Skip to main content

Tetova News

Të vdesësh, “Andrra e jetës”!

DHURATA SHEHRI


Njëqind e ca vjet më parë, Ndre Mjedja shkroi poemën “Andrra e jetës”, ku ndoshta për herë të parë në letërsinë shqipe shfaqet një grua me dy vajza në një poemë, vetëm ato dhe askush tjetër…
Dy prej tyre vdesin, e treta jo. Titulli i poemës është interpretuar shpesh si paradoksal për atë subjekt, a thua nuk qenka e vërtetë se ëndrra e jetës është të vdesësh, të dish të vdesësh, të mësosh të vdesësh, të jetosh për të vdekur. Ky paradoks në dukje ka krijuar shtjellimin më të madh në interpretimin e kësaj poeme, që është ndër më të keqinterpretuarat e letërsisë shqipe: 
shkruar gegnisht nga një prift katolik, jezuit, përkthyes, muzikant dhe gjuhëtar. 
A është e mundur t’i qasesh habitshëm një teksti të njohur? – shtrohet në parathënien e veprës së Mjedjes në Prishtinë? Ndoshta është e pamundur, por është e mundur t’i qasesh me një lexim të përkundërt me leximin “zyrtar” të “automatizuar”, shkollor, kanonik. Interpretimi i “Andrrës së jetës” së Mjedjes është përqendruar për shumë vite mes dy poleve, duke u përpjekur  në dikotomi kundërshtuese t’u japë përgjigje pohuese/përkundër mohuese pyetjeve: 
Është optimist apo pesimist Mjedja? 
Realist apo romantik tek “Andrra e jetës”?
A është vepra pasqyrim i jetës së malësorëve të varfër?
A mos është pjesa e Zogës e vetmja pjesë që lidhet drejtpërdrejt me titullin e poemës?
Tre personazhet femra a dëshmojnë revoltën e poetit ndaj shoqërisë patriarkale?
Për “Andrrën e jetës” le të zbulojmë se ndoshta për herë të parë letërsia shqipe paqtohet me vdekjen, me vdekjen pa tragjedi. Vdekja këtu është pjesë e jetës dhe jo fund i saj. Qe një prift ai që e paqtoi letërsinë shqipe me vdekjen. Fishta e bëri vdekjen e shqiptarit pjesë të historisë, Mjedja e bëri pjesë të së përditshmes jo heroike. Për herë të parë në letërsinë shqipe vdekja e zakonshme bëhet pjesë e subjektit të letërsisë. Kjo vdekje e zakonshme që ka prodhuar një letërsi të pazakonshme, i ka sforcuar interpretimet e veprës. Çfarë ka të jashtëzakonshme vdekja e një fëmije të zakonshëm që “i dhimbte n’ijë e i kishte mollzat gjak”, që jetonte në një fshat, bënte punët e përditshme të fshatit dhe kthehej mbrëmjeve në shtëpi? Çfarë ka të jashtëzakonshme vdekja e një gruaje që, pasi i vdes njëra vajzë dhe bëhet gjyshe nga tjetra, pasi i mëson të parës të vdesë dhe të dytës të jetojë, i vjen koha të vdesë edhe vetë? Përgjithësisht vdekja në letërsinë shqipe ka kërkuar arsye të jashtëzakonshme, heroike dhe është shoqëruar përgjithësisht me tragjizëm. Vdekja e Trinës dhe e Lokes është një vdekje pa tragjedi. Nëse Mjedja shkruan për jetën, ai na tregon edhe se cila është ajo me gjithë madhështinë e të zakonshmes. Interpretimet “zyrtare” të veprës nuk kanë mundur apo nuk kanë dashur ta pranojnë madhështinë e kësaj vdekjeje të zakonshme, që flet më shumë se çdo vdekje tjetër për jetën. Është koha për shqiptarët që të dinë të vdesin “natyrshëm”, edhe kjo është vdekje që ia vlen ta shkruajë letërsia. Vdekja në letërsinë shqipe nuk ka mundur të jetë e thjeshtë siç ndodh tek “Andrra e jetës”: “Po shkon me bujtë te Zoja” ose “u ndjej ‘j frymë përmbrenda shpijet, porsi erë qi vjen pa shkas”. “Andrra e jetës” është kronika e vdekjes, e dy vdekjeve të thjeshta, aq të thjeshta, sa dy nga tre personazhet e poemës vdesin. Mjedja na thotë se është e thjeshtë të vdesësh, është e natyrshme të vdesësh, është hyjnore të vdesësh, është tokësore të vdesësh dhe ky është një nga mësimet më të rënda që ai na jep për jetën. Nëse magjia e letërsisë është të na mësojë të jetojmë, “Andrra e jetës” na bën pikërisht këtë, na mëson të jetojmë me vdekjen pa tragjedi. Por lexuesit e automatizuar nuk janë mësuar ende dhe ende nuk kanë nxjerrë mësim: 
Duke i lënë anash përgjigjet e këtyre pyetjeve, do të synojmë një lexim me habi 
- ata duan patjetër të gjejnë arsyet e vdekjes (a thua se ka ndonjë rëndësi)
- ata duan të gjejnë patjetër, shkaqet (a thua se kjo ka rëndësi)
- ata duan të gjejnë patjetër fajtorët për këtë vdekje (a thua se kjo ka rëndësi)
Lexuesit shqiptarë e kanë pasur të vështirë të mësohen me këtë lloj vdekjeje që nuk ka shkak varfërinë, që nuk ka fajtor ndonjë rrëgjim, që nuk bëhet për atdheun apo për ndonjë dashuri në 
rastin më liberal. Mjedja, rrezikshëm ua ka sjellë vdekjen shumë pranë, te pragu i shtëpisë, e ka bërë pjesë edhe të jetës së tyre. Për leximin tipik katartik të shqiptarëve, kjo është tragjedia që nuk mund të shqiptojnë dhe kuptojnë, vdekja bëhet pjesë e jetës, edhe e jetës së tyre. Duke krijuar simulakrin e saj, Mjedja e mëson lexuesin shqiptar të vdesë, pra të jetojë. Ndoshta ky është një ndër gjestet më emancipuese të letërsisë shqipe, një nga faqet më moderne të saj. Deri atëherë, njeriu shqiptar ishte shfaqur në letërsinë shqipe, i ngjashëm me të vetët dhe i ndryshëm nga të tjerët. Me Mjedjen njeriu bëhet njeri përballë vdekjes, ai nuk është më as i ngjashëm e as i ndryshëm, ai thjesht është jo i vetëm, por me veten, dhe pa të tjerë. Të tjerët janë të panevojshëm, vetja mjafton. Duke bërë këtë, Mjedja bën gjestin më sublim në letërsinë shqipe, paqton njeriun me veten, e bën personazhin individ e individin njeri jo të vetmuar, por të vetëmjaftueshëm. Njeriu i Mjedës, njeriu me veten, te Camaj do të bëhet “njeriu me vete dhe me të tjerë”. 
Ky gjest nis pikërisht këtu, në këto vargje: 
Bij, mos e prek, se njomja
Tash a tui folë me Zojën
Len zan e mos çil gojën
Se e lumja Zojë t’bertet. 
…ku një nënë i mëson njërës bijë të vdesë e tjetrës të jetojë. Njeriu shqiptar bëhet ndoshta për herë të parë zotërues i jetës së vet, duke mos pasur mendjemadhësinë ta ndiejë veten si shkaktar të vdekjes së vet, mjafton të lexojë si vdesin dhe si jetojnë tri gra.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…