Skip to main content

Tetova News

Edi Gishtëshpejti, me ‘ë’ apo jo, dhe dy fjalë për standardin

Teuta Toska

Çështjet e standardit, të gjuhës së shtetit shqiptar, i kanë shqetësuar shpeshherë mediat. Ky shqetësim, duhet të themi, nuk ka qenë asnjëherë i tepërt, madje kjo për vetë median bëhet e nevojshme, sepse gjithnjë e më shumë shoqëria shqiptare, media dhe shkolla, në veçanti, po shfaqin një shpërfillje ndaj rregullave të standardit. Por, siç ndodh zakonisht prej atyre gazetarëve që përfshihen në këtë debat shpesh shumë teknik dhe shkencor, mediatizohen vetëm problemet më të thjeshta. E kështu çështja e standardit, rishikimit ose jo të tij, përmirësimit ose jo të tij, hapjes ose jo të tij, shfuqizimit ose jo të tij, rrudhet shpesh në “do të shkruajmë me ë apo pa ë”.
E në lidhje me këtë më ka bërë përshtypje këto kohë, në reklamën e fundit të kompanisë celulare Vodafone, përdorimi i ë-së në fjalën (e sapoformuar në shqip) “gishtëshpejti”. A duhet shkruar apo jo ë-ja në këtë fjalë të re në shqipe? Çështja në dukje është e thjeshtë, por nisur nga kjo dua të shtjelloj edhe disa ide në lidhje me standardin gjuhësor (shtetëror) dhe të ngulitjes më të mirë të tij.
Në fillim çështja teknike: me ë apo pa ë? Fjala “gisht” në shqipe shkruhet pa -ë-, e për rrjedhojë nuk ka arsye gjuhësore, në pamje të parë, që fjala “gishtëshpejti” të shkruhet me ë. A ka ndonjë rregull që kanë zbatuar hartuesit e tekstit të reklamës për vendosjen e ë-së? Është rregulli i “zanores ë mbështetëse”, rregulli 5c (Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Tiranë, 1973). Me fjalë të thjeshta, ë-ja është një shtesë, pa asnjë vlerë gramatikore, por që bëhet e nevojshme për shkak se, pa të, bashkohen nga fjalëformimi katër bashkëtingëllore në shqipe dhe kjo nuk shkon me strukturën e zakonshme fonetike dhe gramatikore të shqipes. Kështu, fjala me -ë- ndjek modelin e fjalëve të tjera të ngjashme në fjalëformim (si këmbëshpejtë në rastin tonë). Pra, fjala në reklamë është shkruar drejt.
Interesante në këtë zgjedhje gjuhësore është fakti se, për drejtshkrimin e kësaj fjale, është zbatuar një rregull ndër më të qortuarit nga studiues (ose jo) që duan ndryshime në standard, rregull që është një “krijesë” e gjuhëtarëve, që nuk ka një realitet në gjuhën e folur: pothuajse të gjitha fjalët që drejtshkruhen sipas këtij rregulli në ligjërim mund të shqiptohen pa këtë -ë- mbështetëse. E, megjithatë, rregulli 5c vazhdon të jetë aktiv, duke prodhuar, siç po shohim, njësi të reja në gjuhë.
Ndryshimet që po synohen në standard këto kohë (siç edhe sugjeroi mbledhja e fundit e Këshillit Ndërakademik) synojnë ta sjellin atë afër ligjërimit, d.m.th. gjuhës së folur. Përkthyer në terma gjuhësorë, kjo do të thotë të zgjedhësh të shkruash sipas parimit fonetik dhe jo atij morfologjik apo historik-tradicional. Pra, çështja e parimit të drejtshkrimit është çështja e parë që diskutohet në të vërtetë. Kështu, nëse do të zgjidhnim të shkruanim fjalën “gishtëshpejti” sipas parimit fonetik, fjala do të shkruhej pa -ë.
Vërtet mund të kemi fjalë që shkruhen me parimin fonetik në trajtën e tyre përfaqësuese, por në ligjërim ato marrin mbaresa dhe kjo e bën strukturën e tyre fonetike të ndryshueshme. Shtojmë këtu edhe faktin e formimit të fjalëve të reja, që po bëhen gjithnjë e më shumë të nevojshme në ligjërimet e fushave të reja të komunikimit publik. A do ta ruajë strukturën fonetike fjala kur bashkohet me fjalë të tjera apo edhe me ndajshtesa (parashtesa, prapashtesa)? Pra, parimi mbizotërues i drejtshkrimit të fjalëve (të ngrira) në fjalor vërtet mund të jetë ai fonetik, por kur fjala përdoret në ligjërim e fjalëformim?
