Skip to main content

Tetova News

Ardian Kyçyku: Jeta ime mes Shqipërisë dhe Rumanisë

Intervistë me shkrimtarin dhe botuesin e dy revistave në Bukuresht
Bisedoi: Raimonda Moisiu

Ardian Kyçyku konsiderohet tashmë si njw ndwr autorwt shqiptarw më prodhimtar të njëqind vjetëve të fundit dhe një nga zërat më interesantë e seriozë të kulturave shqiptare e rumune, por jo vetëm të këtyre, në krejt Ballkanin e traditën europiane. Ka lindur në Pogradec më 23 gusht 1969. Si shkrimtar shkruan me pseudonimin letrar Ardian – Christian Kyçyku. Ka mbaruar Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakultetin Histori – Filologji, Dega Gjuhë – Letërsi dhe ka mbrojtur tezën e doktoraturës për letërsi të krahasuar evropiane, në Universitetin e Bukureshtit. Ph.D., doktorant në teologji dhe docent në shkencat humane dhe të komunikimit. Dekan i Fakultetit të Arteve dhe Shkencave në U.R.S.A. “Gh.Cristea” të Bukureshtit. Bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus. Themelues dhe kryeredaktor i revistës universitare ComunIQue
I nderuar z.Ardian Kyçyku, besoj se na shkon një bisedë arti, paçka se mes nesh është Atlantiku! Disi larg, por arti i afron kufijtë. Lajmi se jeni vlerësuar me Çmimin Kombëtar të Letërsisë “Penda e Argjendtë” 2012 për tregim, u përhap ngado, deri në Amerikën e largët. Si ndjeheni për këtë vlerësim?
Një heshtje e sforcuar dhe plot mërira të kota u thellua si befas, davariti ca dyshime e shpifje, mori kuptimin e vet të natyrshëm dhe u bë e dobishme për miq e jomiq, por edhe për punën time.
Ç’mund të na thoni: si filloi karriera juaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
Nuk e kam parë asnjëherë si karrierë, por si mënyrë të jetuari, ose të vdekuri. Me letërsinë mund të jetohet më pak shëmtuar dhe mund të përgatitesh për një vdekje sa më të bukur. Por edhe anasjelltas. Shpesh të gjitha ndodhin njëkohësisht.
Kush ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në krijimtarinë tuaj: prindërit, artet, letërsia, apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?
Në shqip, frymëzimi hip (nga toka), nuk zbret (nga qielli). Mirëpo shpesh ne shqipot i kemi gjërat ‘sëprapthi’, jetojmë në njëfarë bote të përmbysur, dhe kjo sjell një baraspeshë të çuditshme. Ata që ndikuan së pari në letrat e mia ishin gjyshërit – rrëfimtarë të lindur – dhe gjyshet, njëra me praninë e saj, kurse tjetra, ngaqë pat vdekur e re: me mungesën. Të dyja mbetën gjithaq të përkushtuara ndaj meje. Gjyshja e gjallë, falë ca lidhjesh që duken tejet poetike, në rininë e vet gatoi për Lasgush Poradecin (të cilin e kishte dajë), kurse në pleqëri – për mua (që më kishte nip). Kurse Persefoni Kyçyku, gjyshja e munguar, vazhdon edhe sot të më përcjellë dijeninë se bukuria e shpirtit ngrihet mbi gjithçka. Prandaj thuhet: gjer edhe një shpirt i vetëm vlen më shumë se bota. Lidhja ime me gjyshërit, përkundër sprovave e tundimeve të moshës, është forcuar, dhe shpesh ata janë më të gjallë, bashkë me Pogradecin e fëminisë, se sa shumë njerëz të tjerë. Misionin e mori dhe e vazhdon edhe sot, me përkushtim e flijime të paprera, im atë, Kopi Kyçyku, që është edhe lexuesi i parë i të gjitha shkrimeve të mia. Hapësira jetësore e familjes sime ka rrënjë të thella në letërsi dhe, kur ka ndodhur të zhvendosemi nga një vend në tjetrin, ose nga një moshë në tjetrën, rrënjët i kemi marrë, ose na kanë marrë me vete. Shpesh, ndoshta edhe ngaqë bisedat tona janë mjaft të pasura me metafora e humor, as ne vetë nuk marrim vesh në jemi njerëz me rrënjë në letërsi, apo rrënjë me njerëz në letërsi.
