Skip to main content

Tetova News

Një Çështje për Ksanthipin…

Rudolf Marku

1. Edhe pse të shkruarit e poezisë dhe, përgjithësisht, vendimmarrjet e plot gjërave të rëndësishme të jetës i rudolf marku karikaturembështes në intuitë, prapëseprapë besoj se intuita duhet të kontrollohet, kurdo që të mundet, dhe, në masën e saj të arsyeshme, nga Arsyeja. Besoj se poetët, krejt ndryshe nga besimi i rremë dhe nga miti naiv që ngulin këmbë në të kundërtën, janë qenie të arsyeshme. G.K.Chestertoni, duke polemizuar me të gjithë ata naivë që e përfytyrojnë poetin si një qenie të hutuar, që gati-gati flet me veten, që është ëndërrimtar me sy hapur, thotë se poetët, këta kureshtarë të përjetshëm, arrijnë ta prekin qiellin, me qëllimin e vetëm që të eksplorojnë se çfarë ka atje, dhe me qëllimin e vetëm që qiellin ta ulin në tokë; në të kundërt, dijetarët e arrijnë qiellin jo që të shohin se çfarë ka atje dhe jo që të ndajnë çfarë shohin me të tjerët, por që të përfshijnë gjithçka që shohin dhe prekin në kokën e tyre…dhe nga kjo ndodh që kokat e tyre të shpërthejnë në ajër…Është e vërtetë se poezia lind nga intuita, por kjo nuk e përjashton atë që të mos jetë një entitet i arsyeshëm…Thashë – i arsyeshëm-dhe jo- racional. Nuk do guxoja t’i quaja poetët qenie-racionale, sepse jam i vetëdijshëm se termi – racional-përmban atë ftohtësinë dhe përgjithësimin që janë armiqtë natyralë të poezisë.

Gratë dhe poetët janë aleatë natyralë, po aq sa mund të thuhet se politikanët dhe gratë janë armiq natyralë. Në Greqinë e lashtë gratë ishin kundërshtare të politikanëve, sepse për to politikanët ishin një kërcënim për fëmijët e tyre, për veten e tyre dhe për burrat e tyre. Sokrati deklaronte se “Sa të marr frymë, nuk do rresht së filozofuari…”. Ksanthipi me dinakërinë e saj shtirej se nuk e kuptonte madhështinë shpirtërore të Sokratit, dhe me intuitën dhe dinakërinë e gruas, shtirej se ishte kundër tij; nga ana e vet Sokrati vlerësohej si shenjt se e duronte mrekullisht shtirjen e saj. Shtirja e Ksanthipit ishte një mrekulli: ajo shtirej se nuk donte që dhe familja e Sokratit të binte në turp apo të katandisej nëpër gjyqe aspak të lavdishme sikundër vetë Sokrati.

Ndonëse Jezusi i këshillonte dishepujt e vet që të mos i përgatisnin argumentet e veta që më përpara, vetë misionarët dhe përhapësit e Krishterimit ishin trajnuar që në fillim si retoricienë. Është e vërtetë se Logjika abstrakte, e njohur fillimisht si shërbyesja e qenies njerëzore, është kthyer në një zotëruese, pronare e njeriut, duke i mohuar poezisë çdo arsye që të ekzistojë. Por nga ana tjetër arsyeshmëria është e domosdoshme për qenien njerëzore, po aq sa dhe ndjenja dhe intensiteti emocional. Ksanthipi vepronte me intuitë, ndërsa Sokrati me arsye. Ku qëndron Poezia? Mendoj në një mesore, në mesin e rrugës mes Ksanthipit dhe Sokratit. Mes përditshmërisë së gruas dhe përjetësisë së të shoqit të saj, mes intuitës së saj dhe arsyes së tij. Por poezia moderne ngul këmbë që arsyeja është armikja e poezisë. Por këtë e deklaron dhe e provon përmes një argumenti tepër të arsyeshëm. T.S.Eliot ngul këmbë se aq sa mund të vendosesh ndonjë lidhje logjike mes fërshëllimës së çajnikut dhe librit që lexon, aq mund të vendosësh lidhje logjike mes poezisë dhe arsyes. Por këtë pohim ai e thotë me një logjikë të saktë, me arsyeshmëri. T.S. Eliot asokohe kur shkruante për ndarjen e poezisë me logjikën kishte ndjekur në Paris me kureshtje leksionet e Bergsonit, i cili, siç dihet, është për intuitën. Por mendoj se të jesh për intuitën nuk do të thotë të jesh kundër arsyeshmërisë…

Shoqëria shqiptare është një shoqëri disi e vonuar në kurset e zhvillimeve eksperimentale të artit e të letërsisë. Nuk më duket ndonjë humbje tragjike. Sepse shumë nga shkollat eksperimentale të modernizmit janë provuar se kanë qenë eksperimente, nisje, por jo gjithmonë arritje. Puna është se shoqëri si kjo e jona, e cila beson verbazi çdo gjë që vjen nga metropolet, është e prirur të fajësojë veten vullnetarisht si e prapambetur dhe provinciale. Shtoji dhe sa e sa vetëdemaskues masohistë që bërtasin se arti dhe letërsia e jonë janë të prapambetura, se janë larg nga arti modernist dhe eksperimental, se shkrimtarët tanë janë të marxhinalizuar në krahasim me artin e sotëm me emra kumbues dhe shurdhues të botës…

2.

