Skip to main content

Tetova News

JETËSHKRIM, KUSHTUAR MËSUESIT DHE KRIJUESIT TË ORIZARES, NEHAT JAHIU (Libri i ri i Namik Selmanit, “Jetë mes zileve dhe shkronjave shqipe”)

Nga: Prof. Murat Gecaj, 
publicist e studiues-Tiranë


1.
Një mesazh jo aq i zakonshëm, nga Kumanova, të cilin e dërgonte kolegu e miku im, Nehat Jahiu, më futi në mendime. Jo sa për të dhënë përgjigjen e tij, po për të medituar me vete, nëse mund t’ia plotësoja siç duhet dëshirën atij, pra për të hartuar një recension. Ai më njoftonte se miku ynë i përbashkët, arsimtari e shkrimtari Namik Selmani kishte marrë përsipër një detyrë të bukur. Do të përgatiste për botim një libër, me  të dhëna, biseda e shkrime, kushtuar pikërisht atij bashkatdhetari tonë nga Orizarja e Likovës, mësues i pasionuar dhe krijues i talentuar. Vërtet, tani kisha përpara dorëshkrimin e këtij libri, po kryesorja më shfaqej e qëndronte pas tij, ashtu siç është në të vërtetë, pamja e portreti i një atdhetari e njeriu të mirë, i cili gjithë jetën e vet e ka lidhur shumë ngusht, me shkollën e gjuhën amtare shqipe dhe me krijimtarinë e pasur letrare. 
Nuk ka shumë kohë, që kur kam kontaktuar për herë të parë me Nehatin, përmes Internetit. Dhe, menjëherë, na u kanë “puqur telat”  ose kemi gjetur gjuhën e përbashkët të bisedave tona. Ato nuk kanë  përmbajtur ndonjë “sekret”, ndërmjet nesh. Pra, kanë qenë të hapura, miqësore e vëllazërore. Sigurisht, na ka bashkuar jeta jonë kushtuar arsimit, shtypit e librit. Por, siç dihet, gjithë njerëzit e zakonshëm i lidhin profesionet e tyre, si: tregtia, mjekësia, jurispodenca etj. Ndërsa, ndoshta, arsyeja e lidhjes, për të cilën fola më lart, më duket më e bukura, më e  qëndrueshmja. Se ne, në përgjithësi, na ka bashkuar e lidhur misioni i edukatorit e mësimdhënësit, i krijuesit, formuesit e kalitësit të breznive të reja. Prandaj po shprehem këtu, se nderimi e respekti për Nehat Jahiun i kapërcen lidhjet tona vetjake e të ngushta. Pra, ato kanë karakter të përgjithshëm shoqëror. 



Kopertinat e librit të ri (Kumanovë, 2013)

