë “ë de folni, pse nuk flisni?” më bëri që të mblidhja veten dhe diçka desha të thosha, desha të thosha atë fjalë që or’ e çast – dit e natë- e kam përmendur, desha të thoshja “SAFOLINA IME!”…po ajo lëvizi dhe pa pritur dëgjova zërin e saj: “Petrolino im”!… …Pastaj mu bë sikur dëgjova: “Si je?”. Ishte zëri i saj! “Si je Petro im!”… Dhe nyja e fytit ç’u bë! Ajo më mirrte frymën! Po zëri i Safos sime prapë pyeste me ankim e me lumturi, me dëshpërim e me krenari “Jam una goçja tate!” Une besoj se edhe i vdekur po t’isha do të përgjigjesha: “Unë jam poeti tat” … po çudi! E shikoja dhe gjithënjë më dukej një silhuetë që humbiste që shkrihej vetëm në një: Safolina. Pastaj mu bë sikur pash hekurat më të trasha e më të dendura dhe u shkunda: “Safo, po ti si je?” e pashë që buzëqeshi dhe zemra nisi të rrihte me ritmin e pulsit të saj. “Unë jam fare mirë! – Edhe unë! Po ti si je? –Fare mirë, mirë! Po ti si je? – Mirë, mirë! Si je ti? – Fare mirë! Mirë! Po si je nga shëndeti? – Fare mirë, mirë, mirë, fare mirë! – A je mirë? – Mirë, mirë! Po ti?…” Pastaj mu bë sikur ajo më tha: “Pa ec pak! Lëviz pak! Pak sa të të shoh…” Dhe unë pa dashur lëvizja krah e këmbë dhe kur u ktheva prapë në vend të parë, pash sytë e Safolinës sime që çkëlqenin nga gëzimi! “Je mirë? Unë jam fare mirë! Po si je Petro? A je mirë?” Po dale pak! Dua të flas! Ajo siluetë është Safolina ime! Është goçja ime! Ay zë, ajo këngë plot harmoni lëngimi, del nga shpirti i Safolinës sime!…Ja ku është! Ja… ja… zgjat duart…nuk arrijnë! ( Ah këta hekura!)… Po ç’t’i them? “A je mirë?…Mirë!…Mirë!” Dhe pastaj mbaj mënt se gjaku im i pakët nisi të vlonte kudo si fjalët që kërkonin të dilnin më vrull tufani po që ah, s’dilte asnjë, se njëri mejtim mundte tjetrin me shpejtësinë e një mejtimi si ay imi që kërkonte të bënte me gjuhë bilbili, edhe hekurat e kryqëzuara! Dhe tërë ato fjalë që për kaqë shekuj i kisha përsëritur me miliona herë…as që më vinin nër mënt! Dhe sa para vlenin fjalët? Përpara meje qëndronte Safolina ime! Më shikonte dhe e shikoja. Dhe kjo ishte Safolina ime të cilën kaq shumë e kisha idealizuar, kaqë me densitet kisha rrojtur me të gjatë shekujve të ndarjes, sa tani duke qenë para saj-ja ku ishte dy metra lark meje!- S’di ç’t’i them! E shikoj me atë mall që unë vetëm e kam ndjerë dhe ajo lëvis tani, lëvis krah’ e këmbë e sy e flokë e trup… dhe sikur kërkon të hajë hekurat me dhëmbë, të futet brenda, të më përqafojë fort e të më rrëmbejë e duke më thënë “eja Petrolino im, se goçja jote është vetëm dhe…” të ikim bashkë që të dy e t’i thërrasim qiellit dhe tokës dhe erës… “mjaft më!”. Neve jemi të pafajshëm! Lërnani të numërojmë rrezet e diellit! Lërnani të vazhdojmë se numëruari yjt e jetës! Lërnani të lozim me ngjyrat e ylberit dhe me tingujt e Lumturisë, se ne dashurohemi, se ne duam Jetën, e duam Lirin’ e jetës, lirin e të gjallëve…” Po… në këto çaste kushtrimi kundër padrejtësisë buçiti zëri i Safolinës sime: “Të pres! Ti je i pafajshëm! Ti djal’ i lirisë dhe i Revolucionit! Të pres! Ti je njeriu im! Ti je i drejtë…prandaj të pres me orë pranë meje!…” e dëgjoja si një njeri që dëgjon vendimin e gjykatës së lartë të ndjenjës dhe të dhimbjes! Dhe ato çaste isha më i lumturi i botës, se ky vendim që dilte nga Drejtësia e Dashurisë ishte vendimi i prerë i një jetë që ëndërroi dhe që luftoi nën flamuj të një Dielli të Ri, ku kënga, krijimi, dashuria-Liria, t’ishin nenet e përjetshme të kushtetutës njerëzore! “Të pres! Jemi të pafajshëm!”…Dhe e pash që buzëqeshi! Pash më në funt edhe syt’e saj që më flisnin me një krenari duke më thënë: “Këjo ishte Prova e Madhe e Dashurisë sonë! Neve bashkë- se jemi një- do të shkelim në gjurmët e shtigjeve të reja! Bashkë…gjer në funt, se Dashurohemi!” Unë s’mbaj mënt tjetër gjë! Vetëm kur roja tha “Mjaftë më! Shkoni!”. Atëherë vura re, se Safolina ime nuk ndahej nga hekurat! Ishte mbërthyer aty dhe më shikonte! “Shkoni tani”- përsëriste roja…Edhe unë nuk çkulesha dot! E ku të veja? E pse të ndaheshim? Ajo të shkonte rrugëve e vetme dhe unë në qelin time i vetëm? E pse? “Dëgjuat? Shkoni?!- na urdhëronte roja! (Epo të mendoç tani dhe të thuash: “Pse nuk largoheshit nga hekurat, po rrinit aty që të dy si të ngrirë?” Unë të përgjigjem: “Nuk ishim të ngrirë! Përkundrazi ishim ndezur! Çdo gjë ishte në flakë: edhe hekurat, edhe padrejtësia! Dhe të betohem se atë çast një revoltim i pa shembëllt, po i ndërgjegjshëm më nxiste të thërrisja: “Mjaft më! Nuk u kënaqët në shekujt e ndarjes sonë? Nuk u kënaqët me lëngatën tonë? Eja Safolina ime! Mermë!Mos më lër këtu!…” Po atë çast duart e forta të rojeve me çkulën nga hekurat dhe unë duke pasur gjithënjë syt e ngulura në silhuetën e Safolinës sime po largohesha…Ajo fliste: “shko, shko ti i pari, dua të të shoh nëse ecën…po mos u mërzit se unë jam jotja, jam goçja jote besnike, të pres…se je i drejtë…se jemi të pafajshëm!…”
***
Kur roja hapi prapë qelinë time, isha i hutuar! Mbaj mënt vetëm këtë: e pyeta me zë të shuar: “Sa kemi sot? “Dhe ay:- tre nëntor 1948! Domethënë ishte dita (nuk e pyeta rojën se ç’ditë e javës ishte…po do ta gjej ndonjë ditë në kalendar) tre nëntorit, dita e takimit të parë me Safolinën time… Tani pyes veten: “A do ta harroj kurrë këtë ditë? Dhe a mbaj mënt gjë mi Takimin e Asaj Dite? …Çdo gjë e Asaj dite ishte skalisur thellë e thellë me skarpellon e dhimbjes dhe të mallit, me çekiçin e lëngatës dhe të shpresës…dhe a ka në shekuj tufane dhe thellime që të shuajnë gërmat e thella të çasteve të tilla-çaste gas-lëngate dhe çqetësimi që kompozojnë Sinfoninë e një Dashurie të pashembëlltë?
(E shkrova për ty o Safolina ime)
Burg më 5 maj 1950 Petro yt


