Skip to main content

Tetova News

POEZI, ME NDJENJA KOMBËTARE SHQIPTARE (Drita Nikoliqi-Binaj: Përuron vëllimin “Si ta pagëzoj heshtjen”)

 Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë


Nga e majta: Drita, Murati e Shefqetja (Tiranë, 14 dhjetor 2013)

                              “Jemi të lumtur vetëm në lartësi,/ sepse atje për fundërrina
                 konak nuk ka./ Unë jam stuhi ,/ erë e fuqishme ,/ për të gjitha ulësitë!...”

1.
Muaj më parë, kolegu e miku im, nga qyteti i Pejës (Kosovë), poeti Agim Desku, dërgoi një mesazh përmes Internetit. Në të, njoftonte se kishte dalë nga shtypi libri me poezi i Drita Nikoliqit-Binaj, “Si ta pagëzoj heshtjen”. Bile, këtë botim të ri e  dërgoi dhe me e-mail. Sigurisht, kjo ishte një ngjarje e gëzuar për autoren, por dhe për familjarë, miq  e kolegë të saj. Prandaj u interesova të mësoja diçka më shumë për të, gjë që ma mundësoi jetëshkrimi i saj, në botimin në fjalë, por dhe Facebook-u.
Drita rrjedh nga dy familje atdhetare: është nga qyteti i Gjakovës dhe nënën e ka nga Shkodra. Jeta e solli që të jetojë familjarisht, në Novi Sad të Vojvodinës. Megjithëse në një mjedis të huaj, mendjen dhe zemrën gjithnjë i mban të pashkëputura nga vendlindja, në Kosovë e Shqipëri dhe trojet tjera të stërlashta amtare. Këtë gjë, ajo e ka pasqyruar më së miri në krijimet e saj, të cilat mund të gjinden edhe në faqet e Internetit. Ndërsa poezitë më të zgjedhura i tuboi në vëllimin, “Si ta pagëzoj heshtjen”.
Dhe ja, përsëri një njoftim tjetër i këtyre ditëve, nga poetet   Genta Kaloçi      (Tiranë) dhe  Shefqete Gosalci (Prishtinë). Meqenëse ishte planifikuar përurimi i këtij libri edhe në kryeqytetin Tiranë, me dashamirësi, këtë lajm ua bëra të ditur disa shkrimtarëve e poetëve, si dhe personave të tjerë të interesuar.


Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…

2.
Përurimi i këtij vëllimi me poezi u organizua në sallën kryesore të Ministrisë së Kulturës. Kishin ardhur mjaft të ftuar, nga Shqipëria e Kosova, krijues të fushave të ndryshme, punonjës të artit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.
Modeatore e veprimtarisë ishte Marjola Kaloçi. I pari foli Stavri Trako, i cili e analizoi këtë botim të parë të Drita Nikoliqit-Binaj.  Poezitë, që ai përmban, pasqyrojnë përjetime të autores,  plot dashuri e dhimbje njerëzore, ëndrra të parealizuara etj. Por ato, gjithashtu, përshkohen  me ndjenja të larta atdhetare, kombëtare shqiptare.
“Drita për dritën”, kështu e nisi diskutimin e saj, poetja nga Prishtina, Shefqete Gosalci, anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Autorja në fjalëe ka vite të tëra, që shkruan e shkruan poezi të frymëzuara për vendlindjen, për Kosovën e Shqipërinë. Ndërsa vetëm tani, ajo i gëzohet vëllimit të parë të saj. Poezitë aty janë të mbushura plot me atdhedashuri, nderim e mall të pashuar për vëllezërit e motrat shqiptare, kudo që ndoshen. Me zërin e një poeteje dhe veprimtareje të papërtuar, nga Novi Sadi, ajo shpërndan “dritë” nëpër trojet tona shqiptare.
Me interes u ndoqën nga të pranishmit diskutimi i frymëzuar i  shkrimtarit e  poetit Namik Selmani dhe përshëndetja e  Besim Ndregjonit, mik i autores. Ndërsa u duartrokitën nxehtësisht recitimet e Margarita Xhepës-“Artiste e Popullit” dhe kënga “Thërret Prizreni: Mori Shkodër”, nga Sh.Gosalci.


Ballinat e librit të ri…
3.
Dëshiroj të shënoj  këtu pak radhë të redaktorit të këtij libri, Agim Desku. Ndër të tjera, ai nënvizon: Kur i lexon vargjet e përmbledhjes poetike, “Si ta pagëzoj heshtjen”, natyrshëm ndjen tek vlojnë brenda tyre vlerësimet krijuese për peshen e fjalës së thjeshtë, në dukje, por me figuracion të pasur dhe të dëshiruar…Aty janë ndjeshmëritë poetike, forca dhe karakteri i saj, zemra e mbushur me guxim, dritë dhe besim në vetëvete… Përmes vargut të saj, ajo sikur të merr miqësisht përdore dhe të fton në kopshtin e saj poetik, duke zbuluar para teje përftytyrime dhe ndjenja të bukura të shpirtit të pastër fisnik....Të tri ciklet e këtij vëllimi shquhen për formësimin poetik dhe lirikat e bukura,  duke dëshmuar krenarinë e dashurinë për Kombin tonë dhe mëllefet e forta sociale të autores”.
Në mbyllje, po citojmë edhe vargje domethënëse, nga dy poezi të këtij vëllimi: “Jemi të lumtur vetëm në lartësi,/ sepse atje për fundërrina konak nuk ka./ Unë jam stuhi ,/ erë e fuqishme,/ për të gjitha ulësitë!...”.Ndërsa te poezia “Unë jam dritë”: “Diçka e pangopur/ është në fund të shpirtit tim/ dhe do flas…/Etje e fuqishme për.../është mbledhur në mua/ dhe po flet me gjuhën e vet…”.
…Pasi morën dhuratë-libra, me shënimin e autores Drita Nikoliqi-Binaj, pjesëmarrësit në këtë veprimtari të bukur përuruese bënë fotografi dhe i kaluan disa çaste së bashku, në koktejin e shtruar, me këtë rast.

Tiranë, 14 dhjetor 2013


Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…