Skip to main content

Tetova News

TË INTERNUARIT - Romeo Çollaku


Errësirë. Përveç këngës së vjetër të krimbave nëpër trarët e çatisë, dy frymëmarrje të dëshpëruara këmbehen me njëra-tjetrën, rrallë, a thua kanë frikë se do t’i gjejnë fundin ajrit të dhomës. Ngaqë është tejet munduese të dëgjojnë zërat e tyre tek përplasen mbi muret dhe orenditë, asnjëri nuk guxon të thyejë heshtjen. Një erë lagështire plotëson edhe cilësinë më të tejme, që kjo dhomë të quhet pa ngurrim një qoshe e vërtetë mjerimi.
Dikur, Serafinit i kap syri një gacë cigareje, tek endet nëpër terr, sikur zhgarravit mbi të shpresat e tyre të venitura që ndizen vetëm për një grimë dhe prapë veniten, meken, shuhen.
«Vlash, zgjuar je?», pyet me një ndjenjë faji. Tjetri nuk përgjigjet, thith cigaren: ka frikë të dëgjojë zërin e tij; ka frikë mos zanoret përplasen nëpër xhama dhe bashkëtingëlloret bashkohen me këngën e vjetër të krimbave nëpër trarët e çatisë.
«Nganjëherë më dukesh si personazh dantesk», vazhdon Serafini, disi më i guximshëm: «Jo vetëm ty; edhe vetja shpesh më duket personazh dantesk».
«Personazh dantesk? Nuk e di ç’do të thonë këto fjalë. Unë jam i dënuar ordiner, jo politik. Nuk e di ç’do të thonë. Nuk dua ta mësoj», thotë Vlashi dhe, menjëherë, pendohet që foli; fik cigaren, kthehet nga ana e murit. Edhe Serafini, paçka se disi më i guximshëm si natyrë, vendos të heshtë, kryqëzon duart pas kokës dhe çon nëpër mend ëndrrën e një nate më parë. Kishte varur një litar në trarët e mbufatur. Serafini nuk ishte i rëndë; trarët do ta mbanin. Ideja e litarit dhe lakut e zaptonte, kur e kur, edhe në zhgjëndërr, ndaj, siç duket, i qe bërë mbrëmë në gjumë. Madje edhe një stol në dysheme; mezi kërciste poshtë këmbëve të tij. Nuk i duronte dot më vuajtjet; kishte pritur me vite. Nuk kishte liri për të. Kurrëkund nuk shihte dritë. Megjithatë, tek kalonte lakun rreth qafës, dora i ishte dridhur paksa. Stoli, poshtë këmbëve, rënkoi, angulliu si qen i sëmurë. Në çastin që po gatitej ta shtynte, një rreze i vetoi në tru. Ose në shpirt. Jo shumë kilometra larg së andejmi ndodhej një lumë. Më i rrëmbyeshmi i lumenjve. Në anën tjetër të lumit, Bota e Lirë. Kur nuk kishte mjegull, dukeshin dritat. Drita të shumta, shumëngjyrëshe, lodronin nëpër ajër. Të afta të tundonin gjer dhe njerëzit që u pëlqen robëria. I kishte parë dritat matanë lumit. Askush nuk e kishte kaluar. As me not e as me varkë. Ata që ishin përpjekur, kishin dalë në det: sillë peshqish. O e kaloj o bëhem sillë për peshqit: kjo ishte rrezja që vetoi në shpirtin e Serafinit. E shkelmoi stolin, por pasi kishte zbritur, pasi e kishte hequr lakun nga qafa. U nis drejt lumit. Kur mbërriti në breg, mendoi se, përderisa ndante dy botë, duhej të ishte më i rrëmbyeshëm nga ç’tregonin.
