Skip to main content

Tetova News

Leximi i lirë, çelësi i ngrehinave të shpirtit - Mira Meksi

Mira Meksi

Vitet e fëmijërisë sonë qenë vitet më të bukura të leximit; vitet e leximit pa kokëçarje, të leximit aventuror, shpesh fantazor, të vetëshpikur dhe të dëlirë, por edhe të leximit plot bashkëfajni dhe fshehtësi, leximit të ndaluar në kohën e diktaturës komuniste. Sot jam e bindur se, ndonëse bota njeh shumë periudha me libra të ndaluar, ne ndoshta qemë të vetmit dhjetë-trembëdhjetëvjeçarë në univers që iu përkushtuam aq shumë, me mish e me shpirt, fesë së leximit, sidomos leximit të librave të tjetërsojtë, librave “të fajshëm” dhe të damkosur me ndalim nga ideologjia e kuqe, duke bërë që të gjallonte një fenomen i veçantë, i cili do të rritej së bashku me rritjen tonë. Për mua, universi i vërtetë i leximit të fëmijërisë qe bodrumi i shtëpisë së gjyshërve në qytetin e detit, ku shkoja pushimeve të stërgjata të verës, qoshja ime e fshehtë ku mund të lexoja në paqe gjithçka më binte në dorë; por edhe bodrumi tjetër me derë të ngallmuar, mbushur tumbllazi me libra të ndaluar dhe të syrgjynosur, të cilin pata fatin e madh ta zbuloja një ditë vere me ufëm.

Atyre kohërave, nëpërmjet këtij leximi kuptuam se realiteti ku jetonim qe i zymtë dhe i pangjyrë në krahasim me realitetet e librave, se ekzistonte një botë shumë më e bukur dhe më e madhe se bota jonë, e cila na tërhiqte përherë e më shumë, dhe po ashtu mësuam se në të vërtetë librat e ndaluar qenë librat më me vlerë, ndonëse të rrezikshëm realisht për jetën tonë. Më vonë, kur fituam përgjegjësinë e leximit, kur qemë bërë të kujdesshëm në mirëzgjedhjen e librave, arritëm ta identifikonim leximin e librave të ndaluar me lirinë, dhe mësuam të shihnim dhe të gjykonim përtej dogmave të kohës, duke kërkuar të vërtetën në gënjeshtrat e sistemit.

Në bodrumin me derë të ngallmuar të shtëpisë së gjyshërve të mi në qytetin e detit pata gjetur edhe dy libra të profesorit dhe mikut tim Vedat Kokona, të botuar para çlirimit dhe, pa dyshim, të ndaluar asaj kohe: Dritë dhe hije dhe Yje të këputur; i pari me poezi dhe tjetri me tregime. Vargjet e Kokonës qenë të mrekullueshme; të gjitha i këndonin dashurisë, në të gjitha format e saj, por kishte edhe shumë vargje të trishtuara dhespleen-e të ndjera. Më pëlqeu sidomos poezia “Kandili”, të cilën e përktheva me një frymë në frëngjisht, i vura si autor një emër të shpikur francez dhe ia dhashë të nesërmen zemërdredhur nga emocionet profesor Kokonës përpara fillimit të orës së përkthimit të gjuhës frënge, në fakultetin e gjuhëve të huaja ku studioja atë kohë. Me atë veprim naiv kisha nxitur pa dashje zbulimin e një tjetër fenomeni që ekzistonte kohërave të diktaturës, për të cilin s’kisha pasur as idenë më të vakët dhe që ishte binjak me atë të leximit të ndaluar: shkrimin e fshehur, ose mburojën e shkrimit të ndryshëm nga ai i realizmit socialist. Profesor Kokona, i mallëngjyer nga varianti i shkëlqyer frëngjisht (kështu u shpreh) i asaj poezie të harruar të rinisë së tij dhe hokatar për emrin francez të autorit që fshihte emrin e tij dhe që, domosdo, asnjë nga studentët nuk e dinte, na e dha po atë ditë si detyrë përkthimi. U futëm në një lojë të padëgjuar përkthimi dhe ripërkthimi, për të mbërritur në fundvit, pas shumë peripecish të mrekullueshme brenda artit të koklavitur të “tarxhumanit”, te origjinali shqip dhe tek emri i tij.

