Skip to main content

Tetova News

Katërmbëdhjetë minuta refleksion - Mario Vargas Llosa

Mario Vargas Llosa

Atë ditë, si gjithë ditët e tjera këto tri javët tona në Nju Jork, u ngrita në pesë të mëngjesit dhe, duke u përpjekur të mos zgjoj Patricia-n, shkova në sallon për të lexuar. Nata ende nuk ishte hapur dhe dritat e qiellgërvishtsave përreth dukeshin si të shqetësuara nga një tufë gjigande xixëllonjash që po pushtonin qytetin. Pak a shumë, brenda një ore do të fillonte të agonte dhe, nëse qielli do të ishte i qëruar, dritat e para mëngjesi do t’i hidhte mbi lumin Hudson dhe Central Park-un plot pemë, të cilat vjeshta kishte filluar t’i lante në ar. Një pamje e bukur që dritaret e apartamentit ma dhurojnë çdo mëngjes (banojmë në katin dyzet e gjashtë).
E kisha planifikuar ditën me saktësi. Do të punoja nja dy orë për të përgatitur mësimin që do të jepja të hënën në Princeton, ku do të ilustroja temën me shembuj të marrë ngaMbretëria e kësaj bote e Alejo Carpentier-it, gjysmë ore do të bëja ushtrime për shpinën, një orë do të shëtisja në Central Park, pastaj gazetat, mëngjesi, dushi dhe Public Library e Nju Jorkut, ku do të shkruaja Guri i Provës për EL PAIS mbi vetëvrasjen e Tylor Clement-it, një studenti të ri në Universitetin e Rutgers, i cili u hodh nga ura George Washington, sepse dy shokë homofobë e kishin denoncuar si gay, duke shpërndarë në Rrjetë një video ku ai po puthej me një burrë.
Aty për aty, u përthitha nga magjia e Mbretërisë së kësaj bote dhe nga shpërfytyrimi mitik që proza e Carpentier-it bën për përpjekjet e para të pavarësisë së Haitit. Tregimtari i gjithëdijshëm i historisë është një erudit dinak i fshehtë, libresk, barok dhe qëmtues që rrëfen deri në thellësi për ndjeshmërinë e skllavit Ti Noel, i cili beson tek Loa-t e Mëdhenj vodú, dhe që magjitë e kultit, si Mackandal, kanë dhuntinë e likantropisë, domethënë, mund të të shndërrojnë, me dëshirë, në kafshë. Pothuaj kishte njëzet vjet që nuk e kisha rilexuar dhe forca bindëse e saj vazhdonte të ishte e parezistueshme.
Befas, ndjeva prezencën e Patricias në sallon. Po më afrohej me telefonin në dorë dhe me një shprehje të fytyrës, që më trembi. “Ndonjë tragjedi familjare”, mendova. Kapa receptorin dhe brenda ca fishkëllimash, jehonash e gërvimash, si të vinin nga funddheu, dëgjova një zë të më fliste në anglisht. Në çastin që munda të dalloj fjalët “Akademia Suedeze” linja u ndërpre. Mbetëm të heshtur, duke parë njeri-tjetrin, pa mundur të shkëmbejmë asnjë fjalë, deri sa telefoni filloi të bjerë përsëri. Kësaj here zëri arriti i qartë. Zotëria nga ana tjetër e linjës tha se ishte sekretari i Akademisë Suedeze, se më ishte akorduar Nobeli letrar dhe se lajmi do të bëhej publik pas katërmbëdhjetë minutash. Do të mundja ta dëgjoja në televizion, në radio dhe në internet.
- Duhet të njoftojmë Alvaro-n, Gonzalo-n dhe Morgana-n - tha Patricia.
- Më mirë të presim sa lajmi të bëhet zyrtar, - i thashë.
Dhe i kujtova se, disa vite të shkuara, në Romë, na kishin treguar shakanë e rëndë që disa miq (më mirë armiq) kishin bërë me Alberto Moravia-n, duke u hequr si funksionarë të Akademisë Suedeze dhe duke e përgëzuar për çmimin e madh.
- Në qoftë se është e vërtetë, do të përmbysim shtëpinë - pranoi Patricia. - Më mirë, ndërkohë, shko bëj një dush.
Por, në vend të shkoja për dush, mbeta në sallon duke kundruar, përmes qiellgërvishtsave, zbardhëllimet e para të mëngjesit njujorkez. Nëpër mend më erdhi shtëpia e rrugës Ladislao Cabrera, në Cochobamba, ku kalova fëmijërinë time, m’u kujtua libri i Neruda-sNjëzet poema dashurie dhe një këngë dëshpërimi, që ime më ma kishte ndaluar ta lexoja dhe që për këtë e kishte fshehur në komodinën e saj. Ishte libri im parë i ndaluar që kam lexuar. Mendova ata që do t’i gëzonte ky lajm, po të ishte i vërtetë. M’u kujtua im gjysh, Pedro, me hundën e madhe dhe me tullën që i shkëlqente, i cili shkruante vargje gazmore dhe sqaronte familjen “Për poetin të ngrënët është prozë”, kur unë nuk doja të haja ushqim. Kujtova tim ungj Luço-n, në shtëpinë e të cilit, në Piura, e kalova vitin e fundit të