Skip to main content

Tetova News

EJA EDHE SI DHIMBJE! (Cikël poetik nga Sokrat Habilaj)

Sokrat Habilaj

1-GRIMCA DASHURIE
Me grimca dashurish në vargjet e mi,
Ndoshta qeshë, a trishtohesh në heshtje.
Askush si unë, se drodhi në poezi,
Askush si unë s’deshi një, të vetme!
Ndoshta ti luan me grimcat një nga një,
Të krijosh një imazh, thjesht një emër.
Pastaj nga inati, tallesh keq me të,
Ndoshta në çast ndjen lëndim në zemër.
Ndoshta ato grimca, i kthen në grua,
Ndoshta dhe e fton, të pini bashkë çaj.
Që në sytë e saj, të më gjesh mua,
E të hakërrohesh, të më bësh me faj.
Ndoshta grimcat, i flakë e mërzitur,
Si copa pasqyre, shpërndarë kuturu.
Më pas ndjen mall, një mall të papritur,
Kur në çdo grimcë, gjen veç sytë e tu.
2-NDODHË EDHE KËSHTU…
Kur ndihesh i braktisur, në vetmi,
Të kujtohen ata që braktise vet.
Thonë se vetmia të jep fisnikëri,
Për miqtë e braktisur një lot rrëshqet.
Po kur ndihesh nga miqtë përkëdhelur,
Ndoshta dikë në vetmi e lë të qajë.
Thonë se përkëdhelja të bën të dehur,
E s’ke kohë të kujtosh lotët e saj.
3-E THËNË MES NESH
Këta dy djem-imazhi i një fytyre,
Ua dua nënën, thuajse pa asnjë kufi.
Ta themi mes nesh, unë jam ati i tyre,
Dhe mos prisni të shpall ndonjë tradhti.
Këta dy djem janë ura që ngre një grua,
Ajo është bregu ku pa urat s’shkohet dot.
Ta themi mes nesh, është lumi për mua,
Ku dua të mbytem, a ta përshkoj me not.
Këta dy djem-shpirti im me emër tjetër,
Ua dua nënën e tyre, sa s’bëhet më.
Ta themi mes nesh, s’ju them më tepër,
Se më duhen ca fjalë t’i ruaj për të.
4-EJA EDHE SI DHIMBJE!
Ti mos u trishto që unë jam kështu,
S’mund të jem ndryshe dhe po të dua.
Kur dhimbjet e mia, i harroj diku,
Dhimbjet e botës strehohen tek mua.
Ti mos u trishto, kur të shikosh lot,
A nëse dhimbjet më kanë lodhur mjaft.
Mos më merr inat që nuk i ndala dot,
Kur me dhimbjen më hodhën dhe baltë.
Ti mos u trishto për buzëqeshjen tënde,
Se ndoshta mes lotëve, gjendet në pusi.
Po në shpirt për ty, i ruaj ca vende,
Ku askush troket, as nuk hynë njeri.
Ti mos u trishto, eja dhe si dhimbje,
Si do që të vish, unë të pres tek dera.
Nëse nuk sjellë gaz në zemrën time,
Eja zbukurom gjithë dhimbjet e tjera.
5-DAL NË UDHË
Dal në udhë, trazuar nga nata e gjatë,
Po udha edhe më keq mendimet m’i vërtitë.
Janë fshirë gjithë shenjat e bardha në asfalt,
Semaforët e shuar, zgavra sysh bustesh antik…
Kalimtarët ikin tutje, kthehen tëhu,
Një fishkëllimë polici, tretet e mekur larg,
Dhe mendimet në çast më mërgojnë diku.
…Dal në udhë, trazuar nga nata e gjatë…
6-IMAZH
Mbi manekinët, mes gjokseve të ngurtë,
“Këtu ulen çmimet”, shkruhet me dritë.
Të duket se të buzëqesh një prostitutë,
Tej një cepi rrugice kur të zë pritë.
Nuk më joshin tabelat që të hyj brenda,
Dhe pse s’mbajnë shumë xhepat modest.
Iki, kërkoj dyqan me të tjerë germa:
“Këtu s’ulen çmimet!”, shkruar thjesht.
Dhe atje do të hyj, do të hyj me ngutje.
Sepse ai më ngjall kujtimin për dikë.
Kur unë i lutesha, s’më ngriti kurthe,
Por as më mëshiroi të më falte gjë.
7-MIQTË E DIKURSHËM
Afrohem në vatrën e shpirtit tuaj,
Ku shpirti im, dikur la ca thëngjij.
Me hirin e mbetur nis e luaj,
Të shoh në ka më zjarr poshtë tij.
Trazoj hirin e mbetur në vatër,
Se kam dhe pjesë nga vetja atje.
Jeta ju paska goditur ashpër,
Hiri i ftohtë ngjanë si kube.
Si kube e vetmuar në pllajë,
Ku vdekatarët janë tretur në hi.
Për zjarrin tuaj s’iu bëjë me faj,
Ndërsa nis e qaj thëngjijtë e mi.
Dua të shoh ngrohtësi e dritë,
Apo thëngjijtë, dikur me flakë.
Se njeriu nuk vdes për një ditë,
Dihet se njeriu vdes pak nga pak.
Me mall afrohem në shpirtin tuaj,
