Skip to main content

Tetova News

I dashur nip, përdor kujtesën! - Umberto Eko



(Shkrimtari i njohur Italian, Umberto Eko, i shkruan nipit të vet. Me një gjykim personal mbi teknologjinë e kohës ai jep një këshillë që i vlen të ardhmes: të mësojë përmendsh vjershat e njohura por edhe formacionet e skuadrave të futbollit, gjithashtu edhe shërbëtorët e tre musketierëve. Se interneti nuk zëvendëson dot dijet e njeriut dhe kompiuteri nuk i ze dot vendin trurit )

I dashur nipçe
Nuk do të desha kurrë që kjo letër, në prag Krishtlindjesh, të tingëllonte si ta kish shkruar De Amiçis (Autori i librit për fëmijë “Zemra” Shën. i përkth) e të zgjatesha mbi dashurinë për të afërmit, për atdheun, botën e për gjëra të ngjashme. Nuk do të ma vije veshin e në çastin që do të të shkrepte t’i vije në punë, (ti i bërë burrë e unë shkuar me të shumtit) sistemi i vlerave do të kish ndryshuar aq shumë sa do të kishte të ngjarë që këshillat e mia të dukeshin të vjetëruara.
Prandaj do të desha të ndalem veç në njërën këshillë, që ti mund ta ndjekësh që sot, teksa endesh përmbi iPadin tënd dhe nuk do të bëj aspak gabimin që të ta zvjerdh këtë instrument, ngaqë jo vetëm trembem se dukem si gjyshët e qëmotit, por edhe ngaqë atë tani e përdor edhe vetë. E shumta do të të rekomandoja që nëse do të qëllosh të jesh në një nga ato faqet porno, që tregojnë marrëdhëniet mes dy qënieve njerëzore, ose mes një qënie njerëzore dhe një kafshe, në mijëra e mijëra mënyra, përpiqu të mos e besosh se seksi është ky, që meqë ra fjala është mjaft monoton, ngaqë është ndërtuar aty enkas  për mos të të lënë ty të dalësh nga shtëpia e të vështrosh vajza të vërteta. Nisem nga parimi se ti je heteroseksual përndryshe përshtati rekomandimet e mia për tipin tënd: por ama hidhu e shih vajzat e shkollës  ose ato nga ti shkon të lozësh, sepse janë më të mira ato të vërtetat se sa ato televizivet, dhe një ditë do të të japin kënaqësi më shumë se ato online!  Besoi një njeriu që ka më shumë përvojë se ç’ke ti (e nëse do të kisha parë në kompiuter vetëm skena seksi, yt atë nuk do të kish ardhur në këtë botë e aq më pak do të kishe ardhur ti).
Po nuk është ky thelbi i letrës sime. Dua të të flas për një sëmundje  që ka prekur keq brezin tënd  dhe bile brezin e shokëve të tu më të rritur që, për më tepër, ndjekin dhe universitetet: humbjen e kujtesës.
Èshtë e vërtetë se po të shkrepi të dish kush ishte Karli i
Madh, apo ku bie Kuala Lumpuri, nuk të duhet veçse  të shtypësh ca butona të internetit e ai ta thotë menjëherë. Bëje këtë sa herë të kesh nevojë, por sapo ta kesh bërë, mundohu të mbash mend atë që zbulove, që të mos detyrohesh pastaj ta kërkosh edhe një herë tjetër kur të të paraqitet nevoja për të, fjala vjen, për ndonjë detyrë shkollore.  Rreziku është  që meqë mendon se kompiuteri të përgjigjet në çdo çast ti do të humbësh dëshirën për të mbajtur diçka në kujtesën tënde. Do të ishte pak a shumë  njësoj si për të shkuar nga rruga iks në rrugën ipsilon mësohesh të përdorësh autobusin apo metronë që të mundësojnë të lëvizësh pa u lodhur (dhe nuk them mos e bëj, se vërtet është udhëtim më komod dhe nganjëherë mund të kesh edhe ngut).  E kështu ti do të mendosh  se nuk ke nevojë as të ecësh në këmbë. Por po nuk lëvize këmbët, do të përfundosh ulok, që sot nuk e cilësojnë kështu, ngaqë nuk duan të fyejnë ata që lëvizin me kulltukë me rrota.  Mirë, mirë, e dij që merresh edhe me sport dhe vetvetiu ia di të mirat lëvizjeve trupore, por lemë t’i kthehem trurit tënd.