Në cilin rol e ndjeni veten vërtet më me ndikim: si prozator apo si pedagog? Ku qëndron ndryshimi?
Janë dy gjëra që e përjashtojnë njëra-tjetrën, të paktën për nga gjuha e brendshme dhe kahu i lëvizjes. Ndikimin si prozator e njoh pak dhe, me thënë të drejtën, nuk e ndjek e as nuk e mat. Më mjafton, se, përtej atij ‘pak’-u, duke gjykuar nga njerëzit që di se më lexojnë me vëmendje dhe nga dhuntitë e tyre shpirtërore e intelektuale, nuk kam ç’kërkoj më tepër. Qoftë edhe vetëm për njërin syresh, meriton të shkruaj më tej. Ndërsa ndikimi i dikujt si profesor mendoj se varet kryekëput nga dhuntia e secilit. E meqë nuk kam synuar kurrë që të rrit dishepuj apo admirues, por as t’i josh studentët duke i bindur se kanë vlera e dije që nuk i kanë, marrëdhënia ime me ta ka qenë gjithmonë mjaft e hapur, me një dhembshuri dhe paanësi, të cilat i ka vetëm katarsisi i mirëfilltë.
Jeni një autor prodhimtar në shqip e rumanisht. Po citoj disa tituj: “Mortët”, “Nata pas vitit zero”, “Sy”, “Lumenjtë e Saharasë”, “zv.Libri” etj. në gjuhën shqipe, ndërsa në gjuhën rumune “Viti kur u shpik mjellma”, “E fshehta e ëmbël e marrëzisë”, “Një fis i lavdishëm dhe që jep shpirt”, “Dashuri me shikim të fundit”, “Empatikoni” etj? Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante dhe përkushtim profesional?
Të nevojitet një lloj i veçantë harrese, që të mund të jetosh pas librash të tillë. Po ta shohësh gjendjen me vëmendje, kjo harresë është dhuntia e të jetuarit të tekstit gjer në skaje që s’para i njeh lexuesi e hera-herës as autori. Është një djegie, një trandje, pas së cilës mund të mbijetosh pak a shumë me të njëjtët ‘mjete’, që përdor ndarja pas një dashurie që dukej e vetmja, ose e fundit. Shkruaj vetëm me frymëzim dhe kur më duket se as të vdes nuk jam në gjendje.
Romane, tregime, teatër: në cilën prej tyre ndjeheni më mirë? Çfarë mendoni se ka mbetur e pandryshueshme?
Ndihem vetvetja në të gjitha, përderisa e shkruara më zbulon pareshtur se sa pak qenie dhe gjëra të domosdoshme na nevojiten në jetë. Këto i kemi vazhdimisht pranë, kur e ku duhet, mjafton të dimë ç’na shkatërron (rrufeshëm, apo me këste). Zoti më ka dhuruar një baraspeshë pothuajse mistike mes gjërave e qenieve që vërtet të mbushin me jetë dhe atyre që vetëm duken të pazëvendësueshme. Çdo pjesë e kësaj vepre është një copëze fëminie më vete.
Cilët mendoni se janë elementët thelbësorë të një proze, në rastin tuaj, të tregimit apo romanit? Sfida me të cilën përballeni gjatë të shkruarit, duke krijuar me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. I merrni personazhet tuaja nga jeta reale, në përshtatje me kohën dhe situatën, apo anasjelltas?
