Skip to main content

Tetova News

Këta ishin peshqit e vegjël në organizimin e përbindshëm të këtij trafiku njerëzor ( Pjesë nga Romani “IMAZH” i Dr.Zef Mulaj)

     



* * *
Gjergji kishte grumbulluar tashmë disa
informacione të reja, për numrat e telefonave, që ia
pat marrë « gjeneralit» në treg. Tashmë ishte e qartë,
se çfarë janë dhe funksionet që kryejnë. Shumë fakte
të tjera dhe lidhje, të cilat Gjergji i provonte, duke i
kërkuar Sokolit, shefit të tij, dhe komisarit flet- arreste
për disa persona, si shkaktarë për vdekjen e Vitores.
Ata që e kishin dërguar në bregun e detit ishin
identifikuar, dhe provuar. Ata që e kishin mashtruar
bashkë me Sofin dhe djalin, ishin identifikuar por në
kërkim.
Mbas shumë insistimesh të Gjergjit dosja shkoi në
prokurori me propozimet e arrestit. U kërkua
arrestimi i Skifterit me grupin e tij, këta ishin peshqit
e vegjël në organizimin e përbindshëm të këtij trafiku
njerëzor.
Në orën pesë të mëngjesit makinat e policisë
rrethojnë shtëpinë e Skifterit, ishin të sigurte se në
darkë ishte kthyer nga Greqia me një kamion me
mallra, për tregun me shumicë. Në doganë ishte
kontrolluar, kishte patur dyshime në dokumente, por
ishte lejuar të kalojë. Miku i tij Kacuni e lejonte të
kalonte gjithmonë, sepse ai shpërblehej mirë nga ai.
Por pikërisht këtë ditë ishin zënë Kacuni me një tjetër
doganier, pikërisht për problemin e Skifterit, sa kishte
hyre për të shuar sherrin policia e drejtori i doganës.
Te drejtori i doganës, Kosmeri, informoi doganieri i
ri, Kotlani, i cili shprehu disa dyshime:
- Më duket se diçka nuk shkon mirë në peshën, në
numrin e kolive dhe te faturave të blerjes dhe të
importimit. – pat deklaruar ndershmërisht Kotlani.
Drejtori i pat thënë :
- Shko në vendin e punës se do e verifikojmë këtë
problem.
Të nesërmen në mëngjes herët Skifteri u ndodhë
përballë trupave speciale të policisë, ndër të tjerë ishte
dhe inspektori i krimeve, Gjergji.
Njerëzit po shikonin nëpër dritare dhe ballkonet e
pallateve, ne orët e para te mëngjesit, kur Skifteri,
biznesmeni, doli nga pallati i shoqëruar nga policia
dhe me pranga në duar.
Vërtetë Vitorja nuk ishte më, por diçka duhej te
thoshte Skifteri para drejtësisë për humbjen dhe fundin tragjik
 të vajzës së vogël. Por ai akuzohet edhe për
shumë gjerë të tjera, bashkë me klanin e tij kriminal.
Megjithëse kokat e krimit janë shumë larg prangave.
Po atë ditë u prangos dhe i famshmi Telo, në tregun e
këmbimit të monedhave, e të tjerë.
Makina u ndal në oborrin e gjykatës , mbasi kishin
kryer shumë veprime në polici me të arrestuarit. Ata
i dërguan në gjykatë për masën e arrestit. Ishin gjithë
ato prova të grumbulluara me durim e guxim nga
agjenti i antikrimit Gjergji. Për këto fakte ishin
plotësisht edhe shefi, Sokoli, komisari dhe prokuroria.
Plot tre orë zgjati debati në gjykatë, ku pritej të
ndalohej Skifteri dhe grupi i tij. Por ndodhi e kundërta,
ata u liruan në sallë, dhe as një arrest shtëpiak nuk u
pranua. Gjithçka që kishte grumbulluar Gjergji nuk u
vlerësua. Gjergjit do t‘i duhej të luftonte, jo vetëm me
kriminelët, që po kryenin krime monstruoze, por edhe
me korrupsionin galopant, i përhapur deri në fushën
e drejtësisë, pra në radhët e institucioneve, që
kushtetuta u kishte ngarkuar detyrën e luftës pa
