Skip to main content

Tetova News

“Missing”, romani i humbjes dhe i mungesës

BEHAR GJOKA

  Romani “Missing”, libri më i ri i autorit të njohur Bashkim Hoxha, qysh në titull lajmëron se ka vënë në qendër humbjen dhe mungesën, si ndjesi dhe gjendje, të cilat e mbështjellin përditshmërinë e qenies, shpeshherë hermetikisht. Të dyja këto ndjenja, pra humbja dhe mungesa, tashmë dhe padashas janë kthyer në një gjendje mbizotëruese të njeriut dhe të mjedisit përqark, pavarësisht se në një kuptim, sidomos kur ato janë të pranëvëna, mundet që të duken edhe si paradoksale. Humbja është një ndjesi, që vjen prej rrethanash, rastësore dhe të pazakonta, dhe zakonisht lë pas njëzbrazëtirë dhe humnerë të frikshme. Madje, siç e projektojnë faqet e romanit, pak rëndësi ka fakti se çfarë ke humbur, kryesore është që nuk shpëton dot nga humbjet, të cilat në hapësirën e tekstit paraqiten si të shkallëzuar. Sipas romanit, mund të humbasësh qenin, një bashkudhëtar i njerëzisë, mund të humbasësh të dashurën apo dashurinë, por ka raste që mundet të humbasësh edhe veten, që shënon një befasi të këndshme dhe po kaq të hidhur. Vetvetiu, nga këto humbje, të shumta dhe të larme, vijnë edhe mungesat, po kaq të shumta, të cilat ndryshe nga humbjet përjetohen vetëm dhe prandaj qenia mbetet në ajër dhe pa shtegdalje. Përplasja e këtyre dy gjendjeve, monotone dhe shkatërrimtare, të cilat megjithatë lëvizin në realitetin konkret dhe virtual, e në mes të tyre qëndron zhdukja, që i tejkalon të dyja, si dhe shpalosin realitetin letrar, në fakt sjellin zërat e kohës, e kohës kur jetojmë, kur ndarjet dhe mungesat, duam apo nuk duam janë bërë pjesë e jetës së qenies njerëzore. Loja me fjalën missing, pra që përbëhet nga humbja e zakonshme, që sjell mungesa jo të vogla, shënon një cak tjetër, kur kemi zhdukjen e dikujt, që e zbret realitetin në një pamje të mistershme. Në fakt, është ritmika e jetës moderne në të cilën jemi përfshirë, që vjen përmes regjistrit të shkrimit postmodern, që këtyre elementeve të spektrit jetësor t’u vërë në dispozicion një hapësirë të ligjërimit letrar, që zbulon pamjen e trefishtë të amullisë ku shpesh rrotullohemi në mjegullësi.


Koha e paradoksit ezistencial

Humbjet dhe mungesat e shumta, njerëzore dhe me tepër sesa kaq, përbëjnë hapësirën e tekstit të romanit, që vërtet ka rrokur bashkëkohësinë, por në sekuenca të caktuara, edhe ka zbritur në analet e kohës së monizmit, e territ të frikshëm, e cila na ngatërrohet nëpër këmbë, jo rrallë dhe i kthen këto dy plagë në gjurmë të universit të qenies. Në fakt, pavarësisht shkrirjes së kufijve kohorë, si dhe të grimcimit të kësaj përmase në një ekzistencë të ankthit njerëzor, që rrethohet nga humbjet dhe mungesat, kemi një kohë të ngrirë, si me thënë, një kohë të artit, që i tejkalon këto ndjesi dhe shqipton realitetin ekzistencial të qenies, që përgjithësisht shfaqet si një paradoks ekzistencial. Humbjet janë të ndryshme, për dikë pa vlerë, për dikë tjetër krejt jetike, ku rrëmbimi i ariut, humbja e qenit, zhdukja misterioze e Monës, përcillen si akte të përditshmërisë, që në tekst vështrohen vetëm si humbje, në jetën e njeriut lënë pas zbrazëtirë dhe shkatërrim moral. Në anën tjetër, gjithnjë si rrjedhë e mikrofabulës, që thyhet dhe përthyhet, në varësi të adresimit autorial, me gjasë të një shtjellimi postmodern, humbjet e shumta, të mëdha apo të vogla, në fakt sjellin pasojën e tmerrshme, të mungesës vetmitare, që në fakt i nxjerr edhe më tepër në dritën e diellit ato. Nëse bashkëkohësia, e jetës së gjithanshme, si dhe thellësisht të trilluar, reale dhe virtuale, të jetës individuale dhe sociale, të jetës shpirtërore dhe jashtë saj, përbën shenjën e kohës, me gjasë e zërit të kohës, zbulimi i saj përmes mjetesh letrare të përveçme, përbën prurjen e shkrimit letrar në lëvrimin e romanit, me tepër të ngjyresave postmoderne.

