Skip to main content

Tetova News

Kadare në Pogradec, publikohen fotot e panjohura

Sot në UET hapet ekspozita me rastin e 78-vjetorit.

Miku i hershëm i shkrimtarit, Vaso Samsuri nxjerr rreth 50 foto nga arkiva personale.



Njohja e tij me Kadarenë është e hershme, që në vitet e shkollës, kur të dy ishin studentë, por gjenia e shkrimtarit ishte dukur tash herët.
Miqësia kish nisur qysh atëherë, për t’u forcuar me kohë. Sa herë që shkrimtari bujte në Pogradec, do të takonte pa dyshim mikun e vjetër, Vaso Samsuri, i cili sot, veç të tjerash, ka meritën se ka fiksuar pikërisht këto momente. Sot, me rastin e 78-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare, Samsuri hap një ekspozitë fotografike në hollin e Universitetit Europian të Tiranës. E ka titulluar “Kadare rreth liqenit të Ohrit” dhe na e shfaq portretin e shkrimtarit si nuk e kemi parë herë tjetër. Këto fotografi, rreth 50 syresh, të nxjerra nga arkivi personal i Samsurit, e shfaqin atë në momente shumë intime, në momente reflektimi, atëherë kur ishte vetëm ai dhe liqeni, pastaj në shoqërinë e miqve, ku ai është tërësisht i shpenguar. Mes këtyre fotografive, të realizuara qysh në vitet ’80, mund të veçohet edhe ndonjë ku shkrimtari ka dalë së bashku me Lasgush Poradecin, të cilin ai e vizitonte sa herë shkonte në qytetin juglindor.

Kujtimet

Ismail Kadare me mikun e tij Vaso Samsuri

Edhe pse kanë kaluar shumë vite, Vaso Samsuri i kujton si dje takimet me Kadarenë dhe shkrimtarë të tjerë, në kopshtin me mollë të Çollakëve. Aty vinte edhe Poradeci, vinte nga Erseka dhe një tjetër mik i Kadaresë, Dhori Qirjazi. “Për herë të parë e kam takuar në fillim të viteve ’60, kur unë isha në vitin e parë ose të dytë të punës si mësues letërsie në gjimnazin e Pogradecit. Tematikë e bisedave tona ishte gjithmonë, ashtu si dhe sot, Lasgush Poradeci, të cilin e ka çmuar gjithmonë”, thotë Samsuri, teksa tregon rastin kur vetëm një vit pas vdekjes së poetit, Pallatit të Kulturës së Pogradecit iu vu emri i Poradecit dhe Kadare mori pjesë në ceremoni. Sipas Samsurit, çka e lidhte Kadarenë me Pogradecin nuk ishte thjesht natyra, liqeni, por edhe emri i Lasgushit dhe Kutelit. “Me këtë ekspozitë dua të tregoj se ashtu siç është shkrimtar i madh, ai është dhe njeri i madh. Mjafton të vështroni foton, ku ai është përballë Poradecit, mënyrën sesi e vështron portretin e Poradecit në shtëpinë e tij me admirim dhe me thjeshtësi”, thotë Samsuri. Nga vitet e njohjes me të, ai ka shumë kujtime për të ndarë, biseda, batuta të shkrimtarit, i cili guxonte të ironizonte edhe në kohët më të vështira të diktaturës, me figura të “paprekshme” si Stalini. Samsuri tregon për një vizitë në Muzeun e Podgozhanit, ku quajti “vëngërosh” një bust të Stalinit, të ndërtuar nga muratori i fshatit dhe paguar 30 mijë lekë. “Kadare i afrohet bustit të Stalinit dhe i kthehet ciceronit. More, po nga sytë mua më duket si vëngërosh. Ashtu vinte guri shoku Ismail, i kthehet ciceroni.
Mirë, o mirë, i thotë Kadare, po kur bëri Stalinin, pse s’i ra ndërmend të kish bërë Skënderbeun. Ciceroni i zënë ngushtë i kthehet: “Po ashtu vinte guri shoku Ismail, guri qe pa mjekër”. Pak vite më vonë këtë episode do ketë menduar Kadareja i madh kur për një bust të Stalinit para Akademisë u shpreh se aty fare mirë mund të ishte vënë busti i Buzukut”, kujton Samsuri.
Ekspozita “Kadare rreth liqenit të Ohrit”, hapet sot në orën 12:00 në Universitetin Europian të Tiranës.
Shkrimtari Ismail Kadare me bashkëshorten Helenën gjatë një takimi me poetin Lasgush Poradeci në Pogradec



Ismail Kadare në të vetmin përurim ku ka marrë pjesë gjatë diktaturës, kur Pallatit të Kulturës në Pogradec i vunë emrin “Lasgush Poradeci”

 Botohet romani i panjohur i Kadaresë


“Mjegullat e Tiranës”, kështu titullohet romani i panjohur i Ismail Kadaresë, që pritet të botohet në fillim të muajit shkurt nga shtëpia botuese “Onufri”. Ky roman mësohet të jetë shkruar në vitin 1958, kur Kadare ishte vetëm 22 vjeç. Romani rrëfen  historinë e dashurisë mes dy të rinjsh studentë, në Tiranën e viteve ‘50. Për ekzistencën e këtij romani kanë pasur dijeni vetëm një rreth shumë i ngushtë miqsh të Kadaresë. Ka qenë vetë shkrimtari që nuk ka dashur ta publikojë më parë këtë vepër të tijën. Një vit më parë ai botoi përmbledhjen me 11 tregime dhe novela “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, ku përfshiheshin vepra të shkruara që prej vitit 1953 kur ai ishte 17 vjeç./panorama

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…