Skip to main content

Tetova News

Qerim Vrioni: 600 fakte që duhet të dini për fotografinë

Qerim Vrioni
Studiuesi boton fjalorin e parë fotografik në shqip.

“Arti” i retushimit në diktaturë, që nga ballkoni i Ismail Qemalit në 1913 te Dita e Çlirimit.


Gjithçka që lidhet me fotografinë, nga A-ja në Zh. Studiuesi Qerim Vrioni, pas botimit të dy librave kushtuar fotografisë, tanimë vjen me një fjalor, kushtuar këtij arti.  Terma, procese, aparatura, aktivitete, çmime, institucione… Një informacion që do t’i shërbente kujtdo që është i apasionuar pas fotografisë. Ajo çka e shtyu studiuesin në realizimin e këtij fjalori me rreth 600 zëra, ishte së pari mungesa e një botimi të tillë në gjuhën shqipe, por edhe dëshira për t’u dhënë të rinjve një doracak të nevojshëm gjatë punës së tyre. Siç thotë edhe vetë autori, nuk është thjesht një renditje alfabetike terminologjike, por ka edhe histori. Çdo zëri i bashkëngjitet edhe historiku shqiptar lidhur me të. Në fund të fjalorit gjendet edhe një kronologji e fotografisë, duke filluar prej vitit 500 para erës sonë, kur dijetari kinez Mo Ti futi konceptin e dhomës së errët, për të vijuar hap pas hapi me çdo ngjarje të madhe që ka shoqëruar fotografinë botërore dhe atë shqiptare. 

Pas librit mbi 150 vitet e historisë së fotografisë shqiptare, sillni një tjetër botim, edhe më ambicioz, siç është një fjalor. Cila ishte ngasja drejt kësaj ndërmarrjeje?
Kopertina e fjalorit














































Botimet shqiptare për fotografinë janë të varfra. Gjithsej janë 5-6 libra të tillë dhe të mendosh që është një aktivitet që zhvillohet prej 150 vitesh. Aq më tepër fjalorë për fotografinë nuk ka pasur në shqip. Në përgjithësi gjithë librat e këtij lloji kanë në fund një fjalorth. Kur botova librin e dytë, i shtova një të tillë. Por, në fakt, ishte një ngasje që më çoi të merresha seriozisht me këtë punë. Kam shfletuar shumë materiale, kam ndjekur çdo ngjarje në faqet e shtypit dhe sigurisht i jam referuar botimeve të huaja në këtë fushë. Fotografia shqiptare është një vlerë e jashtëzakonshme e kulturës sonë, por fatkeqësisht njihet pak ndërkombëtarisht. E njohur është vetëm fotografia e Kel Marubit e botuar në albumin “500 fotografitë më të mira në botë”. Por, në radhë të parë duhet të jemi ne vetë të ndërgjegjshëm për këtë vlerë.

Sa zëra ka ky fjalor dhe ç’përmban ai?

Fjalori ka rreth 600 zëra. Terma, gjini, drejtime artistike, procese teknologjike, konkurse, çmime, botime, aparatura, pajisje.. Ky fjalor nuk është vetëm terminologjik, por ka edhe shumë histori. Çdo proces teknologjik është i shoqëruar edhe me historinë kur lindi në botë dhe kur u aplikua për herë të parë në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme që konteksti të jetë shqiptar. U bënë 2-3 vjet që punoj për të. Ka qenë vazhdimisht në përpunim. Gjithnjë dilte diçka të re. Madje, para se ta çoja në shtypshkronjë gjeta një të dhënë që një revistë franceze fotografie ka qarkulluar në Shqipëri edhe në vitet ’30. 

Dashje pa dashje ju mund të keni bërë edhe një bilanc të këtyre 150 viteve histori fotografie, si ju rezulton ajo?

