Skip to main content

Tetova News

Çmimet dhe kultura që shpaloset...


Nga Visar Zhiti




1- Çmimet letrare nuk kërkohen, por jepen, nuk dhurohen, por merren, meritohen mes gjithë atyre që i meritojnë, po aq sa dhe fituesit, ndonjëherë mbase dhe më shumë. Kështu mendoj dhe këtë do të doja të thosha qysh në krye. Gjithashtu mendoj se çmimet letrare nuk janë vetë letërsia a pjesë e saj, por i shërbejnë kulturës në përgjithësi, më saktë klimës kulturore që krijohet apo mund të krijohet dhe prej tyre.
Çmimet letrare i shërbejnë njohjes dhe përhapjes së mëtejshme të vlerave, hapin debate, nxisin autorët, në fakt ndikojnë në njohjen e veprës së tyre, pra në fakt nxisin leximin, kërkohen më shumë librat që fituan, por dhe ato që nuk fituan, ndërkaq dihet që letërsia e madhe nuk vjen prej çmimeve letrare e as ka ardhur ndonjëherë prej tyre. Tjetër gjë e sjell atë.
2- Duke dhënë çmime e vlerësime, në fakt është shoqëria që nderon veten, tregon ngritjen e saj. Shteti, institucionet e tij të kulturës, kur japin apo i mbështesin çmimet, qoftë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, ndikojnë në estetizimin e opinionin shoqëror, drejtohet vëmendja nga letërsia e duhur, pra në emancipimin e përgjithshëm.
3- Libri është bukuri e gjuhës amtare, kujtesë kolektive, identitet, njohje, shtim i jetëve, sepse njeriu është i shtrënguar të jetojë vetëm një jetë, por nëpërmjet librit ai merr dhe jetë të tjera, bashkohet me kohët, të shkuarën, të ardhmen, me popujt të tjerë dhe kultura të tjera dhe kupton dhe përjeton më mirë të tashmen, pra jetën e vet.
Libri shërben në fund të fundit që gjithkush të jetë më i mirë me veten dhe me të tjerët, të marrë dhe të japë kulturë.
4- Është krijuar një traditë në tranziconologji në vendin tonë, ajo e dhënie së çmimeve letrare vjetore nga Ministria e Kulturës. Mendoj, ka shërbyer për mirë, edhe kur duket se nuk është vlerësuar mirë. Janë evidentuar vlera dhe emra duke rivlerësuar nga ata që ishin me prurje të reja dhe duke nxjerrë risi vazhduese dhe rivalizuese.
Unë jam nga ata që besojnë se letërsia shqipe ka pasur prurje të begatë në lirinë e saj dhe liria është e domosdoshme për letërsinë.
5- Ndërkaq është krijuar dhe tradita tjetër e kritikës së çmimeve letrare, që gjithnjë e më shpesh duket sikur ka rënë në përfolje e zemërata duke u bërë bashkëshoqëruesja e tyre, aq sa ka filluar të mos kuptohen pa njëra-tjetrën. Çmimet dhe hija e tyre, do të thosha, që herë shfaqet më vogëlane dhe herë më gjatoshe, më e shtrëmbër, më e zbehtë apo dhe më e rëndësishme se vetë objekti, se dhënia e çmimeve.
Letërsia i pranon dhe këto, por çmimet letrare, e përsëris, nuk janë letërsi. Është normale kur ngrihen çështje normale, që i takojnë mbarëvajtjes së konkurimeve, cilësisë së vlerësimeve, mënyrave, formave, përmirësimit, përvojës, asaj që shërben dhe që do të duhej të qëndronte e të përhapet dhe anormale do të shtoja, kur mbartin egoizmin narcistik të autorëve, teprinë, mllefet politike, intrigat jashtëletrare, etj, megjithëse këto të dytat shërbejnë për të ushqyer letërsinë. Për letërsinë gjithçka është normale.
6- KULTURA E GËZIMIT, do desha të flas për të. Pasi shpallen çmimet, pra dalin veprat fituese dhe emrat e autorëve të tyre, duhej të ishte i natyrshëm si fillim një si gëzim, përshëndetja e sinqertë që duhej t'u bëhej arritjeve, prurësve së pari, por dhe shpallësve. Media do të duhej të dinte ta bënte këtë me mënyrat dhe mjetet e saj. Është kulturë, e domosdoshme, të dish të gëzohesh, të dish të marrësh pjesë në gëzimet e tjetrit. Thënia që tjetri të do, aq sa merr pjesë në gëzimet e tua, mendoj se shërben dhe për letërsinë e vendit tënd. Po aq e duam dhe kulturën tonë.

