Skip to main content

Tetova News

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë

Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse!
Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur?
Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.

Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakufizuar, ashtu si ndarja që u bëjmë deteve, duke u vënë nga një emër, sa për t’i dalluar. Ajo mbyll me kyç një lloj kuptimi, që e ruan me xhelozi, pa e treguar kurrë sublimen. Shkurt, është një koncept arsyetimi.
Kënaqësia qëndron si shija e mollës në qiellzë të gojës. Ndjenja e lidh atë me përfaqësimin e vetëm të cilësisë, kurse sublimen me të sasisë.
Gjeniu është talenti që prodhon i pari krijesën origjinale të ngjitjes së ekstazës, pa vënë fre, rregulla e rregullore, siç nuk i vihet ligj valës së detit. Vjen frymëzimi, që e merr për dore imagjinatën pjellore të poetit; ndaj cilësia e parë është origjinaliteti.

Bukuria është përpjesëtimi i trajtave, i ngjyrave, i lëvizjes, dritës, errësirës, i tingujve, i lotëve që u shpëtojnë njerëzve përtej koncepteve të së ligës e së mirës, e vetmja esencë-ekzistencë e dëshirës, që jeton e gjallë në lëndë dhe në ide, që shihet me mend, që preket me dorë; përgjunj të gjitha fuqitë e gjalla mbi dhe; akullin e bën zjarr, avullin e bën borë, që e adhuron edhe asketi që e mallkon; trembet dhe plaku kur në sy e vështron, zbutet prej saj çdo bishë… i rrinë në gjunjë njerëz e perëndi.

Filozofia e bukurisë është një teori e vlerave. Bukuria dhe vërtetësia janë shprehje e idealit, simbolet e perfeksionit dhe manifestuesit e së mirës.
Ku lind bukuria? Çfarë konditash duhet të përmbushë një ekzistencë për të qenë e bukur? Cilat elemente të natyrës na bëjnë të ndjeshëm, të prekshëm ndaj bukurisë? Cilat janë lidhjet mes konstitucionit të objektit dhe entuziazmit tonë të perceptibilitetit?
Këto pyetje i shpjegon filozofia e artit, kryesisht kriticizmi, për të njohur esencat e artit.