Frymëzimi nuk përdor terma, nuk kërkon dhe nuk jep shpjegime. Le të kujtojmë vetëm frymëmarrjen, për shembull. Çfarë është ajo në thelb dhe sa përputhet me përshkrimin: “proces i thithjes së oksigjenit dhe nxjerrjes së dioksidit të karbonit”?!
Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo erdhi vetiu?
Për shumë vjet me radhë, unë kam shkruar pa asnjë shpresë botimi. Në atë heshtje prej kulle fildishi erdhën romane të shkurtër, si “Mortët” dhe “Demi i zi”, “Lumenjtë e Saharasë”, etj, por edhe libra me mbi një mijë faqe, si “Mahnitja e papagajve”. Ndërkaq u binda se gjëja më e rëndësishme ishte të ngjizja veprën, jo ta sprovoja duke botuar pjesë të sajat, që do të kuptoheshin shtrembër, ose do të më mbështillnin me hije të dyshimta e smirëzeza. Pastaj erdhi mërgimi drejt Bukureshtit, jeta në konvikt, vetmia, e cila, për mungesë kohe, por edhe si zgjedhje vetjake, m’u bë natyrë e dytë, për të mos thënë e parë. Një botë më vete, letrare, por tejet e gjallë, u nda nga bota e përditshme, derisa pjesa tjetër e jetës nuk pati më vlerën e zakonshme. E ka thënë aq hijshëm prifti filozof rumun Arsen Boka: “Njeri i madh (i vërtetë) bëhesh vetëm nëse vdekjen tënde nuk e sheh si diçka që ka për të ndodhur, por si diçka që ka ndodhur tashmë”. Ka ndodhur dikur kjo thyerje e bekuar brenda meje.
Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e frymëzimit si një shkrimtar që i përket dhe shkruan mes dy kulturave të ndryshme, por që janë ballkanase? Çfarë ju tërheq më shumë nga realiteti dhe si mund të konceptohet ai artistikisht?
Nuk di për çfarë shquhen librat e mi, por mund të them me përgjegjësi të plotë se jam pranuar në dhembjen thelbësore, burimore, të dy kulturave. Që aty njerëzit, ngjarjet dhe gjërat duken ndryshe, përtej fjalëve të mëdha e kalimtare. Sidomos kur bëhet fjalë për dy kultura kaq të hershme, kaq të lidhura mesveti dhe që kanë vënë aq gurë të gjallë në themelet e asaj që quhet kulturë evropiane.
Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të personazheve dhe të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë; burim – rrëfim – frymëzim – kulturë?
I kryej këto si një shkrimtar të cilit i ka vdekur njeriu. Kjo nënkupton shumë kujdes, njerzillëk, siç thuhet, por edhe paanësi nga ajo që e dallon artin e epërm prej sajesave.
Keni shkruar edhe skenarë filmash artistikë. Ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, për ‘trillimin’ e karaktereve dhe dialogun. A ndikon proza në skenarin e një filmi?
Qysh në fëmini janë ndeshur brenda meje, nën një poetikë të çuditshme, bukuritë e Pogradecit dhe filmat që shihja në të për(m)allshmen Kinema “Pojska”. Fillimisht, si edhe në letërsi, mitologjitë urbane (të cilat i kam përmbledhur në fjalën “judologji”) dhe shkuma e shpëlarjes së truve rropateshin të të bindnin se gjithçka ishte shkruar e filmuar tashmë. Sot çmeritem, më dhemb shpirti, kur shoh si dëshpërohen, ligështohen, marrin kot, ose bjenë në anën e skëterrshme të artit aq të rinj që do të mund të kishin bërë shumë për filmin. Sepse kjo botë, parë shkëputur nga banorët e një breznie a tjetrës, është aq e përkryer, saqë çdo zhgënjim mund ta shndërrojë, – në varësi të secilit, – o në kryevepër, o në vetëvrasje. Me skenarët e mi ka ndodhur njëlloj si me librat: i kam shkruar, nja dy prej tyre edhe i kam botuar, dhe presin regjisorët.
