Skip to main content

Tetova News

Bahri Beci: Shënime që nuk do të donte t’i shkruante


Gjuhëtari i njohur Bahri Beci hedh në një libër shënimet e mbajtura që nga viti 1989… Rrugëtimi i një akademiku nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra, drejt auditorëve të Parisit, ku mbrojti doktoraturën e parë shqiptare në fushën e gjuhësisë në Perëndim… Prapaskenat që shoqëronin jetën akademike në Institutin e Historisë e Gjuhësisë dhe si i kujton ai personazhe të njohura të shkencës shqiptare… Si u kritikua për takimin me akademikun kosovar Rexhep Ismajli dhe gjyqi ndaj Eqrem Çabejit

Ishte një mbrëmje dhjetori e vitit 1989, kur në shtëpinë e tij në Tiranë filloi të hidhte në një fletore disa mbresa nga jeta. Pak kohë më parë, miku i tij i shkollës së mesme, Isuf Dobjani, entuziast si gjithnjë ndaj historive që ai i tregonte, i ishte lutur të ulej dhe të shkruante kujtimet. I dashuruar gjithnjë pas gjuhësisë, e shkruara ishte një pasion i fshehur i profesor Bahri Becit, pasion, i cili do të merrte formën e vërtetë në këtë fletore të thjeshtë, që ai nxori nga biblioteka një mbrëmje dimri… Vite më vonë, teksa i vetëm në Paris dëgjonte tingujt e recitalit të Pierre Yves Artaud, fletorja që kishte lënë diku larg në Tiranë, e shqetësonte… Në ato fletë, të cilat ai i kishte mbushur me jetën e tij, sa herë kishte ndier nevojën të rrëfehej, nuk ishte vetëm jeta e tij… Ishte historia e një brezi që jetuan dhe besuan në një sistem jo të lehtë siç ishte komunizmi në Shqipëri. Është historia e rrugëtimit të gjuhësisë shqiptare, përmes një prej zërave më të rëndësishëm të saj…

Profesor Beci nuk ndihej i qetë edhe kur i hodhi në kompjuter këto shënime. Vetëm kur i pa në një libër, nën titullin “Një libër që nuk do të doja ta shkruaja”, u ndje disi më i qetë, pasi, më në fund ,kishte hequr nga vetja disa të vërteta që nuk mund t’i mbante dot më…


Akademik Beci mbaroi studimet universitare në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe në shtator të vitit 1958 u emërua Punonjës Shkencor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Rrëfimi i tij në libër nis që nga ai mëngjes shtatori i vitit 1958, kur ngjiti për herë të parë shkallët e Institutit. Ishte vetëm 22 vjeç dhe i vetmi shqetësim ishte fakti që prindërit e miqtë i kishte larg… Ai nuk e harroi asnjëherë takimin e parë që pati me profesor Androkli Kostallarin, i cili dikur i kishte dhënë dhe një kurs special për fjalëformimin. “E çmoja shumë, kisha mësuar prej tij shumë gjëra, kisha mësuar për historinë e gjuhësisë, për drejtimet kryesore në fushën e gjuhësisë botërore, për pikëpamjet që kishin qarkulluar në fushën e gjuhësisë, që nga Gramatika e Paninit e deri tek Ferdinand De Sosyri, themelues i gjuhësisë së shekullit XX”, shkruan ai. Por mbledhja e parë me profesorin do t’i linte një shije të hidhur. Profesori i foli për profesorët që kishin mbaruar shkolla në vendet borgjeze perëndimore dhe, si të tillë, mbartnin me vete koncepte e praktika të huaja për shoqërinë tonë. Por, kush ishin këta profesorë, që kishin mbaruar shkollat perëndimore? Ata ishin Eqrem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Pashko Gjeci, Anton Krajni, etj… Më pas rrëfimi i profesor Becit, vazhdon me jetën e tij akademike, studimet në Paris, prapaskenat në Institut dhe takimet me personazhe të njohura të fushës së gjuhësisë, një prej të cilëve është dhe profesori francez Rene Gzel. Në libër janë bashkangjitur dhe copëza kujtimesh nga fëmijëria dhe rinia e tij (1936-1954). Në vitin 1977 profesor Beci ka marrë gradën shkencore “Doktor i Universitetit të Parisit” . Më 1979 ka marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave” për disertacionin “Të folmen e gegërishtes qendrore” dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor “ në Shqipëri. Më 1984, ka marrë gradën tjetër shkencore “Doktor i Shkencave” për disertacionin “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës” dhe në vitin 1994, titullin “Drejtues kërkimesh ose Profesor”. Më 2008, ka fituar titullin “Akademik”.





