Skip to main content

Tetova News

NDERIM PËR ATDHETARIN, PEDAGOGUN DHE GJUHËTARIN E SPIKATUR ( Prof. Dr. Selman Riza-“Mësues i Popullit”)

Në_25-vjetorin e ndarjes nga jeta:

Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë



 S.Riza (25 dhjetor 1909-16 dhjetor 1988)
         
1.
Disa vjet më parë, është venë në qarkullim, në Tiranë, libri i Engjëll Angonit: "Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar". Që në fillim, janë dhe pak fjalë të autorit, për lexuesin: "Ndërkaq, nuk mund ta fsheh kënaqësinë, që kam ndier gjatë gjithë punës për hartimin e këtij libri, sepse kështu pata mundësinë që ta njoh dhe ta çmoj edhe më tepër, siç e meriton, jetën dhe veprën e tij aq të pasur, që e bëri të pavdekshëm". Ndërsa në parathënien e tij, prof.dr. Shaban Demiraj-Akademik nënvizon: "Më në fund, gati dhjetë vjet pas vdekjes, dikush kishte marrë përsipër t'i bënte të njohur një publiku të gjerë jetën aq të brengosur dhe veprimtarinë aq të pasur të këtij shkencëtari dhe atdhetari të rrallë" e më tej: "Ky libër, i shkruar me një qartësi tërheqëse dhe me një dokumentim bindës, na e shpalosë, si në një ekran, jetën plot vuajtje e brenga dhe arritjet e mëdha shkencore të këtij personaliteti të shquar të shkencës shqiptare".
Autori e ka ndarë këtë libër (me afër 200 faqe, me dokumente e foto) në katër pjesë kryesore. Në të parën, flet për jetën dhe veprën. Aty mësojmë se prof. Riza kishte lindur më 25 dhjetor 1909, në qytetin e Gjakovës-Kosovë. Më tej, kishte qenë nxënës në shkollën plotore "Naim Frashëri" të Tiranës dhe në Liceun Kombëtar të Korçës. Pastaj vijoi dy fakultete të larta, në Toluzë të Francës dhe u kthye pedagog, ku ishte vetë nxënës, pra në Liceun e Korçës.
Si gjatë qëndrimit në Shqipëri e në Kosovë, ai u tregua atdhetar i flakët dhe i papajtueshëm ndaj çdo armiku. Prandaj u përndoq e u persekutua: U burgos e u internua, nga rregjimi fashist dhe u burgos nga dy rregimet diktatoriale komuniste (në Kosovë e në Shqipëri); në vitet e fundit të jetës e larguan nga puna si shkencëtar e pedagog dhe, pasi iu bë një "gjyq" inkuizicional, u dërgua "për riedukim" në muzeun e Beratit. Ndërsa, në vitin 1970, u nxor në pension para kohe. Pastaj e munduan sa s'ka më: sëmundja e rëndë dhe e gjatë, mjedisi i heshtur dhe mospërfillës i shtetit monist. Ja, pra, se çfarë provoi ky atdhetar, pedagog e shkencëtar i madh, deri sa u nda përgjithnjë nga jeta, në Tiranë, më 16.12.1988.