Sekuenca strukturore njëjavore

Teksti i romanit “Missing”, pavarësisht përthyerjeve të shumta ndërkohore, në strukturën e vet kompozicionale, në fakt lëviz në harkun e shtatë ditëve. Pra, fabula e romanit, aq sa mundet të emërtohet si e tillë, mbase më tepër, grimcimi i ndodhive të pranishme nis me episodin E enjte. Sot përshkon të gjitha ditët e javës, ku ndodhin humbjet, bashkë me to edhe zhdukja e Monës. Në ditët e kësaj jave, që përfshin edhe të premten, të shtunën, të hënën, dhe të martën dhe të mërkurën bashkërisht, preken fare pranë edhe mungesat e shumta. Ndihet mungesa e Lorës, e qenit që ka ikur nga shtëpia, në drejtim të paditur, po kaq mosprania e ariut, te sheshi i lodrave, e mbi të gjitha zhdukja, pa nam dhe nishan e Monës. Po kaq, tmerri që provon Grozi, personazhi kryesor i romanit, jo vetëm nga humbjet dhe mungesat e shumta të gjërave të shtrenjta për të, por edhe nga rrahja e pamerituar e tij, që e dërgoi deri në kufirin e vdekjes, e cila ndonëse dihet që është e zezë, paraqitet si e veshur me të bardha, të paktën siç i fanitet atij në ëndrrën-zhgjëndërr. Fabula dhe struktura e romanit mbyllet sërish me formën e fillimit, E enjte. Sot. Na duket se jemi në pikën e nisjes, ku edhe zë fill ndodhia, çka shpalos idenë e një strukture kompozicionale ciklike, pra e një rrethi të mbyllur, ku pika e nisjes dhe pika e mbërritjes takohen dhe ndërthuren ndërmjetshëm, për të krijuar kohën e ngrirë të artit, që duket se i shpërfill pamjet rastësore.

Fati si gjurmë e qenies

Epiqendra e ndodhive, që ecin dhe ndërpriten, si me thënë kronikani i jetës së çuditshme dhe po kaq absurde, është Grozi ose rrëfimtari-personazh, që ngërthen në vetvete shansin e kundrimit të pamjeve të humbjeve, të mungesave, si dhe sidomos të shkallës së skajme, të zhdukjes së të dashurës së shtrenjtë. Nëse ndarja e dikurshme me Monën tashmë ishte fshirë nga vetëdija e tij, ikja dhe humbja e Lorës, qenit që ia pati dhuruar Mona, e risjell në skenë dashurinë e ndërprerë, kaq dhunshëm prej rrethanave jetësore. Madje, sipas hapësirës së tekstit, ikja e radhës, më tepër ka pamjen e zhdukjes, që zgjon frikë dhe ankth. Një zhdukje, mister dhe tronditëse, si jo pak të tjera, që kanë ngjarë me fatin e femrave të dhunuara, pra që përjetohet si një vrasje dhe fshirje nga kjo botë, e cila në fakt zbulon tragjedinë e kohës, kur jeta ka një çmim të lirë, e risku është edhe më i madh për fatin e femrës, e cila dhunohet, përdhunohet, shitet dhe blihet, vritet si të ishte një mizë dhe, o Zot çfarë tmerri, shpesh përfundon në koshin e plehrave. Ka raste që në fshehtësi të rrokshme, si një nëntekst qëllimor, autori fanitet në këtë pentagram rrëfimor, duke zënë vendin e protagonistit dhe duke na zbuluar realitetin e humbjeve e mungesave të shumta. Marrëdhënia e posaçme e rrëfimit, si narrativë e gjithëdijes, që vihet në gojën e personazhit kryesor, pra si një përftesë e një distance rrëfimore, e shoqëruar po ashtu me elemente të përthyerjeve të larmishme, e fokuson realitetin letrar në një situim të përveçëm, ku humbjet, mungesat dhe sidomos zhdukjet janë vetëm se pjesë e fatit, e fatit të gjurmëve të qenies, që shkruhet çdo ditë në kalendarin ekzistencial të absurdit njerëzor.