7- Është bërë zakon që fituesit më pas të lihen në heshtje, më e pakta, ata dhe veprat e tyre dhe të ngrihen zërat alarmantë për ata që nuk fituan, sikur ata u nëpërkëmbën, u goditën, sikur iu bë një padrejtësi e rëndë, për rrjedhojë del se juria ishte e korruptuar, e pa aftë, bëri qokat e vitit, madje s'u lexuan librat e tyre, etj, etj, dhe krijohet një zhurmëtirë e specializuar aq sa të duket sikur ata që morën çmimet letrare të vitit, t'i kishin grabitur ato.
Fitimtarët e letërsisë janë të pafajshëm, ndoshta të vetmit fitimtarë të tillë dhe është qytetarí, kulturë pjesëmarrja në ngazëllimin që duhej të krijonin veprat e tyre, ku shpesh është i pa shpallur, i brendshëm tek autorët, i përzierë me shqetësime për vijimësinë, ndoshta shkrimtari s'ka gjendje festive në shpirt, por ne duhet ta ndezim atë në shpirtrat e lexuesve, t'ua bëjmë të besueshme.
Leximi, e përsëris, është ngazëllim, një lloj feste e pabujë. Ndërkaq harxhohet energji dhe punohet, mjafton ta dimë që s'jemi te fituesit, që t'ua bëjmë të dyshimtë fitoren të tjerëve, fyese atë, veprave dhe autorëve.