Jeni edhe përkthyes. Teoritë e përkthimit janë trajtuar në mënyrë të gjerë për kohën tonë. A e ka nxitur përkthimi ndjenjën tuaj të krijimtarisë, dendësinë dhe kërkesat në artin e të shkruarit?
Nuk gjej ndonjë pikë ndikimi mes atyre që përkthej dhe atyre që shkruaj. Përkthej vetëm për kënaqësi, pra po me frymëzim, jo shkrime që rëndom të tjerët i përkthejnë ngaqë do të kishin dashur t’i shkruanin vetë, apo që njëfarësoj plotësojnë mangësitë e shkrimeve të tyre. Në Revistën Haemus dhe në botime të tjera letrare, bashkë me tim atë, prej 15 vjetësh kemi përcjellë hap pas hapi një pamje sa më të vërtetë dhe tërheqëse të letrave shqipe në rumanisht, por edhe të atyre rumune e të kombeve të tjerë në shqip.
Përkthimet tuaja shquhen për një lloj vitaliteti, në të cilin fokusi është i qartë dhe i gjallëruar. Kjo vërehet edhe në librat tuaj. A mendoni se një lloj kureshtjeje intelektuale është burim edhe për ta shkruar veprën në dy gjuhë?
Nuk e kam shkruar asnjërin prej librave në dy gjuhë.
Gjatë hulumtimit rreth krijimtarisë suaj kam hasur mjaft tituj të veprave tuaja në shqip dhe rumanisht. Libra dhe pjesë nga krijimtaria juaj janë përkthyer në mbi dhjetë gjuhë të tjera. Si keni arritur të jeni kaq kreativ, me një shtrirje të gjerë të gërshetimit të fakteve historike, kujtesës, miteve, marrëdhënieve ndëretnike, kombëtare, europiane, veçmas asaj ballkanike, që perceptojnë vlerën e madhe të edukimit kuptimplotë të vetëdijes njerëzore, në marrëdhënie me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. A mund të na jepni disa mendime rreth tyre?
Përgjigja për një pyetje të tillë mund të zgjaste gati sa të gjithë librat. E çmoj ndershmërisht kohën e lexuesve dhe nuk po shtoj gjëra nga ato që i shërbejnë më fort shtypit, se sa shpirtit.
Jeni bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus, e cila botohet pa ndërprerje në Bukuresht qysh nga viti 1998. Jeni edhe kryeredaktor i revistës universitare ComunIQue. Kujt ia dedikoni vazhdimësinë e botimit të tyre?
Revista Haemus është tashmë një institucion kulture e qytetërimi jo vetëm shqiptar e rumun. I ngjan asaj veprës që, edhe po nuk e preke më, u mjafton vetvetes dhe lexuesve. ComunIQue përqendrohet kryesisht në veprimtarinë shkencore dhe universitare të Rumanisë. Ndoshta vlen të përmendet se në asnjërën prej tyre nuk kam ngulmuar të rrënjos ‘fytyrën’ time dhe as nuk i hartoj për të konkurruar me revista të tjera.
Mund të na thoni diçka rreth historikut të revistave të mësipërme? Ndonjë të dhënë më të hollësishme rreth tyre?
Ata që nuk e përballin hijen e librave të mi, lëvdojnë e ngrenë në qiell revistat. Ose edhe ndihmesën e pashoqe që kam dhënë në forcimin e lidhjeve mes Rumanisë e Shqipërisë.
Si pritet në bashkësinë e lexuesve dalja e revistave dhe sa ju mbështetin krijuesit?
Të dhënat e internetit, – gjer edhe pa llogaritur rënien e leximit si akt kulturor dhe zgjerimin e analfabetizmit shpirtëror që shpesh paraqitet si intelektualitet i zgjedhur, – më bindin se nuk kam të drejtë të heq dorë nga këto dy revista.
