Skip to main content

Tetova News

Poshtë letërsia!

(Ri)Lexime
GAZMEND KRASNIQI 

Kisha informacion (pikërisht nga njeriu që sugjeroi përkthimin), se në Panairin e fundit të Librit do të dilte edhe libri që gati ia mori Selman Ruzhdisë çmimin Booker. Nuk ia doli ta merrte, sepse u përfol si plagjiaturë e një shkrimtari rus, të dëbuar në Londër nga shteti sovjetik (do të dilte më vonë se atje veproi si agjent i vendit amë).
Në fakt, për disa të tjerë, edhe pa çmim, ky libër shihej si ngjarje letrare e postmodernizmit.
Siç e prisja, ky libër nuk do të përbënte asnjë ngjarje për panairin tonë, sepse gjëra të tilla nuk janë në karakterin e tij.
Zhvillimin e vërtetë të panairit ma shprehte ky dialog, që ma zuri veshi rastësisht:
- Dëgjova se po ankohen që numri i titujve është shumë më i vogël se vjet. Unë mendoj se kjo është gjë e mirë, pasi mendoj se kështu janë seleksionuar vlerat.
- Po sikur të mos jenë seleksionuar vlerat, e të ketë ndodhur e kundërta?!
Pra, nga mënyra se si po diskutohej, të krijohej përshtypja se botuesit shqiptarë po presin që të vijë dora e padukshme adamsmithjane (si në të gjitha fushat e jetës sonë) që të vendosë rregull, me logjikën e saj të prerë të ekonomisë së tregut. Lind pyetja: në këtë kohë krize, pasi konsumatori shqiptar blen pesë libra të reklamuar vulgarisht nga media, pra që e ka kryer detyrimin e vet ndaj trendit, siç po kuptohet sot, a ka para për të blerë edhe ndonjë tjetër, nga ato me vlerë tashmë, për të cilët mundohet ta bindë ndonjë i fandaksur?
Për Panairin i Librit ka shumë gjëra për t’u thënë (për shembull, pse nuk ka një tjetër për librin shkollor, e mbështetur nga një shoqatë dhe ministri tjetër), por për t’u shpëtuar telasheve, m’u kujtua se dikush i këshillon kritikët që të mos merren me gjërat pa vlerë, se të prishin karakterin. Madje, as me ato me vlerë, se do të çudisësh dynjanë. Për të qenë sadopak komod, ka një hapësirë të vogël për të shpëtuar nga konfliktet e interesit: merru me vlera të pabotuara.
Këshillë për t’u lavdëruar.
Nga Panairi i fundit i Librit mbaj mend se interesimi për librin “Sfidat e krijimit”, për të cilin as që kisha dëgjuar më parë, më njohu me përkthyesin e tij. Ky kishte gjetur një mënyrë për të thënë se është marrë gjatë dhe ka bërë gati për botim, nga pjesa më e mirë e letërsisë latino-amerikane, për të cilën lexuesi shqiptar ka disa ide e njohje të pjesshme. Në këtë libër përkthyesi ka vënë disa ese të autorëve dhe disa shkrime të kritikëve apo studiuesve për ta, duke krijuar një si punë guide.
Libri nuk gjendet lehtë, sepse përkthyesi ka bashkëpunuar me një shtypshkronjë, me qëllim që t’u bëjë me dije botuesve ca gjëra për një letërsi me emër shumë të mirë. Kjo përpjekje na kujton letërsinë si sistem që krijon vetveten, para të cilit ne njerëzit kemi forcën vetëm ta shpejtojmë ose ta vonojmë. Lind pyetja: jemi më të fituar duke e shtyrë, apo duke e vonuar? Sa libra jemi gati t’i hedhim nga bibliotekat tona dhe sa duam që për asnjë arsye të mos i nxjerrim prej aty?
Biem dakord të gjithë se kultura e librit në Shqipëri nuk ka një profil të dëshirueshëm. Shumë nobelistë nuk ecin as në shitje, as në të lexuar. (A duhet thënë se bëhen zgjedhje kuturu dhe të papërcjella mirë, sepse ato janë vlerësuar në një kontekst të caktuar?!). Tashti, pas disa vitesh përvojë me atë literaturë, përkthyesi Karabolli e di se çfarë do të thotë të lexosh Isabel Aljenden kur ke lexuar Gabriel Garcia Markezin. E di se për këtë rast Hemingueji do të na thoshte: sikur po pimë një birrë të holluar me ujë. Po çfarë i ka mbetur lexuesit shqiptar pasi ka shijuar Borges, Markes dhe Kortasar? Propozohen Karlos Fuentes, Roberto Bolanjo, Huan Rulfo etj.