Kujtesa është një muskul njësoj si ata të këmbëve dhe po nuk e përdore ai vyshket, kështu që ti bëhesh (nga pikpamja mendore) ulok dhe kësisoj (të flasim hapur) një copë idioti. E shtojmë këtu, që meqënëse për këdo është rreziku që kur plakesh vjen e të godet sëmundja e Alzheimerit, një nga mënyrat t’i shpëtosh kësaj gjëme është të ushtrosh pambarimisht kujtesën.
Ja pra ku e ke dietën time. Çdo mëngjes mëso dy tri vargje, ndonjë vjershë të shkurtër ose bëj siç na thoshin të bënim ne, të mësonim  “Pelën balashe” apo “E shtuna e fshatit” ( (e para është poezi e Xhovani Paskolit, kurse kjo e dyta  Xhakomo Leopardit, poemth tepër popullor, me domethënien paradoksale se vigjilja është, në fakt, më e bukur se vetë festa. Shën i përkth).). Fundja hyrë në garë me shokët për të parë se kush mban mend më shumë. Po nuk të pëlqeu poezia, mbushe kujtesën me formacionet e skuadrave të futbollit, por kujdesu që të mos renditësh vetëm lojtarët e Romës së sotme por merr edhe ata të skuadrave të tjera, bile, dhe të atyre që nuk lozin më (përfytyro, unë mund të të rendis formacionin e Torinos,  të asaj skuadre që me aeroplanin ku ndodheshin të gjithë, u përplas me malin e Supergas e vdiqën në grup: Baçigalupo, Ballarini, Maroso e të tjerët). Bëj gara kujtese  qoftë edhe me librat që ke lexuar (kush ishte në anien Hispaniola kur kërkonin ishullin e thesarit? Po lordi Trelaney, kapiteni Smollet, doktori Livesey, Long Xhon Silveri, Xhim…). Verë re mbase shokët e tu do të kujtojnë emrat e shërbëtorëve  të tre musketierëve dhe të D’Artanjanit  (Grimonë, Bazenin, Musketonin dhe Planshetin)… E po nuk deshe të lexosh “Tre Musketierët” (kështu që nuk do të marrësh vesh kurrë se ç’ke humbur) hyrë në garë, me ndonjë nga historitë që lexoni ju.
Duket si lojë, (dhe në fakt lojë është) por do ta shikosh se si  e qysh koka jote do të popullohet me personazhe, historira dhe kujtime lloj lloj. Do ta vrasësh mendjen se përse kompiuterat vite e vite më parë quheshin tru elektronikë dhe përse qenkëshin konceptuar me modelin e trurit tënd dhe tonit. Por truri ynë ka më shumë nyje lidhëse se sa ka kompiuteri dhe është ai farë kompiuteri që ti e merr me vete ngado që shkon e që rritet dhe fuqizohet tek ushtrohet, teksa ai kompiuter që mban mbi tryezë, sa më shumë e përdor aq më shumë ai e humb shpejtësinë dhe mbas tri katër vjetësh të duhet ta ndërrosh. Truri yt, në të kundërt, sot mund të zgjatë deri nëntëdhjetë vjet dhe kur të jesh nëntëdhjetë (po ta kesh mbajtur në punë) do të kujtojë edhe më shumë gjëra se sa të kujton tani. E do t’i kesh ato pa shpenzuar qindarkën!
Kemi pastaj kujtesën historike që nuk merret me hollësitë e jetës tënde dhe as me ato që ke lexuar, por me ato që kanë ndodhur më parë se ti të vije në jetë.
Sot kur vete në kinema duhet të hysh në një orë të caktuar kur fillon filmi e kur filmi nis të shfaqet duket sikur dikush të merr përdore e të rrëfen  se çfarë po ndodh. Në kohën tonë mund të futeshe në kinema në çfarëdo kohe, dua të them, edhe në mes të shfaqjes dhe e zije filmin ndërsa aty ndodhnin disa ngjarje e ti përpiqeshe të kuptoje se çfarë pat ndodhur më parë (më vonë, duhet të rrije kur filmi të niste nga e para që të mësoje në e kishe kuptuar drejt të gjithë historinë e filmuar,  – lere më pastaj, që po të të kish pëlqyer shfaqja  mund të rrije ta shikoje edhe përsë dyti atë pjesë që pate parë). Ja, jeta është si një film i atyre kohërave. Ne hyjmë në jetë kur tashmë kanë ndodhur shumë e shumë gjëra qysh prej qindra e mijëra vjetësh. Dhe është e rëndësishme që ne të mësojmë se çfarë ka ndodhur para lindjes tonë; shërben për të kuptuar përsetë e shumë gjërave  të reja që ngjasin sot.
