Skip to main content

Tetova News

Petrit Murzaku, një jetë në fushat sportive

(Mbresa rreth librit “Petrit Murzaku-krenaria e sportit shqiptar”, të shkrimtarit dhe publicistit, Servet Tartari)
Nga Skifter Këlliçi

Jo rrallë në një kafe, të quajtur “Panera”, në Kuinci, qytet shume afër Bostonit, ku jetoj prej afro 14 vitesh, mblidhen shqiptarë. Bisedojnë për të rejat që marrin vesh nga Shqipëria, për familjarët dhe hallet e tyre në Shqipërinë që presin ta shohin sa më mirë…Bisedojnë edhe për sportin. Ta pret mendja, së pari për futbollin, por edhe për sporte të tjera, midis të cilave edhe për volejbollin, veçanërisht për “Dinamon” e meshkujve të Vangjel Kojës dhe të femrave të Kreshnik Tartarit, si dhe të “Skënderbeut” të Korçës, të Pandi Gellçit. Dhe nuk harrojnë të kujtojnë Petrit Murzakun, që mund të quhet babai i volejbollit shqiptar. Shkas për ta rikujtuar u bë këtë ditë edhe botimi i para disa viteve i librit “Petrit Murzaku-krenaria e sportit shqiptar”, shkruar nga shkrimtari publicisti Servet Tartari.
Duke lexuar këtë libër edhe unë jam nxitur dhe u kam rrëfyer bashkatdhetarëve të mi pjesëza të tjera nga jeta e Petrit Murzakut, ashtu siç e kam njohur, të cilat së bashku me përshtypjet e mia për këtë libër, po ua përcjell edhe lexuesve.
Vështirë të gjesh njerëz që, sado që nuk janë marrë më sport, ose nuk kanë shkuar në fushat e volejbollit, basketbollit, futbollit dhe atletikës së lehtë, prapë se prapë të mos njohin, të mos kenë parë, ose dëgjuar emrin e Petrit Murzakut që ka lënë gjurma në këto fusha prej viti 1948 deri më 1964, pra për 16 vjet, për ta vazhduar pastaj jetën sportive në kah tjetër , si trajner dhe specialist dhe drejtues i përgatitjes fizike në shkolla të specializuara ushtarake, deri më 1987, kur doli në pension, në moshën 55 vjeç. Pra për 49 vjet!. Dhe jo vetëm kaq: por të ketë fituar 9 herë kampionatin kombëtar të volejbollit, 4 herë kampionatin kombëtar të basketbolli, 3 herë kampionatin kombëtar të futbollit, të jetë 9 herë kampion në hedhjen e shtizës, në të gjitha pjesëtar i “Partizanit” që më 1952, të ketë zhvilluar 110 ndeshje ndërkombëtare në volejboll dhe basketboll dhe të ketë fituar 57 prej tyre, pa përmendur fitoret në kupat e republikës, pra të ketë fituar shumë e shumë medalje kampioni, a për merita të tjera, siç dëshmon edhe fotoja e mbulesës së librit që publikohet në këtë shkrim, (të dhëna që duhet të përfshiheshin në këtë libër. )
Sidoqoftë, është pa dyshim për t’u çmuar nisma e shkrimtarit dhe publicistit, Servet Tartari që mori guximin të shkruante një libër jetëshkrimor për këtë gjigant të sportit tonë, emri i të cilit, duke marrë parasysh se është aktivizuar tejsukseshëm në sportet që përmenda më sipër, meriton të futet edhe sot në librin e rekordeve ndërkombëtare “Gines”. Madje, ky libër duhej të shkruhej më parë, para së gjithash nga miq të tij të afërm, disa prej të cilëve u “shket edhe pena” dhe e kanë provuar këtë me libra të botuar vite më parë. Po ta kishin bërë këtë, libri në fjalë do t’i kishte bërë edhe më të njohur në fushën e krijimtarisë publicistiko-sportive.
“Por më mirë vonë se sa kurrë”, siç thotë një fjalë e kahershme popullore. Dhe kësisoj, ky fat takoi Servet Tartarit i cili, megjithë vështirësitë që paraqiste kjo sipërmarrje, megjithë shumanshmërinë e veprimtarisë sportive të personazhit që kishte marrë përsipër të gdhendte, i doli mbanë të shkruajë një vepër, madje bukur fort.
