Skip to main content

Tetova News

E vërteta e historisë, vetë historia në letërsinë e Fatos Kongolit

Nga Flutura Açka

Shkrimtari Fatos Kongoli ka festuar dje 70-vjetorin e lindjes. Profili letrar i shkrimtarit ishte urimi më i mirë për të në këtë ditë

 I dashur Fatos,
Ca nga natyra, dhe ca nga kohërat e reja që na yshtin nxitim, nuk kemi patur rast të jemi në të gjitha gëzimet dhe ngjarjet e njëri-tjetrit, por sa herë jemi rigjetur, jemi takuar me po të njëjtin mall dhe dashuri, duke e vazhduar miqësinë tonë mu aty ku e kishim lënë në retiçencë gjatë mungesës, njëlloj si në një fiction që vetëm jeta ka fuqi ta shkruajë. Kështu u ndodh shpesh edhe personazheve tanë, të cilëve, deshëm s’deshëm, iu veshëm tunikën tonë. E meqë jam këtu, te mikrokozmosi fiktiv por i tejpërmastë letërsisë, dua të them se galeria letrare e personazheve që u ke dhënë jetë në aq shumë vepra që ke shkruar dhe në gjithë këto vite përkushtim ndaj rrëfimit, është kaq e larmishte, sa gati e shkërben jetën. Dhe ata, personazhet e tu, janë bujtësit më të vyer të festës tënde sot; anipse të padukshëm, ata i kanë dhënë secilit prej nesh si lexues të thjeshtë, mjaftueshëm gëzim, melankoli, emocion, grishje për gjëra njerëzore, dëshpërim e fantazi. Burra vanitozë, gra të paplotësuara, qenie që shpesh s’mendojnë (ngaqë shpesh të lodhur refuzojnë të mendojnë), të moshuar që thyejnë vetminë me punëra që s’i bënë dot në rininë e tyre, vrasës të ftohtë e viktima të fajshme, njerëz haluçinantë në kërkim të asgjëve, gra e burra në kriza martesore, emigrantë e ardhacakë, fetarë e blasfemikë, intrigantë e naivë, fajtorë e fajësues pa skrupuj, njerëz me virtyte e vesëtarë të rafinuar, kanë gjetur strehë në shtëpinë tënde bujare të rrëfimit. Të gjithë ne shqiptarët që jetuam në kapërcyell të të dyja epokave, të gjithë ne shqiptarët që përpiqemi të bëjmë dukë e prani njerëzore mes një kaosi të pjellë nga tranzicioni i gjatë, jemi përfaqësuar aty. Të gjithë. Kështu me këmbëngulje, përmes “flirtit” me një grua të bukur, siç thua Ti për letërsinë, u ke dhënë shqiptarëve të vërtetën e historisë, vetë historinë. Sepse letërsia, i dashur Fatos, në substancën e saj, është histori e rrëfyer së brendshmi: e prekshme, e njëmendtë, e pakompromentuar. Sepse është atribut i shpirtit, të cilin nuk mund ta blesh dot lehtë si një kartë përfaqësimi në ndonjë komunitet, qoftë edhe politik. Dekada më pas, edhe 100 vjet më pas, e shumë kohë me pas, shqiptarët do ta kërkojnë Shqipërinë e tyre të dikurshme tek librat e tu, siç ne e gjejmë sot atë të dikurshmen te vepra e Konicës, Nolit, Mithat Frashërit, e të tjerë të fismëve tanë letrarë, të cilët e kanë ditur, se për të shkuarën, mund të mos jenë përgjegjës, por për të tashmen, që do të jetë një ditë e shkuar për të tjerë, duhet të shkruhet me përgjegjësi. Dhe, me të njëjtin respekt tonin për këtë të shkuar të trashëguar, një ditë shqiptarët e ardhshëm do të përcjellin edhe veprën Tënde si një dëshmi të ndreqjes së asaj çfarë strabizmi politik i ka lënë shpesh këtyre trojeve. Atyre, shqiptarëve të ardhshëm, nuk do t’u duhet ta retushojnë veprën tënde nga fantagorizmat, për t’iu afruar së vërtetës së vetes. Ti nuk lodhesh të shpikësh, Ti këmbëngul të gjesh, në çdo skutë ku i burgosim frikërat tona, edhe në ato të kujtesës.
Duke të vërejtur gjithnjë me të njëjtin kostum që të rri bash bukur, atë të thjeshtësisë dhe providencës (termi Yt ky), larg bujës mediatike dhe krekosjeje podiumesh –­ s­ëmundje që i zë ndonjëherë edhe shkrimtarët ­– kam mësuar se sa e rëndësishme është që vepra të priret kah publiku, pra lexuesi, më shpejt s­e sa vetë shkrimtari. Nuk të pashë kurrë të merreshe me zbërthimin e veprës tënde, të bëje shpjegime bjerraditëse se sa me mençuri kishe dashur ta përshkruaje aksh ngjarje e at’ personazh; e ke lënë përherë lexuesin të baresë i qetë livadheve tua, e të kërkojë filozofinë e jetës së tij i patrazuar nëpër rreshtat e bardhë të filozofisë tënde letrare. Nuk të pashë kurrë ndonjë prirje kah çiftëzimi letraro-politik, model i shpeshtë për kohërat e reja shqiptare. Ti dite ta ruash Fatosin nga Fatosi i tranzicionit, duke dhënë shembullin e shkrimtarit që pavarësish rrëmetesh sociale të kohës së cilës i përket, ai mbetet dorëzanë i higjienës shpirtërore të shoqërisë së cilës i përket.
Tek e shkruaja këtë letër urimi për ty, nuk mund të lija dot pa e përmendur atë çfarë na lidh më shumë, ajo fëmijëri e përbashkët në të njëjtat rrugë, në të njëjtin peizazh, mes së njëjtës erë Kraste, përmes atyre kalldrëmeve dhe rrëfenjave që një qytet i mrekullueshëm si Elbasani mund të ketë. Dhe, edhe pse e gjithë jeta jote, edhe ajo letrare, lidhet fort me Tiranën, gjithnjë do të mbetet një vjegë e pazgjidhshme mes teje dhe atij qyteti, që sot, jam e bindur ndihet i nderuar me ty. Edhe pse larg, i bashkohem mirënjohjes së atij qyteti dhe çdo shqiptari që e lexon dhe e çmon veprën tënde.
I dashur Fatos, po e mbyll këtë urim timin duke të dëshiruar jetë të gjatë e me penë të ngjyer. Diku thua se “dikur ke patur më shumë kohë dhe i bëje të gjitha, tani ke më pak kohë për t’i bërë të gjitha”. Jo, Ti ke kohë të mjaftueshme për t’i bërë të gjitha, por, në fakt, Ti i ke bërë të gjitha, dhe mrekullisht mirë!
Përqafime nga larg, Flutura
*Utrecht (Holandë), 22 Janar 2014

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…