Skip to main content

Tetova News

Një shkrim në formatin e manifestit letrar - YMER ÇIRAKU



YMER ÇIRAKU


  Pa dyshim është shenjë prestigji për çdo letërsi, që në vijimësinë e zhvillimit të vet, të ketë të pranishme manifestet letrare, të cilat janë programe estetike mbi të cilat projektohen e zhvillohen lëvizje të caktuara letrare. Mund të kujtojmë në letërsi të gjuhëve të ndryshme europiane manifestet e bujshme të romantizmit, të simbolizmit, dadaizmit, futurizmit, hermetizmit, surealizmit etj.
Po në letërsinë shqipe a i kemi të shfaqura këto manifeste – apo programe letrare?
Në revistën e njohur “Albania”, e cila nisi të dalë nga fundi i shek. XIX, kishte zënë vendin e vet dhe një rubrikë periodike, e titulluar “Kohëtore e letrave shqipe”, ku vet botuesi i saj, Konica, përmes shkrimeve të veta konceptoi modelin kritik në gjykimin dhe vlerësimin e letërsisë shqipe – përkundrejt modelit romantik (kryesisht vlerësues e himnizues) të deriatëhershëm. Po kështu, brenda një vizioni modern letrar, ai apelonte rreth vetëmjaftueshmërisë së vlerave estetike për të përcaktuar statusin mirëfilli të letërsisë. Ky koncept ishte një sfidë ala koniciane për mjaft shkrime skriptomanësh të asaj kohe e më pas, të cilët mungesën e talentit ngreheshin ta kompensonin (në të ashtuquajturat vepra të tyre) me lumin e deklaratave patriotike(!). 
Tërë krijimtaria e një niveli të lartë e De Radës mund të konsiderohet gjithashtu një lloj manifesti që e udhëhoqi në lartësi një degë të fuqishme të letërsisë shqipe, siç ishte ajo arbëreshe. Vepra e tij “Parime të estetikës” (Napoli, 1861), përtej funksionit rutinë të një manuali klasik mbi estetikën, gjente rastin të konstruktonte me tendencë dhe një argument nga problematika e kulturologjisë shqiptare. Konkretisht, këtu ai sjell në vëmendje pikëpamjen e teoricienëve të linguistikës se gjuhët janë struktura unikale e misterioze dhe se në çdo stad të tyre, edhe në ato më të hershme e me volume inferiore strukturore e leksikore, ato gjuhë mund të ngjizin me magmën e tyre shprehëse kryevepra letrare. As më shumë e as më pak, kjo ishte mbështetje teorike, apo një program letrar nxitës – për të marrë guximin, siç e mori vetë De Rada e të tjerë autorë arbëreshë, për të bërë letërsi të madhe edhe nën hijen e një dialekti relativisht të kufizuar e arkaik, siç ishte ai arbëresh. Përmes kësaj letërsie, në fakt u mbajt gjallë kjo gjuhë e rrezikuar për shuarje nga rrethanat historike, duke u bërë kështu krijesa e saj (letërsia) – edhe një rojtare e sigurt e kësaj vijimësie gjuhësore.
Plot 50 vjet më parë, në 1963-shin, kur ishte vetëm 27 vjeç     I. Kadare botonte në gazetën “Drita” shkrimin: Duke lexuar Milosaon. Marrë shkas nga 150-vjetori i lindjes së De Radës, shkrimtari i ri gjente rastin të shprehte disa pikëpamje që jo vetëm dëshmonin vlerësim të lartë për këtë ikonë të traditës, por mbi të gjitha, ajo që ka më shumë rëndësi, është se ato përcillnin apele të forta për aktualitetet letrare në Shqipërinë e saj kohe, madje që trondisnin nga ato tema e skema që konsideroheshin tabu. Ajo që vlerësohej guximshëm te ky autor (De Rada) ishin pikërisht dimensionet e munguara apo të ndaluara në kontekstin e socrealizmit në Shqipëri, madje pikërisht në kohën kur doktrina e realizmit socialist ishte në stadin e vet më të rehatuar. 