8- Heshtja ndaj fituesve, trajtimi si gabim fitorja e tyre, nuk i shërben as dinjitetit të veprave dhe autorëve të tyre, që nuk morën çmime në atë vit, që u barabitën me vlerat e fituesve, por nuk dolën në krye dhe prej subjektivitetit të pa shmangshëm të jurisë, që meritonin dhe mbase për lexuesë të ndryshëm, por dhe për anëtarë të jurisë mund të kenë qënë, ndonjë a disa nga veprat, më të mira se ndonjë a disa nga fitueset.
Nëse na bëhet zakon që të përçmojmë veprat fituese, zëvëndësimi i tyre me të tjera do të bënte që dhe dhe ato të kishin po të njëjtin fat.
Ne së bashku duhet të krijojmë kulturën e gëzimit, e theksoj.
9- Fituesit për vitin 2012 ishin tetë autorë me vepra të gjinive të ndryshme të letërsisë, të njohur, të suksesshëm, që nga poeti Rudolf Marku, që u shfaq në vite '70 si avanguardist, prozatori i nivelit europian Ardian-Christian Kyçyku, kritiku që e ka ndjekur më mirë se shumëkush letërsinë shqipe, Ali Aliu, eseisti e studiuesi befasues në zbulimet e veta, kombëtar dhe i drejtë, Uran Butka, debutuesi me një roman të çlirët e të ri, Darien Levani, poet përkthyes i kapërcimit të vështirësive të bukura semantike, Parid Teferiçi, autori i librave për fëmijë, i 12 romaneve të botuara brenda vitit, por që kishte kohë që punonte, Thanas Jorgji e deri tek fituesi i romanit, gati për botim dhe në dia gjuhë të tjera Ylljet Aliçka. Me sa di, këta autorë të gjithë janë të pa vlerësuar me një çmim të tillë më parë, pra si të thuash, në yllësinë e emrave fitues ndër vite ne nuk përsëritëm, por shtuam të tjerë.
Ndërkaq ne nuk pakësuam asgjë nga lartësia e atyre që e kishin marrë këtë çmim dhe ishin kanditatë edhe për këtë vit, po kështu dhe ndaj veprave që nuk morën votat e duhura për këtë çmim.
Do desha të shtoj se ai që harrohet i pari është çmimi, po aq njëlloj sa çmimi që ka libri në kopertinën e pasme. Jeta e një letërsie gjallon nga veprat me çmime dhe pa çmime barabar.
10- Sipas meje marrja e çmimeve ka diçka nga teoria e horoskopit, nga kombinimet me kohën dhe shijet, me ditën dhe jurinë, një si pikim yllësor rrezesh dhe valësh e simpatish, një çlirim energjie pozitive, ndikuese...
11- Juria më e fundit e çmimit të Ministrisë së Kulturës "Penda e argjendë" përbëhej nga këta emra: Bardhyl Londo - poet dhe përkthyes, Dhurata Shehri - studiuese e letërsisë shqipe, pedagoge universitare, Flutura Açka - shkrimtare dhe botuese, Romeo Çollaku - shkrimtar dhe përkthyes si dhe nga autori i këtyre radhëve. Me përvojë në fushën e letrave, kurse disa prej nesh kishin qënë dhe herë të tjera në juri letrare. Kishim një rregullore, të cilën duhet ta zbatonim.
Kam përshtypjen se u mirëkuptuam, por jo se ishim të një mëndje në shumëçka, madje patëm dhe mendime të kundërta e dëshira të ndryshme ashtu siç pati raste që ishim në unison, por në fund të fundit vendoste vota e fshehtë.
U kontrolluan të gjitha botimet e vitit 2012, sipas regjistrimit në Bibliotekën Kombëtare e ISBN-ve të tyre, u konsultuam me Panairin e Librit në fund të vitit, me botues, me median dhe opinione, lexuam e shkëmbuem bashkë me librat dhe opinione, secili nga anëtarët e jurisë duke bërë rezume për gjinitë që mbulonte, propozuam, votuam përzgjedhjet duke shkuar në një përzgjedhje më të ngushtë, në një tjetër deri sa dolëm tek pesë kandidatët dhe më fund tek treshet, për të cilat informuam dhe i shpalli dhe media. S'i ishim "borxhli" asnjërit prej fituesve, as u bënë "qoka", siç u shpreh ndokush, kur gjysma e tyre jeton jashtë vendit dhe as presim tjetër gjë prej tyre, veçse vepra të bukura në begatimin e letërsisë tonë. Një shkrimtari që shkruajti në shtyp se për veprën e tij nuk dinim gjë e nuk e kishte lexuar kush, na kishte pyetur në telefon, do të doja të thosha se iu përgjigja unë, nuk e dija të kishte vepër për fëmijë në këtë konkurrim, nga që e mbuloja atë gjini dhe e njihja si lëvrues të suksesshëm të saj, jo, ma ktheu, kam roman për të rritur, po iu përgjigja, e di, përgjegjësja e kësaj gjinie, znj. Flutura Açka, e ka hedhur në diskutim. Duke qënë roman historik, prekte një temë që letërsia shqipe nuk e kishte të re, u preferuan nja dy romane të tjerë, po aq të mirë sa ai, me temën aktuale, etj, etj. Nuk duhej t'i keqpërdorte përgjigjet tona, por unë sinqerisht ndjej keqardhje që ishte e pamundur të arrinim të bënim të kënaqnim këdo autor, që kishte prurje, të denjë për çmimin, që s'ishin pakë. Padrejtësinë në raste të tilla e mendoj të pashmangëshme, madje e shoh në vetë natyrën e dhënies së çmimeve letrare.
Përveç të tjerash unë ndjej pikëllim, doja që të arrihej më shumë për një përkthyes që ka çarë vetë, ka dhënë kryevepra në shqip nga gjuha spanjolle, në vendet e së cilës dhe emigroi dhe është si emigrant dhe në vendin e tij tani, Bajram Karabolli, por përkthimi pati prurje të shkëlqyera, po kështu dhe për shkrimtarin e njohur Gjergj Vlashi, ishte 80 vjetori i lindjes së tij, kishte një libër me tregime dhe një roman në konkurrim, e dëshiroja shumë një çmim të veçantë për të. Poetja e afirmuar tashmë, Luljeta Lleshanaku, fituese e këtij çmimi më parë, u shmang se i kishte arritur këtë vit trofetë. Kam dhe pengje të tjera. Dua të them se e meritonin çmimin "Penda e argjëndë" dhe të tjerë, por ata që e morën e meritonin gjithsesi. Natyrisht ka vend për përmirësime dhe forma të tjera konkurrimi e votimi, të hapura dhe me pjesëmarrje më të gjera, madje dhe të lexuesit...
12- Shpesh autorë të ndryshëm ndjehen më të qetë t'u thuhet se vepra e tyre nuk u lexua se sa nuk u votua për në finale, kur ka ca tjerë edhe më të ndryshëm që mjafton të lexohen dhe nuk çajnë kokën për asnjë çmim, veçse atij të lexuesit.
13- Jorge Luis Borges famën e shkrimtarit e krahasonte me pushtetin. Çmimet, ja, që japin famë. Atij nuk iu dha çmimi "Nobel", gjë që konsiderohet si një gabim i pandreqshëm. U bë zakon të mos ma japin, buzëqeshte ai. Pa çmimin "Nobel" janë dhe Franc Kafka, Dostojevskij, Tolstoi, ndër më të mëdhenjtë e njerëzimit, kur shumë e shumë nobelistë janë harruar. Zhan Pol Sartri e refuzoi…
Kur pyeta një nga poetët më të mëdhenj në Europë, më i madhi i të gjallëve atëhere në Itali, Mario Luzi, më tha: "Çmimi Nobel është pikërisht një çmim. Nuk i detyrohet askujt. Është një ofertë zgjedhëse dhe nuk besoj se duhen kërkuar justifikime."
Sipas njërit nga gazetarët më popullorë të shekullit XX, Enzo Biagi, shkrimtar ndërkohë, kryetar në shumë e shumë juri, mund të shtojmë se çmimet kanë këtë të përbashkët, kur i merr janë të mirë e të drejtë, kur nuk i merr janë të padrejtë e jo ndonjë gjë.
Çmimi i vërtetë i një vepre është leximi i saj i vazhdueshëm. 

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…