Skip to main content

Tetova News

Kongoli: Letërsia, peng i përjetshëm, nuk e përmbush dot

“Njeriu është i çuditshëm, ka brenda atë fëmijën e përjetshëm dhe nuk e beson dot se po plaket”. Për shkrimtarin Fatos Kongoli është gati e pabesueshme se të gjithë ata njerëz të mbledhur në Akademinë e Shkencave, janë mbledhur për të festuar 70-vjetorin e tij. Një nga romancierët më të mëdhenj shqiptarë, i përkthyer në sa e sa gjuhë të tjera, i konsideruar si “K-ja” tjetër pas Kadaresë, festoi dje përvjetorin e lindjes. Shumë tufa lulesh, një qiri i fryrë dhe një dëshirë-ndjenjë që lidhej me bashkëshorten e tij. Botuesja Irena Toçi (Toena) nuk mund të mos ndihej krenare që ka botuar 15 vepra të Kongolit, autorit që ka fituar dy Penda të Argjendta dhe një të Artë, që ka fituar çmimin “Ballkanika”, që ish-kryeministri francez Sarkozi e nderoi  “Kalorës të legjionit të nderit”… Në një raport të veçantë me shkrimtarin, ndihet përkthyesi Edmond Tupja, i cili e quan veten “hija tjetër” e Fatos Kongolit, duke qenë se ai ka qenë “gjuha e tij” në frëngjisht. Sipas tij, në çdo fjalë të romaneve të Kongolit, ai gjen njeriun, të cilin është e vështirë ta ndajë nga shkrimtari…

Cila ishte dëshira që shprehët, kur fikët qirinjtë?

Me thënë të drejtën nuk më shkoi mendja të shprehja ndonjë dëshirë, sepse ishte hera e parë që festoja një ditëlindje të tillë. Nuk jam mësuar me ditëlindje të tilla ceremoniale. Nuk më ka ndodhur të fryj ndonjëherë qirinjtë dhe kur u përkula ta bëjë këtë, ime shoqe më thotë: mendo ndonjë gjë dhe unë thashë thjesht: Të dua shumë!

Ç’mendon një njeri para shifrave të moshës?

Nuk më besohet se jam bërë 70 vjeç, vështirë ta besoj. Njeriu është i çuditshëm, ka atë fëmijën e përjetshëm brenda vetes. Mua nuk më duket vetja 70 vjeç, më duket më i ri, por fakti është që tashmë jam 70 vjeç.
Kush është ngjarja më e bukur dhe më e hidhur në jetën tuaj?
Ka pasur shumë gjëra të bukura e të ashpra. Një nga ata shumë të bukurit është edhe ky i sotmi.

Po gëzime apo kënaqësi krijimtarie, keni ndjerë?

Jo, jo, sepse kjo do të thoshte të mos shkruaja më. Nuk mendoj më për ato që shkruaj. Përkundrazi, sapo del një libër i ri, unë përpiqem me çdo kusht ta harroj. Ata libra për mua në njëfarë mënyre duhet të jenë të harruar, sepse ndryshe nuk lind libri i ri.
Keni luftuar më shumë për Kongolin njeri, apo për Kongolin shkrimtar?

Fatos Kongoli, dje ceremonisë së 70-vjetorit

Të them të drejtën, vështirë t’i ndaj këto të dyja, por më së shumti unë kam luftuar të mbetem vetvetja. Ky ka qenë synimi i jetës sime. Kur mbetesh vetvetja, gjithçka bëhet më e thjeshtë.

Duket sikur jetoni mes dëshirës për të qëndruar i tërhequr dhe asaj për të qenë i njohur. Sa e vërtetë është kjo?

Nuk është se jam i tërhequr, por nëse një shkrimtar nuk mbyllet të punojë, atëherë kur do të mundet? Ju e dini, të shkruash, nuk është gjë e thjeshtë. Duhet kohë, të mendosh, të kërkosh që ta gjesh. Ky është thelbi. Sa i takon suksesit. Është e natyrshme, që të njihet, aq më mirë nëse edhe vlerësohet.

Ju kanë quajtur “shkrimtar të tranzicionit”, mendoni dhe ju kështu?

Sipas meje është një vlerësim i saktë. Është bërë shumë vite përpara dhe unë jam dakord, sepse po ta kapësh në thelb, pjesa më e madhe e krijimtarisë sime nis pas viteve ’90, atëherë kur nis dhe tranzicioni i Shqipërisë. Kam shkruar disa libra edhe para viteve ‘90, relativisht pak, por librat më të rëndësishëm i përkasin kësaj periudhe. Këta janë librat e mi më të arrirë dhe të vlerësuar.

Cili është “njeriu i tranzicionit” sipas jush?

E vështirë të bësh një përkufizim. Këtë unë jam përpjekur ta bëj libër pas libri prej 22 vjetësh dhe do të më duhej të ripërsëritja gjithë librat që kam shkruar gjatë kësaj kohe.

Keni ende shumë për të thënë?

Për çdo autor, jeta është krejt e pamjaftueshme për t’i thënë të gjitha ato që do të thotë, por vjen një kohë, kur vetë shkrimtari, duhet ta kuptojë nëse duhet të vazhdojë t’i thotë ato që do, apo është momenti që më mirë…

Keni pengje?

Plot moj goce, plot…

Pengje letrare?

Nëse fjala peng është ajo e duhura. Letërsia është një peng i përjetshëm, nuk shlyhet. Nuk ka dalë deri më sot askush të thotë se e zotëroj letërsinë.

Në ato raste kur librat tuaj kanë ngjallur debat, jeni bërë pishman më pas?

Kur kam shkruar ndonjë libër që ka ngjallur debat, nuk kam pasur parasysh se si do pritet ky libër. Më ka ndodhur të mërzitem nga mendime që nuk më janë dukur të drejta, që nuk më është dukur se i meritoja, por nuk jam bërë pishman, çdokush ka mendimet e veta. Kur e nxjerr një libër, duhet ta dish se ai nuk të takon më ty, por të tjerëve.

Shkruani për vete apo për të tjerët?

Nuk bëj pjesë në atë kategori shkrimtarësh që shkruaj vetëm për veten. Unë po të mos kem lexues, nuk besoj se do të mund të shkruaja më gjatë. Të dy plotësojnë njëri-tjetrin. Të shkruarit është diçka metafizike dhe është e vështirë për ta shpjeguar, sepse unë kur shkruaj nuk kam parasysh askënd.

Bashkë me Kadarenë ju jeni konsideruar si “2K-të”, ju vjen keq të jeni “K-ja” e dytë?

Këto janë vlerësime dhe krahasime që i kanë bërë të tjerët. E para ka qenë një gazetare franceze. “K-ja tjetër” ka dalë te “Le Monde”. Nuk e kam thënë unë dhe s’mund të them asgjë.

ALMA MILE

Panorama

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…