Me Rexhep Ismajlin natën vonë në Tiranë…


Po ktheheshim me gruan time, Vlerën, për në shtëpi. Rruga kalonte përmes bulevardit kryesor të Tiranës. Në duart kishim tre kavanoza, që i kishim blerë rrugës. Krejt papritur, diku aty afër hotel “Dajtit”, shohim Rexhep Ismajlin, studiuesin e mirënjohur kosovar të gjuhësisë. Kishim kohë pa u parë. Përshëndetemi me të dhe pa e zgjatur e pyes Rexhepin nëse mund të vinte me ne për të pirë diçka. Ashtu siç ishim, morëm rrugën drejt “Shën Prokopit”. Në atë kohë atje ishte një nga kafetë më të bukura e më moderne të Tiranës. Në të vërtetë, ishte edhe kafe, edhe restorant. Kemi qëndruar atje deri në orën dymbëdhjetë të natës, duke biseduar krejt të çlirët e pa e pasur mendjen se ç’bëhej rreth e rrotull. Gjithsesi, kaluam me Rexhepin një mbrëmje shumë të këndshme. U larguam nga restoranti dhe tek hotel “Dajt” u ndamë, duke i uruar njëri-tjetrit një natë të mirë. Të nesërmen, nuk e di se pse, po shkoj në Akademi, tek zyra e degës së jashtme. Drejtor i degës së jashtme të Akademisë, në atë kohë ishte Nuri Caushi. Trokas në derë dhe hyj brenda si gjithmonë krejt natyrshëm. Me Nurin kisha marrëdhënie të veçanta. Ishte i drejtpërdrejtë dhe tepër njerëzor. E doja Nuriun. Sa fus këmbën në dhomë, dëgjoj një britmë që më tmerroi:

-Ku ishe mbrëmë?!

Ishte Nuriu që më drejtohej me atë britmë të tmerrshme, që as sot nuk më ka ikur nga veshët. Në moment e mora veten dhe iu drejtova. –Pse more, të paskan njoftuar?!

-Po të më sinjalizoje të paktën, më thotë.

-Po si të sinjalizoja, o Nuri, ajo qe krejtësisht rastësisht. Pastaj nuk më shkonte mëndja për një gjë të tillë. Unë me Rexhepin kisha qëndruar shumë herë, më kishte ardhur për vizitë edhe në dhomë kur studioja në Paris. Për të më qetësuar, Nuriu më tha:- Mirë, mirë , se e rregullova unë atë punë, u thashë se ti ishe shoqëruesi i dytë (në atë kohë të huajt ose kosovarët gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, shoqëroheshin nga të ngarkuar prej institucioneve që i kishin ftuar). Siç e shihni, ose dikush që ndiqte Rexhep Ismajlin, (pra, çdo i huaj, ose kosovar ndiqej nga sigurimi) ose punonjësit e restorantit (kupto punonjësit e sigurimit që punonin në restorant) kishin raportuar për takimin tonë me Rexhepin….



Enigmatiku

E kam fjalën përsëri për Jorgo Bulën. Gjithçka është enigmatike për këtë njeri. Si erdhi, pse erdhi, kush e pruri në Institut, vërtet profesori ynë i historisë së gjuhësisë, apo dikush tjetër, është një enigmë. Kur kam qenë në shtëpinë e tij, vetëm studion e kishte sa shtëpia ime. Pra, si e mori atë shtëpi aq të madhe, në atë vend, në atë kohë të vështirë për strehim, është prapë një enigmë…

Është ndoshta i vetmi njeri që me një punim kushtuar një vepre të realizmit socialist, të pavlerë, mori menjëherë dy grada shkencore. Kam marrë pjesë në atë mbledhje, me cilësinë e anëtarit të Këshillit Shkencor të Institutit, jam, pra, dëshmitar i gjallë i një vendimi sa të papritur, aq edhe të çuditshëm, plotësisht të pambështetur.