Për të kapur kohën e humbur, shumë krijues naivë (dhe të patalentuar) ri-bëjnë eksperimentet artistike të fillimit të shekullit XX, me bindjen se kanë për të çuditur lexuesit. Kam lexuar në shtypin shqiptar shkrime me pretendime estetike për letërsinë futuriste dhe manifestin e saj. Artikullshkruesit gati-gati të bënin që të ndjeje një kompleks faji që ne, poetët shqiptarë, nuk jemi futuristë…Kam lexuar në revistat e mira letrare shqiptare, krahas krijimesh të kthjellëta estetike, dhe poema futuristike, si dhe shkrime marramendëse me një përbuzje të hapur për arsyeshmërinë. Dhe kjo, me pretekstin se mungesa totale e arsyeshmërisë i shkon poezisë në veçanti, dhe artit në përgjithësi. Nuk i besoj atij arti modernist që këmbëngul se një shtrat i parregulluar, vetëm e vetëm se është ekspozuar në Modern Tate Gallery na qenka një art i madh modern. Dhe po ashtu nuk besoj se organe gjenitale të vdekurish a bajga të ekspozuara në Gugenheim Gallery të New York-ut kanë diçka të përbashkët me artin, edhe pse kritikë të shquar të artit kanë ngulur këmbë, të paktën para disa vitesh, në New York Times, për të kundërtën. Njeriu i sotëm modern e ka të vështirë që të mendojë me kokën  e vet. George Orwell, njëri ndër njerëzit e rrallë të shekullit të kaluar që guxonte të shihte qartë, falë ndershmërisë ekstreme, pat thënë se Salvador Dali është piktor i mirë, por jo gjithçka që mban siglën e tij është një kryevepër. Orwell fliste lirshëm për talentin e Dalisë, por dhe për natyrën spekulative të tij, madje dhe për pedofilinë e tij. Po ashtu, admirimi i Orwell-it për Pikason, nuk e pengonte shkrimtarin anglez të përçmonte shumë piktura të pas periudhës blue të Pikaso-s. A guxojmë ne të mendojmë me kokën tonë? Në shtypin shqiptar flasim me superlativa për emrat e huaj, dhe nuk guxojmë të zbulojmë vlerat e veprave tona. Jemi gati të përmendim gjithfarë emrash nga letërsitë e huaja, dhe të injorojmë me një qejf të madh bashkëkohësit tanë sikur të mos ekzistojnë në këtë botë. Kompleksi i periferisë ndaj qendrës. Kompleksi i së pavlerës ndaj vlerës së vërtetë…Ky kompleks bëhet më i vështirë për t’u dalluar kur ne vetë shpallim si vlerat tona shpesh herë antivlerat apo dhe vlerat më të dyshimta, gjë që i jep padashje njëfarë legjimiteti spekulimit snob…

Në një gazetë botohej një recension për romanin “On the Road” të Jack Kerouac, një ndër përfaqësuesit e Beat movement, duke u stërlavdëruar si një kryevepër e letërsisë botërore. Në fakt, libri është i rëndësishëm për letërsinë amerikane si përfaqësues i asaj lëvizjeje që fillon nga vitet ’50 të shekullit të kaluar e që lidhet me kundërshtimin e shoqërisë konvencionale përmes artit, drogës, seksit, dhe jo aq për vlerat letrare. I shkruar si një reportazh i zakonshëm, madje banal, libri as dhe në fantazinë më të egër nuk mund të quhet një vepër me vlera letrare. Këtë e merr vesh po qe se e lexon librin para se të shkruash recensionin, dhe po qe se nuk impresionohesh nga parathëniet, dhe po qe se mund të mendosh me kokën tënde. Ajo që është e rëndësishme për historinë e letërsisë amerikane nuk do të thotë që nevojshmërisht të jetë e rëndësishme për lexuesin dhe shijet e lexuesit shqiptar e atij çek a francez. Besoj se letërsia shqipe e tanishme ka autorë që shkruajnë me një dinjitet të madh artistik, me një intensitet emocional dhe me një mjeshtëri stilistikore, me mjete shprehëse të fuqishme dhe me një zë autentik. Ne vetë duhet të kemi dinjitetin që ta kthejmë vëmendjen te vlerat e letërsisë sonë, te vlerat e vërteta të saj, që shpeshherë mbulohen me heshtje provokative dhe me një qëllim të kalkuluar ligësie.

