Skip to main content

Tetova News

Fatos Kongoli: Ndihem i ri, nuk më besohet që jam 70-vjeç


TIRANË, 22 Janar/ATSH/.- Shkrimtari Fatos Kongoli, një ndër autorët më të përkthyer në gjuhën e huaj, ka festuar sot, mes miqsh 70-vjetorin e tij të lindjes.

“Unë ndihem i ri, nuk më besohet që jam 70-vjeç. Më duket e çuditshme”, tha Kongoli në ceremoninë e organizuar sot, në Akademinë e Shkencave.

Kongoli,  i përkthyer në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Britaninë e Madhe, Spanjë, etj është shkrimtari më i botuari jashtë vendit, pas Ismail Kadaresë. Ai nuk heziton ta pranojë se ky fakt është një vlerësim për të që i përkëdhel sedrën.

Sipas botueses së shtëpisë botuese “Toena” Irena Toçi, që ndë vite ka botuar dhe ribotuar rreth 15 vepra të Kongolit, ai është një nga emblemat më përfaqësuese të periudhës së tranzicionit në vend. Mes dhjetra botimeve në gjuhë të huaj, mes shkrimeve në gazetat më prestigjone europiane, që bëjnë jehonë për veprën e tij, mes çmimeve më të rëndësishme dhe mijra lexuesve që e mbështesin, Kongoli është shkrimtari i thjeshtë dhe fisnik në përballjen me suksesin.

Pas shumë botimeve të tij, që nuk kanë kaluar pa debat dhe ndikim në opinionin publik, ai pranon se ka ende shumë gjëra për të thënë. “Për çdo autor është e pamjaftueshme t’i thotë të gjitha ato që dëshiron të thotë, por vjen një kohë që ai vetë duhet ta kuptojë nëse duhet të vazhdojë t’i thotë ato që mendon apo duhet të tërhiqet”, tha Kongoli.

I pyetur nëse ndjen gëzim për veprat e tij, dhe për sukesin e tyre ai shprehet se jo, pasi kjo për të do të thotë mos të shkruante më pas botimit të një veprë. “Sapo botohet një libër i ri përpiqem ta harroj. Librat e botuar janë për mua në një farë kuptimi të harruar sepse ndryshe nuk do shkruaja dot një libër të ri”, shprehet shkrimtari.

I cilësuar si shkrimtari i tranzicionit, Kongoli është autori që siç deklaron vetë ai, në librat e tij është përpjekur të përshkruajë njeriun e tranzicionit, si është ai. “Unë përpara viteve ’90 kam shkruar disa libra, por pjesa më e rëndësishme e krijimtarisë sime i përket periudhës së pas viteve ‘90”, tha Kongoli.

Përkthyesi i të gjitha veprave të tij në frëngjisht, Edmond Tupja, e cilësoi Kongolin si njeriun dhe shkrimtarin e veçantë. “Njeriu dhe shkrimtari janë bashkë, nuk mund t’i ndash. Në çdo rresht që kam përkthyer unë kam gjetur Fatos Kongolin. Shkrimtari Kongoli më ka mahnitur po aq sad he njeriu”, tha Tupja.

Raportin mes këtyre të dyjave e ka të vështirë ta ndajë edhe vetë Kongoli. I pyetur se për realizimin e cilës fushë ka luftuar më shumë, ai shprehet se nuk mund t’i ndajë dot. “Di të them që kam luftuar shumë të mbetem vetvetja”, ka deklaruar ai.

Fatos Kongoli është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me romanet: “Kufoma” (1995), “Dragoi i fildishtë” (2000), “Ëndrra e Domokleut” (2002), si dhe i çmimit “Velia” (2000).


Është fitues  i çmimit të Akademisë Kult (2008) dhe i çmimit “Rexhai Surroi” (Prishtinë, 2011). Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika” (2002). Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-ën, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, i përkthyer në gjermanisht u shpall libri i muajit në qershor të vitit 2006 në Gjermani.

Librat e Kongolit kanë pasur jehonë edhe në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si: “Le Monde”, “Le Figaro”, “La Stampa”, “Le Temps”, “Le Soir”, “L’Express”, “Magazine Littéraire”, “Der Tagesspiegel”, “The Guardian”, “The Indipendent”, “El Publico” etj.

Kongoli është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 2010 është nderuar nga Presidenti i Francës me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2012 është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Shqipërisë.  Pas romanit “Si-do-re-la”, romani i tij i fundit është “Njeriu me fat” (2013).

Pas gjithë këtyre vlerësime brenda dhe jashtë vendit Fatos Kongoli pranon me buzëqeshje se po, ka ende pengje…./a.g/

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…