Skip to main content

Tetova News

Kuteli: Ah të vërtetat i dimë ne, por jemi të vegjël e të mundur!

Jorida Pasku

Mitrush Kuteli
“Ardhi Zega dhe biseduam-me Berattin-mbi problemet miniere, krom në lidhje me gjermanët. Këta duan të na gllabërojnë toptan. Do shpëtojmë gjësend? Kjo është lufta jonë. A do mundim? Po, më duket se në asnjë vend nuk patën një rezistencë kaqe të fortë. Kemi frikë mos venë në “arrierée” (të prapambetura) borxhet austriake të Wied-it e çështjen e Mamurasit”, shkruan ekonomisti Dhimitër Pasko në ditar më 9 dhjetor të 1943-it, kohë kur Komisioni i Bankës Kombëtare (Beratti, Pasko, Qyteza, Meksi, Kondi, Ziaj, Xhevdeti) bisedon me gjermanët për një sërë çështjesh që prekin ekonominë dhe financat e vendit. Janë të shqetësuar çfarë do ndodhë me marrëveshjen e shkëmbimit, 50 milionët e dhëna për ushtrinë gjermane, të shkëmbehen me mallra. “Mapo” boton një pjesë të bisedës me kreun e komisionit gjerman, Hudeczek-un.  Ajo është në gjuhën franceze, për lexuesin vjen në shqip e pajisur me shënime sqaruese nga bijtë e Kutelit, Atalanta dhe Pandeli Pasko. Edhe pse në kohë lufte, e kushtet e gjermanëve janë të tjera nga ato të vendasve- “në sallonet tona s’ka frona. I kanë vjedhur”(shkruan DH.P)–ai që e merr në dorë ditarin i kupton përpjekjet për të mbrojtur monedhën vendase dhe ekonominë. Ekonomisti Dhimitër Pasko ka zhvilluar më parë biseda edhe për arin shqiptar që ndodhet në Gjermani. Ai ishte i vetëdijshëm për përfundimet e bisedimeve. “Vae Victis!” (Mjerë të mundurit). “Si mjerë ne të vegjëlit dhe të përçarët”, shkruan Kuteli më 29 nëntor, 1943 dhe vijon: “Ah, të vërtetat i dimë ne, por jemi të vegjël e të mundur!”. “Ditari i Ekonomistit Mitrush Kuteli (Dr. Pas). Nga lufta për të shpëtuar floririn e Bankës dhe disa raporte e kujtime” gjendet tanimë në libraritë e kryeqytetit.
5 dhjetor 1943, e hënë (Shënkolli)
… Dola me biçikletë. Mendime të përleshura: Baba, Nënë. Trishtime. Sa vjen po hy në dhe… Koha e mirë. Shkoj e vij me biçikletë, plot trishtim. Kam shpirtin plot me urrejtje për ata që ma vranë: Italjanët! Prapë janë këtu. Kanë pozitat e tyre ekonomike e financiare të forta. Dhe përse? Përse rrinë këtu kaqë shumë? Dje edhe hamajtë e Bankës (që suall nga Durrsi mallra) gjith italjanë. Por lipset të mbaroj dy çështje: të personelit të Bankës dhe të sistemit. Sot! Hyra në bankë. Rivështrova artikullin: “Mblidhni e punoni leshin”. Dua ta zgjeroj. Dua të zhvillohet një industri e vendit. Do vi dhe me një tjetër artikull: “Për krijimin e një industrie kombëtare të leshit”. E shpura artikullin. Del nesër. Fola me Bubanin. U poqa atje. U njojta me Burnazianin. Folmë për muzikë ballkanike e shumë të tjera. Do sjell një artikull: Në Prizren mes të gjallëve dhe të vdekurve”.
Djellë, djellë!
“Çështja e plafonit¹”. Jam në këshillë. Që më 10/ 1/2. Beratti, Kondi, Pasko, Meksi, Qyteza- Jemi në këshillin ministror. Luftojmë për “plafonin”. Lufta është kjo: të importojmë nga Gjermania mall për 50 milion (sa u kemi dhënë për Ushtrinë, të hyjmë në clearing tregtar). Pastaj kemi miniera-dëme-rekuizime. Do na hanë me çështjet e Ushtris. Kanë nisur që tani t’i japin. Ndofta mall të vjetër italjan, të zaptuar prej tyre. Beratti kish vënë plafon 50 mil. Keq. E zbriti-si gabim shtypi-në 5. E ngritmë në 10. Kërkojnë gjermanët 15. Vazhdon lufta!
Ora 12.00-Bejleri nuk ardhi.
