Skip to main content

Tetova News

Fishta, shteti dhe dishepujt

Frano Kulli


Fishta, më 30 dhjetor 1940 do të mbyllte sytë e do të nisej për në botën e amshuar. I përcjellë me nderime si askush deri atëherë, nga brenda e jashtë Shkodrës, nga qyteti e Malësia, nga mbarë Shqipëria fund e majë, por edhe përtej Shqipërisë. Nderime e vlerësime të pafundme superiore.
Jo vetëm nga dishepujt e tij, për të cilët qe ylli polar, por edhe nga personalitetet më të shquara të shkrimtarisë e të kulturës në vendin e vet, në Ballkan e në shtete përreth të Evropës si: Maksimillian Lamberz, Norbert Jokli, Petrotta, A.Balldaçi, Erëin Stranik, Gabriele d’Annunzio, Karl Steinmetzi…, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Lasgush Poradeci, Asdreni, Koliqi, Lefter Dilo, Martin Camaj… etj., etj.
 I rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri, Akademik i Akademisë Mbretërore të Italisë, i dekoruar nga Turqia, Austria, Greqia dhe Vatikani, Fishta la një opus të plotë e të realizuar letrar, shtrirë në të gjitha gjinitë: lirikë, epikë, dramatikë, satirë, eseistikë dhe publicistikë. “Ai i lëvroi të gjitha gjinitë dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”- shkruan për të Konica, në revistën “Albania” të të cilit, Fishta boton shkrimet e tij të para. Në funddhjetorin e këtij viti jemi plot 73 vjet më pas… Sot, duke qenë Shqipëria kjo që është dhe hierarkia e vlerave e dyshimtë, pasionante, emotive dhe më pak reale e shkencore se sa në vendet e tjera të qytetëruara, dy janë hijet që i bëhen “universit kulturor Fishtë”.
 Të parën, hijen e madhe ia bën sistematikisht shteti shqiptar, me veqilët e vet. Fishta, i parë hënëkeq me burokracinë në përgjithësi dhe me mediokritetin kulturor, në veçanti, e sakaq i pakursyer e i pamëshirshëm në luftën e tij, pagoi haraç si askush tjetër ndër shqiptarë.
Hap-e-mbylljet e disahershme të “Hyllit të Dritës”, njohur e pranuar si më e madhja dhe e përkryera tribunë e mendimit intelektual, kulturor e letrar shqiptar të kohës, qe një taksë mjaft e lartë. Po ashtu, “Visku...”, pjesa e dytë e poemës “Gomari i Babatasit”, vlerësuar si një pikë kulmore e satirës kombëtare shqiptare, nuk mundi të publikohej në gjallje të tij: Zogu nuk e lejoi. Madje, në rrethana të mosdashjes e të mospranimit, Fishta, më shumë se një herë u detyrua të emigrojë edhe fizikisht…
 Për të mbërritur te shteti shqiptar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, që, siç dihet, synoi dhe bëri çmos për fundosjen e autorit të “Lahutës së Malcis” në pusin e harresës kombëtare. Atë, “apostullin e atdheut të vet…”, siç thotë Baldaçi, e deshi medoemos të mënjanuar, për këtë të anatemuar, të paragjykuar: shkurt të asgjësuar si shkrimtar, si mendimtar e veprimtar, si atdhetar… si gjithçka ai ishte. Duhej mbuluar me terr lavdia e tij dhe duhej ngritur mbi të idhulli (Zoti) i rrejshëm i regjimit kriminal. Dhe kjo vijoi jo pak, por një gjysmë shekulli. Më pas…
 Nga shteti shqiptar, Fishta është dekoruar me titullin “Nderi i Kombit” në vitin 2002, gjashtëdhjetë e dy vjet pas vdekjes, dhjetë vjet pas vendosjes së rendit të ri demokratik në Shqipëri…, të cilin ai e shërbeu përgjatë gjithë jetës me veprimtarinë e vet. Hija tjetër është ajo që i rri sot e gjithë ditën përmbi krye, në formën e xhelozisë, në formën e shpërfilljes nën petkun e “të moskuptuarit” dhe “të vjetërsisë”. 
Jo se nuk është folur në këto njëzet e ca vite për Fishtën, por sistematikisht duke synuar përdorimin e tij sipas konjukturës kulturore të qeverive që shkojnë e vijnë. Kasnecë të shërbimit kundër janë marrë shpesh me polemikat e tij, që në thelbin e tyre kanë pasur realitetin shqiptar të kohës së vet, kudo ku është shtruar çështja kombëtarë në përgjithësi a në çështje të veçanta të saj, sidomos në lëmë të arsimit a të besimit, si çështje kulturologjike, por edhe si çështje kombëtare e shtetformuese.
Hije i bëjnë edhe ato njerëz të fushës së letrave që Fishtën e përcjellin me heshtim a me vardisje rrokull, shpesh edhe me shtrembërim buzësh, si shprehje e modës modernitare, pa prekur asnjëherë thelbin e gjësë, që në rastin në fjalë është vepra.
 Ajo sot është e botuar në një version të plotë, përmbledhur e paraqitur nga një redaksi studiuesish. Unë shpresoj se do të ketë edhe të tjera versione në kohët në vijim, sepse njerëzit vullnetmirë, gjithherë aty janë edhe kur kohët janë të turbullta a të këqija. Se Fishta vetëm mirësi i fali Shqipërisë, shtetit, kombit dhe popullit të vet.   

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…