Në ecurinë e punës suaj padyshim që do të keni pasur zhgënjime? Cilat kanë qenë uljet dhe ngritjet gjatë ushtrimit të saj?
Ka pasur periudha kur ca njerëz më dukeshin ngjarje, ose shenja fatnore, dhe u kushtoja një rëndësi më të madhe nga sa mund ta kenë. Për fat, këto kanë zgjatur pak, sepse librat dhe dashuritë shpesh më tërhiqnin zvarrë, pakashumë siç tërheqim një fëmijë që ngulmon të zhytet në një batak.
Si jeni ndjerë përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit?
Flitet e shkruhet shumë për dëmet dhe lojnat e errëta të mediokritetit, por askush nuk përmend zilinë dhe smirën e jo pak të aftëve që duan të sundojnë marrëzisht mbi letra. As për ata të rremët që krijojnë përshtypjen se dinë gjithçka dhe që nuk i kënaq veçse pakënaqësia e vet. Është njëfarë sëmundjeje që mund të emërtohet “Librushka miu – fjalor gjeniu”.Në vëllimin me tregime “Perla”, me të cilin fitova “Penën e Argjendtë”, gjendet edhe një fjali për këto kohëra, kur “mashat e pandehin veten duar”. Edhe shprehja “Më janë zvjerdhur fundërrinat, më ka zënë malli për një maskara” e Viktor Eftimiut duket e vërtetë, por unë nuk kam gjendje të tilla. Më është dashur të shndërrohem në njëfarë mishërim i durimit dhe ta kthej në libra e madje edhe në modesti të pastër hidhërimin që vjen kur lexon ç’shkruhet në letërsi e për letërsi jo vetëm shqip, por në shumë gjuhë… Librat më kanë ndarë nga këto të gjitha dhe jam i vetëdijshëm se kjo ndarje ua le mëkatet atyre që i bëjnë. Zien secili në lëngun që i gatuan vetes. Kurse mua tani më duhet të plakem bukur, duke shkruar e duke pritur që librat të botohen, të mbërrijnë tek lexuesit e ndershëm, ose të rrinë mbyllur derisa t’u dalë – nëse do t’u dalë – lexuesi (si ca pasurive të cilave u del “pronari”).
Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përzjehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si shkrimtar, akademik, studiues dhe eseist, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe ato ndërkulturore. Cili është ndryshimi për të cilin kemi nevojë qoftë si individë, ashtu edhe si shoqëri njerëzore?
Këto pyetje më kujtojnë pashmangshëm disa thënie. “Nëse nuk do të punosh asnjë ditë, bëj atë që të pëlqen” (mençuria kineze), “Bëj me kënaqësi atë që je i detyruar të bësh dhe nuk ke për të ndjerë më asnjë hidhërim” (Monsinjori Vladimir Gjika), “Lutu si të mundësh, që të arrish të lutesh si duhet” (parim ortodoks) dhe “Ajo që për njerëzit është e pamundur, për Zotin është e mundur” (Dhjata e Re). Shkurt fjala, po të jetë i vetëdijshëm njeriu për ato që po ndodhin me të dhe se sa vlen në të vërtetë, vetëm pak gjëra mbeten të turbullta, ose të lodhshme.
Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj, apo keni akoma për të bërë? Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?
Librat e pabotuar dhe ata që kam në kokë, ma mpakin përditë kohën që mund të përdor jashtë letërsisë. Prandaj ka mundësi të dal fare edhe nga ajo pak jetë publike që bëj. Për fat të mirë, edhe ata që më njohin nga afër, edhe të tjerët janë mësuar me këtë gjendje dhe po binden se është mëse e natyrshme.
Jetoni në Rumani, vend me tradita të pasura kulturore e historike edhe për shqiptarët…
Falë mërgimit, mund të them se ka kohë që jetoj në Rumaninë e përhershme. Kjo është shumë më tepër nga sa mund të thuhet në një bisedë, gjer edhe sikur të numëronim vetëm sa ngjarje vendimtare për letërsinë dhe kulturën shqiptare kanë ndodhur këtu.
