Skip to main content

Tetova News

Integrimi nëpërmjet librit

LUAN MYFTIU


  
Libri artistik e ndihmon njeriun të njohë veten duke e joshur të thellohet në botën shpirtërore të personazheve. Për cilindo nuk ka mik më të mirë se një libër serioz. Nuk ka edukatore më fisnike se e bukura. Libri artistik ndihmon të krijohen qytetarë me dinjitet, me shpirt të madh, me tipare fisnike, me dhembshurí njerëzore.  Ne përgatitemi për t’u bërë anëtarë të familjes së madhe europiane, ndaj duhet të jemi jo vetëm me mendje të kthjellëta e të shëndosha, por edhe me ndjeshmëri të larta. Ne duhet të jemi profesionistë, të aftë për t’u orientuar në çdo specialitet të teknologjive të kohës, por edhe kërkues të së mirës, të së moralshmes, të së bukurës. Ne duhet të dimë ta realizojnë sa më mirë qenien tonë; të jemi në harmoni me veten, me familjen, me shoqërínë. Ne nuk duhet të bëhemi vetëm politikanë të ndershëm e të përkushtuar, biznesmenë të guximshëm, inxhinierë të zotë, profesorë të talentuar, mekanikë të shkathët e punëtorë të kualifikuar, por dhe qytetarë me shpirt të madh, humanë e solidarë, të ndjeshëm ndaj halleve të tjetrit, respektues shembullorë të ligjit! Ne duhet të gatitemi edhe si njerëz, jo vetëm me kulturë, por dhe me shpirt krijues e fantazi të zhvilluar, të denjë për familjen e madhe europiane, ku kërkojmë të integrohemi. Ndaj leximi i librave artistikë është bërë sot një nevojë e domosdoshme. Se nuk mund të shkohet në Europë pa kulturë të gjerë, pa qenë vetvetja, pa respektuar lirinë e tjetrit, pa zotëruar kompjuterin dhe teknologjitë e përparuara, pa fisnikërimin e shpirtit. Libri artistik u kultivon njerëzve një botë të pasur shpirtërore. Dhe partneriteti në Bashkimin Europian është një garë, ku çdo komb duhet të sjellë kapitalin e vlerave të veta kombëtare, tërë potencialin e tij intelektual. Ndaj, që ta meritojmë këtë partneritet, duhet të përsosemi si njerëz, të zgjerojmë horizontin, të ngremë edhe më lart traditat, të ecim me kohën. Dhe dashuría për librin artistik hyn ndër faktorët jo pak të rëndësishëm. Mirëpo, meqë shumë njerëz taní kanë, madjé, dhe në shtëpitë e tyre televizor e kompjuter, libri, sidomos ai artistik, ka raste që lihet prej tyre disi pas dore. Por, meqë vlerat e librit, sidomos atij artistik, nuk i zëvendëson dot asnjë mjet tjetër, i del detyrë, sidomos çdo prindi, t’u nxitë e kultivojë fëmijëve të vet dashurinë për librin letrar. Natyrisht, kjo nuk arrihet vetëm me këshilla, as me detyrim. Kush ka shkuar në qytetet e ndryshme europiane, nuk ka si të mos ketë vënë re se si njerëzit atje jepen pas librave, si lexojnë edhe në trena e autobusë, si komentojnë me zë të ulët një dramë të bukur a një libër të ri artistik interesant. Si atje njerëzit nuk merren me thashetheme, me biseda të kota e përgojime banale, por e mbushin gjithë kohën e tyre të lirë me gëzime të larta morale, të nxjerra nga libra të bukur artistikë. Se, kur debati dhe shkëmbimi i mendimeve bëhen faktorë të fuqishëm, pasurohet dhe gjuha figurative, komunikimi njerëzor bëhet më i hollë, hapen horizonte dhe përsosen shijet, bëhen më delikate ndjenjat dhe fisnikërohen sjelljet. Kështu libri artistik çdo ditë e sistematikisht plotëson kërkesat shpirtërore të njeriut të kohës moderne. Asnjë shoqërí e civilizuar nuk do të ishte e kënaqur nga një qytetar që nuk edukohet me ideale shoqërore, me aspirata të larta! Bilé, sa më e lartë të jetë mirëqenia e një populli, aq më të mëdha bëhen dhe kërkesat për formimin shpirtëror të anëtarëve të saj. Të gjitha shoqëritë e kultivuara janë të bindura se kultivimi i trurit duhet të shkojë krahas atij të shpirtit. Dhe shpirtin e lartëson sidomos libri i mirë estetik. Prandaj çdo qytetar duhet edukuar të gjejë kohë për të lexuar sa më shumë libra të zgjedhur.
Idealet shoqërore nuk formohen pa shpirt fisnik e diturí të gjera. Vetëm njeriu i shkolluar bëhet i sjellshëm, zemërgjerë, tolerant, konsensual etj. Ai është i respektueshëm, i drejtë, i kujdesshëm ndaj të moshuarve, ndaj të pambrojturve. Ai i do dhe respekton më shumë prindërit, fqinjin, komunitetin, e sidomos atdheun e tij. Se nuk mund ta ketë të plotë vlerën dituria pa fisnikërímin e shpirtit. Nga hiçi nuk del gjë. Mjerë ai që ka lexuar vetëm një libër! De Amiçis ka thënë: “Edukata është buka e shpirtit”.
Një rol të madh në edukimin e dashurísë për librin loz familja. Nuk mund të quhet i kujdesshëm ai prind, i cili nuk i ble fëmijës së vet libra të bukur.

“Koha është pará, – ka thënë V. Hygó, – por me të nuk mund të blejmë kohën!”. Racionimi i kohës është lirí. Lirí në kuptimin që, duke e shpenzuar kohën në mënyrë sa më të dobishme, njeriu i krijon vetes mundësí të merret edhe me kënaqësí të larta estetike, p.sh. me një teatër a spektakël po aq të bukur. Se, asnjë lloj kënaqësíe tjetër nuk barazohet me atë intelektuale dhe estetike! Leximi i librave të këndshëm e formues e zbukuron jetën. Kurrsesí nuk është e humbur ajo kohë që harxhohet për të lexuar kryeveprën e një autori, që na frymëzon hove fisnike e na ndihmon në krijimin e idealeve të larta shoqërore. Demokracia nuk “trembet” nga kultura e gjerë e qytetarëve të saj. As nga shpirti i tyre kritik. Nuk i sheh ajo kurrë me dyshim intelektualët, siç bënte diktatura. Kur demokracía kultivon dashurínë e njeriut për njeriun, nuk ka si të mos çmojë porositë e njerëzve të shquar, si këtë që thotë edhe S. Cvajku: “Nuk ka dashurí më të pastër se dashuría për të bukurën shpirtërore”!…

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…