2.
Zotërues i disa gjuhëve, prof. Selman Riza ishte pedagog i  gjuhësisë, në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, të Akademisë së Shkencave. Me vullnet të jashtëzakonshëm për punë, njerëzor e tepër korrekt, këmbëngulës e dashamir ndërmjet studentëve e kolegëve dhe gjithë atyre, që e njohën, -ai  la pas një pasuri të paçmuar në praktikën pedagogjike dhe në lëmin e studimeve gjuhësore.
Jeta dhe vepra e prof.dr. Selman Rizës janë nderuar e vlerësuar në Kosovë, ku është bërë botimi i disa vëllimeve, në serinë e studimeve të tij. Ndërsa në vitin 1994 (pra, pas vdekjes), u botua në Tiranë libri i tij me interes: “Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore”. Punimet e prof. Rizës  rrokin fusha të gjera të gjuhësisë shqiptare, por dhe të tjera. Të tillë përmendim: autorët e vjetër, historinë e gjuhës së shkruar, dialektet e shqipes, drejtëshkrimin, gramatikën e shqipes (bien në sy studimet për pronorët, nyjën, foljen) etj.
Pas viti 1990, në Shqipëri dhe në Kosovë, për prof.dr. Selman Rizën është shkruar në shtyp dhe janë organizuar veprimtari përkujtimore, ku është theksuar ndihmesa e tij e madhe në fushën e arsimit kombëtar dhe të shkencës shqiptare. Atij i janë dhënë titujt e lartë "Mësues i Popullit" dhe "Punonjës i shquar i shkencës dhe teknikës". Jeta dhe vepra e tij e mundimshme janë burim frymëzimi për brezat që të kenë atdhedashuri të paepur dhe vullnet të çeliktë e punë të palodhur, si për Shqipërinë dhe "Kosovën shqiptare", siç e quajti ai, në pak radhët e amanetit të  fundit.

