Skip to main content

Tetova News

“Zef Pllumi” i Sabri Hamitit - AGRON GJEKMARKAJ


AGRON GJEKMARKAJ

  Libri i parë për At Zef Pllumin (botim i “Albas”) vjen nga Kosova, nga Prishtina, nga akademik Sabri Hamiti, i cili nuk ngurron që njohjen me Pllumin ta konsiderojë “dhuratë nga Zoti”.  
Pllumi dhe Hamiti e kanë intensifikuar bashkëpunimin dhe miqësinë ndër vite, duke u nisur nga një kontekst i përafërt mendimi dhe veprimi. Sabri Hamiti është përfaqësues autentik i elitës shqiptare, që gjithë jetën i është dashur të bëje rezistencë politike dhe kulturore në rrethanat e shtypjes kombëtare dhe të okupacionit serb për të dëshmuar kulturën si identitet dhe identitetin si qëndresë përballë dhunës dhe asimilimit. 
At Zef Pllumi është përfaqësues i elitës së përmbysur me terror,  i cili  ka bërë rezistencë politike dhe kulturore në kushtet e një totalitarizmi unik në Europë për lirinë, besimin, “giuhën  e nanës”, traditën kulturore së cilës i përkiste dhe amanetin “rrno vetëm për me tregue”. 
Kështu ai ka dëshmuar moralin dhe modelin e qëndresës për të mbetur njeri, mendimtar, klerik, kur individi shqiptar si tendencë ishte shndërruar në kafshë pune, shërbëtor, hafije a dhunues. Kjo rezistencë, jetët e të dyve i çoi në skajet e epërme të rrezikut, me burgun e gjatë apo atentatin e drejtpërdrejtë, ndaj i shoh natyrshëm të bashkuar në këtë libër: njëri studiues e tjetri objekt studimi. Së bashku aty “jo nga çasti e nga rasti”, por si përputhje fatlume e idesë me njeriun, ku secili i jep tjetrit deri në identifikim. 

Emërtimi i librit ka dy kompozita, një emër dhe mbiemër, “Zef Pllumi”, të vetëmjaftueshëm për të kumtuar veçanësi, rëndësi, autenticitet si autor dhe autoritet. Vetëdijen personale që në kontaktin e parë Hamiti synon ta shndërrojë në vetëdije të lexuesit. Sabri Hamiti bën një shpallje tejet të rëndësishme në këtë tekst të tijin, i cili vjen pas njohjes së afërt dhe kontakteve njerëzore që ka pasur ndër vite me Pllumin, pas një rileximi  përimtues me integritet shkencor dhe etik të rrallë të veprës-jetë e jetës-vepër, nga ku ndërton simbiozën e fenomenit kulturor të bashkëkohësisë shqiptare.

Pse Hamitit Pllumi i rezulton “fenomeni kulturor” shqiptar i bashkëkohësisë?
Po rendis disa teza ose arsye që kam nxjerrë dhe perifrazuar nga libri “Zef Pllumi”, të cilat të çojnë kah përcaktimi:
“Pllumi ishte gjithmonë disident e asnjëherë defatist”, libri, liria dhe robnia rrinë në mes këtyre dy koncepteve si gjendje shpirtërore dhe provë e kapacitetit krijues, prandaj “Pllumi ishte një dhe duhet lexuar si i tillë”, sepse “vepra e tij është edhe një dëshmi (dokument), edhe vlerësim (monument), dhe, në fillim e në fund,një vepër autobiografike, si të gjitha veprat e tij, duke dëshmuar përfundimisht që nuk është vetëm një shkrues (skriptor), por edhe krijues (autor) i letërsisë shqipe”;
“Letërsia e Pllumit është letërsi e ideve dhe vizioneve në udhën e veprimit”;
“Në vështrimin e modelit krijues, Zef Pllumi është shkrimtar dokumentar, kurorëzues i prozës dokumentare në shqip, në vështrimin e vlerës së veprës, sidomos me veprën e parë, është themelues i letërsisë së burgut e të llogorit dhe dëshmitari e kundërshtari i dhunës komuniste gjysmëshekullore mbi jetën e mbi kulturën shqiptare”;
“At Zef Pllumi është një staturë morale e kohës, një pikë e mbështetjes për të matur vlerën e gjestit konkret apo qëndresën kah qëllimi”;
“Secila kohë, secila kulturë, ka nevojë ta ketë një autoritet shpirtëror e moral tek i cili gjen mbështetje në kohë të mira e të vështira. Thoshin latinet: historia është mësuese e jetës. Dëshmon At Zef Pllumi: jeta është mësuese e historisë. Në këtë këndvështrim, At Zef Pllumi është fenomen kulturor i kohës së tij”;
Një rrëfim i paautorizuar i një bisede të Sabri Hamitit mes miqsh më bashkon racionalitetin e analizës së librit me mistiken e miqësisë edhe përtej vdekjes. Tek fliste një herë për At Zef Pllumin, më mbeti në mendje kjo frazë: Zefi, edhe kur të mbushte një gotë raki, mënyra sesi e bënte e qysh ta jepte në dorë, të dukej nji gjest sublim, sikur të shpëtonte jetën e shpeshherë më kujtonte baben tim”. 
E risolla këtu këtë gjykim intim në mbështetje të asaj çka kam menduar gjatë leximit të librit “Zef Pllumi” nga faqja e parë deri tek e mbramja, sepse libri është shkruar me dashuri, një dashuri që bëhet udhërrëfyese për intelektin dhe jo sugjestionuese e tij për të ndërtuar fizionominë intelektuale e morale të “Zef Pllumit” të “tij”, të Zef Pllumit tonë si fenomen kulturor i bashkëkohësisë. Sabri Hamiti e ka bërë këtë si askush tjetër, për një personalitet të pangjashëm me askënd tjetër.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…