Kështu, pra duke lexuar libër, përjetova ato që theksova në hyrje të këtij shkrimi- ngjarje që më lidhin edhe mua, ndonëse jo shumë, me Petrit Murzakun. Bile edhe më tutje, që shkojnë deri në vitet e fëmijërisë sime.
Ashtu si Petriti që ka filluar të luajë futboll me fëmijët e mëhallës së tij në Elbasan, me topa lecke, edhe me mua kështu ka ndodhur, më 1944 kur isha 6 vjeç, gjashtë vjeç më i vogël se ai. Por, nga sa lexoj në këtë libër, edhe ia kam… kaluar, sepse, para se t’i bija topit me këmbë, e kam goditur me… dorë, aty nga fundi i vitit 1943. Dhe kjo, ngaqë të rinjtë e Debatikut, të kësaj organizate antifashiste të rrugës që pas Luftës së Dytë Botërore u quajt “Siri Kodra”, na mësuan një lojë më të thjeshtë, ku mund të luanin edhe gocat: ta kalonim topin e leckës mbi një litar, a spango të trashë, të lidhur në gozhda të ngulura në muret e kësaj rrugice, por pa e lënë të binte në tokë, të cilën ata na thanë se quhej “voliboll”.
E, pra në këtë pikë më duket se… i kam “kaluar” Petritit…
Mirëpo, vite më pas, ndonëse në shkollën 8-vjeçare, luajta volejboll në Shtëpinë e Pionierit dhe më pas me skuadrën e gjimnazit “Qemal Stafa” dhe në vitet 1955-57 të Institutit Pedagogjik 4-vjeçar, ku isha pasues i Vasil Bingës, që, kur kryente në fund të viteve ’50-të ushtrinë, arriti të bëhej pjesëtar i “Partizanit” të famshëm, shumëherë kampion, dhe i ekipit kombëtar, përkrah vetë Petrit Murzakut, Masar dhe Ahmet Agës, Tod Koçit, Xhoxhi dhe Andon Konës, Fatmir Mekës, Vangjel Kojës, Napolon Llallës, pastaj edhe kur luajta me ekipin e rinjve të “Tiranës”, kampion kombëtar në basketboll më 1955, kurrë nuk arrita atë shkallë që të më quanin të mirë, pale shumë të mirë, siç quhej ai dhe më pas bashkëmoshatari im, Renato Radoja, që erdhi në Tiranë më 1957 për të ndjekur IKF “Vojo Kushi”dhe për të lënë në basketboll, po të mos gaboj, po atë emër që kishte krijuar Petrit Murzaku….
Dikush nga ata që po lexon këto radhë, mund të thotë:”Po dale, mor zotëri, ti po shkruan për librin që i kushtohet Petrit Murzakut, apo për veten tënde në fushën e sportit, ku pohon me gojën plot se ke qenë vetëm një farë soj!” I jap të drejtë atij dhe kujtdo që gjykon kështu. Por këto mbresa më lindën ndërsa po lexoja këtë libër. Si pasojë, kur autori, Servet Tartari, ndalet në këtë ose atë ngjarje të Petrit Murzakut, kujtoj edhe unë ato ngjarje të miat që lidhen me të. Kështu, p.sh, pasi na rrëfen për fëmijërinë e tij, për çastet kur, po të mos kishin qenë gratë dhe prifti i mëhallës, gjermanët që e mbanin lidhur pas një peme, edhe mund ta kishin vrarë, sepse kuptuan që ai ndihmonte lëvizjen antifashiste, pasi përshkruan jetën e tij në Shkollën “Skënderbej”, pastaj vitet e studimit në Lenigrad, ku filloi të ushtronte disa lloje sporti, autori ndalet në vitin1952, kur Petrit Murzaku u kthye në Tiranë dhe filloi të luante, së pari volejboll në Parkun Sportiv “Rinia”.