Vitin e kaluar shkrimtari Zija Çela botoi përmbledhjen me dy volume të tregimeve të tij të shkurtra. Për fat të keq, ky botim i një krijimtarie 40 vjeçare nuk pati jehonën që duhet të kishte. Mendoj se dy librat me tregime të Çelës prezantojnë kulminacionin e tregimit të shkurtë të shkruar në gjuhën shqipe, të nisur me Koliqin, Migjenin, Kutelin, Agollin, Faik Ballancën, Nasi Lerën, Kongolin…Përmbledhja me tregime e Zija Çelës duhej të qe një festë letrare, një çast ndaljeje për t’u përulur ndaj një apexi të shënuar bindshëm në zhanrin e tregimit të shkurtër të shkruar në shqip. Veç një artikulli të botuar në revistën “Fjala”, për fat të keq, të tjerët, përpara botimit të librit dyvëllimësh të Zija Çelës, preferuan heshtjen, këtë armë vrastare me silenciator, ose vazhduan të bërtisnin me recensione të turpshme për vepra supermediokre (jo vetëm të markës shqiptare)…

3

Ditët e fundit të dhjetorit 2013 u kujtua 25 vjetori i hedhjes në erë të avionit ‘PanAm Flight 103’, mbi një qytet provincial të Skocisë, Lockerbie, ku vdiqën tragjikisht 270 vetë. Si çdo histori tragjike, ngjarja solli kujtime dhe shpalosi ndodhi njerëzore…Ngase shumica e viktimave kishin qenë studentë amerikanë që vinin për të vazhduar studimet në Angli, shumë prindër të tyre kishin ardhur nga kontinenti tjetër në Lockerbie, për të parë vendin ku fëmijët e tyre “kishin marrë frymë për herën e fundit”- siç deklaronin ata…Por historia e një gruaje që kishte njohur dhe kishte humbur të birin brenda një dite më preku në mënyrë të veçantë….Vite e vite më parë, ajo kishte qenë një vajzë shumë e bukur nga Massachussets, bija e drejtorit të një kolegji të njohur. Kishte mbetur shtatzënë me të dashurin e vet, i cili e kishte braktisur. Prindërit, të rritur në një ambient puritan të Neë England (një reminishencë e romanit legjendë “Scarlet’s letter” të Nathaniel Hawthorne) e kishin bindur ta braktiste foshnjën e sapolindur…E bindur, ajo kishte bërë çfarë i kishin thënë prindërit…Gjithë jeta e saj e mëpastajme kishte qenë një jetë e dyfishtë: ditën, me jetën e saj normale, me punën e suksesshme, me miqtë dhe të njohurit; natën, duke pritur gjithë ankth që një derë të hapej e një që një djalosh rreth të njëzetave të hynte e të thosh: Mëmë, jam yt bir! Të kam falur! Rëndësi ka që tani më së fundi të gjeta… Nuk duron më. E flak maskën e qetësisë së rreme, dhe vihet në kërkim të birit që e ka mohuar. Instinkti i nënës, intuita triumfoi mbi logjikën e ftohtë se njohja e të birit të paligjshëm do ia shkatërrojë karrierën, reputacionin e mirë, emrin…


Pas shumë kërkimesh, gjen adresën e familjes që e ka adoptuar. Të dy prindërit adoptues kanë vdekur. I biri, 22 vjeçar, është student në Institutin Teknologjik të Massachussets (MIT). Vazhdon kërkimet për adresën e tanishme, kur po atë ditë merr vesh se i biri është në listën e të vrarëve në avionin ‘PanAm Flight 103’, të rrëzuar mbi qytetin Skocez të Lockerbie. Adresa e tij është në një varrezë të Skocisë… Merr vesh se prindërit e të vrarëve do shkojnë në Lockerbie për të shënuar përvjetorin e 25-të të vdekjes së fëmijëve të tyre… Do mbahen dy mesha përkujtimore, njëra në Lockerbie, tjetra në Westminster Abbey, Londër. Ajo heziton t’i bashkohet prindërve të tjerë. Ndjen se ka diçka të mangët nga ta. Në fund të fundit ajo është nënë mohuese. Por një i afërm i saj i jep kurajë që ta ndjejë veten të barabartë me të gjithë prindërit e tjerë. Edhe këtë herë dilema mes logjikës së ftohtë dhe instinktit: a ka të drejtë që ta quajë veten nënë, po aq sa dhe nënat e tjera që kanë ardhur për të derdhur lot mbi varret e fëmijëve të tyre?…Ajo mendon se po. Si një poeteshë e madhe dhe e vërtetë, ajo i nënshtrohet instinktit të Nënës. Por një instinkti të arsyeshëm, njerëzor, prekës, një instinkti që nuk ka nevojë që të lavdërohet a të përmendet nëpër recensione a në disa rreshta të New York Times…Ah, sikur dhe poezia shqipe të ishte kurdoherë po kaq e vërtetë sa dhimbja dhe dilemat njerëzore të kësaj gruaje!

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…