STILI

Stili është radiografia shpirtërore e procesit që mendimin e karakterizon me fjalë; ai është kudo, sepse ka stil në çdo formë që shpreh me drejtësi një mendim. Artet janë kombinacione gjestesh të caktuara për të objektivuar përpikërish mënyrat e të menduarit ose të të ndjerit. Kur forma shpreh atë që duhet të shprehë e asgjë më tepër, ka stil. Nuk mjafton, në asnjë art, që të ketë njeriu vetëm koncepte origjinale, është e nevojshme për të gjetur strukturën formale që e interpreton besnikërisht konceptin. Çdo ritëm i mendimit njerëzor, që arrin një shprehje adekuate, krijon një stil. Çdo karakteristikë intelektuale e një populli ose e një epoke është e ndjerë me më shumë intensitet prej njerëzve origjinalë, që i japin formë dhe përtërijnë teknikën e shprehjes; rreth tyre imitatorët shumëzohen e formojnë shkollë derisa shoqëria e ndien influencën e tyre, u adopton atyre guston e saj dhe del një MODË.
Me ndjekë një shkollë, është mënyra e pagabueshme për të nisur e për të pasur një stil personal; me iu dorëzue një mode është metoda më e fortë dhe efikase për mos me pasë origjinalitet. Në çdo art mund të fitojë stil të tij kush refuzon shkollat dhe përbuz modat, sepse njëra e tjetra tentojnë të vënë shenja të dhëna hua mbi prirjet natyrale.
Nuk fitohet stil duke përtypur forma të huaja për të shprehur idetë e tua, as duke shtypur shprehjen tënde për të ledhatuar ndjenjat e huaja. Stili është origjinaliteti i personalitetit. Ai që kombinon fjalë, ngjyra, tinguj ose vija për me shprehë atë që s’e ndien ose s’e beson, nuk ka stil, nuk mund të ketë. Kur mendimi nuk është intim dhe i sinqertë, shprehja është e ftohtë e pa lëvizje, përtypen forma të njohura, përdridhen e shpërdridhen duke u munduar së koti që të zëvendësojnë virilitetin krijues me artifica shterpe.
Arti i të shkruarit nuk ka shkëlqim veçanërisht kur kujdeset të përkëdhelë veshin ose të gabojë arsyen me sofizma të tërthorta. Një maksimë e Epiktetit, e zhveshur, pa ndajfolje pompoze, pa adjektivë të errët, të pakuptueshëm, ka stil dhe lë një impresion të një bukurie serene, të pabazueshme me fjalimet retorike që infektojnë ajrin në epoka të shijes së keqe. Stili më fisnik është ai që shpërndan ideale thellësisht të ndjera dhe i shpreh në formë përngjitëse, ai stil që është i aftë t’u transmetojë të tjerëve entuziazmin e autorit për diçka që zbukuron jetën njerëzore: Shëndet moral, qëndrim fuqie, dashurie, serenitet optimist.
Korrektimi didaktik, me urdhër zyrash, është mohim i stilit origjinal. Në të gjitha artet koha akumulon rregulla teknike që konstituojnë gramatikën e KOHËS dhe premtojnë të evitojnë gabimet më të shpeshta të të shprehurit, cilido njeri i inteligjencës së mesme mund t’i mësojë e t’i aplikojë dhe, për këtë arsye, të fitojë aftësi për ta shprehur mendimin në mënyrën e tij. Askujt nuk i japin stil estetikat apo retorikat që rregullojnë shprehjen, duke e bërë aq më impersonale, sa më perfekte. Modelet e rregulloret mësojnë vetëm me shprehë korrektësisht që korreksioni të jetë stil. Akademitë janë kataloge mediokritetesh të dallueshme dhe i vënë pengime të forta lulëzimit të temperamenteve inovatore. Fitimi i stilit personal fillon kur prishen rregulloret konvencionale të mendimit e të shprehjes. Në çdo art ka norma korrektimi, porse nuk ka ARKETIPA STILI, sepse çdo të menduar i rikërkon një shprehje të re, ato forma që KOHA ka konsakruar si klasike, qenë në kohë të tyre kryengritëse kundër atyre të kohëve të mëparshme.
Të flasim për stilin në vetvete, duhet të bëjmë abstraksion nga të gjitha stilet individuale; të flasim për karakterin e tyre të krijimit, duhen lënë mënjanë të gjitha ndryshimet që tipifikojnë secilin, pa të cilat nuk do të ekzisonte asnjëra. Stili është çka është INDIVIDUALE, ajo që nuk mësohet prej të tjerëve, ajo që na bën të mundur të njohim autorin në vepër, pa pasur nevojë që ai ta nënshkruajë atë. Prandaj ka aq stil në shprehje të një artisti, sa karakter ka në personalitetin e tij dhe, duke qenë e tëra sintezë e mendjes së tij vibrante në shprehjen integrale, nuk mund të jetë formë pa qenë më përpara mendim.
Teknika korrekte është një cilësi që zbukuron veprën si ornament që i rri monumentit, por që të ketë vlerë të vetën jashtë vetë veprës. Korreksioni është anonim, nuk ngre, megjithëse ndalon të zbriturit, rrallë herë kërkon talent të vërtetë.
Një ushtrim i mjaftueshëm premton me shkrue, me vizatue ose me ndërtue me korrigjim; është një ushtrim fizik dhe për atë nuk kërkohet më shumë talent, sesa për të formuar një rreth me një kompas.
Shumë profesorë me famë njohën intimitetet e mësuesisë, e kanë dhe e dinë teknikën korrekte të artit të tyre, megjithëkëtë janë prozatorë banalë, piktorë a muzikantë pa personalitet e pa stil, për mungesë idesh e ndjenjash origjinale. Përkundrazi, pa korrektim teknik dolën të admirueshme format gjeniale të një Dante ose Paskali, sepse stili i tyre shpreh një orientim të ri idesh ose ndjenjash, të pamundshme me i ndërrue me MOZAIKË FJALËSH.
Origjinaliteti del përsipër në të gjitha format e shprehjes. Është e rrallë që një njeri, GJENIU, të kulmojë shkëlqimisht në shumë arte e lloje të ndryshme, porse, po qe Leonardo a Goethe, do të ketë medoemos stil në pikturë e në poezi, në novelë e në shkencë, duke i vënë shenjën e tij gjithçkaje që kalon nëpër duar të tij, duke e menduar më thellësisht e duke e shprehur më drejtësisht. Është më e zakonshme që njeriu i GJENIUT të rrethshkruhet me një ART a lloj, duke e dalluar stilin e tij në një formë të vetme shprehjeje. Të dyja kategorive mendore APOLINEA e DIONIZIAMA (shprehje ndjenjash dehëse) u përgjigjen dy tipa të stilit, dy gjuhë të ndryshme, rrallë herë të harmonizuara në një mendimtar të vetëm. Njëri është logjik dhe i flet inteligjencës, tjetri është AFEKTIV dhe i flet ndjenjës. Stili që dëshiron të shprehë të vërtetën çmohet për vlerën e tij logjike; qartësia e tij është transparente, termat e tij të përpiktë, struktura e tij kritike. Është gjuha e shkencave.
Stili që shpreh BUKURINË është efikas (e vlerëfuqishme) për vlerën e tij estetike; fuqia e tij është emocionale, termat e tij janë figurative. Është gjuha e arteve.
Ndodh rrallë që vlerat logjike dhe vlerat estetike të kulminojnë bashkë në një stil.
Në koncepsionin e përgjithshëm të problemeve të larta arrihet nëpër një udhë të vetme, lehtësisht. ESTETI mëson si të interpretojë bukurinë në një zonim me të vërtetën dhe logjika (NJERIU I LOGJIKËS) rrallë herë arrin ta njohë TË VËRTETËN me zjarrin e bukurisë. Ndoshta, një edukim special do të premtonte me zhvillue me intensitet paralel aftësitë kritike e ato imagjinative, por ata, që në rini të tyre e arrijnë, preferojnë vetëm një udhë, atë të artit ose të shkencës, duke theksuar në shprehjet e tyre karakteristikat e stilit estetik ose të stilit logjik.
Një e vërtetë e shprehur në teorema mund të kuptohet prej çdo inteligjence të edukuar, porse do të kuptohej më mirë sikur të vishej me forma të zbukuruara prej harmonisë e të nxehura prej entuziazmit. Është e ndjeshme që koha e shkurtër e jetës njerëzore të jetë pengim për formimin e një stili integral, në të cilin të kombinoheshin vlerat më të larta logjike dhe estetike, e vërteta më e qartë me bukurinë më emocionante.

Perfeksioni ideal i stilit në të gjitha artet konsiston në të edukuarit të shprehjes me mendim, në mënyrë të tillë që transparenca e ideve të mos jetë e përlyer, kur e mbulon ndjenja e zemrës.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…