Skip to main content

Tetova News

Alfabeti i algave

Nga Demir Gjergji



Prej nesh mbinë yjet,
Prej nesh u errësua!
Po jeta ku do mbyllet.
Në ty apo në mua!?
2013


BOHEMË…

Në falje të ditës, në ndalje të gushtit, në dalje të verës,
Magjepsur nga këngët, rënduar nga plagët, të dehur prej verës,
Të trembur nga hijet, u ndalën, u kthyen nga filli i fundit i dritës,
Dherave, më këmbë, ujërave mbi këngë, erërave nën hënë,
Udhëve të paudhë, dallgëve aventurë, qiejve, zog në flur:
Ati, pas burrit shëtitës, burri pas djalit plangprishës, djali, armik i engimës,
Nëna, rënduar nga barra e parë dhe Rodoni, kalorës mbi Kepit të Rodonit,
Everesti, ditëvogli në natën e madhe, që leje kishte marrë prej Zotit,
Derada, me mallin e Milosaos dhe fustanin i Rinës, veshur qëmotit,
Dhe “Ishujt e mbrëmjes”, që ecnin nga pas me pamje të lashta anijesh,
Dhe “Ngjyrat e tokës”, “Në sytë e mi”, “Bibla e Buzëve” dhe “Ylli i ikur që digjej”,
Dhe “Ora e akullit”, si koha e ngrirë, që jetën parashihte, (më saktë prapashihte)…
Gjurmët e vogla, lojërat pa lodra, vrapi mbi kodra, darkat pa sofra, shtrojat e ftohta.


U nisën…

Udhë pas udhe, det pas deti, qiell pas qielli… iknin pa ndrequr asgjë, pa hequr asgjë,
E gjetën fëmijën në parvazin e mëngjesit, krejt prej shenjtori, të gjithin prej ëndrre.
E panë që t’i shihte, iu shfaqën që t’i njihte, i thirrën, t’u përgjigjej,
Vallëzuan me orë, t’i përshëndeste, kënduan në kor që të dëneste, u bënë gaztorë, të buzëqeshte!

Por i vogli me mendjen e kaltër, përplot me fantazma,
Me duart e njoma, fole për pulëbardha,
Me frymën se flutur e lodhur në xhama,
Po nisej në ardhje të ditës, të shkonte te mbrëmja në mesin e gushtit, në dalje të verës...

Dhe bohemët, si bohemët,… u kthyen e ikën siç erdhën, pas rendjes së erës së vjeshtës …

Nëna

K.M.

Nina-nanë, moj e nëmur! Ç’më bëre, moj ninullë!
Tim bir, si ma gënjeve, ma humbe krejt në gjumë!?

Errësirë e mitrës sime, e thella errësirë,
Si u derdhe dritës-ditës, zezonë e pamëshirë!?


I shtrirë im bir, i shtrirë, mbi supin tim të mpirë!
Më mbaj dhe pak, o frymë! Më lërë, o lot i ngrirë!

Mbi trupin e tim biri ky dhé po ngrihet mal,
Ti, vendin nënës tënde, përse ia zure, djalë!?-

Një dremkë gjumë shfaqet, mbi dheun mjegullon,
Pa ndjerë aty nëna, përhumbet si në hon…

-O bir, liroma varrin,- thërret në gjumë me kujë!
Ah, ninullë-gjëmë, mallkuar qofsh, ninullë!


Veshët e shurdhër të guaskave

-Thuhet me bri kushtrimi-

Poshtë. Në shtëpitë e të pajetëve. Nën thundrën e rëndë të ujërave.
Në heshtjen e territ dhe në terrin e heshtjes. Poshtë…poshtë. Në fund!
Shkruhen shenjat që s’mund t’i lexohen kurrë! Që nuk i kupton, askush!
Buisin së thelli, rrëshqasin mbi shpina të pjerrëta delfinësh, peshkaqenësh,
Luhaten në ballo leshterikësh, ndritin perlave, brenda sepjeve, në sy të peshqve,
Të heshtura si balenat, te fshehta si fundet, të papesha, të pakoha si absurdet.

Deti. Në planetin e të gjallëve. Ndanë kronikave të spektakleve e të luftërave,
Në morsën e arsyes së kalendarëve, të busullave, zbaticave dhe furtunave,
Buçet lemerishëm të shqiptojë një kumt me zanoret që i ndizen prush në trup!
O! U! AU! UAU!…OOOOO! Ujërat shfryjnë shkronjat që mbijnë në fund.
Kasneci gjuhëshkumë rropatet t’i afrojë zanoret në fjalë për botën e gjallë! Po s’mund!
Brigjet ulërijnë në dhimbjet e plagëve, thelluar prej dallgëve: OOOOO!UAU!…AU!O! U!

Poshtë. Në banesën e të pajetëve, nën thundrën e ujërave, shkruhet alfabeti i algave...
Për të vdekur lart, te bujtinat e braktisura të molusqeve, brenda veshëve të guaskave,
Në klithmat e flakës dhe në flakët e klithmës. Lart…lart. Në kulm!

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…