Skip to main content

Tetova News

Dialog me Anthony Giddens-in

Nga Prof. Fatos Tarifa



10 prill 2013
I dashur Fatos,
Të falënderoj për mikpritjen fantastike gjatë vizitës sime [në Tiranë]. Kaluam shumë bukur dhe për mua ishte kënaqësi e veçantë të takohesha e të njihesha me ty dhe me disa prej kolegëvetë tu, prej të cilëve u ndava me përshtypjet më të mira.
Pa dyshim që edhe drekat e darkat tonapak si të tepërta për mua për nga sasia e ushqimit, por, sidoqoftë, vërtet të shijshme ishin një gjë e bukur. A mundesh, të lutem, ti falënderosh të gjithë miqtë dhe kolegët e tu nga ana ime? Universiteti [Europian i Tiranës] duket inovativ dhe unë ju uroj të gjithëve suksese më të mëdha.
Gjatë kthimit për në Londër lexova librin tënd Europe Adrift on the Wine-Dark Sea. Është një libër vërtet i shkëlqyer, por, edhe pse ne ndajmë bashkërisht mjaft pikëpamje të ngjashme, unë do të vija në konkluzione të tjera nga të tuat. Ky libër është një vepër e mrekullueshme dhe më vjen keq që s’mundem të lexoj dot edhe librin tjetër tëndin në shqip (Pamundësia e Projektit Europian), që më dhe në Tiranë.
Toninit [Gjuraj] do ti shkruaj më vete, por, ndoshta, ti mund tu japësh përshëndetjet e mia më të përzemërta kolegëve të tu.
Përshëndetje të ngrohta,
Tony


10 prill 2013
I dashur Tony,
Ju falënderoj shumë për nderin që na bëtë me vizitën tuaj, si edhe për fjalën tuaj, një ndër fjalimet sociologjikisht më frymëzuese që unë vetë kam dëgjuar deri më sot. Shumë nga miqtë e mi vazhdojnë të më telefonojnë, ose të më shkruajnë, duke më thënë se sa shumë e çmojnë ardhjen tuaj në Tiranë dhe, sidomos, fjalën tuaj atë mbrëmje dhe librin tuajPasojat e modernitetit, të cilin tashmë shumë lexues shqiptarë e mbajnë në duart e tyre. Unë do të jem gjithnjë i nderuar që m’u dha rasti ta përkthej në shqip këtë libër dhe, për më tepër, që munda të shkruaja parathënien për botimin shqip të kësaj vepre.
Ju falënderoj veçanërisht për konsideratën që shprehni për librin tim mbi Europën, edhe pse u bënë disa vjet nga botimi i tij.
Ndihem personalisht shumë i nderuar, dhe dëshiroj edhe një herë tju falënderoj thellësisht nga zemra që patët mirësinë të shkruanit Parathënien e librit tim Shkencat e shoqërisë, në ato pak orë të lira gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë.
I transmetova z. [Henri] Çili përshëndetjet tuaja dhe, po kështu, edhe Presidentit të Universitetit dhe kolegëve të tjerë, me të cilët ju patët rastin të takoheshit.
Librin mbi artin shqiptar, që ju s’mundët ta merrnit me vete, do tjua dërgoj në adresën tuaj në Dhomën e Lordëve, në një prej ditëve që do të vijnë. Do të mbetemi në kontakt, por, për momentin, ju uroj shëndet dhe jetë të gjatë, të lumtur e produktive!
Miku juaj,
Fatosi

P.S. Bashkëngjitur gjeni, ju lutem, një foto në të cilën keni dalë ju në mes të atij grupi studiuesish të rinj shqiptarë që kanë studiuar në London School of Economics dhe në universitete të tjera britanike dhe që sot japin mësim në Universitetin Europian të Tiranës, me të cilët ju patët mirësinë të kalonit një mëngjes pune.


