Skip to main content

Tetova News

E shkruara, lëndina e ëndrrave të Irma Kurtit


TIRANË, 23 Janar/ATSH-Flora Nikolla/- Brezi i viteve ’70 nuk mund të harrojë kurrësesi tekstet e goditura e plot sharm poezie të Irma Kurtit, në festivalet e këngës në Radio-Televizion, aktiviteti i vetëm dhe i shumëpritur për shqiptarët në çdo  fund-viti.  Ishte një ritual besnik i gjithi ky…kur Irma si me qetësinë por edhe me vrullin e e rinisë së parë, prezantonte këngën që mbante tekstin e saj. Ishin fjalë që vetiu regjistroheshin në memorie, e ashtu  të mbeteshin në gojë, si në ditën  e zakonshme ashtu edhe në fletë dashurie. 
Ajo…, Irma Kurti, besnike e fjalës, e dashuruara e mendimit poetik dhe po aq e prozës, e vijoi udhën e saj të së shkruarës edhe kur iku nga vendi i saj … Emigroi në Itali, aty ku askush nuk kish si të njihte nostalgjinë e poezisë dhe të krijimit të saj . Atëherë, ishtë një emër më shumë, në rradhën e gjatë të emrave të emigrantëve të ardhur nga vendi përballë Italisë, Shqipërisë. Sot, Irma Kurti…,  është fituese e dhjetra çmimeve në Itali, në konkurse ndërkombëtare si për poezinë ashtu dhe prozën e saj. Në vitin që sapo lamë pas, Irma Kurti u vlerësua me Çmimin Ndërkombëtar: “Universum Donna”, ekuivalente e “Gruaja e Vitit” për Letërsinë dhe me emërtimin: “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy e Universiteti i Paqes i Zvicrës Italiane.
Qershia mbi tortë në këtë fillim viti është një përmbledhje e re me poezi. Quhet “Sotto la mia maglia” (“Nën bluzën time”, që në fakt është libri i katërt shkrimtares pas “Tra le due rive”(Midis dy brigjeve) roman autobiografik, 2011, “Risvegliare un amore spento” (Të zgjosh një dashuri të shuar) poezi, 2011, “Un autunno senza ritorno” (Një vjeshtë pa kthim), tregime 2012.  “Nën bluzën time” ishte  botuar në shqip në maj të 2013 nga Shtëpia Botuese Dudaj, por ja që autorja dëshroi ta sillte poezine e saj edhe në gjuhën e  vendit ku ajo jeton prej vitesh. “Nuk mund të zgjidhte titull më të goditur Irma Kurti, poetesha me një thellësi të jashtëzakonshme shpirti. Me origjinë shqiptare, e emigruar në Itali, autorja di të përshkruajë në mënyrë perfekte gjendjen shpirtërore të dikujt që është i detyruar të braktisë atdheun dhe të jetojë një të ardhme larg tij”, shkruan nëparathënien e këtij libri, botim i Kimerik. Nostalgjia është nyja lidhëse e poezive, argumenti i padukshëm që bashkon të gjitha krijimet, pavarësisht nga tematika që afrontohet dhe argumenti i trajtuar”, vijon Kimerik duke shtuar se ”vepra është një përmbledhje që pavarësisht shumëllojshmërisë së tematikës rrotullohet  rreth një figure të vetme, asaj të autores, e cila zgjedh “të heqë bluzën” duke zbuluar e dhuruar veten përmes vargjeve”.  Vëllimi poetik “Sotto la mia maglia” përmban  70 poezi të ndara, sipas tematikës në katër pjesë: “Në një lëndinë ëndrrash”, “Magji e dashurisë”, “Dhimbje” e “Qielli im i melankolisë”.  E kontaktuar nga ATSH, Irma Kurti  e quan “të shkruarën pjesë të pandarë të jetës së saj”. Ashtu sikundër shprehet në këtë intervistë, në të gjitha herët që shkruan ajo mundohet të jetë vetvetja.

Ç’është e shkruara për Irma Kurtin?

Pjesë e pandarë e jetës sime. Kam nisur të hedh vargjet e para në letër që kur isha fëmijë, në moshën 10 vjeç. E pastaj… pastaj,  jam rritur e maturuar me dashurinë dhe pasionin për të shkruar e nuk mund ta kuptoj veten pa të.

Cili është raporti mes poezisë dhe prozës…?