Duan të financojnë eksportimin nga Shqipëria gjith prej Shqipërisë. Si bënë në Rumani, ku B.K. e R financonte eksportimet në Gjermani, në vend të financonte Gjermania importimin nga Rumania. Ne duam që të lahemi nga borxhi, pastaj… Ata thonë ndryshe: Të nxjerrëm tani nga Shqipëria. Të sjellëm mall nga Gjermania. Po të mbetet gjësend nga eksportimi gjerman, atëherë paguhet gjësend nga borxhi i parë. Ku do të dalëm? Si do të dalëm?
-Hudeczek-u ndez cigare pas cigare. Është nervoz.
-Beratti i qetë flet me gojë-mjalti, me shënja të bëra me dorën e djathtë.
Hudeczek-u më shikon me inat. Unë ja prisha hesapnë. Vuri syzet përmbi sy – mbi ballë – e dorën në jelek. Delikat, po “farouche²” .
Beratti: Paratë janë të popullit shqiptar. Të tjera para nuk kemi! (Po kjo ngadal, pa ton të rëndë)
-Përsëri 50 mil.
-Jemi si dy ushtri që jemi gati për luftë.
-Më dhemb zemra!
-Jam i sëmurë!
Duket Dajti me pak dëborë.
Rroftë Shqipëria!
(Këtë e shkruaj s’di përse – si budalla)
Hudz- Ne kemi nevojë për të financuar ushtrinë.
Beratti – A mund të kemi detyrimin e prerë nga ana juaj se do të na furnizoni me mallra?
Hudz.-Dëshira jonë për t’ju furnizuar me mallra është e prerë. Por një detyrim të prerë – për shkak të rrethanave – ne nuk mund ta themi. Pastaj është fuqia blerëse e mallrave. Mbase tregtarët nuk duan ta bëjnë këtë, për arsye ekonomike.
Beratti: Shteti Shqiptar zotohet dhe e bën këtë. Dërgon një përfaqësues dhe bën blerjen e mallrave.
Hudz: Ne themi më parë fondet për ushtrinë. Pastaj mallrat.
- Çështja e pezullimit të mallrave, në qoftë se s’ka disponibilitet. Në të tjera shtete kjo nuk hyn, thotë H. se janë sende lufte. Pra, edhe kur s’ka disponibilitet. Këtu hynë herën e parë mineretë (krom). Shton pastajlëkurat.
Btti. Ne kemi pasur gjithnjë dëshirë të eksportojmë mallrat tona në Gjermani. Dhe nuk ia kemi arritur.
Beratti: Mirë, Z. Po mbaj shënim dëshirën tuaj.
Hudeczek – Por nuk ka kohë për t’i vënë në klering
H-Ratifikimi bëhet më von në Berlin. Prandaj duhet të fillojë të zbatohet. Duhet dërguar te Fyhreri.
Beratti-Mund edhe të mos ratifikohet.
Hudz.-Jo, është çështje formaliteti. Thjesht një formalitet
Ora 12/3/4
-Tani çështja e 15, 000, 000 fr.shq. që ka nevojë ushtria në mënyrë urgjente
-Ari 600.000M. Vjen pas disa ditë.
Bëmë letrat të shtunë
Çështja e kursit-Me sa ta shesim arin në treg. Ky qerata Beratti di të gënjejë pa u skuqur asnjë grimë. Si një maçok me syze. Po çështjet shqiptare i mbron shumë mirë.
-transportimi
-Kursi 28/1/2
- Indeksi i çmimeve.
Fola unë për këto tri pika.
7 dhjetor 1943, e martë
Hudeczek: Për të siguruar fondet e nevojshme në vendet e pushtuara Reichsfinanzministerium vinte në dispozicion të atij vendi shumën e nevojshme në marka të Rajhut për të marrë në këmbim fr.shq
Për të ekuilibruar shumën e mbledhur në Berlin me pagesa për ushtrinë, tregtinë e të tjera. Në dhjetor do vinë edhe të tjera sasi ari. Ne ju japëm ar tani, marrëm parasysh gjendjen e jashtzakonshme të Shqipërisë. Qëllimi ynë nuk është të paguajmë gjithë shpenzimet e trupave në ar. Po më vonë do sjellëm mall. Ose do të jetë përmirësuar gjendja e Bankës që kështu banka të na akreditojë. Ne jemi këtu për t’ju mbrojtur nga bandat dhe për t’ju ndihmuar
Unë pata thënë që të na japën mjetet mbrojtjeje për të sjellë nga Vlora të hollat e Bankës (2, 500,000). Ballistët duan t’i marrën.
Çështja e çmimit të arit. Thotë 30.
Populli shqiptar e ka humbur besimin te letrat. Ai kërkon arin, ai parapëlqen arin…
(Marrë nga ditari. Mes të tjerash Kuteli shkruan edhe për të atin, që u vra dhe u dogj me gjithë shtëpi në Pogradec, në shtator 1943 nga ushtarët italianë)
  1. plafon (tavan)
  2. farouche (i egër)

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…