Poezi

Mungesa e lirisë

Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë
Si fatthënë e rysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë


Kënga e valës
(Vlorës)

Lëmo’, o vale e përkëdhel
atë breg që s’është i gjallë,
e, kur të flesh aty në Skelë,
të shtrihesh në atë zall,
këndo një këngë e nanuris
shumë qetë e me ngadalë,
se në atë tokë fle një fis
që u ngrit në shekuj valë
për nderin e Lirisë…

Lëmo’ o valë me ngadalë!
këndo një këngë lehtë,
të mos dëgjohet gjer në mal,
se aty në ullishte fshehtë
dergjen….. – oh lëre mos e nga,
kujtimi u ka mbet! -

Pra ti o valë, këndo, mos qa,
se zemrën e ke det
dhe gjuhën ligjërim e shkumë,
sa brigje ke në dorë!…
Dhe kot kërkon të vere në gjumë
dhe shpirtin tënd, o Vlorë!

Po ah, o vend që lind ç’ka vdes,
pse hesht mbi varr, i gjallë?
Përherë syri yt do jes’
me llahtari në zall?..

Lëmo’ o valë me ngadalë,
këndo kushtrim të qetë…
Se mos dëgjohet lart në male
në Arbërinë vete
se atje dergjet një jetë…

Lëmo’ o valë e përkëdhel
me zemër, jo me zjarr,
se bën vaki që vdekja del
e s’hesht brenda në varr.

Kushtrimin tënd o të dëgjoj
oh, ndërsa vendi qan -
atëhere, o valë, gjumi mbaroi
dhe labet kush i mban…?!

N’arrati
Kokën mu në trastë e futi,
mori dhenë… Pse o Zot,
tërë kohën jetëshkurti
qetësinë nuk e gjen dot?

Ligja me kamxhik s’e zbuti
skllavin që endet sot e mot,
llogore nuk gjen gjëkundi
dhe mundimi s’e mund dot.

 “Logos & Art” 

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…