Skip to main content

Tetova News

KADARE IKU…KADARE ERDHI

Nga Roland Gjoza

Kadare do të harrohet përderisa Shqipëria është mbushur me horra me kostume europiane, me shumë portofola, që kanë brenda para të nxjerra nga Gërdeci, Rruga e Kombit, nafta, kufiri detar, plehrat e Europës, vrasjet, krimi, trafiku i drogës, i vajzave, fëmijëve, organeve…përderisa kaosi quhet liri dhe demokraci dhe idioti, intelektual.



Nuk është viti 2013, as ndonjë vit tjetër, por pikërisht viti kur Kadarenë nuk e kemi më. Nuk është. Ka shkuar. Ka një shtendosje. Çurçilli ka thënë se kur ikin shqiponjat, të çajnë veshin papagajtë. Nuk është i pranishëm Kadare. Shkoi me engjëjt. Natyrisht që nuk shkruan më. Nuk përdoret prej misterit karboni që e vizaton fizikisht, ai karbon, ajo bojë, apo ngjyrë që e spikati kaq shumë. Sepse nuk ekziston më fizikisht. Nuk e shohin në rrugë, në tv. Ç’ndodhi? Nuk e shajnë më ata që s’e donin. Nuk përmendet nëpër kafene. E harrojnë. Kështu duket njëfarësoj. E kanë harruar Kadarenë. Sepse i mundoi me famën e tij dhe tani duan të hakmerren. Për se të hakmerren, o Zot? E përmban geni ynë, ai çelësi kopil i hakmarrjes që hap dhe varret. E patë, shpërthen ndonjë prej levantinëve tanë, ku e keni, u harrua…

Ndërsa ata që e njohin kush qe Kadareja nuk dinë nga t’ia mbajnë, sepse në këtë vend, në vendin e shqiponjave nuk duan kokë mbi kokat, hije mbi të tjerët, thjesht nuk duan të dallohesh veçan me spikamë të madhe, sepse bëjnë gati hanxharin. Këtë e thotë në Testamentin e tij Mitrush Kuteli; në letërsi ka shumë zili, helm, të hanë gjarpërinjtë. Të ngresh kokën mbi të tjerët të quajnë mendjemadh, katil dhe ta këpusin, ta ulësh atë, të quajnë të paaftë, dështak dhe të marrin nëpër këmbë. Ç’do të thotë kjo, të bësh kokë mbi të tjerët, në rastin tonë, për Kadarenë? Të kesh talentin e tij gjenial, por që ai s’duhej ta shpallte për hir të modestisë ose të prishjes me shokët, sepse kështu bëhesh i padurueshëm. Erdhi liria, tani mund të shprehemi, të themi, për shembull, mjaft Kadare se nuk je vetëm ti. Sepse kontroversi në letërsi ekziston tek ai absurd që përgjithësisht një pjesë e madhe i binden zërit të vet egocentrist e narcist, jo gjykimit të vërtetë prej tjetrit, ndaj në këtë zeje kuçke gjen më fort përngjasime me Borges e Markes e me plot marrëzi të tilla. Iku Kadareja, ky patriark i letrave, ky përvetësues i të gjitha meritave letrare, ky sadist i shkrimtarëve të tjerë që ua mori frymën me spikamën e famës së vet. Iku ai dhe erdhi qetësia. Tjetër arome nuhatet në ajër, edhe ajo e shtëpisë tende, që ishte harruar, nuk e ndjen, iku kuçedra me shtatë kokë dhe u çlirua burimi. Le të pimë ujë të gjithë, jo vetëm ai; hej, iku, ejani të mbushim ujë te mali Elikon ku rrojnë Muzat. Po s’ka muza, burimi s’nxjerr më ujë. Ç’ka ndodhur? Iku Kadareja. Ajo violina e tij e Paganinit, që binte aq mjeshtërisht iku bashkë me Kadarenë. S’ka më Kadare.

Në kafenetë ku shkonte ditëve të fundit i mërzitur prej heshtjes e urrejtjes shqiptare, më fort pas shpalljes së Nobelit e ai prapë s’e fitonte, nuk do ta shikojnë më, jo, s’keni për ta parë më. Edhe në kafene s’e keni më, aty ndanë dritares duke parë vjeshtën, fërkoni duart. S’do ta pijë me atë kafen brazilianë me një filxhan italian midis miqsh të paktë shqiptarë, fërkoni duart. Nuk do të ngrihet dhe kokat s’do të kthehen më drejt tij dhe vajzat s’do të nguten ta ndalojnë për një autograf, fërkoni duart. Ç’mos bëni e ç’nuk bëni që librat e tij të mos shumohen dhe aq, të mos futen në tekstet shkollore aq bujshëm, të përhapet sindromi i armikut Kadare, në qoftë se dikush guxon dhe e risjell siç e meriton, zulmëmadh e emërkumbues përmbi kryeministra e presidentë të përkohshëm, që letërsinë e kanë konsideruar si një kuti me kruajtëse dhëmbësh në gostitë e tyre.

Dhe Kadare do të harrohet përderisa Shqipëria është mbushur me horra me kostume europiane, me shumë portofola, që kanë brenda para të nxjerra nga Gërdeci, Rruga e Kombit, nafta, kufiri detar, plehrat e Europës, vrasjet, krimi, trafiku i drogës, i vajzave, fëmijëve, organeve…përderisa kaosi quhet liri dhe demokraci dhe idioti, intelektual. Vetëm kur të bëhemi një komb normal, atëherë Kadare do të shfaqet përsëri dhe do të jetë e arsyeshme që ai të zërë vendin e më të madhit shkrimtar shqiptar dhe do ta qajnë, shumë vonë, por do ta qajnë dhe do të kuptojnë ç’kanë humbur, shumë vonë, por do t’ia mbulojnë monumentin në mes të Tiranës me lule dhe pelegrinazhi do të jetë i gjatë, shumë vonë dhe më e natyrshmja do të jetë se ju që e urryet dhe fërkuat duart s’do të jeni më, sepse do të jeni bërë pleh kungujsh pa nam e nishan. Pra, Kadare erdhi.

Në shekuj Kadare do të vijë, sepse s’pati vetëm një prerje shqiptare, por dhe një prerje botërore. Prandaj lus Zotin që Shqipëria të bëhet normale dhe në një ditë të kthehemi te vendi i Kadaresë.


(Marrë nga faqja e Facebook-ut e shkrimtarit Roland Gjoza; Mapo.al)

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…