Konkretisht, në këtë shkrim, Kadareja e çmonte De Radën dhe vinte theksin në vlerësimin e tij si novatori i madh i letërsisë shqipe, kur asokohe autorë si ai mjaftohej të konsideroheshin kryesisht si kontribuues brenda arealit të traditës dhe sa për novatorizëm, ai nuk mbetej veçse monopol i socrealizmit(!) Më tej akoma, në atë shkrim vlerësohej lart fryma universale e kësaj vepre, kur kritika zyrtare trumbetonte për vlerë-frymën dhe dekorin nacional e lokal të letërsisë. Sipas gjykimit të Kadaresë, në këtë vepër të poetit arbëresh vërehet një koncizitet që arrin deri në virtuozitet dhe madje ai vlerësohet si pararendësi i parimit të ajsbergut, i cili shfaqet vite më pas në letërsinë europiane. Dhe ky tipar vihej në dukje pikërisht kur letërsisë shqipe të kohës i imponohej dhe i vlerësohej qartësia e thjeshtësia maksimale e ligjërimit. Ajo që te De Rada është quajtur “errësim” me dashje nga disa studiues, është forca e tij e madhe sintetizuese. Poeti ka lënë në vargjet e tij vetëm muskuj, duke hedhur çdo gjë të tepërt…, shkruan autori i këtij shkrimi dhe jo vetëm implikohet i pari në përcaktimin e llojit zhanror të kësaj poeme, duke e quajtur atë të parin roman lirik në vargje në letërsinë shqipe, por dhe bashkëkohëse të denjë me vepra të Bajronit, Pushkinit, Lamartinit. Duke pohuar se kjo vepër hyri në pallatin e poezisë si një vajzë e bukur dhe e freskët, por mjerisht e belbër dhe nga një vend i humbur, shkrimtari i ri shtronte indirekt kërkesën për t`i dhënë zë letërsisë shqipe në kontakt me publikun botëror dhe kjo mund të bëhej përmes veprave të verifikuara si vlerë nga lexuesi dhe jo atyre të rekomanduara nga institucionet zyrtare. Duke e çmuar këtë vepër që vinte nga bota arbëreshe e përtejdetit, si një trajtë mirëfilli artistike, Kadare e konsideronte atë edhe si urë të mbarë komunikimi mes kësaj ane, d.m.th. letërsisë shqipe – dhe metropolit perëndimor kulturor e letrar. Pra, këtu ai takohej (si mes të mëdhenjve) me tezën që kishte hedhur vite më parë Çabej se letërsia arbëreshe ishte lëndë ballkanike (shqiptare) e derdhur në formë romane, pra, një letërsi që stilistikisht e kishte kapërcyer periferinë dhe mbetej e hapur dhe e ballafaquar me artin europian.
Ky shkrim-manifest, me tërë spektrin e ideve qarkulluese në të, ishte atakues me atë arsenal sofizmash që përmbante programi zyrtar i kohës për letërsinë, që tek e fundit e limitonte rolin dhe misionin e saj brenda domeneve të propagandës. Duke shqyrtuar veprën “Këngë të Milosaos”, si poema për dashurinë dhe lumturinë, për iluzionet dhe humbjet, për dritat dhe hijet, për riprodhimin njerëzor, për vazhdimësinë e jetës, Kadareja i kujtonte lexuesit dhe opinionit imperativin për të mbrojtur statusin natyral të letërsisë. Pra, përcillej kërkesa që letërsia s’duhet t’i braktiste apo t’i dobësonte strukturat e saj artistike, që në fakt ishin aq të rrezikuara në rrethanat e asaj kohe. Këto vizione emancipuese dhe refuzuese ndaj deformacionit dhe stanjacionit estetik, nuk mbetën brenda kornizave të një shkrimi në trajtë projekti letrar, por edhe u realizuan, u ngjizën në veprën e Kadaresë, në një vepër polifonike dhe me një ligjërim tejet elegant.
Ai shkrim i para 50 viteve (1963), edhe pse nuk vërehet të jetë përmendur si referencë (thua sikur të mos ekzistonte ndonjëherë), mbetet një shenjë e fortë në rrugën e letërsisë shqipe të pasluftës. Temat (çështjet) e nxehta që ishin artikuluar në të, ishin sirena që grishnin krijuesit për ta mbajtur letërsinë në limanin (territorin) e saj autentik.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…