Skip to main content

Tetova News

Kush janë fituesit e “Penda e argjendtë”. Vitin tjetër, vetëm një çmim


“Duke filluar nga viti tjetër, Ministria e Kulturës do të japë vetëm një çmim për veprën letrare më të mirë shqipe”. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e bëri këtë deklaratë pikërisht në ceremoninë e ndarjes së çmimeve letrare “Penda e argjendtë” dhe çmimit të gazetarisë kulturore “Teodor Keko” për vitin 2012, që u zhvillua dje në Teatrin e Komedisë. Edhe këtë vit çmimet kombëtare letrare janë ndarë sipas gjinive; roman, tregim, poezi, përkthim, kritikë, ese, letërsi për fëmijë dhe autori debutues, gjë që nuk do të ndodhë vitin e ardhshëm. Dhe sigurisht ka shumë arsye në këtë vendim të Ministrisë së Kulturës, që është përballur jo rrallëherë me kritika përsa i përket vlerësimeve në fushën e letrave shqipe, kritika që vetë Kumbaro i rreshtoi si argumente që do të bindnin edhe më skeptikët e këtij vendimi. “Që nga vitet ‘90, ministritë e Kulturës, me radhë, ngritën sisteme çmimesh letrare. Qëllimi është për t’u lëvduar: nxitje të krijimtarisë, vlerësim të autorëve, të traditës, të autorëve të rinj, të gjinive të ndryshme letrare, të përkthimit, të gazetarisë kulturore, e kështu me radhë. Por, (e këtu zor të mos biem në një mendje) vështirë e patëm të ndërtojmë çmime që të shërbenin si vlerësime të qëndrueshme, të besueshme dhe deri diku si shkolla kritike, ndonëse në listat e tyre gjen jo pak nga emrat më të mirë të letrave të sotme shqipe. Herë të cilësuara me emra të përgjithshëm e herë me emra të përveçëm, skemat e ndryshme të çmimeve që fryheshin a tkurreshin, përveç vullneteve të mira për të kënaqur sa më shumë autorë, botues a studiues, përveç sikleteve për të bërë qoka, përveç hatërngeljeve të vogla dhe inateve të mëdha, përveç dëshirës që edhe cilësia letrare të mos mbetej pa u treguar, përveç ndërhyrjeve politike që veç punë kanë prishur, tregonin se sa e vështirë është të japësh çmime në funksion të një kritike profesioniste. Arsyet janë të shumta e sot roli im nuk është të bëj kritikën e kritikës. Sot dua vetëm të them se, bash për këto që thashë, Ministria e Kulturës, duke filluar nga viti tjetër, gjykon se nuk është më e udhës të japë aq shumë çmime, ndarë në gjini a në emra, çka nga ana tjetër nuk i pengon gjinitë e emrat të zhvillohen. Duke filluar nga viti tjetër, jemi të mendimit që me fondet publike dhe në emër të një politike kulturore që duhet të nxisë cilësinë letrare, do të jepet vetëm një çmim për veprën letrare më të mirë shqipe të vitit, që do të përzgjidhet nga një juri kritike profesioniste, e pavarur nga zyrtarët e ministrisë”, – tha Kumbaro, e cila thjesht ka çuar në fund punën e nisur nga paraardhësi i saj, Aldo Bumçi, që do duhej t’i kishte dhënë këto çmime në përfundim të vitit 2012. “Për të konsideruar më të mirët në letërsinë dhe gazetarinë kulturore të vitit 2012, u ngritën juri me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, z. Aldo Bumçi. Këto juri e kishin filluar punën e tyre në pranverë të 2013-ës, pa mundur ta përmbyllin këtë proces,  pavarësisht rëndësisë që merrte ky vlerësim, ndër të tjera, në 100-vjetorin e Pavarësisë. E gjendur përpara këtij fakti dhe vështirësisë për të marrë një vendim tjetër, i cili do të shpërfillte juritë e ngritura dhe punën e tyre, Ministria e Kulturës vendosi që pikërisht këto juri të shpien deri në fund punën e nisur për vlerësimin dhe zgjedhjen e fituesve të atij viti”,- sqaron ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Çmimi për gazetarinë kulturore të shkruar gjithashtu nuk do të jetë më në axhendën e çmimeve të Ministrisë së Kulturës. Për herë të parë dhe të fundit ky çmim u nda mes gazetës “Panorama” dhe asaj “Mapo”.
“Penda e argjendtë” për vitin 2012, sipas gjinive
 Romani “Valsi i lumturisë”, i autorit Ylljet Aliçka
Motivimi: Për ironinë e spikatur dhe përsosjen e saj deri në grotesk dhe imazhet e gjalla në rrëfim të kapërcyellit të kohërave.
Vëllimi me tregime “Perla”, i autorit Ardian-Christian Kyçyku
Motivimi: Për kërkimin, guximin dhe përputhjen e kënaqësisë së shkrimit me kënaqësinë e leximit.
Vëllimi poetik “Një ballkanas në Londër”, i autorit Rudolf Marku
Motivimi: Për imazhet e gjalla dhe të veçanta, për ironinë dhe humanizmin e thellë.
Autori debutues Darien Levani me romanin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”
Motivimi:  “Për rrëfimin elegant dhe atmosferën e këndshme të të rrëfyerit.”
Përkthimi Vëllimi “Delfini” i autorit Robert Lowell, të përkthyer në shqip nga Parid Teferiçi
Motivimi: Për mjeshtërinë e sjelljes në shqip të poetikës së një prej autorëve më të rëndësishëm amerikanë të shek. XX.
Vepra kritike “Don Kishoti shqiptar”, e autorit Ali Aliu
Motivimi: Për aventurën e një leximi të ri të letërsisë shqipe.
Vepra eseistike “Kristo Kirka”, e autorit Uran Butka
Motivimi: Për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare.
Letërsi për fëmijë 12 romanet “Unë jam Kronosi-mbreti i kohës”, të autorit Thanas Jorgji
Motivimi: Për korpusin prej 12 romanesh ku ngërthehen aventurat, gëzimi dhe mençuria fëminore.
Çmimi i Gazetarisë “Teodor Keko” 2012
Alma Mile, gazetare në të përditshmen “Panorama”
Aida Tuci, gazetare në të përditshmen “Mapo”
Motivimi: Për ndihmesën cilësore në vënien në pah të vlerave dhe risive në raportimin publicistik për vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Mapo

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…