Javës që pasoi, në fund të orës së përkthimit, profesor Kokona më dha, pa u vënë re, një bllok, të cilin e futa përnjëherë në çantë. Në shtëpi e shfletova dhe gjeta shkrimin e fshehur të profesor Kokonës: prozë dhe poezi të paraqitura gjoja si përkthime prej tij të autorit “Felix Davet”, edhe ky kam përshtypjen autor i rremë. As shenja më e vogël e ngjashmërisë me letërsinë e normave zyrtare të kohës. Dukej sikur një fill e mbante të lidhur krijimtarinë e tij të re me atë të dikurshmen e viteve të rinisë, ndonëse vargu i profesorit qe bërë më i fuqishëm dhe spleen-et e tij më drithëruese. Mbaj mend se kishte shumë pikëllim në to, vaje për dashuri të ngrira si ehuj akulli dhe zemra plot brengë e dhembje çjerrëse, por edhe shpresë për dritë në fund të tunelit. Ndërsa copëzat e prozës kishin humor të zi dhe një ton sarkastik ndaj realitetit që jetonim. Kështu mësova se shkrime të tilla të fshehura qarkullonin brenda një rrethi lexuesish po të fshehtë, pjesë e të cilëve u bëra edhe unë. Sot nuk di të them se ç’vlerë letrare patën ato krijime, por jam e bindur se shërbyen për të ruajtur sadopak nga mpakja vetë shpirtin e krijimit të vërtetë dhe të lirë letrar. Qe koha kur nga lexuese librash të ndaluar hodha një hap të vogël brenda krijimit të mirëfilltë, në fillim brenda krijimit të fshehur: nisa të shkruaja vargje në frëngjisht sipas modeleve të poetëve të mi të parapëlqyer të asaj kohe: Verlaine-it, Rimbaud-it dhe Baudelaire-it, me pseudonimin “Jade magique”, dhe kjo vetëm për hir të nevojës së ngutshme për t’u shprehur lirshëm me anë të shkrimit të fshehur, pasi vargëzimet nuk më shkojnë së brendshmi dhe më është krijuar me kohë idengulitja se nuk jam në gjendje t’i ndërtoj: asnjëherë më vonë, kur nisa të merresha seriozisht me krijimin letrar, as nuk shkrova dhe as botova qoftë edhe një varg të vetëm në shqip. Ata që i lexonin vargjet e mia të fshehura në frëngjisht numëroheshin me gishtat e dorës; lexuesit dhe krijuesit e shkrimit të fshehur vërtiteshin brenda një qerthulli dhe shndërroheshin herë në njërin dhe herë në tjetrin. Ndonëse arrinim të njihnim autorin e vërtetë poshtë emrave të rremë që e mbulonin, asnjëherë nuk e zumë ngoje, as me atë vetë dhe as me kurrkënd, madje edhe aludimi më i vogël për këtë qe i përjashtuar. Rrethi i tyre u rrit pas studimeve, kur shkova të punoja në shtëpinë botuese “8 Nëntori” dhe më pas në atë librit artistik “Naim Frashëri”.

Në ato vite, nëpërmjet leximit të ndaluar dhe shkrimeve të fshehura, ia kishim dalë jo vetëm të kishim një jetë shpirtërore të pandryshkur, e cila valëviste një flamur lirie të vetin, por dhe të komunikonim me njëri-tjetrin dhe të kishim fenë tonë: besimin e krijimit letrar.

Porse vetëm kur na ra në dorë libërthi i Proust-it Mbi leximin i ramë mendjes dhe zumë të gjykonim mbi rolin e vërtetë që kishte luajtur e luante leximi, dhe sidomos leximi i ndaluar në jetën tonë. Patëm mundësinë edhe të krahasonim gjykimet tona mbi leximin e ndaluar me tezat e tij mbi leximin në përgjithësi, por dhe me ato të një tjetër mendimtari, siç qe Ruskin-it, i cili e pati nxitur Proust-in të replikonte për këtë temë me të. Me libërthin e tij si parathënie e përkthimit në frëngjisht të veprës së Ruskin-it Susamë dhe zambakë në vitin 1904, në të vërtetë Proust-i, që është edhe përkthyesi i veprës së estetit anglez, paraqet tezat e tij mbi leximin, të cilat në pjesën më të madhe të tyre kundërshtojnë ato të Ruskin-it.

