Skip to main content

Tetova News

Babai i prozës postmoderne amerikane

“Arti nuk është i vështirë, sepse dëshiron të jetë i vështirë, por sepse dëshiron të jetë art”. - D.B.

GAZMEND KRASNIQI

Te vepra është i magjishëm fakti se njëherazi e fton dhe e largon interpretimin, shkruan Barthelme-i te “Mosnjohja”, një libër që do të përmblidhte ese dhe intervista të tij. Ndoshta kjo është një nga arsyet që i shtyn studiuesit të thonë se japin gjeneralitete (parime të përgjithshme), por këto nuk duhet ta frenojnë lexuesin e Barthelme-it: të vetmet kushte paraprake për të vlerësuar këtë prozë janë mendja e hapur dhe prirja e shkuar dhe e ardhme për të qenë njerëzorë. Me fjalë të tjera, megjithëse vepra e përmban nëntekstin filozofik, është e kushtëzuar mjaft që nëse nuk mund ta kuptosh, do ta ndiesh dhe këtu qëndron gjithë çështja.



Barthelme-i mund të quhet shkrimtar i thellësive filozofike. Rrënjët më të thella intelektuale duken se i shtrihen te filozofitë e ekzistencializmit dhe postmodernizmit. Ky afinitet nuk është aq shumë i adresuar drejtpërdrejt si i patundshëm te temat, stili dhe, mbi të gjitha, tekstura e gjithë prozës së Barthelme-it. Mund të thuhet se stili i tij unik, që nuk i rri besnik një qendre, është funksion organik i afërsisë me mendimtarë të tillë si Barthes, Sartre, Foucault dhe Derrida, më tepër sesa një përpjekje e vetëdijshme për t’u ndeshur me dilemat e mëdha filozofike në vetvete.

Shkurtimisht, ekzistencializmi dhe postmodernizmi theksojnë problemet që pasojnë në një botë të shmangur prej normave absolute dhe standardeve intelektuale. Kështu që ato janë përgjigje për mungesën e besimit në Zot (me urdhëresat e tij të padiskutueshme, absolutisht të drejta) dhe dobësimin e autoritetit religjioz. Gjithë vlerat bëhen arbitrare, gjithë pohimet barabar të vërteta dhe të rreme. Rezultati i pashmangshëm psikologjik i kësaj është gjendja konfuze, ambivalenca e errët, terrori, neveria, paniku. Ndonëse janë të paqarta përfundimet pozitive të ekzistencializmit dhe postmodernizmit që Barthelme-i i bëri të vetat, është e kuptueshme që ky kornizim i gjendjes njerëzore bën përshtypje të thellë mbi njeriun dhe prozën e tij.

I famshëm për tregimet, Barthelme-i është novator dhe eksperimentues i papërkulshëm (“me pastërtinë e gjuhës së Kafkës dhe humorin e zymtë të Beckett-it”). Metodat e tij kryesore janë kolazhi dhe pastiche-i, por gjithashtu vuri në përdorim dhe format më tradicionale. Veprat më të hershme varen nga çrregullsia narrative në përshkrimin e jetës së zakonshme (Unë dhe zonjusha Mandible), ndërsa veprat më të vona tërhiqen prej përdorimit të formave më tradicionale në përshkrimin gjithnjë e më shumë të skenarëve të çuditshëm e surealë.

Tregimet e Barthelme-it, krahas “Dreka lakuriqe” të Burroughs-it, paraqesin shkrimet-kolazhe më të mira të gjuhës angleze. Në duart e Barthelme-it teknika bëhet e farefisshme me tipa të “artit të gjetur”, objekte gjoja të mrekullueshme të manipuluara prej koleksionimesh të përditshme, skarcitete dhe hedhurina të gjetura te vjetërsirat, hendeqet dhe dyqanet e antikuarëve. Por kur gjendja ndërmjetëse është gjuha, lënda e parë (prodhimi gjysmë i gatshëm) për këtë tip arti, natyrisht, duhet të nxirret prej klisheve, pamjeve demode dhe artikulimeve të ndërprera. Çka përjeton Donald Barthelme-i si autor postmodern nuk është frika e ndikimit, por kënaqësia e ndikimit në parimin e kolazhit: ku gjëra të pangjashme ngjiten për të krijuar një realitet të ri, i cili mund të përmbajë një koment për realitetin nga ka dalë, si edhe mund të jetë shumë gjëra të tjera. Proza ndërtohet prej gjërash të rastit, duke krijuar një univers që është sajuar prej citatesh të nxjerra nga shumëllojshmëria e ligjërimit – gjuha e njoftimeve dhe gazetave, e librave të artit dhe traktateve, e filozofisë dhe teologjisë, e librave të vjetër dhe miteve, e vizatimeve dhe psikologjisë. Meqë kumtimet e një fakti përplasen me njëri-tjetrin pa ndonjë lidhje të dukshme, krijimet bëhen kryesisht një tekst. Shpesh përdoren parodia dhe ironia, dy forma që e shohin botën të shkëputur nga qenësitë dikur të besuara dhe të marra për të vërteta (tregimi “Në muzeun e Tolstoy-t” fillon me një parodi të psalmeve). Është me interes të thuhet këtu se në kohën kur zhvillon stilin e kolazhit, Barthelme-i drejtonte punën e organizimit të ekspozitave të tilla në Muzeun e Arteve Bashkëkohore të qytetit të tij, Houston.