3.
Më kujtohet se, kur autori i librit, që përmenda në fillim të këtij shkrimi, E.Angoni kishte nisur mbledhjen e dëshmive, dokumenteve dhe kujtimeve, për hartimin e librit kushtuar prof.dr. Selman Rizës, më kërkoi të shkruaja kujtimet e mia, pasi kisha qenë student i këtij. Sigurisht, shpreha kënaqësinë dhe gatishmërinë për ta plotësuar kërkesën e bërë.
Kur i fillova studimet e larta, në Universitetin e Tiranës, sigurisht ishte një ngjarje e rëndësishme për mua, pasi vija nga një krahinë e largët malore dhe e prapambetur, në të kaluarën edhe për zhvillimin arsimor. Me sa më kujtohet, deri atëherë, në shkollën e lartë, nga krahina jonë kishin ardhur pak bijë e bija të malësorëve. Pa u zgjatur, kujtoj se në kursin tonë ishin rreth 30 studentë: nga Tirana, por dhe nga rrethe të tjerë e disa të huaj, nga ish-Bashkimi Sovjetik e bile deri nga Mongolia e Vietnami. Përpara tani kam një polifoto, që  është bërë në vitin 1963, kur u diplomuam, “mësues i shkollës së mesme, për lëndët gjuhë-letërsi shqipe”. Përveç  bashkëstudentëve të mi, aty janë dhe fotot e disa   prej drejtuesve e pedagogëve tanë. Ndër ta, është  fotografia e pedagogut  Selman Riza.
Atë e njoha mirë, që në vitin e parë, sepse vija në Universitet nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe më kishin thënë se ai ishte nga Kosova. Pra, ishim pothuaj bashkëkrahinas dhe, si në heshtje, ndieja që diçka më tepër, se me të tjerët,  më lidhte me këtë pedagog. Kur paraqitej rasti, këtë gjë ai ma shprehte në ndonjë bisedë të përbashkët, sidomos kur ishte fjala për veçoritë gjuhësore të të folmes së Shqipërisë Veri-Lindore dhe të Kosovës.
Prof. Selmani na dha kursin e autorëve të vjetër të shqipes së shkruar. Por, në leksionet e seminaret e tij, aq serioze dhe të përgatitura me korrektësi e aftësi të lartë shkencore, gjente rast të na fliste jo vetëm për  figura të tilla, si Buzuku, Budi, Bogdani etj., për lashtësinë dhe veçoritë e shqipes së shkruar, por dhe për bukurinë e saj dhe mundësitë e shumta, që ajo ka për t'i shprehur qartë e saktë mendimet tona. Pra, nënkuptonte  dhe kritikonte  ata njerëz, që gjuhën shqipe e mendonin "gjuhë të varfër", që  "nuk lejon mundësi shprehjeje, si gjuhët e huaja" etj. Veçanërisht, ishte këmbëngulës dhe kërkonte saktësi, gjatë shprehjes së mendimeve nga ne, studentët, jo vetëm në përgjigjet e ndryshme në  leksione, seminare a bashkëbisedime, por dhe në bisedat e lira. Me dashamirësi e takt pedagogjik, por dhe me qortim, kur paraqitej nevoja,  na drejtohej, kur përdornim në të folur, fjalë të huaja të panevojshme ose kur nuk i shprehnim drejt, fjalët a mendimet tona. Kujtoj se ai studionte me zell të veçantë pronorët e shqipes. Për këtë gjë  na fliste me pasion në auditore, por dhe kishte botuar në revistat tona shkencore
Gjej rastin që të shtoj dhe diçka tjetër. Sidomos në dy vitet e para të studimeve, kisha vënë re se ndonjë pedagog i yni rrinte si më " i tulatur" dhe "i ndrojtur". I tillë ishte jo vetëm prof.Selman Riza, por bile dhe prof.Eqrem Çabej. Në atë kohë, nuk e dinim se ata na paskëshin "njolla" në biografi, sipas rregimit të asaj kohe, gjë që e kuptuam më vonë. Dhe, "gjynahet" e  prof. Rizës na paskëshin qenë se: "Është i pabindur",  "kërkon të bëjë studime  në kokën e tij" ose "nuk e njeh materializmin dialektik" etj.
Kur përgatisja temën e diplomës, nga fusha e dailektologjisë, në vitin e fundit të studimeve universitare, prof. Riza nuk e kaloi këtë punë timen në heshtje. Përkundrazi, më përgëzoi dhe, pas kohës së mbledhjes së materialeve në terren, sistemimit  dhe interpretimit të tyre, më pyeste dhe më nxiste: "Si po të shkojnë punët?  Nëqoftëse ke ndonjë gjë për t'u konsultuar, jam i gatshëm. Puno me zell e kujdes, se do të dalësh faqebardhë...".
Me prof.Selman Rizën  jam takuar disa herë edhe pasi mbarova studimet e larta.
Në kohën e fundit të jetës, ai nuk ishte mirë nga ana shëndetësore dhe kjo më therte në zemër. Në vitet 1974-1975, kam patur nderin e kënaqësinë që ai të më bënte dhe vizita në banesën afër ish-pasticeri "Flora" të kryeqytetit, kur isha vetëm në një dhomë, me gruan e tre fëmijë të vegjël. Por dhe ia kam kthyer atij vizitën, pra kam shkuar në shtëpinë e tij, jo larg nga ne dhe kemi pirë kafe bashkë. Në bisedat tona zinin vend: Malësia e Gjakovës, Kosova, gjuha shqipe etj, por dhe problemet tona familjare.
Jam pikëlluar pa masë, kur mora vesh vdekjen e Profesorit dhe mikut tim të paharruar, prof. Selman Riza. Sa herë e kam kujtuar jetën e tij ose kam sjellë ndërmend vuajtjet shpirtërore e fizike, që i janë shkaktuar padrejtësisht, thellë në shpirt kam ndjerë dhimbje të madhe. Kam kënaqësinë dhe nderin të pohoj se, me sjelljen, diturinë dhe karakterin e tij, ai ka ndikuar mjaft  në formimin tim të përgjithshëm, sidomos në atë gjuhësor dhe inteklektual. Prandaj, dëshiroj dhe e kam detyrim moral, që dhe  tani, 25 vjet nga ndarja e tij përgjithnjë nga jeta, të përulem me respekt e nderim të thellë përpara kujtimit, jetës dhe veprës së shquar të prof. Dr. Selman Rizës! Ai do të mbetet përherë i gjallë, jo vetëm në kujtesën time, por dhe tërë  brezit tonë të studentëve të tij.


Tiranë, 13 dhjetor 2013

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…