Atëbotë edhe unë meqë, siç përmenda më sipër, luaja volejboll dhe basketboll, mbeta i mahnitur dhe bashkë më mua edhe volejbollistë të tillë, si Vangjel Koja me shokë, kur pamë sesi e kryente shërbimin një djalosh shpatullgjerë dhe, truplidhur, me shtat jo shumë të lartë, por me kërcyeshmëri të madhe, ushtarak, që quhej Petrit Murzaku, ose shkurt Petja: ndryshe nga volejbollistët tanë që e kryenin shërbimin me goditjen e topit nga poshtë, ai e hidhte topin lart në ajër dhe e godiste si në tenis.
Ky element, krejt i panjohur deri atëherë, u fut menjëherë në volejbollin tonë dhe shërbeu shumë për rritjen e cilësisë sportive, ashtu si edhe elementë të tjerë që solli Petrit Murzaku, i cili, siç mësuam më pas, kishte qenë volejbollist i njohur edhe në skuadrat e Leningradit, të fillimit të viteve 50-të.
Hopi cilësor i volejbollit, siç shkruhet edhe në librin e Servet Tartarit, kushtuar Petrit Murzakut, u pa sidomos në takimet me përfaqësuesen rumune, më 1954, të parat në historinë volejbollit tonë. Ndonëse 16 vjeç e pak muaj, kam shkruar në gazetën ”Sporti Popullor”, ku nisa të aktivizohesha rregullisht, një skicë humoristike me titull “Si do të dalim me rumunët?”, që u botua me pseudonimin “Tifozi”.
Ky hop cilësor u pa sidomos në ndeshjet e kampionatit evropian të këtij sporti, të zhvilluar në Bukuresht, në verë të vitit 1955, ku ekipi ynë, i përbërë nga Petrit Murzaku, Vangjel Koja, Napolon Lalla, Fatmir Meka, Shefqet Kau, Qemal Gjjinali, Egon Gjadri, Ahmet Aga, Andrea Gjika, Andon Kona, Ymer Dogani, Jorgji Kona, me trajner Enver Macin, zuri vendin e nëntë, midis 15 ekipesh, duke lënë pas skuadra të tilla si Holanda, Belgjika Finlanda, Austria, Egjipti etj.
Mund të kishim lënë pas edhe Italinë, (vitet e fundit disa here kampione evropiane dhe botërore), por gjatë takimit me të, që përfundoi 3-2 për italianët, gjyqtari kryesor rumun, mbajti kaq shumë anën e tyre, sa Petrit Murzaku, kapiten i skuadrës, i cili disa herë i kishte tërhequr vëmendjen atij për këtë qëndrim, nuk u përmbajt, iu afrua kullës ku ndodhej ai dhe e tundi …rast i paparë në një takim ndërkombëtar. Por, ama, veç shikuesve në stadium, edhe gazetat rumune vunë në dukje vendimet e padrejta të gjyqtarit të tyre në këtë ndeshje.
Veçse Servet Tartarit i ka shpëtuar nga vëmendja një artikull, botuar në dy numra te “Sporti i Popullor”, shkruar nga Petrit Murzaku, në të cilin ai i bënte një analizë shumë profesionale pjesëmarrjes së përfaqësueses sonë në këtë kampionat, e para e kësaj natyre në shtypin tonë.
Siç përmenda më sipër, Petrit Murzaku, luante basketboll po aq mirë sa edhe volejboll. Por luante gjithashtu edhe futboll, në krah të djathë të Loro Boriçit, ylli i futbollit të “Partizanit” dhe të përfaqësueses, i cili e çmonte gjithnjë atë.
Por Petja, shquhej edhe në hedhjen e shtizës… Në verë të vitit 1957, kur “Partizani” po zhvillonte një ndeshje të rëndësishme të kampionatit kombëtar të volejbollit në Stadiumin e Lojërave në Dorë “Studenti”, në rrugën e Elbasanit, ku ndodhesha edhe unë, djalosh 19-vjeçar, në të njëjtën kohë, në Stadiumin ”Qemal Stafa” zhvillohej edhe kampionati kombëtar i atletikës. Një copë herë Petja doli me ngut nga fusha dhe nuk po kthehej. U habita. Por kur pas nja 15-20 minutash u fut në fushë, në stadium shpërthyen duartrokitje e brohoritje që i drejtoheshin atij.
