Skip to main content

Tetova News

Isha në ëndërr - Tahar Ben Jelloun


Isha në ëndërr kur e takova Jorge Luis Borges-in. Ai ishte ulur mbi një sop rëre, buzë një deti të qetë. I rrethuar me stiva librash kundronte horizontin dhe buzëqeshte. Duhej të kishte ndonjë takim të rëndësishëm, ndaj nuk mora guximin ta trazoja. U ula përtokë dhe prita. Qielli ishte plot e përplot me yje që këputeshin. Kohë pas kohe ai ngrinte kokën dhe duke tundur bastunin, ndiqte rrugën e një ylli. Ishte lojë. Cilin priste vallë? Një tigër vija – vija? Apo hënën duke rrëzuar një luan që gëlltiste zjarr dhe ëndrra? Një mik, Martin Fierronë, heroin e poemës së Jose Hernandes – it? Pasqyrën gjigante e të mëshirshme? Apo thjesht atë që ai e quan El Hacedor “fabrikuesi i ngjarjeve” që miku i tij Roger Caillois e përkthen “autori”?
Ai u qa për pazotësinë e ëndrrave të veta që “nuk arrinin të ngërthenin kurrë bishën e lakmuar”. Hënës kishte ca kohë që nuk i besonte. Për Martin Fierronë ai përsëriti disa herë frazën: “Këto gjëra tani duken sikur të mos kenë ndodhur kurrë”. Ai e dinte edhe se “pantomima kozmike e pasqyrave shndërrohet në qenie të mbinatyrshme me të rënë nata”. Ai nuk druhej më t’i shihte këto pasqyra që ndryshonin nga realiteti. Ky ishte funksioni i tyre kryesor. Çdo mahni ishte e sipërfaqshme, meqenëse fytyra është pasqyrë e shpirtit dhe asnjeri nuk ka ndonjë mjet për t’i shmangur prej saj bëmat e çuditshme.
Ai priste me durimin dhe me qetësinë e atij që i zotëron të gjitha fjalët. Librat lëviznin. Ata ishin vënë njëri mbi tjetrin me aq rregull sa kishin krijuar një beden mes tij dhe detit, mes tij e të tjerëve, mes natës që ai bëhej gati ta jetonte dhe kujtesës së tij të mplakur. Ai kalonte dorën mbi shpinën e librave dhe i njihte pa i parë titujt. Ishin fytyra miqsh. Dëshironte ta ndiente praninë e tyre e të zbulonte aty kohën e mbetur, kohën e mbërthyer, kohën dëshmitare. Tri radhët e librave formonin një kamare. Borges-i, ngaherë i ulur, la bastunin përtokë dhe mori një libër të trashë që i zuri dora. Ishte “Një Mijë e Një Net”. Vërtet ishte rastësi? Ato historira i pëlqente së tepërmi dhe i kishte përsëritur shpesh me personazhe të ndryshëm e në vende të ndryshme. I lexonte sa herë që dëshironte të mësonte përse Borges-i (tjetri) “i do sahatet me rërë, hartat, tipografinë e shekullit XVIII, shijen e kafes dhe prozën e Stevenson-it”.
Ai nuk mësonte asgjë për veten. Dinte të dëgjonte ngjarje të ndërlikuara që i pranonte siç pranonte realitetin. Ishin apo jo të vërteta? Ishin apo jo të rreme? Ç’rëndësi ka? Spinoza që ai e citonte shpesh, thoshte se çdo qenie duhet të përjetësohet në veten e vet. Për atë “guri përjetësisht dëshiron të jetë gur dhe tigri dëshiron të jetë tigër”. “Por unë, shtonte ai, dua të mbetem Borges, jo në vetvete, por për aq sa jam dikushi”.
Fundi i ëndrrës s’më kujtohet mirë. Por të nesërmen më ra ndërmend se stivës së librave i vinte rrotull një siluetë. Dukej se ishte Borges-i tjetër, ai që i ndodhin ngjarjet. Ishte ai që thuajse pa e kuptuar, u fut te romani “L’Enfant de sable” * që po shkruaja atëherë. Unë e lashë sidoqoftë të ecte në Marrakesh, në kërkim të njërës prej atyre monedhave të lashta të përdorura si medalje për bashkudhëtarët e të fshehtave në të cilën qe gdhendur ky varg i Quevedo-s: “Dhe epitafi i tij qe hëna e përgjakur”. Duket se është fjala për hënën e ushtrive të sulltanit.
Qëkur u fut në tregimin tim, ku një personazh ecën i maskuar për të shpjeguar qartë mitologjinë e neveritshme të një shoqërie që ka frikë nga gratë, Jorge Luis Borges-i është bërë një hije e nevojshme, e padukshme dhe e rëndësishme që më pëshpërit fjalë e fraza që nuk kisha guxim t’i shqiptoja. Që nga ajo kohë ëndrra është zhbërë “si uji në ujë” dhe ngjarjet vazhdojnë të bien nga pemët si fruta të pjekur në duart e vajzave të reja, të hutuara mrekullishëm në livadhin e parfumuar.
Përktheu: Feride Papleka

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…