Ky instalim klasikisht antiletrar i gjuhës do të kthehej në letërsi erudite, për më tepër që prodhimi përfundimtar duhej të ishte i mrekullueshëm dhe elegant, ndonëse ka përbërës vulgarë dhe të shëmtuar, duke e bërë autorin e tyre ironikun e parë amerikan të shekullit XX. Nënteksti filozofik i kolazhit dhe pastiche-it mund të shihet si mbrojtje ndaj “vdekjes së tregimit/romanit”, sjellë prej prozës banale, të pavetëdijshme, shkurt, si talisman kundër kalbësirës.

Duke imituar dhe lidhur së bashku stereotipa proze, klishe gjuhësore dhe rregulla kanonike të shkrimit të prozës, Barthelme-i vë në përdorim ato që mund t’i marrë në mbrojtje, të vetmet teknika të sistemit të tij në një epokë ku kanë shterur fuqitë e letërsisë, ndërkohë bën shaka me këto konvencione – duke realizuar faktin që ato janë konvencione, si dhe përdoren nga autori në mënyrë të përkryer. Një term i zakonshëm për këtë lloj shkrimi të prozës është “metafiksioni”, sepse, sipas shumë kritikëve, veprat e Barthelme-it janë më pak për temat e zakonshme të prozës së pavetëdijshme (njerëz, marrëdhënie njerëzore, shoqëri) sesa për procesin e të shkruarit vetë. Për Barthelme-in suksesi më i madh nuk është nëse tregimi na bie si i vërtetë, por nëse ai (tregimi) na tregon se si vepron.

Donald Barthelme-i vlerësohet se, pothuajse i vetëm, e ka rilindur zhanrin e tregimit të shkurtër dhe e ka bërë një formë të freskët arti. Teknika formale më goditëse e Barthelme-it është manipulimi e literariteti i metaforës apo klishesë, krijimi i fundit të hapur apo situatat qartas të pafiksuara. Nga kjo cilësi e fundit të hapur të veprës – e cila megjithëse gjithmonë fillon me një lidhje logjike jashtëzakonisht të përdorur, çahet dhe zgjerohet në pjesë të veçanta, të lëvizshme – njeriu nuk e ndien që e ka “mbaruar” një tregim të Barthelme-it.

Vepra e Donald Barthelme-it mund të lexohet si një sulm mbi ndërgjegjen false lindur prej burimesh të rreme të informacionit që janë pranuar si një gjë e zakonshme në shoqërinë moderne, të teknologjizuar, urbane. Por kjo është… t’i lexosh tregimet me theks më moralizues nga sa është pasur ndërmend. Për karakterin tipik barthelmian, është larmia e botës që shqipton disfatën, qysh se larmia është formë e shumësisë dhe shenjë e mungesës së saj: sfera e emrave në shenjë, aluzioneve historike, “ngjarjeve të padyshimta” dhe e temave të modës, ekziston në një botë plotësia e së cilës rezulton nga mungesa e ndonjë sensi të fortë hierarkik të vlerave.

Nëse ka një sens optimizmi te vepra e Barthelme-it, kjo nuk rrjedh nga besimi i njohur modernist se arti ofron mundësinë e ikjes nga rrëmuja e botës moderne, apo që arti mund t’i ndryshojë rrethanat ekzistuese; Barthelme-i i përqesh haptazi këto besime me kredo të tjera më moderne. Në të njëjtën kohë, Barthelme-i parashtron më pak funksion të lartë mbi artin me sugjerimin që ai është me vlerë thjesht sepse i jep njeriut një shans për të krijuar një hapësirë në të cilën efektet e shuarjes së vitalitetit të jetës mund të ngrihen sfidante.

Gjuha e shkrimtarit është e “shenjuar” prej impersonalitetit… “trishtimi” dhe “gjakftohtësia” shfaqen për të referuar te përmbajtja ku qëllojnë karakteret. Njeriu është si një vizitor i rastit në një botë që dendet me universe. Barthelme-i derdh kronikë, fabul, karakter, kohë, hapësirë, gramatikë, sintaksë, metaforë dhe krahasim, përveç veçorive tradicionale të faktit dhe fiksionit. Çfarë përdori për të organizuar kohën-realitet, hapësirën dhe strukturën e gjuhës – shpesh është pa lidhje dhe gjuhë: vështirësia “në përdorimin” e saj bëhet çështje e madhe e artit të tij. Më i dukshmi është refuzimi i tij për të qenë pasqyrim i vjetruar, me komentin sipër, i një bote të qëndrueshme, të jashtme.

Dikush thotë se ndoshta Barthelme-i është shkrimtari i fundit i postiluminizmit… Një absurd si (Samuel) Beckett mbron idenë se bota është në mënyrë themelore e dykuptimshme, ndërsa një surrealist lojcak si (Richard) Brautigan sugjeron se ajo është e ndarë më dysh (ambivalente). Për Barthelme-in bota është të dyja këto. Askund fiksioni i Barthelme-it nuk e përjashton apo e miraton plotësisht botën bashkëkohore. Dhe njëkohësisht, ai mbetet njëri prej shkrimtarëve të paktë të brezit të tij që e komunikon sensin e jetës moderne, si absurd e pa kuptim, pa u adresuar te marrëzia e ekzibicioni.


Shpesh fjalët e një personazhi (fragmentet janë të vetmet forma që besoj) janë marrë si kredo estetike e autorit, por vetë Barthelme-i, si shkrimtar mendjehollë, i rrëshqet kësaj me elegancë, duke thënë se çfarëdo që mendon për estetikën do të ishte pak më e ndërlikuar se ajo që mendon një personazh në një çast të veçantë të përjetimeve të tij. Tepër i lexuar dhe influencues (shumë autorë të postmodernes e radhisin ndër mjeshtrit e tyre), qe i admiruar prej një realisti si Raymond Carver, i cili në një recension do të thoshte: ”Donald Barthelme-i është heroi ynë, djema!”

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…