            Ndoshta nuk do ta merrja kurrë kurajon për të shkruar prozë, nëse nuk do të përjetoja atë dhimbje pafund për humbjen e parakohshme të nënës sime. Ajo më bëri të ulem e të shkruaj librin autobiografik “Midis dy brigjeve”, që është dhe mbetet një homazh dashurie. Ky libër u vlerësua me disa çmime në Itali, midis tyre me çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar ”Lago Gerundo” 2011 në Paullo, Milano. Jehona pozitive që pati edhe tek lexuesit më nxiti t’i dedikohem dhe gjinisë së prozës.
            Poezia është brenda meje, ajo është e pranishme dhe në prozën që shkruaj, ngatërrohet shpesh me të, hyn papritur në rreshtat e saj për të më thënë që është dhe do të jetë, që nuk do të më braktisë asnjëherë.

Kur dhe pse nis te shkruash një libër të ri?

 Është një proçes relativisht i gjatë deri sa të ulem e të nisë të shkruaj një libër, periudha në të cilën mendoj, akumuloj, motive të ndryshme lindin e zhvillohen. Çdo gjë është ende e turbullt, ashtu siç shihen objektet në një ditë me mjegull e pastaj kjo rrallohet me proçesin e krijimit. Ndonjëherë më pëlqen kjo gjendje pezull, sepse është “komode”. Përpara ekranit të kompjuterit shpesh ndihem e vogël, plot dyshime e pasiguri, deri sa tema e subjekti dalëngadalë kthjellohen e marrin jetë.

Sa herë ke shkruar për veten dhe sa herë për lexuesin…?

            Krijimtaria ime është e pashkëputur nga të gjitha momentet e rëndësishme apo ato më pak të tilla, si edhe nga detajet që megjithatë meritojnë vëmendje. Në të gjitha herët që shkruaj mundohem të jem vetëvetja, dhe me difektet e mia e atëhere e di se kam shkruar edhe për lexuesin. 

Mendon se ka letërsi shqipe të mirëfilltë sot?

            Për fat të keq nuk jam në kontakt të përditshëm me letërsinë shqipe, duke qenë se jetoj në Itali. Lexoj çdo ditë, por në italisht dhe më pak në anglisht. Në Shqipëri ka një pafundësi botimesh dhe të botosh duket se është gjëja më e thjeshtë. Shpesh librat përmbajnë gabime të dukshme dhe për një lexues të zakonshëm. Kjo lehtësi krijon dhe iluzione tek ata autorë që botojnë një apo dy libra e vetquhen shkrimtarë. Të shkruarit është një proçes i gjatë, që kërkon pasion e përkushtim në çdo ditë të jetës dhe emrin “shkrimtar”  ta jep puna dhe eksperienca, por mbi të gjitha cilësia e “produktit” që lexuesit mbajnë në duar.

A duhet të jetë më e mirëbashkuar letërsia shqiptare që shkruhet brenda dhe jashtë kufinjve?

            Institucionet e kulturës në Shqipëri duhen të zhvishen nga mentaliteti arkaik, duhet të jenë të hapur e të përkrahin çdo gjë me nivel. Mjaft më me çmime që u jepen të njëjtëve emra – pjesë e rrethit të miqve apo klaneve, interesave të ngushta apo ato politike. Ato duhet të kthejnë vëmendjen, medoemos tek letërsia që shkruhet jashtë kufinjve të atdheut. Jo vetëm pse është letërsi shqipe dhe shkruhet në kushte jo të lehta, në një të përditshme ku të duhet të luftosh e të mbijetosh. Po edhe pse kjo letërsi është ura më e qëndrueshme me kulturën e vendeve të emigrimit, reklama më e mirë që i bëhet një Shqipërie të kulturuar e të emancipuar. Si e tillë nuk mund e nuk duhet të injorohet.


Ju kur shkruani, ngjarjet i vendosni në një vend … apo respektivisht në Itali dhe Shqipëri?

Në krijimtarinë time zë vend të konsiderueshëm Shqipëria, vendi ku kalova fëmijërinë, Elbasani dhe më pas Tirana, ku vazhdova shkollën e mesme, Universiteti ku punova për shumë vite. Në të ka mall, nostalgji, po edhe mllef e zemërim. Natyrisht, kam shkruar dhe për qytetin ku jetoj aktualisht, Bergamon. Në përmbledhjen time të re me tregime, që shpresoj të botohet në italisht brenda këtij viti, ka shumë “shpëngulje”: Greqi e Itali, Francë, Danimarkë e Norvegji, vende ku kam udhëtuar. Unë jam dhe do të mbetem shqiptare, por më pëlqen të mendoj e ta konsideroj veten qytetare të lirë. Kjo është një ëndërr që e kemi mbajtur të gjithë brenda vetes e tanimë “pothuaj” e kemi realizuar.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…