28 gusht 2013
Përshëndetje Fatos,
Si shkojnë punët për ty dhe për universitetin tënd? Shpresoj që gjithçka shkon mirë sidoqoftë më mirë se gjendja më të cilën ndodhet bota sot.
Sapo kam përfunduar së shkruari një libër të ri mbi të ardhmen e Europës (Turbulent and Mighty Continent: What Future for Europe?), në të cilin citoj edhe librin tënd të shkëlqyer (Shënimi i Giddens-it, në faqen 232 të librit të tij,lexon: “Për një analizë të shkëlqyer dhe perspektive, shih Fatos Tarifa, Europe Adrift on the wine-Dark Sea. Chapel Hill, NC: Globic Press, 2007, chapter 3”. Libri do të dalë në treg në muajin tetor.
Gjithë të mirat ty dhe kolegëve të tu, me të cilët mu dha rasti të takohem gjatë vizitës sime.
Tony
29 gusht 2013
I dashur Tony,
Më gëzuat shumë me mesazhin tuaj të fundit. Jam tejet i entuziazmuar, dhe më shumë akoma ndihem i nderuar që mësoj se keni cituar librin tim në veprën tuaj të fundit mbi të ardhmen e Europës. Për mua ka një kuptim të veçantë fakti që tekstimi citohet nga sociologu më i cituar në botë. Nuk gjej fjalë me të cilat t’ju falënderoj për këtë.
Ju keni të drejtë, Tony: bota sot është në kaos dhe unë mendoj se një ndërhyrje ushtarake ndaj Sirisë do ti përkeqësonte gjërat edhe më shumë dhe mund të çonte në shpërthimin e një lufte me përmasa edhe më të gjera në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qendrore. Sidoqoftë, unë nuk shoh se si mund të hiqet qafe një kasap si Bashar al-Assad. Dhe, në pikëpamjen time, tashmë, kur janë vrarë më shumë se 100 000 sirianë, është shumë, shumë vonë të ndërhyhet ushtarakisht.
Një shënim personal: Në 1 shtator do të ndahem nga Universiteti Europian i Tiranës për tiu bashkuar stafit të Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë, i vetmi institucion i arsimit të lartë në Shqipëri që ka adoptuar anglishten si gjuhë mësimdhënieje. Detyra ime kryesore në këtë universitet do të jetë ngritja e një instituti për studimin e demokracisë e të zhvillimit (Institute for Studies on Democracy and Development), organizimi i një konference ndërkombëtare mbi çështje që kanë të bëjnë me raportet mes demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, botimi i një reviste ndërkombëtare, Journal of Democracy and Development, kryetar nderi i së cilës pranoi të jetë Adam Przeworski, si edhe do të jap mësim një numër lëndësh në fushën e sociologjisë e të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pres me shumë interes të lexoj librin tuaj të ri, sapo ai të dalë, dhe do të doja ta shihja atë të përkthyer në shqip sa më parë që të ishte e mundur. Nëse koha më premton, do të doja që përkthimin e tij ta bëja unë.
Do të jem në kontakt me ju. Ju uroj gjithë të mirat!
Fatosi


3 shtator 2013
I dashur Fatos,
Të falënderoj shumë për sa më shkruaje. Po, situata në Siri është e tmerrshme, përtej asaj që mund të shprehim me fjalë. Vështirë se mund të pritet ndonjë përmirësim, ose zgjidhje e kësaj situate për shumë vite me radhë. Për momentin, çështja kryesore është që të mund të mbahet nën kontroll ose të zbutet konflikti dhe, prandaj, unë jam kundër sulmeve nga ajri.
Përgëzimet më të mira për pozitën tënde të re! Do t ju nis një kopje të librit tim të ri sa më parë. Ndoshta mund të shkruani një koment për të në një gazetë shqiptare. Nëse vërtet do të merrje mundimin ta përktheje atë në shqip, aq më mirë. Shpresoj që ti të pajtohesh të paktën me disa prej argumenteve që parashtroj unë në këtë libër.
Gjashtë muajt e ardhshëm, të cilët, pas zgjedhjeve në Gjermani, do të çojnë në zgjedhjet europiane, do të jenë absolutisht të rëndësishëm për të ardhmen e Europës.
Si po duket Edi Rama?
Gjithë të mirat!
Tony


