Skip to main content

Tetova News

Michel de Montaigne - Të filozofosh, do të thotë të mësosh të vdesësh….

Michel de Montaigne (1533 –1592)


Ciceroni ka thënë se të filozofosh do të thotë të përgatitesh për vdekjen. Kjo sepse studimi dhe vëzhgimi e nxjerrin jashtë shpirtin tonë deri në një farë mase dhe e mbajnë me punë jashtë trupit, gjë që përbën një farë stërvitjeje për vdekjen me diçka të ngjashme me të. Ose, ndoshta, se gjithë urtësia dhe arsyetimet mbi këtë botë reduktohen së fundmi në këtë pike: të na mësojnë të mos kemi frikë nga vdekja.

… Të gjitha rregullat konvergojnë, takohen në këtë pikë. Dhe megjithëse ato të gjitha na shtyjnë së bashku të përçmojmë dhimbjen, varfërinë dhe rrethanat e tjera të cilave u nënshtrohet jeta njerëzore, dhe kjo jo gjithmonë është e nevojshme, pjesërisht se këto rrethana nuk krijohen aq shpesh (shumica e njerëzve e kalojnë jetën pa shijuar varfërinë, të tjerë pa ndjerë as dhimbjen e as sëmundjen, si Ksenofili muzikant që rrojti 106 vjeç me shëndet të plotë) dhe sepse në rastin më të keq, kur të na pëlqejë, vdekja mund t’i japë fund dhe t’i mohojë ardhjen halleve të tjera. Por vetë vdekja është e paevitueshme.

Omnes codem cogimur, omnium
Versatur urna, serius ocius
Sors exitura et nos in æter-
num exitium impositura cymbaæ.

(Të gjithë jemi të detyruar të ndjekim të njëjtën
udhë. Fati ynë, si zar në urnë, do të shfaqet herët a
vonë dhe do të na detyrojë të pambrojtur t’i hipim barkës
së Karontit, pasagjerë të errësirës së përjetshme.)
(Horace, Odes,II, iii, 25-28)

Dhe, për pasojë, meqë na frikëson, është temë e një torture të vazhdueshme që s’mund të lehtësohet. (Cicero, De Finibus, I, xviii). Nuk ka vend nga të mos vijë, le ta kthejmë kokën  sa të duam si në një vend të dyshimtë: vdekja gjithmonë na rri mbi kokë, si guri mbi Tantalin (Lucretius, De rerum natura, IV, 472.) Gjyqet tona shpesh i çojnë në ekzekutim kriminelët në vendin ku kanë kryer krimin. Krijoi atyre gjatë rrugës kënaqësitë më të larmishme, kaloji ndër shtëpi të bukura-

… non Siculæ dapes
Dulcem elaborabunt saporem,
Non avium cytharæque cantus
Somnum reducent.

(... as edhe festa siciliane
të mjerit s’mund t’i shijojë
as këngët e zogjve, as muzika e lirës
në gjumë dot s’e vënë.)
(Horace, Odes, III, I, 18-21)

mendoni se do të munden t’i shijojnë, dhe që përfundimi i udhëtimit të tyre, që e kanë gjithnjë parasysh, nuk jua prish shijen e atyre kënaqësive?


Audit iter, numeratque dies, spacioque viarum
Metitur vitam, torquetur peste futura.

(Ai e dëgjon atë që vjen, numëron ditët, mat frymën e jetës
në zgjatjen e tyre, i torturuar nga vdekja që po i vjen.)
(Claudian, In Rufinum, II, 137-138)

Synimi i karrierës sonë është vdekja. Ajo është objekti i nevojshëm i qëllimit tonë. Nëse na frikëson, si ka mundësi që ecim para pa një drithërimë? Ilaçi që gjen turma është të mos mendojë për të. Megjithatë, prej çfarë idiotizmi kafshëror buron kjo verbëri vulgare! Ata e kapin gomarin prej bishti

Qui capite ipse suo instituit vestigial retro

(I cili e detyron mendjen e tij të shkojë vetëm mbrapa.)
(Lucretius, De Rerum Natura,IV, 472.)

