Skip to main content

Tetova News

Vepra mbi veprat, “Zef Pllumi” i Sabri Hamitit


Dr. Sali Bytyçi


Përkitazi me librin e Sabri Hamitit. Sipas Sali Bytyçit, Sabri Hamiti duhej të merrte një çmim kombëtar për kontributin që ka dhënë me veprën e tij, për fëmijët, e jo të konkurronte për veprën studimore


Shkrimi i Sabri Hamitit për Zef Pllumin, në fillim ishte një ligjëratë e mbajtur në Seminarin e Albanologjisë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, viteve të shkuara. Pastaj kjo ligjëratë hyri si pjesë e shtatë e librit “Albanizma”, të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (Prishtinë, 2009), e cila në Tiranë, për vitin 2009, mori Penën e Argjendtë, për të përfunduar në libër më vete, “Zef Pllumi” (2013) dhe për të marrë çmimin e parë të Panairit të 16-të të Tiranës, me motivacionin: “Për librin studimor ‘Zef Pllumi’, në të cilin rigoroziteti dhe eleganca shoqërojnë përkufizimin e një figure madhore ‘sui generis’ të letrave shqipe”. Kjo është historia e lavdishme e “Zef Pllumit” të famshëm të Sabri Hamitit. Pse nuk shkrova më parë dhe pse po shkruaj sot, arsyeja e vetme është sepse nuk kam shkruar deri më tani për “Zef Pllumin” e Sabri Hamitit (u vlerësua me çmimin e Panairit të 16-të të Librit “Tirana 2013” për librin më të mirë studimor të vitit), është se nuk kam pasur në duar këtë libër gjatë ditëve që iu dha çmimi, por as në ditët në vazhdim. Të them të drejtën, më 15 nëntor e pashë këtë libër në stendë, por nuk e mora sepse e dija që është i nxjerrë nga “Albanizmat”, dhe pse të bëja shpenzime dy herë për të njëjtën gjë, pasi “Albanizmat” i kam. Se është e nxjerrë nga “Albanizmat”, m’u krijua parandjenja nga fakti se afër tij pashë edhe një libër tjetër, me titull “Sistemi poetik i Sabri Hamitit”, me autor Ibrahim Rugovën. Pasi Rugova nuk ka shkruar libër për Sabri Hamitin, e kuptova se kjo broshurë është nxjerrë nga librat studimorë të Rugovës (“Refuzimi estetik”, 1987) dhe në analogji me këtë, edhe “Zef Pllumi” është nxjerrë nga “Albanizmat”. Por pasi u ktheva nga Panairi mora vesh se ky libër kishte marrë çmimin e parë si libri studimor më i mirë i vitit. M’u shtua kureshtja që ta kem këtë libër. Shkova në sallonin e librit në Prishtinë të së njëjtës Shtëpi Botuese si në Shqipëri, e kërkova, por punëtorja më tha se nuk kishte dëgjuar për këtë libër. Edhe në ditët në vazhdim nuk munda ta siguroja librin. Libri në Prishtinë arriti më 6 dhjetor. Tani që e kam librin në dorë, mund të shkruaj ca rreshta për të. Dhe, që në fillim, duhet të them se u gabova kur mendova që “Zef Pllumi” i librit është po i njëjti me Zef Pllumin e “Albanizmave”, këtu është pothuaj i dyfishuar. Si u dyfishua? Kjo do të shihet në shkrimin në vazhdim.

Përmbajtja e librit “Zef Pllumi”.

Libri i Sabri Hamitit, “Zef Pllumi” është i strukturuar në tetë kapituj, me madhësi të ndryshme, nga më i madhi që ka 9 faqe, deri tek i fundit me 1 faqe. Kapitujt, pas parafjalës, janë: “At Zef Pllumi: Rrno vetëm për me tregue”, “At Zef Pllumi: Françeskanët e mëdhenj”, “At Zef Pllumi: Frati i Pashallarëve”, “At Zef Pllumi: Saga e Fëmijnisë”, “At Zef Pllumi: Fenomeni kulturor”, “At Zef Pllumi: Autobiografia”, “Intervistë me Sabri Hamitin” dhe i fundit “At Zef Pllumi: Ibrahim Rugova”. Libri ka gjithsej 72 faqe.