kolegjit, atë vit të lumtur, duke shkruar artikuj, tregimthe dhe poema që i botoja, herë pas here, tekIndustria. Ai me këmbëngulje më nxiste të mos hiqja dorë për t’u bërë shkrimtar dhe, gati sikur fliste me vete, më siguronte se kush nuk ndjek prirjen e vet, tradhton vetveten dhe është i dënuar të jetë fatkeq. Kujtova atë vit të shfaqjes së parë të veprës time teatrale Ikja e inkëve, në Teatrin Varietete të Piura-s, kur miku im Javier Silva, me një borie dhe me zë të lartë, e publikonte që nga çatia e një kamioni. Kujtova Ruth Rojas-in e bukur, Vestal-en robinjë tek vepra ime, të cilën e dashuroja në fshehtësi.
- Është një marrëzi të mendosh se kjo mund të jetë një shaka - tha Patricia. - Së pari duhet të marrim në telefon fëmijët, Alvaro-n, Gonzalo-n dhe Morgana-n.
I morëm në telefon: Alvaro-n në Uashington, Gonzalo-n në Santo Domingo dhe Morgana-n në Lima. Mungonin ende shtatë minuta nga ora e shënuar. Dhe m’u kujtuan miqtë e adoleshencës Luço Loayaza e Abelardo Okendo dhe revista “Literatura”, nga e cila mezi e nxorëm tre numra. M’u kujtua manifesti ynë kundër dënimit me vdekje, homazhi për Cesar Moro-n, diskutimet tona të ashpra nëse Borges-i ishte më i madh se Sartre, apo e kundërta. Unë isha për të dytin, ndërsa ata për të parin dhe, sigurisht, ata kishin të drejtë. Pikërisht atëherë ata më vunë nofkën “Sartre i vogël guximtar”, që mua më pëlqente.
Kujtova konkurrimin që bëra në Revue Francaise të vitit 1957, me tregimin Sfida, fitorja e të cilit më siguroi një udhëtim në Paris, ku kalova një muaj në lumturi të plotë, duke banuar në Hotel Napoleon, kujtova se si këmbeva katër fjalë me Albert Camus e Maria Casares tek dyert e një teatri, në Grandes Bulevardes, kujtova përpjekjet e mia të dëshpëruara dhe të pafrytshme për t’u pritur nga Sartre, qoftë edhe vetëm një minutë, sa për t’i parë fytyrën dhe për t’i shtrënguar dorën. Kujtova vitin tim të parë në Madrid dhe mëdyshjet që pata, para se të vendosja për t’ia dërguar përmbledhjen me tregime Shefat Çmimit Leopoldo Alas, i krijuar nga një grup mjekësh në Barcelonë, me kryetar doktor Rokas dhe këshilltar poetin Enrike Badosa, falë të cilëve pata kënaqësinë e madhe të shoh të shtypur librin tim të parë.
Mendova se ç’fat i pabesueshëm paskësh qenë për jetën time ai çast i vitit 1958, kur isha vetëm njëzet e dy vjeç, në atë pension madrilenj të rrugës Doktor Kastelo, ku vendosa të ndjek këshillat e ungjit Luço për të mos u bërë avokat, por shkrimtar, dhe qysh atëherë, edhe sikur të mbetesha pa një dysh në xhep, do ta organizoja jetën në mënyrë të tillë që pjesën më të madhe të kohës dhe të energjive të mia t’ia kushtoja letërsisë, se do të kërkoja një punë të tillë që të më linte kohë të lirë për të shkruar. Ishte një vendim pothuaj utopik, por më ndihmoi shumë, të paktën psikologjikisht, dhe besoj se, në vija të përgjithshme, e realizova gjatë viteve të mia në Paris, sepse punët në Shkollën Berlitz, në Agjencinë France Presse dhe në Radio Televizionin Francez, gjithmonë më linin pak orë në ditë për të lexuar dhe për të shkruar.
Mendova paradoksin e habitshëm për të marrë sa vlerësime, si ky (nëse lajmi vërtet nuk ishte një shaka me shije të keqe), për t’ia dedikuar jetën time një pune e cila më ka bërë të gëzohem pafundësisht, ku çdo libër ka qenë një aventurë plot me të papritura zbulimesh, iluzionesh dhe entuziazmesh, që gjithnjë kompensohen me rritje vështirësish, dhimbje koke, depresione dhe kapsllëk. Mendova sa e mrekullueshme është jeta që ne njerëzit sajojmë, qyshkur endeshim gjysmëlakuriq dhe hanim njeri-tjetrin, për të thyer kufijtë e ngushtë të jetës së vërtetë dhe, përmes fiksionit, për të kaluar në një tjetër jetë më të pasur, më të ndjeshme, më të lirë.
Fiks në gjashtë të mëngjesit, radiot, televizioni dhe Interneti konfirmuan se lajmi ishte i vërtetë. Siç e parashikoi Patricia, shtëpia u kthye në një çmendinë, dhe prej atij çasti unë nuk mendova më asgjë e, gati-gati, ndërpreva frymëmarrjen.

Nju Jork, tetor 2010. (Botuar në gazetën EL PAIS)

Shqipëroi: Bajram Karabolli.

Mehr Licht!

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…