Ç’kishte ndodhur? Atë e kishin marrë me tricikël, e kishin nisur drejt e në “Qemal Stafa”, ku kishte garuar në hedhjen e shtizës dhe kishte thyer… rekordin kombëtar!… Dhe ja tani kthehej përsëri me tricikël në ndeshje!… Dhe i jepte me shokë fitoren “Partizanit”!
“Veni, vidi, vici!…”, (“Erdha, pashë, fitova”), -ka thënë CCezari, perandori i Romës, kur, me të arritur në Afrikë , theu ushtritë egjiptiane. Po kështu edhe Petja. Një rast vërtet i rrallë edhe në historinë e sportit botëror!
Këto episode interesante gjen në librin “Petrit Murzaku’-krenaria e sportit shqiptar”. Por më vjen keq që Servet Tartarit i ka shpëtuar një episod tjetër, sa i bukur, aq edhe humoristik, të cilën po e rrëfej unë:
Në dhjetor të viti 1962 në finalen e Kupës së Republikës në volejboll, ”Partizani” i Petrit Murzakut, Masar Agës, Xhoxhi Konëns me shokë, ndeshej me “Dinamo”, pak të njohur, të Vangjel Kojës, Kreshnik Tartarit, Zhani Toptanit…, të cilin diktatura komuniste më pas, për arsye biografie, aq mizorisht do ta largonte nga sporti dhe askush nuk dyshonte që “Partizani” do të fitonte. As unë që zakonisht duhej të ndodhesha të këtë stadium, për të bërë një kronikë radiofonike. Por nuk i vura rëndësi, edhe pse m’u desh të punoja në zyrën time në Radio Tirana.
Sidoqoftë, në mbrëmje mora në telefon Stadiumin e Lojërave në Dorë “Studenti” dhe pyeta si kishte përfunduar ndeshja. M’u duk se më shpjeguan 3-2 për “Partizanin”. Nuk e vija në dyshim këtë rezultat. Sajova kështu fët e fët një lajm që transmetua në lajmet e orës 20.00 të Radio Tiranës.
Në atë orë ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, ishte ndodhur në klub së bashku me kalecë të tjerë, dhe kur kishte dëgjuar këtë lajm, ishte skandalizuar e nga klubi kishte marrë në telefon drejtpërdrejt Thanas Nanon, drejtor i përgjithshëm i Radios. Dhe kjo, sepse nuk kishte fituar “Partizani”, por “Dinamo”. Shpëtova mirë vetëm me një vërejtje…
Sidoqoftë, pas kësaj të papriture, ishte “Dinamo” e Vangjel Kojës zëri i së cilës nisi të dëgjohej në korin e volejbollit tonë.
Megjithatë, turneu i volejbollit i ushtrive mike më 1963, që filloi në atë stadium të lojërave, në rrugën e Elbasanit, për të vazhduar dhe përfunduar në pallatin e porsa përuruar të sportit, që u quajt me emrin ”Partizani”, (sot “Asllan Rusi”) dhe ku morën pjese vetëm skuadrat ushtarake të Rumanisë, Kinës dhe Koresë së Veriut, sepse pas vitit 1961, siç dihet, marrëdhënie tona me vendet socialiste të Evropës ishin ndërprerë, u bë edhe një herë arenë ku Petja tregoi se ishte përsëri Petrit Murzaku. E dëshmoi edhe në kampionatet e viteve në vazhdim, në takime me “Dinamon”, ose “17 Nëntorin”, ”Vllazninë” etj. , për të cilat na Pallatin e Sportit “Partizani” kam pasë përgatitur sa e sa radiokronika, derisa më 1964 ai u shkëput nga fushat e volejbollit, por jo nga kujtesa e sportdashësve që e kishin ndjekur për vite me radhë.
Ishte koha kur Petrit Murzaku, për të thelluar dhe më shumë dijet e tij profesionale, përfundoi pa shkëputje nga puna studimet në IKFF “Vojo Kushi” dhe drejtoi pastaj katedrën e Kulturës Fizike në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve…
“Prova më vështirë e jetës”, titullohet një nga kapitujt më të gjatë dhe më emocionues të librit . Dhe me të drejtë, sepse aty përshkruhet një ngjarje shumë tronditëse, me pasoja tragjike. Kjo ndodhi në një ditë të ashpër dimri të shkurtit të vitit 1981. Gjatë një stërvitjeje ushtarake në Feken, pas malit të Dajtit, njëshkolona e studentëve, gati 200 metra e gjatë, që po kryente një marshim stërvitor, u godit befasisht nga një ortek i shkëputur nga majat e maleve, që e ndau atë në dy pjesë dhe përpiu shumë prej tyre. Ndër ta edhe Petrit Murzakun.