Le të ndalojmë te ky i fundit. Për njohësit e paktë: autori i një romani dhe i një libri me tregime, për të cilin Gabriel Garcia Markes ka shkruar:
Huan Rulfoja e qortojnë shumë pse ka shkruar vetëm një roman. Gjithnjë e bezdisin, duke e pyetur kur do të na japë një libër tjetër. Ky është gabim. Për mua, tregimet e Rulfos, janë po aq të rëndësishme sa edhe romani i tij “Pedro Paramo”, i cili, e përsëris, është jo vetëm më i miri, më i madhi, më i rëndësishmi, por edhe më i bukuri i romaneve që janë shkruar ndonjëherë në gjuhën kastejano. Unë kurrë nuk e pyes një shkrimtar pse nuk shkruan më. Aq më tepër, në rastin e Rulfos jam shumë më i kujdesshëm. Sikur unë të kisha shkruar “Pedro Paramo”, nuk do të më ngelej asnjë merak dhe nuk do të shkruaja më në jetën time. (Përkthim i Bajram Karabollit)
Pas librit të tij të katërt, Markesi qe bllokuar si shkrimtar, por një mik i afërt (shkrimtari tjetër i njohur kolumbian, Alvaro Mutis) i rekomandon leximin e romanit të Rulfos. Këtu është zanafilla e një libri tjetër të madh, atij “Njëqind vjet vetmi”. Edhe një nobelist, njohës i mirë i Meksikës, si francezi Le Clezio, është shprehur për rëndësinë absolute të burimit Rulfo. Sipas kritikës, Pedro Páramo është një libër magjepsës, i hapur ndaj një larmie interpretimesh, ku çdo lexim ka shpërblimin e vet, por të gjithë përfundojnë duke plotësuar njëri-tjetrin. Më në fund aty është proza, një prozë e krijuar me mjetet e poezisë, bashkëngjitur procedurat e zakonshme bisedore; një prozë e pajisur dhe e stisur, në çdo moment, me një mjeshtëri të hollë imagjinate.
Një libër si ky, apo të tjerë si ky, do të na ndihmonte ne shqiptarëve për të gabuar më pak, duke na treguar se ka instrumente për të diskutuar realisht për sistemin letrar, duke i sjellë shërbime historianëve të letërsisë, botuesve dhe lexuesve, në pyetjen nëse duhen tituj pa fund, apo na duhet një profil kulturor i shëndoshë, i cili mund të vijë vetëm pas konfigurimit të tij prej kodi. Do të na kujtonte se Panairi kombëtar i Librit mbetet një kioskë fantazmagorike shitjesh, që për tre muaj rresht nxjerr nga loja gjithë sistemin e librarive në Shqipëri (nëse guxojmë të flasim për një sistem të tillë), ose normalitetin e zhvillimit të kësaj dukurie të çmuar të kulturës dhe jetës shpirtërore të shqiptarëve, i cili kërkon të na bindë se kemi qindra shkrimtarë më të çmuar se, bie fjala, Ismail Kadare (sipas logjikës: a mund të quhet shkrimtar një që nuk shitet fët e fët, me sy mbyllur?!), për të mos trazuar të vdekurit.
Një herë, një botues, i cili administronte dhe një librari modeste, më tregoi për një djalosh që i krijoi bezdisje, duke shqyrtuar me nge raftet me radhë librash. Po kur të nesërmen ky djalosh erdhi e bleu dy-tre libra, krijoi bindjen se kishte kapur mësimin nr. 1 të funksionimit të një librarie.
E nisi nga vënia e dy karrigeve.
Përmendja e karrigeve më kujton se panairi ynë e nisi heqjen prej hapësirave të veta të kafenesë ambulante që për çdo vit frekuentohej nga disa njerëz të lidhur me librin.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…