Prandaj nuk është çudi që aq shpesh bien në kurth....
E ç’rëndësi ka, do të thoni ju, ndodhi kështu apo ashtu, derisa s’ndjejnë gjë? Edhe unë kështu mendoj: çfarëdo mjeti a mënyre të gjesh për t’ju shpëtuar goditjeve, qoftë dhe të veshësh një lëkurë viçi, nuk do të hezitoja ta përdorja. Për mua mjafton ta kaloj jetën time në mënyrë të rehatshme; loja më e mirë për mua është të marr ç’të mundem, sado pak e lavdishme dhe shëmbulldhënëse të duket kjo

... prætulerim delirus inersque videri
Dum mea delectent mala me, vel denique fallant,
Quam sapere et ringi.

(... sikur fajet e mia të mashtronin e t’i pëlqenin
mendjes sime, më mirë të dukem budalla, por rehat,
sesa i mençur në tërbim.)
(Horace, Epistolar,II, ii, 126-8)


Por është çmenduri të mendosh se mund t’ia dalësh kështu. Ata shkojnë, vijnë, ecin, kërcejnë – nga vdekja s’ka lajme. Deri këtu, në rregull. Por kur kjo u ndodh atyre, apo gruas së tyre, fëmijëve apo miqve, duke i kapur në befasi dhe të pambrojtur, sa dhimbje, qarje, ulërima dhe dëshpërim i kaplon! A keni parë ndonjë gjendje tjetër më poshtëruese sesa kjo? Duhet të ishin përgatitur më parë; ajo moskokëçarje kafshërore, edhe kur hyn në kokën e një njeriu që kupton – gjë që unë e konsideroj krejtësisht të pamundur –  na i shet mallrat e veta tepër shtrenjtë. Po të qe një armik që mund ta evitonim, do të këshilloja burracakësinë. Por meqë kjo është e pamundur, sepse të kap njëlloj, si t’i ikësh paburrnisht, ashtu dhe po ta përballosh trimërisht:

Nempe et fugacem persequitur virum,
Nec parcis imbellis juventæ
Poplitibus, timidoque tergo.

(Aq pamëshirë e ndjek atë që arratiset
saqë s’kursen të pafuqishmin
të pamësuarin apo naivin.)
(Horace, Odet, III, ii, 14-16)

– Dhe meqë s’ka armaturë të të mbrojë –


Ille licet ferro cautus se condat ære
Mors tamen inclusum protrahet inde caput.

(Sado të fshihet, të ruhet, me bronz e çelik
Vdekja prapëseprapë do ta zhveshë e do ta fikë.)
(Propertius, Elegji, III, xviii, 25-26)

le të mësojmë ta përballojmë me guxim e ta luftojmë. Dhe si fillim t’i heqim avantazhin më të madh që krijon ndaj nesh, të sillemi krejt ndryshe nga e zakonshmja. Le t’i heqim çudinë, të pazakonshmen, le ta njohim, le të mësohemi me të. Asgjë të mos mendojmë më shumë se vdekjen. Në çdo çast le ta përfytyrojmë me të gjithë aspektet e saj

Që në moshën më të hershme s’jam marrë me asgjë më shumë se me përfytyrimet e vdekjes. Edhe në stinën më të hareshme të jetës

Jucundum cum ætas florida ver ageret.

(Kur rinia lulëzuese kënaqej me pranverën gazndjellëse.)
(Catullus, Poezi, lxviii, 16)

ndër zonja dhe lojëra, dikush do të më mendonte se po gëlltisja xhelozinë, apo pasigurinë e ndonjë shprese, kur mendoja s’mbaj mend se për kë, që kishte vdekur papritur ca ditë më parë nga ethet, kur po largohesha nga një festë e ngjashme me atë pas të cilës kishte ndodhur ngjarja, me kokën, si ai, të mbushur me përtaci, dashuri dhe rehat; dhe, duke menduar se po ai fat po më varej mbi kokë

Jam fuerit, nec post unquam revocare licebit.

(Shpejt do të jetë një e shkuar, përtej mundësisë për ta kujtuar.)
(Lucretius, De Rerum Natura, III, 915)

Nuk mvrojtem më me këto mendime. Në krye është e pamundur të mos na shqetësojnë përfytyrime të tilla. Por duke i përsëritur dhe përpunuar, me kohë ne, padyshim, që i zbusim ato. Ndryshe, unë nuk do t’i frenoja dot frikën dhe shqetësimet; sepse asgjë më shumë s’dyshon njeriu sesa jetën e tij, asgjë më shumë se sa do të zgjasë ajo...

Përktheu: Lluka Qafoku

Mehr Licht 

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…