Atë Zef Pllumi i “Albanizmave” dhe Zef Pllumi i librit “Zef Pllumi”

Në pseudomonografinë e Sabri Hamitit “Albanizma”, shkrimi për Atë Zef Pllumin është vendosur në pjesën e shtatë “Zef Pllumi: Rebelimi i misionarit”, ky kapitull ka hyrë i plotë në librin “Zef Pllumi”, por është plotësuar me materiale të reja. Në “Albanizma” ky shkrim fillon në faqen 177 me “Parafjalë”, ndërsa në librin “Zef Pllumi” po me “Parafjalë”. Pjesa e parë e këtij kapitulli të “Albanizmave” - “Misionari i rebeluar: At Zef Pllumi” është kthyer në pjesën e parë të librit “At Zef Pllumi: Rrno vetëm për me tregue”. Pjesa e dytë e këtij kapitulli të “Albanizmave”, me titull “At Zef Pllumi: Françeskanët e mëdhaj” është kthyer në pjesën e dytë të librit “Zef Pllumi”, po me të njëjtin titull “At Zef Pllumi: Françeskanët e mëdhaj”. Pjesa e tretë e këtij kapitulli të “Albanizmave”, me titull “At Zef Pllumi: Saga e fëmijnisë”, është kthyer në pjesën e katërt të librit “Zef Pllumi”, po me të njëjtin titull “At Zef Pllumi: Saga e fëmijnisë”. Përveç këtyre që u cekën më lart, ja çka është shtuar në librin “Zef Pllumi”. Pjesa e tretë e librit “Zef Pllumi”, që nuk është në “Albanizma”, “At Zef Pllumi: Frati i Pashallarëve” (për librin e Zef Pllumit, “Frati i Pashallarve Bushatli të Shkodrës”, që fillon nga faqe 25 me nëntemat “Bërja e librit”, “At Erazmo”, “Frati e Pasha”, “Mahmud Pasha i Fratit”, “Kapitulli i fundit” dhe “Utopia si Ukroni”, gjithsej ka 9 faqe e gjysmë, në të cilat autori Sabri Hamiti e përflet veprën e Atë Zef Pllumit në mënyrën më vulgare. Pastaj është shtuar dhe pjesa e pestë e librit “At Zef Pllumi: Fenomeni kulturor” me 6 faqe e gjashtë rreshta e gjysmë. Po ashtu është shtuar edhe kapitulli i gjashtë “At Zef Pllumi: Autobiografia”, ku jepet biografia dhe bibliografia e Atë Zef Pllumit, e shkruar nga Atë Zef Pllumi, me gjithsej 2 faqe e gjysmë. Si kapitull i shtatë në këtë libër është “Intervistë me Sabri Hamitin”, ku është edhe një letër e Atë Zef Pllumit, të cilën ia ka dërguar Sabri Hamitit, intervista ka rreth 4 faqe. Në fund, si kapitull më vete është vendosur shkrimi “At Zef Pllumi: Ibrahim Rugova”. Pra, teksti autorial i Sabri Hamitit, i shtuar në këtë libër, së bashku me materialet e marra nga Zef Pllumi, si “Autobiografia”, letra që Zef Pllumi i dërgon Hamitit dhe shkrimi po i Zef Pllumit për Rugovën, kap rreth 20 faqe.