17 shtator 2013
I dashur Tony,
Të falënderoj për mesazhin e disa ditëve më parë. Sapo jam kthyer nga Zadari (Kroaci), ku fola në një konferencë ndërkombëtare mbi dhunën dhe mënyrat se si ajo kuptohet në kontekste të ndryshme politike e social-kulturore.
Pajtohem plotësisht me analizën që i bëni ju situatës në Siri e tmerrshme përtej çdo përshkrimi dhe pa asnjë perspektivë pozitive në horizont. E vetmja gjë që mund të them me njëfarë sigurie, është se, edhe nëse në Siri arrihet paqja, kaosi dhe dhuna në këtë vend do të vazhdojnë për një kohë të gjatë. Nuk i jam i sigurt nëse sulmet ajrore do të ndihmonin në përmirësimin e situatës, por, siç kam thënë edhe më parë, unë nuk shoh se si mund të ndihmonte diplomacia, ndërkohë që regjimi i Asadit mbështetet nga Rusia. Me fjalë të tjera, unë besoj se as një ndërhyrje ushtarake në Siri, as mosndërhyrja, nuk mund ta zgjidhin situatën në atë vend. Por, unë besoj, sidoqoftë, se tashmë është shumë vonë për një ndërhyrje të armatosur.
Unë nuk i zë besë Rusisë. Edhe pse propozimi i papritur i Rusisë për të vënë në karantinë dhe për të eliminuar armët kimike të Sirisë krijoi konfuzion në Uashington dhe i çorientoi planet e tij për një sulm ushtarak ndaj Sirisë duke hedhur dritë në mundësinë thuajse të pabesuar për negociata paqeje që do të mund ti jepnin fund luftës civile në Siri unë përsëri nuk shoh se si mund të arrihej paqja në atë vend.
Një numër çështjesh të rëndësishme mbeten pa u zgjidhur. Ato përfshijnë: çështjen nëse marrëveshja e arritur mes Moskës dhe Uashingtonit do ta eliminonte mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara, e aleatëve të tyre në NATO, ose e Izraelit (ndoshta); nëse kjo marrëveshje do të kishte ndonjë efekt në mbështetjen ndërkombëtare ndaj “rebelëve” sirianë (ndoshta jo), ose nëse “rebelët” do të pushonin luftën e tyre (pothuajse me siguri që jo). Por ajo që më shqetëson më shumë, është nëse Shtetet e Bashkuara kanë ndonjë vizion të qartë për të ardhmen e rajonit të Lindjes së Mesme dhe, përgjithësisht, për Azinë Qendrore. Për mendimin tim, Amerika nuk e ka një vizion të tillë. Ky fakt i ka dobësuar edhe më shumë pozitën dhe rolin e Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur lidershipi amerikan në çështjet e sotme globale është ende shumë i rëndësishëm.
Në këtë pikë, unë pajtohem me Huntingtonin, se Amerika nuk është në gjendje të zgjidhë e vetme problemet e mëdha ndërkombëtare të kohës tonë.Por, ndryshe nga ai, unë besoj se Amerika vazhdon të jetë e vetmja fuqi e madhe, pa të cilën nuk mund të zgjidhet asnjë problem i rëndësishëm në kohën tonë. Mbi të gjitha, unë besoj se, si fuqia më e madhe e globit, Amerika është dhe do të mbetet për një kohë të gjatë mbrojtësja dhe garantuesja kryesore e paqes, e lirisë dhe e sigurisë në shkallë globale. Për mendimin tim, Brzezinski ka të drejtë kur thotë se, sistemi ndërkombëtar ka nevojë për një fuqi stabilizuese efektive, dhe se, në një perspektivë të afërt, alternativa më e mundshme ndaj rolit konstruktiv global të Amerikës është kaosi. A nuk jeni edhe ju i të njëjtit mendim?