Ai, siç përshkruhet në libër, falë përgatitjes së lartë fizike, arriti të shpëtonte nga kthetrat e vdekjes dhe u përpoq të shpëtonte pastaj me sa mundësi që kishte, disa nga ata që kishin qenë rreth tij. Edhe sot Petja nuk e harron kurrë këtë tragjedi në të cilën vdekja rrëmbeu 9 studentë dhe dy pedagogë…
Libri përfton interes edhe më të madh nga vlerësimet që i bëjnë figurës së Petrit Murzakut edhe kolegë të tij, specialistë të volejbollit dhe sporteve të tjera, gazetarë, publicistë, që kanë shkruar për të në shtypin tonë.
Mund të ndalesha më gjatë në vlerat e librit “Petrti Murzaku-krenaria e sportit shqiptar”, të Servet Tartarit, (në fund të të cilit ai do të kishte bërë mirë që të kishte shtuar një nënkapitull, ku kronologjisht të vendoste datat më të rëndësishme të jetës, sidomos ato sportive, të Murzakut), por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Këto që hodha në letër, janë më shumë mbresa që më lindën nga leximi i këtij libri tij dhe që më ripërtërinë edhe në kujtesë disa grimca ngjarjesh që më kanë lidhur sado pak me Petjan…
EPILOG
Shumë e shumë vjet më parë…më 7 mars të vitit 1999. Së bashku me dy legjendat e tjera të volejbollit, me Vangjel Kojën dhe Kreshnik Tartarin, si gazetar dhe shkrimtar sportiv, së bashku me ta edhe unë jam i ftuar për drekë nga Petrit Murzaku. E quaj nder të madh. Aq me tepër që ma bën këtë ftesë, edhe sepse pas tri ditësh do të nisem për në Amerikë.
Bisedojmë së pari për familjarët e tij, për të shoqen, Kleopatrën, që nuk i është ndarë atij asnjë çast. Bisedojmë për të ëmën, Sotirën që ka ndërruar jetë disa vjet më parë dhe që, veç Petritit, ka rritur me aq sakrifica fëmijët e tjerë të saj, Thomain, profesor i njohur i historisë së Mesjetës, por edhe volejbollist i njohur në mesin e viteve 60-të, para se të shkonte me studime në Bullgari. Pastaj bisedojmë për motrat e Petritit , Veronikën, alpiniste dhe Dhuratën, vojebolliste në vitet ‘60-të, për të bijat e Petritit, edhe ato volejbolliste, sidomos Ingridin, e cila për 25 vjet është shquar në kampionatet tona dhe greke, veçanërisht në volejbollin e plazhit, për ta mbyllur jetën sportive përsëri në Shqipëri. (Edhe për këto hollësi familjare shkruhet në librin e S. Tartarit. )
Duke ngrënë mishra të përgatitura për merak, ashtu siç di Petja dhe duke pirë raki, së cilës nuk ia them… fare, kthehem përsëri në temën tonë më të parapëlqyer, vollejbollin.
Thuajse 14 vjet pas këtij takimi mendoj se ka ardhur koha që të shkruhet dhe botohet një libër tjetër, si vazhdim i librit “Petrit Murzaku-krenaria sportit shqiptar”. Dhe ky libër duhet t’u kushtohet dy figurave të tjera të mëdha të volejbollit tonë, Vangjel Kojës dhe nxënësit e pastaj kolegut të tij si trajner Kreshnik Tartarit dhe skuadrave të tyre që bënë histori në sportin tonë.
Qenë pikërisht këta të dy vazhduan traditën e mësuesit të tyre, Petrit Murzaku, ata që me Dinamot e tyre, meshkuj dhe femra, qysh nga viti 1966 e deri më 1991 e shpunë vojebollin tonë në nivele shumë të larta ndërkombëtare, deri në finalet e kupave të Evropës, suksese që nuk i ka arritur deri tani asnjë skuadër klubi në sporte të tjera.

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…