Ndez një cigare dhe përpiqet të kujtojë dritat. I krahason ato me këngën e sirenave. Brenda në lumë ishte ndjerë si një Odise mes detit të paqtë dhe kjo ishte e papritura e parë. Lumi nuk ishte fare i rrëmbyeshëm, përkundrazi. Nuk ishte aspak armiqësor. Ujërat e tij ishin të ngrohta dhe të qeta, të dashura: u ngazëllye. Paspak doli përtej, në tokën e ëndërruar. Pallate të larta, rrugë të gjera, drita të forta shtëpish, makinash, reklamash. Zhurmë, njerëz të ndryshëm, shpërfillës, të ngutur. Drita të shumta dhe shtëpi të mëdha, të bukura. Shtyu portën dhe u fut në njërën syresh. Brenda nuk kishte njeri. Me gëzim, mendoi se ishte shtëpia e tij. E kishin ngritur për të; po e priste prej kohësh. Po, po, ishte shtëpia e tij, përderisa ashtu e kishte përfytyruar. Kishte shumë dhoma, por dyert e tyre ishin të mbyllura. Më në fund, njëra u hap. Aty duhej të ndodheshin çelësat e të tjerave. Ndezi dritën. Orendi të shtrenjta, të gdhendura në ar e argjend. Perde të rënda. Pasqyra të mëdha. Por të gjitha këto, tanimë, nuk i bënë asnjë përshtypje. Ishte shtangur: në mes të dhomës, nga trarët varej një litar. Po ai litar që kishte lënë mbrapa. Po ai litar. Në këtë pikë, ishte zgjuar. Këtë ëndërr nuk ia tregoi Vlashit, i cili nuk do të dëgjojë për kësi gjërash.
E fik cigaren dhe kthehet në brinjë. Uron të shohë ndonjë ëndërr më të bukur. Sikur jeton aty, buzë lumit që ndan dy botët, në bregun e gjelbëruar e mes ujërave të qeta, të dashura. Sikur noton e zë peshk.
Dhe, vërtet, rreth një orë më vonë, zgjohet. Balli i shndrin në errësirë.
«Vlash!»
Përgjigjja është një gërhitje e potershme.
«Vlash! Vlash!»
«Ende nuk ka rënë çanga», mërmërit Vlashi përgjumësh.
«Ç’është kjo çangë, o i gjorë? Këtu nuk je më në burg. Zgjohu! Dëgjon? Zgjohu, të lutem!»
Vlashi zgjohet.
«Ç’është? Mos je sëmurë?»
«Dëgjo, dëgjo të të tregoj ëndrrën që pashë tani!»
«Ti qenke, me të vërtetë, i marrë. Lërmë të fle! Kam dëgjuar ëndrra sa për dyqind vjet; pas dyqind vjetësh po, tregoma!»
«Dëgjomë, të lutem», ngulmon Serafini.
Vlashi, në përgjithësi, nuk ka asnjë kërshëri. E vetmja gjë për të cilën mendon, është dita e lirimit. Për të tjerat nuk do t’ia dijë Vlashi. Nuk do të dëgjojë për personazhe danteske e shekspiriane. Ai është i dënuar ordiner, jo politik.
«Pashë në ëndërr sikur na dhanë lirimin».
Vlashin, sikurse mund të merret tashmë me mend, e shkundin këto fjalë.
«Si? Unë vërtet besoj në ëndrra, por ne kemi edhe dy vjet».
«Na i falën!»
«Si u falkan dy vjet kaq lehtë! Mos u tall në mes të natës, Serafin!»
«Nuk tallem, Vlash! Eh, ç’të të tregoj!»
Vlashi ngrihet, ndez dritën dhe futet përsëri në shtrat. Sytë u shkëlqejnë të dyve.
«Vazhdo, Serafin, vazhdo!»
«Ç’të të tregoj, vëlla!»
«Ishte ditë e bukur?»
«Ditë e magjishme!»
«Nuk binte shi?»
«Jo, asnjë pikë shi!»