Është, pra, edhe kjo një enigmë.

Çudia tjetër, si u bë drejtor i Institutit aq shpejt, kur në atë Institut kishte plot të tjerë që e meritonin atë vend, përse kishte mbështetjen e përhershme dhe pa kushte të numrit një të Akademisë, profesor Luan Omarit, në të gjitha momentet dhe për çdo gjë, si u ribë drejtor i Institutit pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 1997, kur nuk e kishte titullin profesor. …E vërteta është se Jorgoja ishte një njeri enigmatik, me një vlerësim e me një mbështetje të vazhdueshme, pra, gjithmonë i mbrojtur nga dikush, nga një si hije e padukshme, por që merrte formën e Androklirëve, Koçove, Jorgjërave, Janërave, Luanërave, Yllërave etj.



Një gjyq i tipit kinez


Eqrem Cabej

Përjetimi i fundit i hidhur për mua, gjatë kohës në “qarkullim” ka qenë pjesëmarrja në një mbledhje, ose më mirë në një gjyq të tipit kinez, të organizuar nga Instituti, që kishte si temë “Luftën kundër përuljes përpara autoriteteve të huaja”. Nuk e di se pse, por isha ftuar nga Shkodra të merrja pjesë dhe unë në këtë mbledhje. Me sa duket organizatorët, të bindur për suksesin e tyre, mendonin se kështu mund të na imponoheshin edhe ne, që edhe pse jashtë loje, nuk përbënim në atë moment ndonjë rrezik real për aktorët bizantinë të saj. Po për këtë do të ishte mirë të tregonin vetë ata, në qoftë se pas kaq kohe u ka mbetur diçka nga trashëgimia e tokës që i lindi dhe i rriti, nga trashëgimia e ndërgjegjes njerëzore, e cila edhe pse shumë e re në krahasim me historinë e njerëzimit, ka dhënë shembuj të jashtëzakonshëm vitaliteti. Por nejse, këto pak rëndësi kanë tani kur pasojat e këtyre qëndrimeve kanë bërë punën e tyre shkatërruese si një ortek në çmendurinë e tij. Në bankën e të akuzuarve kësaj radhe ishte ulur profesor Eqrem Çabej. Mbaj mend që në atë mbledhje, që bëhej në një sallë të madhe të mbushur plot e përplot, spikati vendosmëria dhe zëri i fuqishëm i Menellës, i cili kërkonte ta vinte me shpatulla për muri profesor Çabejin. Dhe m’u kujtua viti 1952, kur Dh. Shuteriqi e kishte quajtur “antipatriotike” veprimtarinë shkencore të E. Çabejit. Po kështu, edhe S. Pollo, duke bërë aluzion për studiues si E. Çabej, i kishte vlerësuar ata si “njerëz te të cilët nuk ekziston asnjë thërrime patriotizmi”, si njerëz që “vazhdojnë të mohojnë origjinalitetin e gjuhës sonë, si njerëz që “përulen verbërisht përpara të ashtuquajturve autoritete të gjuhësisë borgjeze të Perëndimit…”.