Biseda me Tjetrin

Bashkëbisedimi, ironik dhe paradoksal, me ariun e rrëmbyer, që vijon në të gjithë romanin, ndonëse me pika këputjeje, për ta shpëtuar nga kthetrat e njerëzve, që e torturojnë pa mëshirë, është nyja lidhëse me të gjitha pamjet e jetës që skicon autori në faqet e romanit “Missing”. Kthimi i ariut tek i zoti, pra që e ka vënë në pranga, ngazëllimi që ndiejnë arixhiu dhe ariu, është tregues i një jete, që duket sikur zotërohet më tepër nga nevoja e mbijetesës, sesa nga vetëdija e të jetuarit ndryshe. Mbase, kjo bisedë e çuditshme, në mes njeriut dhe ariut, imagjinare dhe hipotetike, krijon rrethanën e bisedës për gjithçka të botës përqark. Për humbjet e miqve, të njerëzve të dashur, të qenit dhe ariut, dikur edhe të majmunit, të cilat të fusin në një atmosferë, sa reale aq absurde, duke përtheksuar kështu anët e jetës që autori ka vënë në qendër të romanit. Prania e humbjeve, siç paraqiten në roman, të pazakonta, i bën më të pranishme mungesat, të cilat janë të larmishme, por edhe më tronditëse, kur vijnë nga zhdukja e njerëzve të dashur. Biseda, ironike në thelbin e vet, në një kuptim, sendërton edhe përsëdytësin e rrëfimtarit, pra Tjetrin, që përplotëson të parin, duke përforcuar idenë se kemi të bëjmë me një tekst që shpërfaqet me anë të mjeteve letrare të fakturës postmoderne.

Sinkretika letrare

Veçanësi e romanit “Missing”, sidomos për mënyrën e shkrimit, është edhe realizimi i dukshëm i sinkretikës letrare. Thelbi i saj është bashkëshkrimi, brenda një teksti, i tipave të ndryshëm shkrimorë. Teksti i këtij romani të ofron shkrimin letrar, si  një sinkretikë e përfillshme letrare, që përbëhet:
A – Thelbi tipik i prozës, që dihet se buron nga rrëfimi, i cili në faqet e librit, vjen i përveçëm, për faktin se është një bashkëbisedim rrëfimor, me vete dhe me ariun, me veten dhe gjithë botën, që duket më tepër sikur është shurdhuar.
B – Prania e poezisë, e cila shkon në rreth njëqind e pesëdhjetë vargje dhe në mbi pesëmbëdhjetë poezi, integruar në hapësirat e tekstit, zgjeron hapësirat e komunikimit letrar. Poetika e bashkëshkrimit letrar, prozë-poezi, zë fill me Kutelin, porse kulmohet me tekstin e romanit “Djella” të Martin Camajt.
C – Ndarjet në pjesë më të vogla, nënndarje të ndryshme, të episodeve të hapësirës së romanit, kujtojnë nga ana tjetër, sekuencat filmike, por edhe episodet dramatike, pra duke ta afruar kështu një situatë, kinse dramatike.
Sinkretika letrare, pra ndërthurja e tipave dhe zhanreve të ndryshme letrare, me shumë mundësi e poetikave të tyre, në hapësirën e tekstit të romanit “Missing” në jo pak raste gërshetohet edhe me tekste këngësh, që sjellin edhe jehonën e këngës dhe të melodive të tyre, pra duke zbehur ndjeshëm kufijtë në mes arteve të ndryshëm, çka përthekson prirjen postmoderne të tekstit të këtij romani.
Për të gjitha vlerat që cekëm, veçmas për lojën me fjalën, si ligjërim në prozë dhe poezi, për strukturimin e veçantë, për depërtimin në plagët e kohës që jetojmë, romani “Missing”, që përfaqëson librin e dhjetë të zhanrit të romanit, të lëvruar kaq gjerësisht prej tij, shënon një kulm letrar të autorit, si dhe një gjurmë të përveçme në shkrimin e romanit në shekullin e ri, që tashmë ka përkrahur prirjet letrare postmoderne
.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…