kompromis kundër të gjitha llojeve të krimeve.
Këta që shiten e blihen, që populli i shumëvuajtur
u ka dhënë pushtet, u ka dhënë karrige, që të mbrojnë
interesat e jetën e tij, këta janë më kriminelë se
kriminelët. Këto probleme po i bluante në mendjen e
tij inspektori i ri i policisë, Gjergji, i cili u nis këmbë
bregut të Lanës, shumë i trishtuar, por aspak i
nënshtruar nga krimi. Ai një herë, kur hyri në shkollën
e policisë, qe betuar, pat vendosur. Pra është i
pathyeshëm si shkëmbenit e vendlindjes së tij, do të
jetë i ndershëm dhe i pastër, i drejtë e trim, si njerëzit
e Lugjeve të Verdha.
Ata që po gjykojnë sot ushqejnë krimin me mënyrat
e tyre të fitimit. Ndërsa Gjergji djaloshi i antikrimit
është nën një stuhi të fortë, ku do t‘i duhet të dale
fitimtar ose të humbë. Tre fëmijët e humbur, i sollën
përpara gjëra të mëdha, lidhje interesash ekonomike e
politike, që përbëjnë një krim të organizuar, brenda
deri dhe në shtete të tjera. Është një krim i koordinuar
dhe me shumë viktima.
E nesërmja për Gjergjin do ketë probleme të reja,
mbas lirimit të Sikterit dhe grupit të tij.
Dje në mëngjes e thirri komisari dhe shefi i tij,
Sokoli. Komisari pati thënë:
- Na vjen keq për situatën e krijuar.
Rezultate dërguara në gjykatë, nuk i morën si prova
te mjaftueshme për ndalimin e grupit. Avokatët kanë
bërë padi kundër nesh. Kemi përgjegjësi sepse janë
përdorur emra dhe personazhe me influencë dhe
imunitet, në raportin që ne kemi dërguar në
Prokurorinë e Përgjithshme, dhe ne Ministrinë e
Brendshme. Dhe për këtë ne jemi të detyruar t‘ju
komunikojmë transferimin tuaj, duke e lënë sektorin
e antikrimit. Kjo ishte një provë, që mjerisht dha
rezultat negativ në eksperiencën tënde. Por mendja
ma merr se personalisht je ma tepër i fituar se sa i
humbur. Ne të patëm thënë se nuk i bihet murit me kokë.
Gjergjit iu zgjuan dritat e kujtesës aty ku kishte
kaluar momentin më të vështirë të jetës. Po i kujtohej
korridori i spitalit, kur e përcolli për të fundit herë
nënën e tij, dhe nën lotët e tij infermierja iu afrua e
qetë, duke i kërkuar kafen për mjekët. Ndërsa e ëma
po kalonte në agoni minutat e fundit të jetës sajë. I
vijnë ndërmend babai dhe motra, duke qarë e duke i
rënë në shpatulla, kur i dhanë mandatën:” Nana shkoi
Gjergj të jemi të fortë”.
Por dhe gjyqtari ashtu si doktori ka nevojë për kafe.
Për mjekun e lypi kafen infermierja, po sekseri i
gjykatësit kush është. Me siguri do të jetë kafe e madhe,
kafe biznesmenësh kontrabandistë, kafe trafikantësh.
Nga vijnë këto para? Nga bananet, nga firma fantazmë,
nga eurot e gomoneve, që i hedhin njerëzit në det.
Gomonia e asaj nate, transportoi 30 vetë dhe mblodhi
mbi 90 mijë euro... Këto ishin afërsisht mendimet e
Gjergjit, i cili vazhdonte të “ shpërndante kafe”. Në
një moment ai mendoi se: “ për kafe ka nevojë edhe
komisari im, që nuk ka studiuar kurrë për policinë,
por ishte thjeshtë një ish i përndjekur politik i
diktaturës, dhe tani e kanë vu aty për detyrën e
rëndësishme të mbronte popullin nga krimi i
organizuar. Prandaj deklarohen të humbur Martini,
Sofija, ndërsa Vitorja nuk mundi të përballonte më
gjatë. I doli përpara Gjenerali i tregut të madh……..!!!

Vazhdon……..

Pregatiti   per  Botim


Valentin Bruçaj

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…