Sipas Proust-it, tezat e Ruskin-it thonë pak a shumë, ndonëse shumë më bukur, atë që Dekarti e përmbledh thatë në fjalët: “Leximi i të gjithë librave është sikundër një bisedë me njerëzit më të ndershëm të shekujve të shkuar, që janë autorët e tyre.”

“Le të hamendësojmë, – thotë Ruskin-i, – se kemi edhe vullnetin, edhe mençurinë për të zgjedhur siç duhet miqtë tanë, dihet se sa e kufizuar është sfera e përzgjedhjes. Ne nuk kemi mundësi të njohim ata që dëshirojmë. […] Një fat i madh mund të na japë mundësinë të pikasim një poet të madh dhe t’i dëgjojmë zërin, apo t’i drejtojmë një pyetje një njeriu të shkencës, që mund të ketë mirësinë të na përgjigjet. Mundet të kemi një takim dhjetëminutësh në kabinetin e një ministri, mundet që një herë të vetme në jetë të ndeshim vështrimin e një mbretëreshe. E megjithatë, këto rastësi arratisëse i dëshirojmë me zjarr, harxhojmë vitet e jetës, pasionet dhe dhuntitë tona duke kërkuar për më pak se kaq, ndërkohë që gjatë kësaj kohe është një shoqëri e hapur vazhdimisht ndaj nesh, njerëz që na flasin sa të dëshirojmë ne dhe cilido qoftë rangu ynë. Dhe këtë shoqëri, ngase është e shumtë në numër dhe tepër e ëmbël, e lëmë të na presë pranë nesh edhe ditë të tëra – mbretër dhe burra shteti presin me durim jo për të na dhënë audiencë, por për ta marrë atë prej nesh; ne s’kemi për ta kërkuar kurrë nëpër paradhomat e mobiluara thjesht e që janë raftet e bibliotekave tona. […] Ju ndoshta mund të thoni, – shton Ruskin-i, – se ju pëlqen më mirë të fjaloseni me të gjallët, se u shihni fytyrën etj…” Dhe pasi i hedh poshtë këto kundërshti, Ruskin-i rrëfen se leximi është një bashkëbisedim me njerëz shumë më të ditur dhe shumë më interesant se ata që keni rastin të njihni rrethepërqark. Sa për Proust-in, ai e kundërshton faktin se leximi mund të jetë njëlloj si bashkëbisedimi, qoftë edhe kur lexon më të diturin e të diturve. Ajo që ndryshon thelbësisht mes një libri dhe një miku nuk është fakti se cili është më i dituri, por mënyra e komunikimit mes tyre. Leximi, ndryshe nga bashkëbisedimi, konsiston për secilin prej nesh në marrjen e komunikimit nga një tjetër mendim, por duke qëndruar vetëm, domethënë duke gëzuar fuqinë intelektuale që njeriu ka kur është vetëm, të cilën e shpërndan përnjëherë bashkëbisedimi, duke qenë në frymëzim të vazhdueshëm, duke e punuar pjellorazi shpirtin në vetvete. Sidoqoftë, ndonëse Proust-i i njeh leximit rolin e mrekullueshëm të një komunikimi në gjirin e vetmisë, prapëseprapë ai nuk e pranon rolin mbizotërues që i jep Ruskin-i leximit në jetën tonë shpirtërore. Sipas tij, shkrimtari na zbulon veç një copëz të realitetit, pjesa tjetër është mjegull dhe ne mbetemi përpara mjegullës; leximi, përherë sipas tij, është vetëm pragu i jetës shpirtërore; ai mund të na fusë në të, por nuk është jeta shpirtërore.