Diskursi “studimor’ i “Zef Pllumit

Ky libër jo vetëm për nga kuantiteti nuk përbën diçka të veçantë, por edhe nga kualiteti nuk shënon diçka që duhet veçuar. Niveli i diskursit të këtij libri është ai i gjimnazistit që bën një referat, të cilin ia ka dhënë si detyrë mësuesi i Gjuhës. Një gjë e tillë konstatohet me një lexim të shpejtë. Si shembull marrim kapitullin e tretë “At Zef Pllumi: Frati i Pashallarëve” (fq., 25-35), i cili nuk ishte në “Albanizmat”, por këtu del për herë të parë. Duke filluar nga teksti hyrës “Bërja e librit”, autori i këtij libri “rrëfen” si është krijuar vepra: “Zef Pllumi, në hyrje të veprës dëshmon që kronikën e pararendësit (dorëshkrimin e tij) e kishte lexuar në kontingjentin e dorëshkrimeve sekrete të Bibliotekës Arkivore të Françeskanëve në Shkodër. Pllumi shton: “Këtë kronikë e kërkova tash disa vjet në Arkivin e Shtetit dhe në Bibliotekën Kombëtare. Nuk e gjeta”. Herë përdor ligjëratën e zhdrejtë, herë të drejtë, po gjithnjë e përflet Pllumin. Në nënndarjen e dytë “At Erazmo”. “At Erazmo, në veprën e Pllumit është një misionar françeskan që përgatitet për shërbim në Shqipëri. Në këtë përgatitje themelore hyjnë mësimi i gjuhës shqipe dhe i mjekësisë, ashtu edhe njohjet për vendin e varfër, ku ka një shtypje të njeriut, i cili është për të qenë i lirë”. Diskursi “studimor” i Sabri Hamitit shkon paralel me diskursin dokumentar të Zef Pllumit, pa ndonjë ndryshim. Për lexuesin po japim një fragment nga vepra e Zef Pllumit “Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës” ku shkruhet: “Ndërkaq Mahmudi ishte martue me të bijën e begut të Tiranës. Ishte një martesë ideale. Çifti i ri ishte i lumtur, po ashtu edhe populli i Shkodrës që ia donte të mirën. Mjerisht nuk e patën një fëmijë”. Në vazhdim të këtij citati, të nxjerrë nga vepra e Zef Pllumit, Sabri Hamiti shton: “Mospasja e fëmijëve për shtatë vjet e bën të kërkuar udhëtimin tjetër në Raguzë. Tani pritja është e ftohtë, e keqe. Duka i drejtohet Fratit...”.

Përfundim

Personalisht nuk shoh ndonjë dallim në mes diskursit të veprave të Zef Pllumit dhe diskursit të “Zef Pllumit” të Sabri Hamitit, në të cilën ka mjaft citate nga veprat e Zef Pllumit dhe lexuesi lirisht mund t’i krahasojë nëse ka apo s’ka ndryshime. Libri “Zef Pllumi” i Sabri Hamitit më tepër i ngjan një libri, që është paksa i rëndë për fëmijët dhe të rinjtë, prandaj duhet t’iS përshtatet moshës së tyre duke krijuar një libër të ri. Nga fëmijëria më kujtohen libra të këtij lloji, si “Tregime nga Shekspiri” të Çarls e Meri Llemb, i cili është krijuar duke i përfolur veprat dramatike të Shekspirit. Shembuj të tjerë ka mjaft në botë, të tillë libra kemi mjaft edhe në libraritë tona, duke filluar nga “Kasollja e Xha Tomit” e duke ardhur te librat më të rinj që botohen sot. Nëse qëllimi i Sabri Hamitit do të ishte që veprën voluminoze të Zef Pllumit, që ka disa mijëra faqe, ta përshtaste për moshat e reja, atëherë një ndërmarrje e tillë do të duhej të përshëndetej, se fëmijët dhe të rinjtë vërtet sikur i kemi lënë anash. Dhe, një ndërmarrje e tillë do të duhej të merrte një çmim kombëtar, ama për kontributin që ky autor ka dhënë për fëmijët, e jo të konkurronte në konkurse për vepra studimore. Në librin “Zef Pllumi” autori ka bërë leximin më të lehtë të mundur. Ai është ndalur në shtresën e parë, që është përmbajtje e librit, ndërsa përfolja e saj është qasja që ka bërë ndaj kësaj vepre. Si përfundim, mund të themi lirisht se : “Zef Pllumi”, i Sabri Hamitit, me më pak se 37 faqe, edhe ato përsëritëse të përmbajtjes së veprës së Zef Pllumit, sepse s’është gjë tjetër veçse një broshurë, që na sugjeron të lexojmë veprën e Pllumit. Si ka arritur që një fletushkë e tillë të marrë çmimin e veprës më të mirë studimore në Panair, kjo është një temë tjetër, shtjellimi i së cilës do të nxirrte në shesh shpërfytyrimin kulturor të shoqërisë shqiptare dhe humbjen e kuptimit të çdo vlere.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…