2.
Në radhët e këtij libri me shumë faqe, lexuesi njihet nga afër me prejardhjen e personazhit të tij, me fëmijërinë e jetën shkollore. Por faqe të ndritura janë, veçanërisht, ato që autori N.Selmani ia ka kushtuar punës së këtij mësimdhënësi në shkollën shqipe. Po kështu, një “profesion i dytë” për Nehat Jahiun është bërë krijimtaria letrare e publicistike. Këtë gjë e themi me bindje, se ndryshe nuk do të kishin parë dritën e botimit disa libra, me emrin e tij, pa përmendur dhjetëra e qindra shkrime. Ashtu siç janë shprehur  disa shkrimtarë, poetë e publicistë, mendimet e të cilëve gjejnë pasqyrim në këtë libër, tematika e tyra ka rrokur fusha të ndryshme të jetës e veprimtarisë së bashkatdhetarëve tanë, në trojet e tyre amtare stërgjyshore.  
E përmenda edhe më lart, se në detyrën e mësimdhënësit të shqipes, Nehati  është treguar i palodhur, ashtu si dhe me botimet e veta. Por boshti kryesor i tërë kësaj jete dhe veprimtarie të përqëndruar, është përkushtimi atdhetar, misioni i tij për të ndihmuar, me të gjitha fuqitë e mendjes dhe të zemrës, për çështjen mbarëkombëtare shqiptare.  Këtë gjë po e lidhi natyrshëm edhe me zgjedhjen e pëlqimin prej tij, të autorit të këtij libri jetëshkrimor, që kanë tani në duar lexuesit shqiptarë. Pra, këtë punë me shumë vlera ia besoj, jo pa qëllim e me bindje, një arsimtari dhe krijuesi të njohur në Shqipëri, Namik Selmanit, por edhe sepse ky është bir i Çamërisë martire. Këtë gjë ky ka arritur ta plotësojë, mirë e bukur edhe me bashkëpunimin e disa firmave të njohura krijuesish, nga trojet shqiptare të Ballkanit e diaspora. Ndër ta, janë: Fatmir Terziu, Arsim Halili, Sokol Demaku, Mustafa Spahiu, Halil Haxhosaj, Sevdail Demiri, Hyqmet Hasko, Tahir Berisha, Bajame Çeliku, Hysen Kobellari, Xhevat Beqaraj, Baki Ymeri, Prend Buzhala, Bilall Maliqi, Agim Rushiti e të tjerë, të cilëve u kërkoj ndjesë, që nuk po ua përmendi emrat e tyre.
Mendoj se do të ishte e tepërt të ndalesha më gjatë, në këto radhë paraqitëse, për vlerat e këtij libri jetëshkrimor, për të cilin do të binden vetë lexuesit e tij. Me një gjuhë të bukur e të pastër shqipe dhe në gjini të ndryshme letrare, në veprat e tij artistike, Nehat Jahiu u drejtohet të gjitha moshave të lexuesve, që nga më të vjetërit dhe deri te më të vegjëlit. Por nuk mund të anashkaloj, se tani kam në mëndje edhe punën e mirë, që ai ka bërë, pak kohë më parë, duke shkruar e botuar një libër të veçantë poetik, kushtuar mikut tonë të përbashkët, nga Gostivari dhe me banim tash mbi 50 vjet, në Suedi, Sadulla Zendelit-Daja. 
Muaj më parë, në një faqe Interneti kam lexuar shkrimin e Seveme Fetiqit, “Mbresat e mia për mikun tim”, kushtuar  Nehat Jahiut. Të më falë kjo autore, që po i riprodhoj fjalët e saj, kaq të qëlluara: “Është kënaqësi ta kesh një mik të tillë, një njeri që shkruan për të mirën e Kombit dhe të Shqiptarisë, në kujtim të dëshmorëve, që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, me mallë të pashuar për ata, që i lanë vendet e veta dhe mërguan në vendet e largëta. Ai shkëlqen çdokund me veprat e tij dhe jep mesazhe të qëlluara e të rëndësishme e që, padyshim, gjurmët e tij do të mbeten të pashlyera në letrat shqipe”.

3.
Tani, dëshiroj që ta njoh më nga afër lexuesin, por shkurt,  me jetën dhe botimet e arsimtarit, shkrimtarit e poetit, Nehat Jahiu.
Lindi më 10 tetor të vitit 1951, në fshatin Orizare të komunës së Likovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Preshevë dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike (Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe), në Gjakovë. Punon në shkollën fillore “Faik Konica” të fshatit Sllupçan. 
Me shkrime ka filluar të merret që nga bankat e shkollës fillore. Më tepër ka shkruar poezi për fëmijë, por edhe për të rritur. Ka botuar e shkruan artikuj publicistikë, ese, skica letrare, recensione, tregime etj. Bashkëpunon rregullisht me shumë revista, gazeta, në mbarë trojet tona amtare dhe në diasporën shqiptare. Është ndër themeluesit e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, në Kumanovë dhe anëtar i kryesisë së saj. Po kështu, është nismëtar dhe anëtar i redaksisë së Revistës “Doruntina”, themelues dhe nënkryetar i klubit të shkrimtarëve të komunës së Likovës. 
Nehat Jahiu është bashkëthemelues dhe anëtar i Lidhjes së Shkrim¬tarëve Shqiptarë të Maqedonisë, anë¬tar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijues¬ve Shqiptarë në Suedi dhe anëtar i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artis¬tëve “Pegasi” Albania. Po kështu, është anëtar i shumë redaksive të revistave letrare etj. 
Me krijimet e tij është përfaqësuar në shumë antologji, që janë botuar në trojet tona amtare dhe në diasporën shqiptare. Wshtw i pranishëm edhe në disa leksikone të shkrimtarëve, fjalorë enciklopedikë të shkrimtarëve shqiptarë etj. 
Për krijimtarinë e tij letrare të frytshme, sasiore e cilësore, është nderuar me çmime të ndryshme. Nehat Jahiu jeton dhe punon në vendlindjen e tij, Orizare. Që nga libri i parë, “Në sytë e mi” (1982) dhe deri në vitin e kaluar, kur botoi tre libra, gjithësej ka shkruar e publikuar 21 të tillë.
…Së fundi, e përshëndesim nga zemra dhe i urojmë gjitha të mirat, vetjake e familjare, personazhit kryesor të këtij librit të ri, për të cilin folëm shkurtimisht në fillim, kolegut e mikut të dashur, Nehat Jahiu. Po kështu, e përgëzojmë autorin e këtij libri, shkrimtarin e poetin prodhimtar, Namik Selmani, si për nismën e tij dhe realizimin e suksesshme të saj!

Tiranë, 13 janar 2014

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…