Ku kam lënë shpirtin tim me thëngjij.
E më kot me hirin unë po luaj,
Nuk gjej më zjarr, fshehur poshtë tij.
Nuk kam pse rri më aty në pritje,
Mbi atë vatër të trishtuar krejt.
Njeriu nuk vdes brenda një dite,
Veç duket se ju po vdisni shpejt!
Nëse e ndatë mendjen për të ikur,
Ikni, unë nuk ju lutem tepër!
Por thëngjijtë e mi, dhe të fikur,
M’i ktheni që t’i ndez diku tjetër.
8-MOS EJA NË KOHË ME RE
Ti po vjen drejt meje, unë s’të them jo,
Se nga kjo udhë ty s’të kthen as plumbi.
Po të prisje ca, s’është për ty kjo kohë,
S’dua të shikosh, si ajo më mundi.
Ti po vjen drejt meje në kohë të keqe,
Kur unë me retë, shtyhem me grindje.
Dhe do biesh në këtë kurth vjeshte,
E s’kthehesh dot, andej nga ku u nise.
Do kërkosh tek unë, male e shkrepa
Do gjesh bokërima, nga turpi të vrara.
Rrugën do humbasësh tutje në kthesa,
Nga pamjet e zymta që dalin para.
Do gjesh maja hutaqe që rrinë pezull,
Trishtuar si unë, mundur në beteja.
Mos u gënje nga kjo kohë mjegull!
Prit të tjera kohë, e pastaj eja!
9-ATDHEU S’JU DO VETËM NËN DHE!
Kujt ia latë Atdheun ju që ikët larg,
Ndërsa luteni:-Veç të vdesim atje!
Po Atdheu nuk është thjesht një shtrat,
Ku mund të prehesh, para ikjes nën dhè!
Kujt ia latë Atdheun, mallin e vjetër,
Kur thoni:-Ikëm, ikëm! Aty jeni ju!
Po Atdheu nuk ka as dhe një tepër,
Të vdekur a të gjallë të enden kuturu!
Kujt ia latë Atdheun, ashtu të vetmuar,
Dhe lotoni:-Atje të prehemi për jetë!
Po Atdheu s’është varrezë e harruar,
Me gurë të bardhë, pllajës së zbehtë!
Kujt ia latë Atdheun, ju që thoni nga larg:
-Na ruani një shtrat, a varrin e heshtur!
Po Atdheu juaj, e mira ju marrtë,
Nuk pretë t’u mbajë vetëm të vdekur!
10-PËR TY DHE PËR VETE
Ka kohë që ti bënë gruan për mua,
E në grua ma ktheve dhe poezinë.
Sikur të mos më mjaftonte një grua,
Në mijëra imazhe, nuri yt ndrinë.
Nëse të harroj, më derdhesh si lumë
Ti bënë mirë që s’e falë arrakatin.
Kur në vargje ndjen, një tjetër parfum,
Në gijotinë puthjesh e kthen shtratin.
Po ty nuk të tradhtoj, as në poezi,
Ku shikime grash prehen në heshtje.
Bota natyrisht, kishte po kaq bukuri
Edhe kur Eva, ish gruaja e vetme.
11-UDHËKRYQ
Fryn era, këtu ku udhët priten në kthesë,
E tabelën rrotullon në vorbullën e saj.
Ndodh që era për një çast e lodhur reshtë,
Njerëzit i binden shigjetës, thuajse pa faj…
Po zhgënjimin e ndjejnë sa bëjnë pak hapa,
Janë në të tjera udhë, vise të tjera.
Në udhëkryq, sërishmi ata kthehen mbrapa.
…Shigjetës, tjetër drejtim i ka dhënë era…!
12-NDOSHTA KE HARRUAR
Mund të thosha:-Vazhdo më goditë!
Nëse të pëlqen ta bësh këtë gjë.
Të thosha të më vrisje në pritë,
A mund të kafshoja buzën pa zë.
Mund të thosha:-Derdhë edhe vrer!
Po deshe shpirtin mbushma në gjak!
Ikë pastaj, mburru me të tjerë,
Se gjete dikë që nuk merr hak!
Mund të thosha:-Kur të jem i shtrirë,
E të kem pranë shpirtin e copëtuar.
Shpresoj të paktën të ndihesh mirë,
Por këto fjalë, s’ke për t’i dëgjuar!
Madje në bishë më kthehet zemra,
Se mbroj një tjetër, jo veten time.
Ndoshta ke harruar që të kam brenda,
Por kur më godet si nuk ndjen dhimbje!?
13-PËRBALL MEJE!
Sa herë dua të shkruaj ndryshe,
S’mund të mos ndez zjarr në poezi.
Dhe ti do bëje kështu, po të kishe,
Jo mua përball, por një tjetër si ti.
Sa herë vargjet duken trung i thatë,
S’mund të mos u pikoj dritëz hëne.
Kjo ndodh se unë kam më tepër fat,
Që vështroj përherë fytyrën tënde.
Dhe të përgjërohem me kaq mall:
-Rri aty, më bëj dhe mua të bukur!
Ndoshta nuk ke një si vetja përball,
Po shikomë në sy! Ti aty je futur!

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…