Për mua, është shumë e vështirënë mos edhe e pamundurqë të negociohet me një regjim kriminal, siç është ai i Asadit. Kjo, sigurisht, do të kërkonte përfshirjen e të gjitha fuqive rajonale në negociata. Por, çmund të thuhet për Iranin, aleatin më të ngushtë të Asadit? A do të lejohen ajatollahët e Iranit të bëhen palë në bisedimet e ardhshme për paqe? Po Arabia Saudite dhe Katari? Dhe, sidomos, Turqia, e cila tashmë është një fuqi e madhe rajonale? Pastaj është edhe çështjadhe ndoshta ajo më kritikja: a duhet që negociatat të kenë si parakusht largimin nga pushteti të Asadit dhe të shumicës së liderëve ushtarakë dhe të atyre civilë të Partisë Baath? Ky skenar do ti ngjante shumë eliminimit të kastës së vjetër në Irak dhe në Libi, pas përmbysjes së regjimeve të tyre, përkatësisht më 2003 dhe 2011. Dhe pasojat tashmë dihen.
Ndërsa Uashingtoni ka theksuar vazhdimisht se dëshiron një “zgjidhje të negociuar”, në vend të një “fitoreje ushtarake”, parakushti i largimit të Asadit nga pushteti, i pranuar në mënyrë eksplicite, duket se është një faktor i rëndësishëm për pjesëmarrjen e “rebelëve” në çfarëdolloj negociatash paqeje. Dhe unë besoj se, me më shumë se 100 000 njerëz të vrarë dhe mijëra të tjerë të helmuar nga përdorimi i armëve kimike, këmbëngulja për largimin e Asadit nga pushteti është bërë si “shpata e Demokleut”, që e ka bërë të pamundur vendosjen e paqes në Siri. Mendoj se do të ishte gabim në fakt një gabim shumë i madh nëse Asadi do të trajtohej siç u trajtua Millosheviçi në Dejton, pra, si një negociator për arritjen e paqes. Dhe pastaj u akuzua për krime lufte. Dikush mund të thotë se, në diplomaci, për të arritur paqen, ndonjëherë duhet të negociosh edhe me terroristë dhe me kriminelë lufte. Por çndodh atëherë me parimet? A mos vallë sot ato nuk kanë më rëndësi? A s’do të duhej që Asadi dhe ndihmësit e tij më të afërt, përgjegjës për masakrën që ka ndodhur në Siri, të dënoheshin për krimet e tyre të luftës? Çështja kryesore, atëherë, është: Kush është më e rëndësishme drejtësia apo paqja? Do të dëshiroja të dija se çmendoni ju, Tony, mbi këtë çështje.
Dy javët e mia të para në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë kanë qenë të kënaqshme. Ky është një universitet më i vogël sesa Universiteti Europian i Tiranës, por leksionet mbahen në anglisht dhe programet janë kryesisht amerikane dhe britanike. Siç ju kam thënë, po punoj për të krijuar një institut për studime që lidhen me demokracinë dhe zhvillimin dhe, bashkë me kolegë të tjerë në këtë universitet, synojmë të studiojmë, kryesisht, çështje që kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare, si edhe me rajonin e Ballkanit.
Jam në pritje të librit tuaj të ri dhe kurioz ta lexoj atë sa më parë. Urimet më të mira!
Fatosi