Jeni lindur dhe e keni kaluar fëmijërinë në Pogradec, që është edhe vendlindja e dy korifenjve të letrave shqipe, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit. Çfarë mund të na rrëfeni për këtë?
Në librin-intervistë “Koha e zëvendësve”, që u botua para dhjetë vjetësh në Bukuresht, thashë se “për mua Pogradeci është një burim mos’harrimi dhe kthjelltësie të veçantë, që tretin kufijtë mes botëve. Në qytet pushtohesh nga bindja se të ka përthithur një hapësirë që s’është gjë tjetër veçse një kopje përrallore, besnike gjer në tronditje, e një hapësire yjore. Nuk do të doje të largoheshe më, por as nuk mund të rrije aty pa fund. Besoj thellësisht se është fat i rrallë, të paktën si shkrimtar, të lindesh në Pogradec”. Këto bindje mbeten të njëjta edhe sot. Me Lasgushin dhe Mitrushin kam lidhje farefisnore. Lasgushi e kishte nënën, Kostandinën, nga fisi Kyçyku, por, falë krushqive, ishte edhe daja i gjyshes sime nga ana e nënës. Kurse Mitrushi ishte kushëri i parë me tim gjysh, Vangjel Koçin. Qysh fare i vogël, jam endur nëpër shtëpitë e tyre, kam shfletuar botimet e hershme, kam dëgjuar ngjarje e legjenda, më është vërsulur qeni i famshëm Cuci. Më vonë kam parë vendet dhe shtëpitë ku kanë jetuar në Bukuresht. Jam marrë thellësisht me veprat e tyre, duke nisur me pasqyrimin e tyre në revistat letrare e tubimet shkencore e deri tek teza e doktoraturës në letërsi të krahasuar e botërore, ku artit të secilit i kam kushtuar nga një kapitull: Lasgushit përbri Baudelaire-it, Eminescu-t etj, kurse Mitrushit – përkrah prozatorëve të shquar evropianë. Deri në atë kohë, askund tjetër veprat e tyre nuk ishin përqasur e studiuar në rrafsh kontinental e më gjerë. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se më kanë vlejtur fare pak, për të mos thënë aspak studimet e deriatëhershme ndaj veprave në fjalë, çka do të dëshmohet kur studimet e mia të shqipërohen. Lasgushit, që më duket një mishërim i Poetit dhe i Qenies evropiane, i kushtova një monografi të plotë në rumanisht (botuar në vitin 2000 në Timishoara), mbi të cilën punova edhe trembëdhjetë vjet të tjerë, në varësi të frymëzimit dhe përsiatjeve, derisa këtë vit u shndërrua në “Rara Avis – studim letrar, imagologjik dhe semiotik mbi jetën dhe veprën e lirikut evropian të shprehjes shqipe Lasgush Poradeci”. Vetëkuptohet që veprat e Lasgushit dhe të Mitrushit zënë vend nderi edhe në librat dhe ligjëratat e mia universitare (Elemente të kulturës dhe qytetërimit evropian, Imagologji, Komunikim ndërkulturor etj), por edhe në studimin “Ligjërimi i një pagjumësie”, që shoqëron antologjinë e prozës moderne shqipe (vëllimi I), kryer në rumanisht nga im atë dhe botuar nga Librarium Haemus në vitin 2006.
Autorët tuaj më të preferuar…
Kanë vdekur…..
Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?
Me ato që ka dëshmuar e rrënuar kritika zyrtare deri më sot, pra me vonesat, pasaktësitë dhe cektinat kulturore, pa përmendur idhujtaritë e sëmura, ose shitjen e moralit për hir të shitjes së ca gjysma-librave, pyetja shtrohet: kujt i hyn në punë?! Nga përgjigjet që i jepen kësaj pyetjeje, shpesh mund të qartësohen synimet, madje edhe vlerat e mjaft autorëve.