«Dhe fushat gjelbëronin…»
«Kurrë nuk kanë gjelbëruar fushat ashtu!»
«Gjithmonë, unë kështu e kam ëndërruar!»
«Ishte një ditë nga ato që natyra i krijon enkas, kur lirohen të internuarit. Dielli ndriçonte me sa kishte fuqi. Fushat gjelbëronin. Eh, si gjelbëronin fushat! Shi jo, shi nuk binte…»
«Ishte mëngjes, apo jo?»
«Po, mëngjes ishte. Madje mëngjes të diele, besoj, pasi unë nuk po nxitoja për kund. Ecja, në punën time, nuk di për ku».
«Vetëm?»
«Vetëm. Ti ishe këtu brenda, ende po flije. A nuk fle ti të dielave deri në drekë? Unë, pra, po shëtisja…»
«Shëtitja e fundit në këtë vend. Patjetër që ish më e bukura».
«Jo», thotë Serafini, «ishte e mërzitshme si gjithë të tjerat».
«E habitshme! Si është e mundur?»
«Por unë ende nuk dija ç’më priste. Nuk kisha asnjë parandjenjë. Kur, befasisht, më shfaqet para syve një vajzë e bardhë, e bardhë, shumë e bardhë».
Tjetri dëgjon gojëhapur.
«Asgjë nuk është më e bardhë se ajo. Të të them drita vetë, nuk e teproj aspak. Dhe më thotë: “Shijoje shëtitjen e fundit në këtë vend. Ju është falur dënimi, ty dhe shokut tënd. Përgatituni dhe ejani me mua. Veç shpejt, pasi unë nuk mund të pres gjatë”. Nuk po u besoja veshëve. U bëra si i marrë, gati sa nuk fluturoja. Vrapova tek bregu dhe fillova të të thërrisja ty: “Vlash! Vlash!” Ti nuk përgjigjeshe. Flije akoma. “Vlash! Vlash!” Më kot, ti përsëri nuk përgjigjeshe».
«Po ti përse nuk thërrisje më fort?», hidhet Vlashi.
«Atëherë, unë e ngrita zërin: “Vlash! Vlash!” Por jo, ti flije si i vdekur».
«Të thërrisje me sa të hante fyti!»
«Thirra, por…»
«Të kishe ardhur këtu, Serafin, të më zgjoje. Ti e di që e kam gjumin të rëndë. Ose të kishe hedhur, të paktën, një gur në xham».
«Nuk e di, sinqerisht, nuk e di ç’më pengonte. Vazhdova të të thërrisja me zë edhe më të lartë».
«Mua, në të vërtetë, tani, nëpër gjumë, më bëhej sikur dikush më thërriste».
«Po, po, unë të thërrisja. Të thërrisja me një zë aq të lartë, saqë edhe tani më dhemb koka. Por… ti nuk u zgjove… Ti… më vjen keq… ti mbete këtu…»
Fytyra e Vlashit zbehet dhe trupi i tij rrëzohet mbi shtrat, i prerë nga kama e zhgënjimit.
Ndaj dhe drita fiket përsëri dhe, përsëri, përveç këngës së vjetër të krimbave mbi trarët e çatisë, dy frymëmarrje të dëshpëruara shkëmbehen me njëra-tjetrën, rrallë, a thua kanë frikë se do t’i gjejnë fundin ajrit të dhomës. Të dhomës në të cilën do të plaken e do të vdesin. Sepse dita e lirimit nuk do të vijë kurrë për ta. Vlashi, sidoqë të rrotullohet bota, prapë do gjykohet e do dënohet: zanati i vjedhjes është më i vjetër se regjimet dhe nuk harrohet lehtë. Kurse Serafini, edhe në iu dhëntë leja të jetojë ndanë atij lumit të ëndërrt e përrallor, ka për ta mohuar me ngulm këtë liri.
Marrë nga libri me tregime “Shtegtarë të pak metrave katrorë”
Standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…