20 shtator 2013
Përshëndetje Fatos,
Shumë interesant email-i yt. Po, unë prirem të pajtohem me gjithçka që ti shkruan. Megjithatë, mund të ketë edhe twists and turns. Roli i Iranit sigurisht që duhet marrë parasysh. Zgjidhja më e mirë do të ishte nëse do të zhvilloheshin negociata paqeje nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, të cilat do të gjenin mbështetjen e të gjitha palëve. Tashmë që Shtetet e Bashkuara po tërhiqen, shtete të tjera duhet të marrin përsipër të luajnë rolin e tyre. Edhe pse nuk përjashtohet që zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve të shkojë në një rrugë të padëshiruar, mendoj se ka shpresë.
Më vjen mirë të dëgjoj që punët në universitetin e ri të shkojnë mbarë.
Të përshëndes përzemërsisht.
Tony


23 shtator 2013
I dashur Tony,
Komentet tuaja të shkurtra mbi Europën, Gjermaninë dhe Sirinë ngacmojnë mendimin. Pajtohem me pjesën më të madhe të mendimeve tuaja mbi Sirinë, si edhe mbi domosdoshmërinë e zgjidhjes të krizës në këtë vend prej Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, mendoj se, përgjithësisht, OKB-ja ka dështuar në shumicën e misioneve të saj dhe unë nuk besoj se Këshilli i Sigurimit i kësaj organizate, i krijuar në vitin 1946, mund të zgjidhte, ose të ndihmonte në zgjidhjene problemeve të botës së sotme, e cila është shumë më komplekse dhe në një gjendje krejt tjetër nga ajo e shtatëdhjetë viteve më parë. Mendoni, për një çast, Gjermaninë, motorin ekonomik dhe financiar të Europës, e cila nuk është pjesëmarrëse në asnjë prej vendimeve të rëndësishme që merr Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ndërkohë që Britania e Madhe dhe Franca janë pjesë e tij. Japonia, India, Brazili, Afrika e Jugut dhe, po kështu, Indonezia dhe Turqia, nuk luajnë thuajse asnjë rol kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme që duhet të merren nga komuniteti ndërkombëtar për të parandaluar tragjedi njerëzore, ose për të zgjidhur kriza politike e humanitare kur ato shpërthejnë.
Bashkëngjitur do të gjeni një artikull timin për librin tuaj Pasojat e modernitetit, që u botua pak ditë më parë në suplementin letrar “Milosao” të njërës prej gazetave më të mëdha të vendit.
Ju uroj më të mirën.
Fatosi


22 dhjetor 2013
Përshëndetje Fatos,
A e more librin tim qe të kam dërguar disa kohë më parë? Shpresoj të të ketë ardhur. Deri më sot kam folur mjaft për të dhe këtë e kam bërë me shumë dëshirë. Më kërkojnë të flas ngado, dhe do vazhdoj ta bëj këtë edhe gjatë janarit e më tej, për shkak se 6 muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për Europën.
Të uroj gëzuar Krishtlindjet dhe një Vit të Ri të lumtur!
Gjithë të mirat,
Tony


22 dhjetor 2013
I dashur Tony,
Është kënaqësi të mësoj se, pas botimit të librit tuaj të fundit, ju është dashur të flisni mjaft për Europën dhe të ardhmen e saj. Fatkeqësisht, mua ende nuk më ka mbërritur kopja që më keni dërguar. Meqenëse dëshiroja që të lexoja dhe ta përktheja në shqip këtë libër sa më parë, nuk prita sa të mbërrinte kopja që më premtuat ju, por e porosita atë përmes Amazon.com; megjithatë, ai ende nuk më ka ardhur. Shpresoj ta marr përpara Krishtlindjeve, në mënyrë që ta lexoj pa u mbyllur ky vit dhe ta përkthej e ta botoj në fillim të vitit të ardhshëm.
Ju falënderoj për urimet që më bëni, dhe ju uroj edhe unë përzemërsisht festat e këtij fund viti.
Gjithë të mirat,
Fatosi

24 dhjetor 2013
Më vjen keq, Fatos. Ka kohë që ta kam nisur një kopje të librit dedikuar. Më njofto, të lutem, adresën tënde private që të të nis një kopje tjetër. Të uroj më të mirën!
Tony 

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…