A ka ndonjë ngjarje në jetën tuaj, së cilës ia shihni gjurmët edhe sot?
Janë shumë. Vajtja në Malin Athos; kthimet e herahershme dhe dita kur çova për herë të parë time bijë në Pogradec; bisedat me tim atë; rruga me dëborën gjer në brez dhe me disa qindra korba të uritura mbi krye, kur shkoja të merrja në postë një letër nga prindërit; rigjetja pas 55 vjetësh e eshtrave të stërgjyshit, Aleksandër (Sandri) Kyçykut, në Amerikë, dhe varri i tij i mirëmbajtur sikur të qe mbyllur dje; ikja nga kjo botë e një mikeshe të rrallë; nata e pagjumë në Kishën e Shën Marenës, në Mokër; një shëtitje më këmbë nëpër Parisin klasik; takimet ose ritakimet e befta me ca njerëz që i pata pandehur personazhe, me ca personazhe që i pandehja njerëz, pas shumë vitesh, apo pas shumë librash…


Vepra letrare të shkruara e të botuara në gjuhën shqipe:
-Triumfi i Proteut, roman, 1990 (samizdat)
-Në perandorinë e gurit, roman, 1993
-Mortët, roman, 1994 (samizdat), 1997
-Nata pas vitit zero, novela, 1998
-Përkthimi ose Jeta e një robi që nuk betohej se shihte, roman, 1999
-Muza e Lojës, tre romane, 1999
-Lumenjtë e Saharasë, roman, 1999, 2009
-Oreksi për bukën e qiellit, roman, 2000
-Diva ose Ngrënësi i Luleve, roman, 2001
-Engjëjt e tepërt, roman, 2002, 2009
-Kristali dhe hienat, roman, 2002
-Sy, roman, 2004, 2006, 2007
-Si u pushtua Çmendustani, roman, 2004
-Home, roman, 2007
-Në vend të Përjetësisë, dramë, 2007
-Puthmë skelet – roman me fëmini, 2008
-Zv. Libri, copëza jete a letre frymëzuar nga teatri, dramë, 2008
-Gjaku asnjanës – jetë suflerësh, dramë, 2009
-Ati – rrëfim, 2009
Vepra letrare të shkruara e të botuara në gjuhën rumune:
-Viti kur u shpik mjellma, roman, 1997, 2002
-E fshehta e ëmbël e marrëzisë, roman, 1998, 2002
-Një fis i lavdishëm e që jep shpirt – epopeja e një harrese, 1998, 2002, 2005
-Hyu Epigon, roman-ese, mbi jetën dhe veprën e poetit Lasgush
-Poradeci, 2000
-Dashuri me shikim të fundit, prozë dhe teatër, 2000
-Trilogjia, prozë e zgjedhur, 2002
-Koha e zëvendësve, libër-intervistë kushtuar shpirtërimit shqiptar, 2003
-Shtetrrethim – roman i shkruar me shumë pak thonjëza, 2004, 2008
-Ish – roman me dashuri & konspiracion, 2005
-Një alfabet i poezisë shqipe, antologji, 101 poetë shqiptarë në gjuhën rumune, 2003
-Hyrje në semiotikë, ligjërata universitare, 2004
-Shenjat dhe Kështjella, ligjërata universitare, 2006
-Ligjërimi i një pagjumësie (Brevetarea unei insomnii) – studim kushtuar jetës dhe veprës së 8 autorëve shqiptarë që u përfshinë në vëllimin i të antologjisë “Bukuria që vret”, zgjedhur e përkthyer nga Kopi Kyçyku, Bukuresht 2006
-Vend për një kukull të vetme – rrëfim për t’u filmuar/film për t’u rrëfyer, 2008
-Empatikoni ose Libri i jetës së parakohshme, roman 2008, 2009. I vlerësuar me Çmimin Kombëtar të Letërsisë “Penda e Argjendtë” 2012 për tregimin.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…