Roli i leximit në jetën tonë brenda një bote të vogëlth me dyer të ngallmuara i kalonte përcaktimet e Proust-it, por edhe të Ruskin-it apo të tjerëve që kishin dhënë gjykime për të, sepse ata jo vetëm nuk e kishin njohur moskomunikimin e frikshëm, hipokrizinë e skajshme, frikën dhe terrorin që ekzistonin në jetën tonë, ku edhe vetë thelbi i leximit të lirë konsiderohej krim, por as që e kishin imagjinuar e ca më pak e kishin vënë në peshore kur kishin dhënë mendimet e tyre për leximin. Për ne leximi, me botët e pafundme që zbulonte dhe me lirinë e tyre, ishte mekanizmi që e nxiti shpirtin tonë të mekur të gjallërohej, të merrte energji, të jetonte dhe të kërkonte pastaj të vërtetat brenda mendimit tonë. Qe miku dhe komunikimi ynë i vetëm kohëve të vetmisë, kur miqtë dhe shokët kishin frikë të komunikonin me ne.

Proust-i thotë: “Për aq kohë sa leximi është çelësi magjik që na hap në thellësinë tonë dyert e ngrehinave ku nuk kemi mundur të futemi, roli i tij në jetën tonë është i shëndetshëm. Përkundrazi, ai bëhet i rrezikshëm kur, në vend që të zgjojë te ne jetën shpirtërore, tenton ta zëvendësojë atë, kur e vërteta nuk na ngjan më si një ideal, që ne mund ta realizojmë vetëm nëpërmjet progresit të mendimit tonë dhe përpjekjeve të zemrës, por si një gjë materiale, e vendosur brenda faqeve të librave, si një mjaltë i përgatitur nga të tjerët dhe që na mbetet veç të zgjatim dorën dhe ta marrim në raftet e bibliotekës e ta shijojmë pastaj pasivisht në një prehje të përkryer të shpirtit dhe trupit…”

Leximi i ndaluar jo vetëm na mësoi të mos kishim frikë dhe të stërviteshin për të hyrë në ngrehinat e shpirtit, portat e të cilave na qenë mbyllur dhe vulosur frikshëm me dhunë, jo vetëm na bëri të ecim udhëve të vështira të mendimit tonë ndryshe dhe të padeformuar, por na vuri përpara syve edhe të vërteta të ngjizura në botën e lirë dhe të gatshme për të ushqyer mendjen tonë të lodhur, të mpirë dhe shpeshherë fort të mëdyshur.

Në veprën Mbi leximin Proust-i ka një pasazh shumë interesant mbi efektet kurative të leximit, që mund të hedh dritë mbi këtë rol që vërtetshëm luajti, veç të tjerash, leximi i ndaluar në kohërat e liga të patologjisë së diktaturës që vuajti mendja jonë. Ai shpjegon se ky rol i librave do të qe i ngjashëm me rolin e psikiatrit pranë disa pacientëve nevrastenikë. Këta pacientë, ndonëse nuk kanë të prekur nga sëmundjet asnjë organ jetësor, që gëzojnë shëndet të mirë, por që për mungesë vullneti as nuk punojnë as dhe as nuk bëjnë dot asnjë aktivitet tjetër, janë të dënuar të mbarojnë, sikur një dorë e fuqishme të mos i ngrejë nga bataku ku kanë rënë. Njëlloj ka edhe mendje të cilat “ngathtësia”, “përtacia” i pengon të futen në thellësitë e vetvetes, ku fillon edhe jeta e vërtetë shpirtërore, dhe pa një ndërhyrje nga jashtë ato jetojnë në sipërfaqe, në një harresë të përhershme të vetvetes, në një lloj pasiviteti a depresioni shpirtëror. Dhe i vetmi shpëtim është që një ndërhyrje, një impuls që vjen nga një tjetër mendje, por në vetmi, ta trazonte ngrehinën e shpirtit dhe ta nxirrte nga topitja. Leximi mund ta bëjë këtë. Dhe ky qe saktësisht roli që luajti leximi i ndaluar kohërave kur mendja jonë qe mpirë dhe stepur ligsht nga terrori, frika dhe propaganda hipokrite dhe pati humbur çdo lloj identiteti. Në vetminë e komunikimit leximi i ndaluar, dhe më tej shkrimet e fshehura, qenë impulsi i fuqishëm që na nxori nga bataku i stepjes, që na ndihu të ndërtonim jetën tonë shpirtërore dhe të mbanim gjallë aftësitë tona krijuese.

Mehr Licht

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…