“Këta, pohonte në atë kohë S.Pollo, janë kozmopolitë dhe, si të tillë, ne duhet t’i luftojmë”.
Pra, po përsëritej historia. Kritikohej profesor Çabej për përulje përpara autoriteteve të huaja. Po ai, me zgjuarsinë dhe pjekurinë që e karakterizonte, kur e mori fjalën, nuk iu përgjigj provokimeve, po dha një pasqyrë të argumentuar të kontributit të tij dhe të qëndrimeve, siç thoshte ai, “objektive po jo indiferente” ndaj kontributit të shkencëtarëve të huaj në studimet me shqipen.
Mbaj mend që në pushimin e asaj mbledhjeje, drejtori ose profesori ynë i historisë së gjuhësisë ishte shumë i shqetësuar, pa qenë në gjendje të rrinte në një vend. Përse do të thoni ju?
Kur njëri nga folësit (pjesëtar i orkestrës që drejtonte profesori ynë i historisë së gjuhësisë) e akuzoi ndër të tjera profesor Çabejin se në nekrologjinë për Maksimilian Lambercin ai kishte folur fjalë të mira për të, ndërhyri Manush Myftiu (i dërguar i partisë dhe qeverisë në mbledhje, atëherë anëtar i Byrosë politike dhe ndoshta zëvendëskryeministër, pra dorë shumë e fortë) dhe u tha:
- Çfarë kërkoni ju, që në nekrologji të ketë sharje?
– Është më mirë të mos bësh, sesa të përdorësh sharje në nekrologji.
Ky ishte dhe fundi i palavdishëm i asaj mbledhjeje dhe shkaku i vërtetë i ecejakeve të drejtorit ose profesorit tonë të historisë së gjuhësisë në pushimin e asaj mbledhjeje.
Ishte hera e parë që ndodhte kështu. Kësaj radhe Çabej kishte fituar, ndonëse një gjë e tillë edhe sot, po t’i pyesësh ata të orkestrës, nuk besoj se do ta pranojnë. Them kishte fituar jo se kjo u pranua ndonjëherë shprehimisht, por sepse pas mbledhjes nuk u mor ndonjë masë dhe as u tha ndonjë fjalë e keqe për profesor Çabejin.
Ndoshta sekreti i kësaj fitoreje të Çabejit kësaj radhe e kishte një shpjegim. Në të vërtetë, Enver Hoxha, para disa vitesh, menjëherë pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, duke qenë pa asnjë mbështetje nga jashtë, ishte i detyruar t’i kthente sytë brenda vendit, pra t’u drejtohej intelektualëve shqiptarë. I ndodhur në një situatë pa rrugëdalje, ai kësaj radhe kishte nevojë për të gjithë intelektualët pa përjashtim, edhe për ata që kishin mbaruar shkollat në vendet perëndimore, pra edhe për Çabejin. Kështu që gjeti rastin dhe në një mbledhje në universitet tha se kishte tridhjetë vjet që nuk e kishte takuar Eqrem Çabejin. Ai nuk ka qenë dakord me ne, por megjithatë partia e ka lënë atë të punojë dhe ai i ka dhënë e po i jep kulturës shqiptare etj., etj., dhe nxirrte konkluzionin që kjo tregon për punën e madhe të partisë me njerëzit (për saktësi mund të shikohet vëllimi përkatës i veprave të botuara të E.H.).
Pra, Enver Hoxha ishte kujtuar pas tridhjetë vitesh se ekzistonte Eqrem Çabej që të fliste me “konsideratë” për kolosin e kulturës shqiptare që, pa u ndier, i rrethuar e i survejuar nga pseudointelektualë shqiptarë, në kushte pune e jete gati qesharake, thurte si Penelopa veprën e tij, gjerdanin e artë të kulturës sonë kombëtare, me të cilin shqiptarët do të mund të ulen krenarë në sofrën e madhe të popujve. Besoj se këtu qëndronte edhe sekreti i asaj “fitoreje” të Eqrem Çabejit, e cila gjithsesi nuk mund të vlerësohet si humbje as për profesorin tonë të historisë së gjuhësisë dhe orkestrën e tij.
Këto ishin pak a shumë rrethanat kur unë rifillova punën në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në gusht të vitit 1969.



Babaxhani i Institutit


E kam fjalën për Myrtezain (Myrteza Kacadein) kryetarin e përhershëm të Bashkimeve Profesionale. Të krijonte përshtypjen e një burri babaxhan, ndoshta edhe pse ishte pak i shkurtër e i shëndoshë dhe shumë i qetë. Myrtezai, më mirë nga të gjithë e kishte me profesorin e historisë së gjuhësisë, ishte dhe në një sektor me të. Mbase kjo ishte edhe një nga arsyet që ai ishte zgjedhur kryetar i organizatës profesionale. Këtë detyrë e kryente shumë mirë, pa fjalë dhe pa zhurmë, po gjithmonë në pajtim me dëshirat, kërkesat apo porositë e profesorit të historisë së gjuhësisë. Androkli Kostallari kishte autoritet të padiskutueshëm dhe nuk përmbahej, kishte shumë krebilitet, kishte luajtur rol të veçantë në zbatimin e politikës së partisë për zgjidhjen e problemeve të normëzimit të gjuhës standarde, me një fjalë i ecte fjala edhe lart, por kishte edhe aftësi të veçantë për “t’i bindur” të tjerët për ato që donte ose i interesonte të bënte. …

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…