Skip to main content

Tetova News

Heshtja ndaj letërsisë, më keq se djegia e librit

AGIM BAÇI



  Edhe pse kanë kaluar 23 vjet nga ndryshimet e sistemit, ne dimë pak ose aspak për letërsinë që lëvrohet sot në Shqipëri. Trashëgimtarë të një kritike që kishte në qendër partishmërinë, pas vitit ’90 kritikët u gjendën nën një shtangie, ashtu si shumë prej shkrimtarëve të asaj kohe. Faqet letrare në shtyp erdhën duke u zbehur, edhe pse numri i botimeve erdhi në rritje. Një bum botimesh u përkisnin atyre autorëve që deri në vitin ’90 e kishin të pamundur botimin për shkak të ekskluzivitetit që kishte shteti për një gjë të tillë. Kështu pasionantët vërshuan. Kritikat e para ishin thuajse ana e kundërt e partishmërisë, duke mbrojtur atë pjesë krijimtarie që ishte kundër atij sistemi. Megjithatë, duket se në të dyja rastet nuk po flisnim dot për vlerat e vërteta letrare. Vetëm në vitet e fundit duket se nisën botime disi më të matura, qoftë nga autorët, ashtu edhe nga botuesit, të cilët tani së fundmi edhe me para nuk para afrojnë më autorë anonimë, që nuk u afrohen standardeve, pasi kështu rrezikojnë të ardhmen e tyre në publik. Por, kjo ama vetëm për disa që duket se e shohin edhe të ardhmen e largët në këtë fushë, e jo ata që janë thjesht kalimtarë.
Pikërisht tani, që kemi lënë pas letërsinë “pro” dhe “anti”, na nevojitet një lupë e rëndësishme për të bërë të mundur jo thjesht vendosjen e një hierarkie letrare, por të një debati vlerash, një debat i cili do të orientonte më së miri lexuesin, sidomos lexuesin e ri, lexues i cili ka nevojë të bashkudhëtojë me mendimin letrar. Por, kjo lupë kërkon një mendim kritik jashtë shkollës së deritanishme. Pra, emra si Alfred Uçi apo Nasho Jorgaqi, të cilët kanë helmuar përmes një leximi ideologjik, komunist, për vite me radhë lexuesin shqiptar, nuk kanë asnjë të dhënë se mund të ndryshojnë shijet e tyre sugjeruese. Natyrisht që edhe një sektor në Akademi duhej të kishte nisur me kohë një rivlerësim të komunikimit me letërsinë, për faktin se nevoja e debatit letrar do të jetë gjithnjë e domosdoshme, qoftë edhe vetëm letërsinë e sugjeruar sot në shkolla. Është e rëndësishme që sugjerimi letrar të jetë i mirëstudiuar, me qëllim që të paktën brezat në shkolla të mos ushqehen me letërsinë e rastësishme të autorëve që janë thjesht aty për ndonjë shkak njohjesh personale. 
Personalisht kam shkruar për autorë të sotëm si Agron Tufa, Kim Mehmeti, Preç Zogaj, Besnik Mustafaj, Fatos Kongoli, Viola Isufaj. Por, unë mendoj se janë disa autorë, të cilët, për shkak të pranisë së tyre në publik, si Canosinaj apo Zllami, apo edhe autorë të tjerë të rastësishëm, të cilët duhen analizuar për çka sjellin, pasi tashmë janë pjesë e leximeve të detyruara në shkolla. Madje, të sugjeruar më shumë sesa Kuteli, Kadareja apo Koliqi e Konica.
Ne kemi emra të letërsisë së sotme që kanë nevojë për kritikën dhe analizën e gjithanshme, si Kim Mehmeti, Luan Starova, që na vijnë nga Maqedonia me një letërsi të konsoliduar. Janë shkrimtarë që kanë bërë emër jashtë Shqipërisë, si Ardian Kyçyku, Elvira Dones, Ani Vilms, që kanë nevojë të diskutohen këtu. Janë librat e Zija Çelës, Fatos Kongolit, Visar Zhitit, Xhevahir Spahiut, Besnik Mustafajt, Preç Zogajt, Koço Kostës, që vijnë si një urë mes dy realiteteve të ndryshme në Shqipëri, por që kanë mundur të mbajnë ritmin e një letërsie tjetër nga ajo e para viteve ‘90. Ashtu siç është e nevojshme që të studiohen emra si Agron Tufa, Rudian Zekthi, Rudi Erebara, Flutura Açka, Mira Meksi, Lindita Arapi, Arjan Leka, Stefan Çapaliku, Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Fatmir Baçi, apo edhe shumë emra të tjerë, të cilët janë sot pjesë e leximeve dhe diskutimeve në qarqet letrare. Por më së pari është edhe shumë e rëndësishme të rivendosim në vendin e duhur emrat e Mitrush Kutelit, Ernest Koliqit, Martin Camajt, Anton Pashkut, pa harruar kurrë nevojën për të riparë letërsinë e Kadaresë dhe të Agollit, të cilët janë përballë sfidës së rileximit. 
Të gjithë këto emra mbeten në pritje të diskutimit, debatit dhe analizës. Tashmë me të vetmin synim: çfarë i lidh këta autorë me letërsinë e vërtetë, me vlerat e vërteta, standardet e së cilës nuk i vendos as “Lidhja”, as ndonjë qytet, e as ndonjë shtet në veçanti, por i vendos lidhja e veprës me vlerat universale. Sepse kur flasim për letërsinë, nuk mund të themi “letërsia më e mirë në Tiranë”, “letërsia më e mirë në Vlorë”, “letërsia më e mirë në Romë apo Athinë”, por mund të flasim nëse është apo nuk është letërsi. Pasi të kemi vendosur këtë metër vlerash, atëherë mund të diskutojmë këndvështrimet e ndryshme, që mund të përafrojnë një hierarki vlerash. Sepse në fund të fundit, libri është aq kopje sa e lexojmë. Por po nuk folëm, do të ishte më e keqe sesa djegia, pasi të paktën zjarri do ta linte një shenjë, por heshtja nuk lë asgjë, nuk ka as hirin.
Fatkeqësisht, panairet e librit, jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha trevat shqiptare, nuk janë kujdesur kurrë që java e librit të shkojë për këtë debat. Më së shumti panairet janë kthyer në librari tregtie me shumicë, duke bërë që një pjesë e lexuesve thjesht të presin nëntorin për të blerë disa libra më lirë, e për të kaluar ca kohë më shumë. Ndërkohë që java e librit duhej të ishte një panair idesh e jo shitjesh. Fakti është se, edhe tani që mbaroi panairi, shumica e morën vesh nga mediat se ishte botuar një libër kuzhine, por jo se cili ishte shkrimtari që ia vlente t’i afroheshe më shumë për ta marrë për ta lexuar. Ose edhe për të kundërtën, që është po aq e domosdoshme- se cili apo cilët janë shkrimtarët që duhet t’ua ndalojmë fëmijëve për shkak se bëjnë pjesë në “republikën e antivlerave”.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…