Diskutimi për fjalën gishtëshpejti, nëse shkruhet me ë apo pa ë, na çon edhe në çështjen nëse janë të përshtatshme rregullat e standardit edhe sot pas kaq vitesh dhe a ia lejojnë, mbi të gjitha, ligjërimit formimin e fjalëve të reja? Përdorimi i një rregulle kaq “jonatyrore” (i zanores -ë-mbështetëse) për gjuhën në formimin e një neologjizme mund të jetë vërtet një rast i veçuar, por edhe një tregues i thjeshtë se standardi ka krijuar jetën e vet si një ndër variantet e shqipes (edhe pse më i privilegjuari), me ligjësitë që gëzon çdo variant tjetër gjuhësor: i gjallë, në ndryshim, në qëndrueshmëri, në gjenerim të njësive të reja, në mënjanim të njësive të panevojshme etj.
Nga ana tjetër, përgjigjja e individit ndaj kësaj zgjedhjeje (përgishtëshpejtin), është po ajo: Në një provë në klasë me studentë të universitetit tim thuajse gjysma e shkruan këtë fjalë pa -ë- (edhe pse është një fjalë e mediatizuar: imazhi i kësaj fjale mund të shfaqet dhjetëra herë në ditën në televizion, posterat e personazhit janë gjithandej qyteteve, pa folur për shfaqjen e vazhdueshme online të reklamës), ndonjë e shkroi madje me vizë në mes. Vetë folësi i reklamës e shqipton këtë fjalë pa -ë. Në këtë pikë, mendoj se, edhe nëse do të “shfuqizohej” rregulli 5c, rezultati do të mbetej po ai: përafërsisht gjysma do të gabonte sërish! Arsyeja është se shqipfolësit sillen me standardin siç vazhdojnë të sillen edhe me natyrën, pronën publike, pasurinë kombëtare: duke e shpërfillur e nëpërkëmbur.
Ata që punojnë çdo ditë me nxënësit, studentët, vetë redaktorët, kryenëpunësit e çdo sektori të administratës shtetërore e private e njohin mirë këtë realitet, që nuk do të ndryshojë me ndryshimin e rregullave të standardit, thjeshtëzimin e tyre, përafrimin e rregullave me gjuhën e tyre të përditshme.
Për ta ndrequr këtë realitet, mendoj se, në radhë të parë, duhet të kuptojmë se në parim vazhdon ende keqkuptimi apo keqparaqitja që i bëri standardit regjimi i kaluar – duke e quajtur atë gjuhën e përbashkët të shqiptarëve kur nuk ishte e s’mund të jetë. Standardi është gjuha e një shteti dhe si e tillë me gjuhën e një kombi ka raportin e pjesës me të tërën. Regjimi i kaluar, për shkak të ideologjisë së vet, na e shërbeu këtë “pjesë” si tërësi përjashtimore, duke u rrekur t’u marrë terrenin varianteve të tjera.
Kjo hapërdarje e standardit duhet të marrë fund dhe standardi duhet të rrijë në vendin që i takon; por jeta familjare, shoqërore, media sociale, lloje të letërsisë, lloje të artit, lloje të muzikës etj., duhet të lihen të “marrin frymë” në shqipe dhe jo në standard. Por në vendin që i takon, standardi duhet respektuar në të gjithë rregullat e tij. E shteti duhet të kujdeset për të, e po ashtu të gjithë mekanizmat shtetërorë: shkolla, më së pari. Çdo shqipfolës duhet të kuptojë se qëndrimi ndaj gjuhës së vet, ndaj asaj që përdor në jetën familjare e shoqërore etj. është vërtet shpengimi, por ndaj standardit është dhe duhet të jetë respektimi.
*Teuta Toska, zv/dekane në Fakultetin e Shkencave Humane, në Universitetin “A. Xhuvani”.  
Mapo

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…