Skip to main content

Tetova News

KEMBA IME E KUSHTUESHME - HAJNRIH BËL

Heinrich Böll
Më së fundi ata më dhanë një shans, më dërguan një njoftim që të paraqitesha në zyrën e tyre, dhe unë u nisa për atje. Në zyrë u treguan shumë të sjellshëm ndaj meje. Nxorën kartelën time dhe ia bënë:
- Hm!
- Hm! - ia bëra edhe unë.
- Cila këmbë? - më pyeti nëpunësi. E djathta.
- E tëra?
- E tëra.
- Hm! - ia bëri ai përsëri. Pastaj zuri të shqyrtonte ca fletushka dhe më dha leje të ulesha.
Pas një copë here, ai mashkulli e gjeti fletën që iu duk si më e përshtatshmja dhe më tha:
- Më duket se ju kam gjetur diçka të mirë. Është punë e rehatshme. Mund ta bëni ndenjur. Lustraxhi në një banjë publike, mu te Sheshi i Republikës. Si thoni? - Unë s'di të lustroj këpucë; gjithmonë më kanë hequr vërejtjen pse i lustroja këpucët keq.
- Mund ta mësoni, - tha ai. - Çdo gjë mësohet. Gjermani i bën të gjitha! Po të doni, mund të interesohemi që të ndiqni një kurs pa pagesë.
- Hm! - ia bëra unë.
- Në rregull, atëherë?
- Jo, - i thashë unë. - Nuk e dua atë farë pune. Por dua një pension më të lartë.
- Ju jeni i çmendur, - ma priti ai, shumë miqësisht e shumë butësisht.
- Nuk jam aspak i çmendur, askush nuk ma zëvendëson dot këmbën time; as cigare nuk më lejojnë të shes më, kanë filluar të më nxjerrin telashe.
Ai mashkulli u mbështet mirë e mirë në karrigen e vet dhe përpara se të më përvishej, u mbush njëherë me frymë.
- I dashur mik, - ia nisi. - Këmba juaj na qenka një këmbë tmerrësisht e kushtueshme. Nga dokumentet që kam këtu, më del se jeni njëzet e nëntë vjeç, se zemrën e keni në rregull dhe se përgjithësisht jeni në rregull, me përjashtim të këmbës së prerë. Me këtë shëndet që keni do t'i arrini të shtatëdhjetat. Bëheni hesap vetë, ju lutem: shtatëdhjetë marka në muaj nga dymbëdhjetë herë në vit; domethënë dyzet e një herë dymbëdhjetë, herë shtatëdhjetë. Bëjeni hesap vetë, dhe mos pandehni se këmba juaj është e vetmja këmbë. Gjithashtu edhe ju nuk jeni, i vetmi që do të jetoni gjatë, ka edhe të tjerë. Pale, dashkeni t'jua ngremë edhe pensionin! Më falni, por qenkeni i çmendur!
- I dashur zotëri, - i thashë, duke u mbështetur edhe unë rehat-rehat në karrigen time dhe duke u mbushur mirë e mirë me frymë. - Jam i mendimit se po e nënvleftësoni ca si shumë këmbën time. Këmba ime është shumë më e kushtueshme nga ç'pandehni ju, është vërtet një këmbë tepër e shtrenjtë. Që ta dini ju, unë nuk jam krejtësisht në rregull jo vetëm nga zemra, por, mjerisht, edhe nga trutë. Prandaj dëgjomëni mirë se çfarë do t'ju them....
Kohën e kam shumë të kursyer. - Dëgjomëni mirë! - i thashë.
- Duhet ta dini se ajo këmba ime ua ka shpëtuar jetën një mori njerëzve, të cilët sot marrin nga një pension të majmë... Por, po jua tregoj se si ndodhi ajo punë: Isha shtrirë fillikat vetëm diku në vijën e parë të frontit dhe kisha për detyrë t'i hapja sytë e t'i bëja katër që, kur t'ia behnin ata të tjerët, të mitë të mund t'ia mbathnin në kohën e duhur. Shtabet ishin duke mbledhur rraqet e veta dhe nuk donin t'ia mbathnin as shumë herët e as shumë vonë. Në fillim na kishin nxjerrë vetë i dytë për vrojtim, po shokun tim e qëruan shpejt, kështu që ai nuk ju kushton më asnjë metelik. Vërtet që pati qenë i martuar, por e shoqja gëzon shëndet të plotë dhe është në gjëndje të punojë. S'keni pse të trembeni. Pra ai shoku im ishte një mall jashtëzakonisht i lirë... S'kishte mbushur as katër javë në ushtri dhe kushtoi vetëm një kartolinë dhe ca gaveta me gjellë kazani. Të paktën ishte një ushtar i mirë dhe e la veten që ta vrisnin tamam. Dhe kështu unë mbeta fillikat vetëm atje në pikën e vrojtimit dhe më shkonin shtatë në qase: mërdhija kiamet dhe ma kishte edhe mua qejfi t'ia mbathja sa më parë. Dhe, sa po matesha të ikja, kur...
- Kohën e kam shumë të kursyer, - ia bëri nëpunësi dhe zuri të kërkonte lapsin e vet.
- Jo, dëgjomëni deri në fund, - i thashë unë. - Tani vjen pjesa më interesante. Sapo desha t'ia mbathja, më ndodhi ajo puna e këmbës. Dhe, meqë isha i detyruar të rrija aty ku më zuri predha, mendova t'i merrja në tel ata të mitë e t'i njoftoja se kishte ardhur çasti i duhur. Dhe ashtu bëra. Dhe ata ia mbathën të gjithë, me radhë, ashtu siç e kërkonte rregulli: në fillim divizioni, pastaj regjimenti, pastaj batalioni etj. Gjithmonë sipas radhës e sipas rregullit. Po dardha e kishte bishtin prapa... Që ta dini ju, ata harruan të më merrnin me vete! E kishin punën fort me ngut. Shkurt hesapi, ishte punë dreqi, sepse, sikur të mos e kisha humbur këmbën, ata të gjithë do të kishin cofur: gjenerali, koloneli, majori e kështu me radhë, dhe s'do të ishte nevoja që t'u paguanit pension... Hë, pra, bjerini kalemit tani dhe nxirreni sa kushton këmba ime! Gjenerali është pesëdhjetë e dy vjeç, koloneli dyzet e tetë dhe majori pesëdhjetë; të gjithë shëndoshë e mirë dhe krejtësisht në rregull si nga zemra ashtu edhe nga koka. Dhe ma merr mendja se me atë mënyrën e tyre ushtarake të jetesës do të bëhen të paktën tetëdhjetë vjeç, si Hindenburgu. Pra, bëni një llogari, ju lutem: njëqind e gjashtëdhjetë herë dymbëdhjetë, herë tridhjetë, po marrim mesataren tridhjetë, apo jo? Siç e shikoni, këmbës sime i ka hipur çmimi jashtëzakonisht, ajo është bërë një nga këmbët më të kushtueshme që mund të përfytyrohen. A më kuptoni?
- Qenkeni me të vërtetë i çmendur, - më tha ai mashkulli.
- Jo, - ia prita unë. - Nuk jam i çmendur. Po mjerisht jam aq në rregull nga zemra, sa edhe nga trutë. Dhe është gjynah që nuk më vranë nja dy minuta përpara se të më ndodhte ajo puna e këmbës. Do të ishin kursyer gjithë ato para!
- Do të filloni punë në atë vend që ju propozova? - më pyeti nëpunësi.

- Jo, - i thashë unë dhe ika.  

Shqipëroi: Robert Shvarc

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…