Tani shkolla (veç leximeve që ti bën për qejfin tënd) duhet të të mësojë që ti të futësh në kokë gjithëçka ka ndodhur para ardhjes tënde në këtë botë, por duket që nuk e bën mirë pasi shumë vëzhgime na thonë se çunat e sotëm, edhe ata më të rriturit që frekuentojnë shkollat e larta, kur janë lindur të themi në vitin 1990, nuk dijnë (ose nuk duan të dijnë)  se çfarë pat ndodhur më 1980, (të mos flasim pastaj për ato që kanë pasë ndodhur pesëdhjetë vjet më parë). Statistikat na thonë që po të pyesësh disa prej atyre djemve se kush ka qenë Aldo Moro, të përgjigjen se Moroja ka qenë kapoja i Brigatave të Kuqe- teksa të gjithë e dijnë që Brigatat e Kuqe e vranë atë.
Të mos flasim për Brigatat e Kuqe se ato mbeten të panjohura edhe për shumë të tjerë paçka se përbënin të tashmen e tridhjetë vjetëve më parë. Unë jam lindur në vitin 1932 , dhjetë vjet pasi fashizmi pat ardhur në fuqi, por ama e dija se kush ishte kryeministër në kohën që nisi Marshimi mbi Romën (ç’është Marshimi(?), do të thuash ti). Mbase shkolla fashiste ma pat mësuar mua për të më vënë në dukje se sa hajvan dhe sa i keq ishte ai burrë që fashistët u detyruan ta heqin që andej e të vinin një tjetër. E mirë, por ama e dija. E pastaj, ta lemë shkollën, një djalosh nga këta të sotmit nuk di cilat qenë artistet e kinemasë të njëzet vjetëve më parë ndërsa unë e dija kush ishte Françeska Bertini, që luante në  filmat pa zë, njëzet e ca vjet para se unë të lindesha. E dija mbase ngaqë shfletoja togun e  revistave në kanistrat e vjetra të shtëpisë sonë, por ja, të ftoj të shfletosh dhe ti revista të vjetra sepse është edhe kjo një rrugë njohurish për ato që kanë ngjarë para ardhjes tënde.
Po përse vallë na qenka kaq e rëndësishme të dijmë se çfarë ka ndodhur më parë?
Sepse shumë herë ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se përse ndodhin ca gjëra sot e, sidosi, ashtu sikurse formacionet e futbollistëve është një mënyrë pasurimi e kujtesës
Mos harro ama, se kjo nuk bëhet vetëm me libra dhe revista por bëhet mirë e bukur edhe me internet. Që është jo për të bërë llogje (le ta themi kështu) por gjatë atyre llogjeve të merremi dhe me historinë e botës. Kush ishin kamisardët? Si quheshin tri karavellat e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? Po barkës së Noes a mund t’i vihej një timon?  Kishte më shumë tigra njëqind vjet më parë, apo ka më shumë sot? Kush ka folur për perandorinë e Malit? Po ky tjetri, kush ishte, që fliste për Perndorinë e të Keqes? (Lojë fjalësh me Malin – shtet aziatik, dhe termin italisht “il male” – “e keqja”. Shprehjen “Perandori e të Keqes” e pat përdorur Presidenti Regan për Bashkimin Sovjetik. Shën. i përkth). Cili ka qënë papa i dytë në historinë e kishës? Kur na u shfaq  Topolinoja?
Mund të vazhdoja pa mbarim e do të ishin të gjitha aventura të pasurimit me dije. E të gjitha për t’u kujtuar. Do të vijë dita kur të jesh i moshuar e do të ndihesh sikur të kesh jetuar mijëra jetë, se do të të duket sikur ti të kesh qënë i pranishëm në betejën e Vaterlosë, sikur të kesh parë me sytë e tu vrasjen e Jul Qezarit e sikur të kesh qenë dy hapa larg atij vendi ku Bertoldoja i Zi, duke përzjerë pluhurat në një mortajë për të gjetur rrugën si e qysh të prodhonte floririn, zbuloi gabimisht barutin që e flaku përpjetë (e mirë ia bëri!). Shokë nga ata të tutë nuk do ta kenë lëruar e mbjellë kujtesën e tyre, do të kenë jetuar kësisoj vetëm njëzë jetë, të tyren, që duhet të ketë qënë shumë e mërzitshme dhe e varfër, pa përjetime interesante.
Punoje kujtesën tënde pra, nipçe, dhe që nesër futju të mësosh përmendësh “ Tereza trazavaçen” (Vjershë klasike për vocërrakët, shkruar nga poeti Luixhi Sailer, rreth njëqindepesëdhjetë vjet më parë. Shën. i përkth)
Përktheu Pellumb Kulla

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…