Shqiptarët e duan fotografinë, e kanë për zemër. Kanë humbur shumë fotografi shqiptare, por ende ka shumë të tjera me rëndësi të veçantë, që nuk u dihet vlera. Nëpër familje ka fotografi me vlera dokumentare, historike, artistike. Ndërkohë, brezi i ri merret seriozisht me të, ndjek zhvillimet më të fundit bashkëkohore, në teknologji apo drejtime artistike, ndërthurjen e fotografisë me artet e tjera, me pikturën, grafikën… Do të duhen disa vite që të dalin vlerat e vërteta të këtij brezi. Më parë, që të merrej në analizë një fotografi duhet të ishte realizuar në mënyrë shumë të pastër, ndërsa sot flitet për fotografinë konceptuale. 

Po ka edhe shumë fotoshop…

Edhe fotoshop-i përfshihet te proceset artistike, por fotoshop-i nuk pranohet mbi fotografinë dokumentare dhe historike, ndërsa në atë artistike është më se e lejueshme.

Në historinë e fotografisë shqiptare është i njohur sidomos retushimi…

Diktaturat e kanë pasur shumë për zemër retushimin. Kam parë fotografi në Gjermani të retushuara, ashtu si edhe fotografi të Stalinit. Për të mos folur në Shqipëri, ku retushime kemi që me fotografinë e përvjetorit të parë të Pavarësisë, ku Ismail Qemali paraqitet i vetëm. Në të vërtetë ajo që ne njohim, nuk është një fotografi e Shpalljes së Pavarësisë, por e 28 Nëntorit 1913, dhe Ismail Qemali është në ballkon me gjithë bashkëpunëtorët e tij. Ajo fotografi është realizuar në ndërtesën e qeverisë, ish-karantinë e Doganës së Vlorës, kurse flamuri është ngritur në Sarajet e Vlorajve, në qendër të qytetit. Më bëri përshtypje fotografia e vendosur në Kryeministri. Ajo është e realizuar nga fotografi Vani Burda, në shtator ose tetor të vitit 1912 në Bukuresht. E kam gjetur në arkiv autorësinë e tij. Është mirë që këtyre fotografive me vlera të mëdha historike t’u dihet autori. E retushuar është fotografia e 28 Nëntorit 1944, ku Enver Hoxha ka në krah të djathtë Koçi Xoxen… e shumë të tjera..

Sa e ka dëmtuar fotografinë 50 vjet diktaturë?

Grisjet, humbjet, shitjet në fabrikat e letrës, sollën shumë dëmtime… e megjithatë ka ende shumë fotografi që nuk ua dinë vlerën, ose nuk i publikojnë. Fotografia historike e dokumentare është dëmtuar rëndë, sidomos në periudhën e diktaturës, kur funksiononte një zyrë e posaçme që merrej me retushimin e fotografive. Sa herë që dënohej dikush, hiqej një kokë tjetër, spostoheshin njerëz… Por kjo bëhej mekanikisht, pasi nuk ekzistonte fotoshop-i atëherë. 

A do duhej që edhe shteti të jepte kontributin e vet në ruajtjen e trashëgimisë fotografike?

Ka shumë fotografë të panjohur nëpër qytete e vogla dhe kërkohet një punë shumë e madhe kërkimi, por të mos harrojmë dhe skepticizmin që ekziston nga ana e vet pronarëve të tyre, të cilët nuk janë bashkëpunues, qoftë edhe për efekte studimi. 


Fotoja nga Vani Burda
Fotografia e Ismail Qemalit, e vendosur në Kryeministri, mban autorësinë e fotografit korçar Vani Burda. Këtë fakt studiuesi Qerim Vrioni e ka gjetur gjatë shfletimit të librit “Kujtime nga lëvizja për çlirim kombëtar” i Petraq Pepos. Sipas tij, kjo fotografi mendohet të jetë realizuar në Bukuresht në shtator ose tetor të vitit 1912. “Në pjesën e poshtme të fotos me shkrim dore e germa të mëdha shkruhet ‘Ismail Qemal Vlora’ e më në cep, djathtas, ‘Foto V.Burda’”, thotë Vrioni, teksa shton se për fotografi të tilla, me vlera të mëdha historike, është mirë që të njihet autori i saj.


ALMA MILE
Panorama

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…