Skip to main content

Tetova News

Botohet libri i parë për esenë shqiptare

Nga DHURATA HAMZAI


Përpjekja  e parë e për të sistemuar esenë shqiptare, duke kërkuar tekste eseistike, aty ku duken edhe aty ku nuk duken, shënohet me daljen në dritën e botimit të librit “Eseistika” (sprovë) të studiuesit Tonin Çobani. “Termi eseistikë në gjuhën shqipe është një sajesë e paqartë deri në fund, -thotë autori i këtij libri, -duke argumentuar se; përndryshe eseistikë do të thotë një letërsi që nuk është as letërsi shkencore me kuptimin e plotë të fjalës, as fiction, as kritikë letrare në kuptimin e ngushtë profesional të fjalës, e as thjesht publicistikë”. Kjo gjini vjen që nga antikiteti. Esetë janë vërtetë një zhanër i rrallë, dhe këtë e ndjejmë me intuitë, kur ato janë tronditëse e rrjedhin mesazhe aktuale, në çdo kohë që mund të jenë shkruar.

Ndaj merita e autorit është se ka nisur rrugën i pari që të hulumtojë e studiojë në vijën historiografike zanafillën e këtij zhanri, esenë, “që kosovarët i thonë dhe eseu”, shprehet autori i këtij libri. Natyrisht për nevoja të shkollës, në punën e tij si pedagog në Universitetin e Shkodrës, Tonin Çobanit i është dashur të lexojë e përshkruaj faqe të tëra të eseve të lëvruara në epoka të ndryshme, për t’i lënë një vend të nderuar në historinë e letrave shqipe edhe esesë shqiptare. Studiuesi Çobani thotë se e ka një arsye të fortë që ia nisi kësaj pune, “ngaqë eseja është lëvruar, por nuk është studiuar si gjini më vete”. Ndaj, pas një pune hulumtuese 4-5-vjeçare me këtë libër, Tonin Çobani, hedh themelet e kërkimit të lëvrimit nëpër kohët historike të esesë shqiptare.

Ai ka zbuluar dhe ka shënjuar në këtë libër herën e parë të ndeshjes së termit ese në tekstin shkollor të Justin Rrotës “Letratyra shqype”, Shkodër 1934. Por eseja ka qenë e lëvruar më parë, edhe pa nevojën e përcaktimit të termit. Kështu Çobani ia ka nisur studimeve me “Çetën e profetëve të Bogdanit”, me veprat eseistike të De Radës e Zef Jubanit, Dora D’Istrias, Pashko Vasës, Aristidh Kolës, Faik Konicës, Mitrush Kutelit, etj. Me qasje të argumentuara saktë, ky libër bëhet i domosdoshëm për të mësuar se çfarë është eseja dhe si u lëvrua veçanërisht eseja shqiptare.

“Jo çdo shkrim mund të emërtohet me këtë term”, thotë studiuesi Çobani. Ndaj përcaktimin e termit ese do ta bënte të pagabueshëm leximi i këtij libri, sepse siç thotë autori “në të vërtetë, në përgjithësi, as intelektualët e letrave dhe vetë autorët që përpiqen ta kultivojnë esenë nuk i kanë të qarta rregullat që përcaktojnë një tekst si të tillë”. Në brendësi të librit, Tonin Çobani merret me klasifikimin e eseve, historinë e lëvrimit dhe, pasi ka bërë këtë rrugëtim studimor, ai trajton me shembuj konkretë edhe esetë e disa prej personaliteteve më të spikatura të letrave shqipe.

Ai e ka hartuar tekstin e këtij libri, pasi ka hartuar në programin e tij të kërkimit një antologji, të cilën e nis me përkthyesin e parë të Biblës në gjuhën shqipe, me Shën Jeronimin, dhe vjen deri në ditën e sotme. Pasi krijohet një përkufizim më i qartë me lëvrimin  e esesë në kohët antike nga Ciceroni te Shën Jeronimi, Çobani tregon se lëvruesit e esesë janë të shumtë, ku përfshihen edhe shkrimtarët si Fishta dhe Kadareja apo edhe Pashko Vasa. Ndërsa Samiu, Çabej dhe Rugova vinin nga radhët e shkencëtarëve, ku ndër ta mund të përfshihet sipas studiuesit edhe Fan Noli.


“Eseistë të mirëfilltë ishin Pashko Vasa, Konica dhe Noli. Ata shkruan ese në gjuhë të huaj, ndoshta më parë se të shkruanin shqip ose paralel; vetëm Konica vetëdeklarohej si shkrimtar esesit”. Duket se historishkrimi i esesë shqiptare ndjek një rrugë tepër të gjatë, gjë që Tonin Çobani e argumenton më së miri në kapitullin 3 të librit Eseistika, “Fillesat retorike: Ciceroni, Jeronimi i Ilirisë...”. Çobani shkruan në këtë libër edhe për ata që i quan “latinistë të tjerë shqiptarë”./Shqiptarja

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…